VEPRIMTARIA DIPLOMATIKE E MIT’HAT BEJ FRASHËRIT NË ATHINË (1923-1926)

Shkruan, Prof. Dr. Fatmira Musaj

Për veprimtarinë e Mithat Frashërit në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare është shkruar pak në historiografinë e pasluftës. Ai ishte një nga ato figura që vetëm u kritikua për qëndrimin në Luftën e Dytë Botërore, duke iu mohuar tërë aktiviteti i mëparshëm në shërbim të çështjes shqiptare. Pas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri (1992), autorë të ndryshëm si B. Meta, M. Dezhgiu, U. Butka, K. Nuro etj. , bënë objekt trajtimi aspekte të veçanta të veprimtarisë së tij në artikuj shkencorë dhe publicistikë.

Në këtë artikull do të përpiqemi të hedhim dritë mbi veprimtarinë e tij diplomatike si ministër Fuqiplotë në Athinë, gjatë viteve 1923-1926, gjë të cilën ma mundësoi hulumtimi në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Gjatë kohës së kërkimit në këtë arkiv, doli në shtyp vëllimi me dokumente “Mithat Frashëri Ministër Fuqiplotë në Athinë, 1923-1926”, Tiranë, 2002, përgatitur nga kolegët Luan Malltezi dhe Sherif Delvina.

Ky vëllim solli një bazë burimore të cilën e kam konsultuar dhe shfrytëzuar në këtë studim. Në vitet 20 të shekullit të kaluar, Mithat Frashëri do të vijojë veprimtarinë e tij për stabilizimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Ai do të kontribuoj në realizimin e objektivave të politikës së jashtme të shtetit shqiptar, veçanërisht në përmirësimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me to. Realizimi i kësaj detyre për qeverinë ishte shumë e rëndësishme, sepse kishte të bënte në normalizimin e situatës politike, ekonomike e shoqërore brenda vendit, që të zyrtarizonte dhe të zhvillonte më tej marrëdhëniet dhe shkëmbimet e ndërsjella të vendosura tashmë midis popujve të Ballkanit, gjë që do të ndikonte në ngritjen dhe evidentimin e problemeve të minoritetit shqiptar në shtetet fqinje dhe mbrojtjen e pavarësisë dhe integritetin tokësor të Shqipërisë nga pretendimet e vazhdueshme të këtyre shteteve.

Për këto arsye, qeveria shqiptare, në prill të vitit 1921, dërgoi në Athinë, në Romë e Beograd, delegacione me propozimin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, por pa rezultat. Megjithatë, përpjekjet e shtetit shqiptar për vendosjen e marrëdhënieve me Greqinë vijuan dhe u konkretizuan në korrik të vitit 1922, kur qeveria greke njohu pavarësinë e Shqipërisë. Normalizimi i marrëdhënieve midis dy vendeve, të acaruara qysh gjatë luftërave ballkanike dhe në vijim ishin sa delikate aq dhe problematike, për shkak të politikës aneksioniste të Greqisë ndaj Shqipërisë së Jugut, ishte një proces i vështirë. Prandaj Këshilli i Ministrave vlerësoi si personin më të përshtatshëm për përfaqësimin e shtetit në Athinë, Mithat Frashërin. Më 9 janar të vitit 1923, vendosi ta caktoi atë me mision për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Mithat Frashëri e mirëpriti vendimin e qeverisë. Nga Vashingtoni (ku kryente detyrën si ministër Fuqiplotë i shtetit shqiptar) ai falenderoi ministrin e Punëve të Jashtme, Pandeli Evangjelin, për besimin që qeveria kishte treguar ndaj tij dhe e siguroi atë se do të punonte me vullnet e këmbëngulje për përmbushjen e misionit.
Emërimi i Mithat Frashërit si përfaqësues i shtetit shqiptar në Athinë u mirëprit jo vetëm në rrethet politike, por edhe nga ato patriotike, si dhe nga shqiptarët e Greqisë. Në telegramet e urimit që ata i dërguan atij, shprehnin bindjen se si njeri me personalitet dhe i mbrujtur nga ndjenja kombëtare, do të dinte t’i shërbente popullit të vet dhe do të ishte burim i përhapjes së ndjenjave kombëtare tek nxënësit dhe studentët shqiptarë që studionin në Greqi. Mithat Frashëri e vlerësoi rëndësinë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Greqinë, pavarësisht problemeve që ekzistonin, pranoi misionin që iu ngarkua megjithëse, siç shprehej ai, “në Athinë detyrat ishin më të vështira dhe kishte shumë punë për të bërë”. Përvojën e fituar në fushën e diplomacisë dhe njohuritë e mira për veprimtarinë e institucioneve ndërkombëtare ai do t’i çonte më tej dhe do t’i vinte në shërbim të zhvillimit të marrëdhënieve midis dy vendeve. Këto vështirësi rridhnin nga një sërë faktorësh që Mithat Frashëri i njihte mjaft mirë dhe do t’i kishte parasysh në veprimtarinë e tij diplomatike.

Marrëdhëniet me shtetin grek ishin të kufizuara në të gjitha fushat. Situata politike si në Shqipëri, dhe në Greqi, ishte e paqëndrueshme. Ngjarjet politike zhvilloheshin shpejt dhe ndërrimi i qeverive dhe i funksionarëve në administratën shtetërore ishte një veprim i zakonshëm. Ekonomia dhe financat e shtetit shqiptar ishin të dobëta aq sa nuk mund të përballonin edhe kërkesat më elementare për punën e trupit diplomatik. Personeli i legatës pothuajse mungonte. Kështu, Mithat Frashërit iu desh të kryente i vetëm disa funksione. Në takimet e para zyrtare dhe private që pati me personalitete të larta shtetërore greke, Mithat Frashëri e vuri theksin në bashkëpunimin që duhej të ekzistonte midis të dy vendeve për trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve që i preokuponin. Jo vetëm kaq, por hapin e hedhur midis dy vendeve ai e shihte si të domosdoshëm për bashkëpunimin ndërshtetëror edhe në rrafshin ballkanik. “ … Është koha, – i tha ai, ministrit grek të Punëve të Jashtme, Aleksandrit, – për të punuar edhe për prosperitetin material të Ballkanit”.

Edhe në takimin që pati me mbretin Gjergji II, Mithat Frashëri i shprehu atij vullnetin e qeverisë shqiptare që marrëdhëniet midis dy vendeve të ishin miqësore dhe kishte shpresë të gjente të njëjtin vullnet edhe nga pala greke. Të njëjtin predispozicion, të paktën në dukje, Mithat Frashëri e gjeti edhe nga autoritetet greke. Ministri i Punëve të Jashtme, Aleksandri, e vlerësonte vendosjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve si një faktor që do të çonte edhe në përmirësimin e marrëdhënieve midis Greqisë dhe Italisë. Ndërsa, mbreti Gjergji II i deklaroi atij se “dëshironte shumë që marrëdhëniet midis dy shteteve të jenë miqësore”.
Mithat Frashërit iu krijua mendimi se marrëdhëniet me Greqinë do të ecnin mirë. Për zhvillimin e takimeve të para dhe frymën pozitive që i karakterizoi, ai informoi MPJ të Shqipërisë. Midis të tjerave, ai kërkonte që edhe shtypi shqiptar duhej t’i ndihte këtij procesi. Në faqet e tij të botoheshin materiale që do të gjykoheshin se do të ndihmonin në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Mirëpo hapave të marra nga përfaqësuesi ynë në Athinë, në përputhje me rregullat e akreditimit në shtetin helen, nuk po i përgjigjej homologu i tij grek në Shqipëri Panurias. Ai mbante qëndrim indiferent dhe jokorrekt ndaj autoriteteve shqiptare. Kishte neglizhuar në paraqitjen e letrave kredenciale pranë institucioneve përkatëse, duke krijuar siç vinte re ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë Hysen Vrioni, një gjendje të vakët. Prandaj ai e porosiste Mithat Frashërin që të informonte autoritetet greke për qëndrimin e Panurias, t’u kërkonte atyre që ai të akreditohej në Tiranë, sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Qëndrimi i Panuriasit nuk ishte as i rastit dhe as personal. Ai pasqyronte politikën e jashtme të shtetit grek ndaj Shqipërisë, problemeve që qëndronin midis tyre, veçanërisht ato të minoritetit shqiptar në Greqi, që do të vërehej nga Mithat Frashëri gjatë gjithë kohës së ushtrimit të detyrës në krye të legatës shqiptare në Athinë.
qysh në muajt e parë, Mithat Frashërit i tërhoqi vëmendjen ndryshimi midis asaj çka deklaronin dhe asaj çka zbatohej në praktikë ndaj shqiptarëve nga autoritetet e larta shtetërore greke. Ndonëse ato pranonin se do të respektonin të drejtat e shqiptarëve, zyrtarët lokalë vepronin në mënyrë diskriminuese ndaj tyre.

Informacionet që i vinin Mithat Frashërit prej shqiptarëve në Greqi, e vinin në dijeni për pengesat që nënpunësit e prefekturave, xhandarmërisë e doganave u sillnin atyre lidhur me pasaportat, lejekalimet etj. Këtë çështje Mithat Frashëri ia paraqiti ministrit të jashtëm grek Aleksandër, pas kthimit nga Lozana. “Do të qe mirë, – theksoi Mithat Frashëri, – sikur të viheshin në praktikë dispozitat e mira të qeverisë greke pasi kam afro 6 muaj që gjendem në Athinë dhe s’kam veçse të lëvdohem dhe të quhem i lumtur prej marrëdhënieve që kam me autoritetet qendrore. Mjerisht sjelljet e autoriteteve lokale në çështje lejekalimi etj. , nuk na kënaqin aspak”. Sipas tij, kjo pengonte afrimin dhe miqësinë midis dy popujve tanë.

Çështja e shqiptarëve që jetonin në Greqi, përbënte një problem të rëndësishëm në marrëdhëniet midis dy shteteve, njëkohësisht ajo zuri një vend të konsiderueshëm në veprimtarinë diplomatike të Mithat Frashërit.
Megjithëse kishte njohuri të mira për gjendjen e shqiptarëve në Greqi, të qenit në krye të misionit diplomatik i shtronte si detyrë njohjen e situatës konkrete të minoritetit, problemet me të cilat ai ballafaqohej veçanërisht pas nënshkrimit të Traktatit të Lozanës, më 30 janar të vitit 1923. Ndihmë për këtë atij i dha informacioni i ardhur nga shqiptarë të krahinave të ndryshme, në të cilin shpreheshin shqetësimet e popullsisë shqiptare kundrejt dhunës shtetërore greke. Veç qartësimit të gjendjes në plan personal, ai me telegrame e informacione ia bëri të njohur edhe MPJ në Tiranë.

Në një raport dërguar MPJ të Shqipërisë, ai pasqyronte në mënyrë të detajuar vendbanimet e shqiptarëve, shtrirjen gjeografike të tyre, numrin e përgjithshëm që arrinte deri në 100 000 dhe politikën e ndjekur ndaj tyre nga shteti grek. Objektivi kryesor i kësaj politike, – theksonte ai, – ka qenë shpërngulja e popullsisë shqiptare nga Greqia, të cilën siç nënvizonte ai, e nisi “Që të nesërmen e Luftës Ballkanike”.
Për realizimin e spastrimit etnik të shqiptarëve qarqet greke u mbështetën, shprehej Mithat Frashëri, në mentalitetin helenik, në bazë të të cilit shqiptarët ndaheshin në dy grupe fetare, në ortodoks, që sipas tyre, një ortodoks nuk mund të ishte tjetër veçse një grek dhe në shqiptarë myslimanë, të cilët duhet të largoheshin prej trojeve të tyre.

Ai e vlerësoi vendosjen dhe forcimin e marrëdhënieve me Greqinë si domosdoshmëri për shtetin shqiptar, por në këtë kuadër ai konsideronte si urgjente përpjekjet që duheshin bërë për mbrojtjen e të drejtave dhe të interesave jetike të minoritetit shqiptar në Greqi diktuar nga situata e krijuar pas mbarimit të luftës turko-greke në vitin 1922, dhe nënshkrimit të Traktatit të Lozanës më 30 janar të vitit 1923. sipas këtij traktati, midis dy vendeve do të bëhej shkëmbimi i popullsive gjë që do të shfrytëzohej nga qarqet greke për të bërë realitet dëbimin pa të drejtë të shqiptarëve me banim në Greqi. Për të mbikqyrur këtë proces, Lidhja e Kombeve krijoi një komision të posaçëm, në përbërje të të cilit ishin grekë e turq që kryesohej nga një i huaj me qëndrim asnjanës. Gjithashtu u krijuan edhe nënkomisione me të njëjtën përbërje që vepronin në krahina të ndryshme në Greqi. Qeveria shqiptare, e shqetësuar se në atë këmbim mund të futeshin edhe shqiptarët myslimanë të greqisë, i kërkoi Konferencës mospërfshirjen e shqiptarëve në këtë proces. Konferenca e pranoi kërkesën e qeverisë shqiptare dhe u vuri si detyrë komisionit dhe nënkomisioneve të hetonin gjendjen e shqiptarëve në Greqi e të mos lejonin shkëmbimin e tyre me refugjatët grekë të Turqisë.

Mithat Frashëri ndiqte me shqetësim përpjekjet e gjithanshme të qeverisë greke për të përdorur këtë proces, edhe për shpërnguljen e myslimanëve shqiptarë. Ai ndërmori një veprimtari të dendur diplomatike për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. Për këtë, krahas bashkëpunimit me institucionet e shtetit shqiptar, ai realizoi një komunikim të drejtpërdrejt për problemet që shqetësonin shqiptarët me grupet mbikqyrëse të këtij procesi, si dhe me forumet më të larta të Lidhjes së Kombeve. Një nga problemet më shqetësuese për shqiptarët e Greqisë në përgjithësi dhe myslimanët shqiptarë në veçanti, ishte shpronësimi sipas ligjit të ri agrar të Greqisë, i treti i llojit të vet. Sipas tij, çifligjet shpronësoheshin pa u vlerësuar nga një gjykatë e lirë dhe pa u paguar çmimi i tyre pronarëve. Zbatimi i tij i linte shqiptarët pa asnjë mjet jetese dhe i drejtonte lehtësisht në procesin e shkëmbimit të popullsive. Mbështetur në informacionet, ankesat e pronarëve të vegjël e të mëdhenj, Mithat Frashëri e pa të udhës ta ngriste këtë çështje në Lidhjen e Kombeve. Në fjalën që mbajti në Asamblenë IV të Përgjithshme të saj, ligjin në fjalë e konsideroi shkelje të nenit 6 të Konventës midis Greqisë dhe Turqisë, (nënshkruar më 1-14 nëntor 1913, shtojca nr. 1). Ky traktat i garantonte në mënyrë të qartë pasuritë e shqiptarëve myslimanë të territoreve të reja të aneksuara. Gjithashtu ai e konsideroi atë edhe shkelje të kushtetutës greke. Neni 17 i saj garantonte pronën, e cila mund të shpronësohej vetëm për arsye të nevojave publike, por me kusht që vlera e saj të derdhej paraprakisht dhe që kjo vlerë të caktohej me vendim gjykate.

Përveç mosrespektimit të këtyre dokumenteve të rëndësishme, qeveria greke, – theksonte M. Frashëri në fjalën e tij, – në kundërshtim me atë çka pranoi në Konferencën e Lozanës, vijoi zbatimin e masave që, ashtu si dhe më parë, synonin rrënimin e pronarëve shqiptarë.Çifligjet e shqiptarëve shpronësoheshin duke i vlerësuar me 1/15 ose me 1/20 e vlerës së tyre reale. Kjo vlerë atyre nuk u paguhej menjëherë, por do t’u shlyhej me këste për 30 vjet. Shqiptarëve myslimanë, që përbënin pjesën më të madhe të pronarëve, qysh prej 7 vjetësh u ishte hequr e drejta të shisnin ose të jepnin me qera pronat e tyre. Prodhimet e tyre konfiskoheshin nga autoritetet greke. Këto veprime kishin dëmtuar rëndë ekonominë e shqiptarëve në Greqi. Krahas përpjekjeve të qeverisë greke për t’i shkëputur shqiptarët nga elementi bazë jetësor, prona, Mithat Frashëri denoncoi edhe mjete dhe forma të tjera që qeveria greke përdori ndaj shqiptarëve, si: identifikimin e fesë me kombësinë, nënshtetësinë etj. Për të ulur sa më shumë numrin e shqiptarëve në Greqi, ata konsideronin me origjinë shqiptare vetëm ata individë që ishin lindur vetë dhe etërit e tyre në Shqipëri.

Në këtë mënyrë, të gjithë shqiptarët që kishin lindur në Greqi mbeteshin pa origjinë, pra mund të quheshin turq ndaj rrezikoheshin të përfshiheshin edhe në procesin e shkëmbimit. Në fund të fjalës së tij, Mithat Frashëri, në emër të qeverisë shqiptare, bëri një deklaratë në të cilën i kërkoi Sekretarit të Lidhjes së Kombeve ta shtronte çështjen në Këshillin e Lidhjes ku të përcaktoheshin dispozita për mbrojtjen e pronave të shqiptarëve në Greqi. Pas kthimit në Athinë, Mithat Frashëri, në bashkëpunim me trupin diplomatik shqiptar në Greqi, Turqi etj. , ndërmori hapa për demaskimin e politikës greke ndaj myslimanëve shqiptarë pranë komisioneve mikste që mbikqyrnin procesin e shkëmbimit në këto vende. Për këtë, ai mori kontakte të drejtpërdrejta me anëtarë të komisionit mikst në Athinë, si dhe me anë të letrave drejtuar atyre, bënte sqarime rreth tezave mbi termin origjinë shqiptare, me anë të së cilës qeveria greke kërkonte të manipulonte dhe të ligjëronte shkëmbimin e shqiptarëve të maqedonisë. Me anë të fakteve dhe argumenteve që sillte, M. Frashëri provonte se ky term shprehte racën shqiptare dhe jo vendlindjen, duke hedhur poshtë se shqiptarë ishin vetëm ata që kishin lindur në Shqipëri. “Me këtë, – theksonte Mithat Frashëri, – ne synojmë të shpëtojmë nga shkëmbimi të gjithë shqiptarët, të Epirit dhe të Maqedonisë”.

Në letrën që ai i drejtoi kryetarit të komisionit mikst në Athinë, denonconte këtë veprim të grekëve. “Lufta, – theksonte ai, – është bërë midis turqve dhe grekëve dhe jo midis të krishterëve dhe myslimanëve”, prandaj shkëmbimi duhet bërë midis tyre. Ai e konsideronte krejtësisht të padrejtë trajtimin e shqiptarëve myslimanë si turq vetëm se ata ishin të të njëjtin besim fetar. Në letër ai shtonte se edhe në Konferencën e Lozanës ishte kërkuar që në shkëmbim të bëhej dallimi midis myslimanëve të racës shqiptare dhe myslimanëve të racës turke. Një gjë të tillë, – theksonte Mithat Frashëri, – e kishte pranuar edhe delegati grek Kaklamanis. Ai kishte thënë se “në se ata (shqiptarët) janë bashkëfetarë me turqit, ata s’janë aspak bashkatdhetarë”. Ai kishte deklaruar në Konferencë që shqiptarët myslimanë nuk do të përfshiheshin në shkëmbimin e popullsisë. Veç abuzimeve me origjinën e shqiptarëve dhe me besimin fetar të tyre, autoritetet greke shfrytëzuan edhe disa krerë të klerit mysliman për të propaganduar ndër myslimanët shqiptarë e për t’i bindur ata të deklaroheshin si turq e të kërkonin të shkëmbeheshin me grekët e Turqisë. Këtë fakt Mithat Frashërit ia bënë të ditur një grup çamësh nga Margëlliçi e Filati, me anë të një letre në të cilën theksonin se “Myftiu i Filatit dhe i Gumenicës, kur e panë se fshatarë të këtyre krahinave po deklaroheshin shqiptarë, u dolën përpara dhe duke i gënjyer se në se ata pranonin se ishin turq e dëshironin të shkonin në turqi, atje do të gjenin të gjitha të mirat, do të merrnin pallate e për motmot do të bëheshin milionerë”.

Përfaqësuesit e popullit çam, pasi denoncuan mashtrimet e myftinjve të Filatit e të Gumenicës, iu drejtuan me një telegram komisionerit turk në Athinë, ku i kërkonin që të mos merrte në konsideratë deklarimet e myftinjve, sepse ata nuk ishin përfaqësues të popullit shqiptar. Gjithashtu ata i kërkuan Mithat Frashërit që edhe qeveria shqiptare të ndërhynte pranë qeverive turke e greke për të ndaluar shkëmbimin e shqiptarëve me refugjatë grekë. Mithat Frashëri, nga informacionet që vijonin t’i vinin nga popullsia shqiptare myslimane, mësoi se edhe delegati turk i nënkomisionit të hetimit vepronte në dëm të popullsisë shqiptare. Ai kishte mbledhur në një hotel hoxhallarë dhe myftinj fanatikë të zonës dhe u jepte atyre shpresë se myslimanët do të gjejnë në Anadoll të gjitha të mirat. Këtë fakt Mithat Frashëri ia bëri me dije kryetarit të komisionit mikst dhe i kërkoi përjashtimin e çamëve nga shkëmbimi në Turqi. Autoritetet greke, për të bindur popullsinë çame se e vetmja rrugë për ta ishte largimi në Turqi, nisën të përhapnin fjalë se edhe Shqipëria nuk i do çamët, doganat shqiptare u kërkonin shuma të mëdha parash etj. në mjaft raste ata shtynin persona të paguar prej tyre, që t’i dërgonin komisionit të hetimit telegrame në emër të banorëve të fshatrave shqiptare, ku shprehnin dëshirën për të shkuar në Turqi. Në informacionin që Mithat Frashëri i dërgoi MPJ të Shqipërisë denonconte rastin e avokatit Niko Meksi, i cili i kishte dërguar komisionit mikst në Athinë një telegram në emër të 700 familjeve për të kërkuar këmbimin duke vënë emra të personave që nuk kishin dijeni për atë problem.

Mënyrë tjetër që autoritetet greke përdornin më gjerësisht për të detyruar shqiptarët të largoheshin nga trojet e tyre, ishte dhuna, grabitja e pasurive, terrori etj. “Në Janinë, – theksonte Mithat Frashëri në raport, – që kur filloi çështja e këmbimit e ca më tepër tani që një tok ish-hajdutë janë bërë oficerë, po mbretëron një shtrëngim mbi shqiptarët”. Policia, ushtria dhe zyrtarët civilë stimulonin me ndihma e lehtësira ata shqiptarë që shfaqnin sadopak prirje për të shkuar në Turqi, ndërsa ata që shpreheshin kundër, përziheshin me dhunë, burgoseshin duke i akuzuar për propagandë shqiptare. Me pretekstin më të vogël, xhandarmëria i torturonte shqiptarët. Çdo ankesë e shqiptarëve pranë komisionit mikst, bëhej burim persekutimi dhe kanosjesh të panumërta. Qëndrimet dhe veprimet e autoriteteve greke po bëheshin më të ashpra dhe brutale. Shqiptarët nxirreshin me dhunë nga shtëpitë e tyre, u konfiskohej pasuria dhe liheshin pa mjete jetese. Konfiskimeve nuk u shpëtuan as teqetë bektashiane, në të cilat shqiptarët kryenin ritet fetare. Një grup shqiptarësh të Çamërisë informoi Mithat Frashërin, se në Arpicë, ishin vendosur në shtëpitë e shqiptarëve më tepër se 100 familje muhaxhire greke, të ardhura nga Anadolli. Shqiptarët ishin mbledhur dy dhe tri familje në një shtëpi. Muhaxhirët mblidhnin prodhimet bujqësore për hesap të tyre, ndërsa të zotët e shtëpive nuk kishin asgjë.

Gjendjen e vështirë dhe kushtet në të cilat jetonin shqiptarët myslimanë në greqi, Mithat Frashëri ia bënte të njohur MPJ të Shqipërisë. “Rrojtja e shqiptarëve këtu në Greqi është bërë e pamundur. Si mund që të jetojë njeriu kur shtëpinë ia kanë marrë, kur drithin, bagëtitë, ja kanë konfiskuar, kur të huajt janë bërë zotër në arën dhe kopshtin e tij”. Edhe më të vështirë, sipas tij, e bënte jetesën e shqiptarëve në Greqi, sjellja e zyrtarëve të pushtetit lokal ku ato banonin. Ligjet interpretoheshin kurdoherë kundër interesave të shqiptarëve. Zvarritjet e kërkesave të ligjshme të tyre ishin të pafundme. Ata përcilleshin sa te njëra zyrë te tjetra, pa marrë përgjigje. Për trajtime të tilla shqiptarët i kishin drejtuar legatës shqiptare në Athinë mbi 300 ankesa.

Jo vetëm që legjislacioni grek i privonte shqiptarët nga të drejtat e tyre, por edhe departamentet e dikastereve qendrore, gjykatat, prefekturat, vepronin në bazë të udhëzimeve dhe të urdhërave të fshehta, ku kërkohej diskriminimi i shqiptarëve para ligjit. Këto padrejtësi dhe diskriminim ndaj shqiptarëve myslimanë, Mithat Frashëri ia kishte shprehur disa herë si gojarisht dhe me anë të notave ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Ruffos e i kishte kërkuar të ndërhynte për të ndaluar veprimet antiligjore ndaj shqiptarëve për të përmirësuar gjendjen e tyre. Për qëndrimin e shtetit grek ndaj shqiptarëve myslimanë, Mithat Frashëri nuk u mjaftua vetëm në informimin e MPJ të Shqipërisë, por kërkoi të koordinonin veprimet në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. “Shteti grek, – theksonte ai në raportin drejtuar ministrit të Punëve të Jashtme Hysen Vrionit, – është që të mos njohë me dashje të tij të drejtat për shqiptarët myslimanë, të mos u japë drejtësi, të mos i lerë të lirë që të disponojnë pasuritë e tyre, të mos rrojnë dot. Kështu të shtrëngohen të ikin dhe t’u grabitet më kollaj kamja”. Si rezultat i veprimtarisë së dhunshme shtetërore që ushtrohej ndaj shqiptarëve në forma të ndryshme, ai theksonte se u arrit që deri në qershor të vitit 1923, të dëboheshin rreth 35 000 shqiptarë nga 37 fshatra të Kosturit dhe të Follorinës, të cilët u dërguan në Anadoll. Pasuria e tundshme dhe e patundshme, e cila arrinte vlerën e 20 000 000 fr. ari, u konfiskua nga shteti grek duke i lënë në gjendje të mjeruar shqiptarët çamë.

Por qarqet shtetërore greke nuk u mjaftuan me kaq. Plane të tjera u thurën në zyrat e tyre për të detyruar me mijëra banorë të Çamërisë dhe krahinave të tjera të shpërnguleshin nga trojet e tyre e të largoheshin për në Turqi. Për këtë, autoritetet greke përfitonin edhe nga qëndrimi indiferent i fuqive evropiane dhe i institucioneve ndërkombëtare etj. , ndaj çështjes së shqiptarëve. Kjo u vërejt në punën e komisionit mikst dhe të nënkomisioneve të tij gjatë procesit të shkëmbimit, si dhe gjatë hetimeve që kryen në krahinat ku jetonte minoriteti shqiptar në Greqi. Prandaj Mithat Frashëri i kushtoi vëmendje të veçantë hetimit dhe vendimeve që do të merrte ky komision dhe nënkomisionet e tij që do të vepronin në krahinën e Çamërisë, në prefekturat e Follorinës, Kosturit e të Selanikut etj. Me qëllim që komisioni të kishte njohuri të sakta për shtrirjen e elementit shqiptar në zonat ku do të bëheshin hetime dhe veprimet të ishin të drejta, ai i dorëzoi kryetarit të komisionit, Ekstrand, listën e fshatrave me popullsi krejtësisht shqiptare të nënprefekturave Filat, Gumenicë, Margëlliç, Ajdonat e të prefekturave Kostur, Follorinë etj. Në prill të vitit 1924, komisioni i përbërë nga Metaksa (grek) dhe Hamdi beu (turk) nisi udhëtimin nëpër Çamëri e krahina të tjera. Pas hetimit të kryer në një pjesë të Çamërisë, Ekstrandi pati një takim me Mithat Frashërin, ku i shprehu se nga të gjithë banorët e asaj zone që u paraqitën, vetëm 3% ose 5% u deklaruan shqiptarë, të tjerët kishin thënë se ishin djem dhe nipa të memurëve të ardhur nga Turqia.

Mithat Frashëri, i kundërshtoi përfundimet e kryetarit Ekstrand, dhe i konsideroi ato të gabuara e të mbështetura në argumente jo të sakta. Sipas tij, puna e komisionit ishte e cekët, e kufizuar dhe e njëanshme. Ai i bëri të qartë Ekstrandit se asnjë memur turk nuk ishte vendosur në Shqipëri. Sipas Mithat Frashërit, kriter bazë në hetim duhej të merrej origjina, gjuha, zakonet, vetëdija. Sipas tij plebishiti i kryer nga komisioni nuk i përgjigjej realitetit. Ai ishte bërë në kushte anormale, në prani të policisë, ushtrisë dhe autoriteteve civile greke. Veç kësaj, komisioni refuzonte të njihte deklarimet si shqiptarë të shqiptarëve, duke u kërkuar të vërtetonin prejardhjen e tyre, gjë që nuk e bënin me ata që deklaroheshin si turq.
Nisur nga biseda që pati me kryesuesin e komisionit Ekstrand, Mithat Frashëri krijoi mendimin se vendimet e komisionit ishin të pasakta dhe për rrjedhojë do t’i shkaktonin dëm çështjes shqiptare. Prandaj ai i sugjeronte MPJ të Shqipërisë të bënte një hap të shpejtë në Gjenevë, të ankohej për subjektivizmin dhe mënyrën e hetimit të komisionit, sepse nuk mund të gjykohej mbi vërtetësinë e një plebishiti të kryer në kushte anormale. Gjithashtu ai i propozoi Ekstrandit që komisionet të kishin në përbërje edhe një përkthyes shqiptar, sepse kjo do t’u krijonte mundësi shqiptarëve të shprehnin lirisht mendimet e tyre, të bënin ankesat drejtpërsëdrejti. Kjo kërkesë e Mithat Frashërit nuk u mor parasysh nga Ekstrandi me arsyetimin se së pari, ankesa e qeverisë shqiptare në Gjenevë e kishte ofenduar komisionin mikst dhe së dyti, delegati grek në komision dinte shqip dhe mund të kryente përkthimin. Mithat Frashëri e kishte të qartë prirjen e komisionit dhe kundërshtoi që Toço, anëtari grek i komisionit të luante rolin e përkthyesit. “Ai, – theksonte Mithat Frashëri, – ishte një korçar grekoman, dmth një renegat politik dhe si çdo renegat, ai ishte armik i kombit të tij”.

Pas përfundimit të hetimeve, komisioni i paraqiti një raport Lidhjes së Kombeve, në të cilin theksonte se shumica e çamëve kishin deklaruar se kishin ardhur nga Magnisa e Anadollit ose nga Shani. Këtë përfundim ata e bazonin në një telegram dërguar nga Filati, i nënshkruar nga 18 veta në emër të 5 000 banorëve. Po kështu, edhe një grup oparakësh kishin deklaruar se ishin nga Korça, por nuk kishin lidhje me Shqipërinë, prandaj donin të shkonin në Turqi. Telegrame të tilla, – i deklaronte Mithat Frashëri MPJ në Tiranë, – mund të ishin bërë nën presionin e autoriteteve greke. Këtë ai e mbështeste në një dëshmi të një qytetari nga Margëlliçi. Në një letër që ky i kishte dërguar legatës theksonte se: “Me të vërtetë kam thënë që të iknja në Turqi, por kam gënjyer, nga shkaku i të zezave që kam hequr prej grekëve, të cilët që nga më i madhi e gjer te më i vogli s’kanë lënë gjë pa bërë”. Mithat Frashëri, duke ndjekur punën e komisionit por edhe i informuar nga banorë të fshatrave, konstatoi se anëtarë të tij, me qëllim, shtrembëronin ose nuk zbatonin vendimet e marra në institucionet ndërkombëtare si dhe vendimet e traktatit të Lozanës. Për çdo rast ai denoncoi veprimet e tyre në dëm të shqiptarëve dhe kërkoi që të merreshin masa për korrigjimin e tyre. Në notën që i dërgoi kryetarit të komisionit mikst, protestoi kundër veprimeve abuzive të nënkomisionit të Selanikut, i cili nuk i pajiste shqiptarët me çertifikata mosshkëmbimi, por i detyronte të deklaroheshin grekë. Edhe anëtarët e nënkomisionit të Epirit gjatë hetimeve në Follorinë dhe Kostur, konsideronin shqiptarë vetëm ata individë të lindur brenda kufijve të Shqipërisë së pavarur.

Ata deklaronin se të gjithë shqiptarët myslimanë, pa dallim, janë të destinuar të dëbohen nga vendi i tyre kur këto (vende – F. M.) nuk bëjnë pjesë në territorin e Shqipërisë. Nisur nga qëndrimi e veprimi i nënkomisionit të hetimit që vepronte në Epir dhe fakteve të shumta që shqiptarët dërgonin në legatë, Mithat Frashëri po bindej se anëtarët e tij, e veçanërisht Ekstrandi, po dëmtonin rëndë jo vetëm shqiptarët në Greqi, por edhe interesat e shtetit shqiptar. Ata pothuajse në mënyrë të hapur u bënë bashkëpunëtorë me autoritetet greke për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre. Ekstrandi, i ngarkuar posaçërisht nga Lidhja e Kombeve për çështjen e shqiptarëve, në raportet që i dërgonte Gjenevës, fshihte të vërtetën, injoronte kërkesat e ankesat e shqiptarëve, mbështeste veprimet antishqiptare të autoriteteve greke etj. Të njëjtën gjë ai i kërkoi edhe Karl Breatly (ndihmës i mandatorit të SDN), i cili, në fund të qershorit 1924, paraqiti raportin e parë mbi shqiptarët e Çamërisë. Ekstrandi ia ktheu atij raportin me vërejtje se ai duhej t’i hiqte tonet e forta e të bënte një raport të ri, ku të mos rrëfente vuajtjet e çamëve dhe as përgjegjësinë e qeverisë greke. Pikërisht, për qëndrimin e tij realist ndaj shqiptarëve në Greqi, Ekstrand, kërkoi që Karl Breatly të zëvendësohej me Slliben, që siç shprehej M. Frashëri, ishte agjent besnik i Ekstrandit, pasues i idesë së tij dhe përkrahës i Greqisë.

Ky ndryshim do t’i krijonte mundësi Ekstrandit që të linte fakultative largimin e çamëve. “Një qëndrim i tillë i lejonte autoritetet greke, – theksonte Mithat Frashëri, – të mblidhnin të gjithë fuqitë e tyre që t’i shtyjë çamët, e të kërkojnë këmbimin”. Duke pasur parasysh mosrespektimin e neutralitetit nga ana e nënkomisionit të Epirit, Mithat Frashëri i propozoi MPJ të Shqipërisë, që delegati shqiptar në Lidhjen e Kombeve, të protestonte pranë Drejtorit të seksionit për minoritetet, Colban dhe të kërkonte zëvendësimin e Ekstrandit me Widing ose Lata. “Në të kundërt, – i sugjeronte ai ministrit të Punëve të Jashtme Hysen Vrionit, – t’i deklarohej z. Colban se për çdo çam të përzënë nga Epiri, Shqipëria do të përzërë një grekofon”. Krahas kësaj, Mithat Frashëri, në janar të vitit 1926, takoi personalisht Colbanin gjatë vizitës së tij zyrtare në Athinë dhe i bëri të njohur gjendjen e vështirë të çamëve në Greqi dhe rezervat për punën e nënkomisionit mikst të Epirit. Ai i kërkoi suprimimin e nënkomisionit mikst të Epirit, sepse sipas tij, ai ishte kthyer në një organ prapa të cilit qeveria greke fshihte çdo keqbërje dhe çdo masë shtrëngimi kundër çamëve. Ai i propozoi që të krijohej një komision mikst i Epirit edhe për çamët, të ndërhynte pranë qeverisë greke që t’u ktheheshin pronat dhe shtëpitë shqiptarëve e të largoheshin refugjatët grekë. Vëmendje të veçantë Mithat Frashëri i kushtoi projektplanit të komisionit mikst qendror në Stamboll.

Ky komision, i nxitur nga Greqia, kishte vendosur të kryente shkëmbimin e 5 000 çamëve me refugjatë grekë të Anadollit. Për këtë qëllim anëtarë të nënkomisionit të Epirit do të bënin një inspektim në krahinën e Çamërisë, për të hetuar në vend gjendjen e popullsisë. Autoritetet greke i paraprinë këtij inspektimi duke marrë masa të forta shtrënguese ndaj popullsisë, që t’i detyronin shqiptarët të deklaroheshin para komisionit se ishin turq e donin të shkëmbeheshin. Për të penguar zbatimin e këtij plani, Mithat Frashëri u angazhua me një sërë veprimesh diplomatike. Ai informoi MPJ të Shqipërisë dhe i sugjeroi të ndërhynte pranë drejtorit të minoriteteve në Lidhjen e Kombeve Colban e të kërkonte ndihmë që komisioni i Stambollit të anullonte vendimin e mësipërm. Protestoi pranë presidentit të komisionit mikst, të cilit i bëri të qartë se vendimi i komisionit ishte në kundërshtim me udhëzimet e institucioneve ndërkombëtare. Ai iu drejtua edhe Sekretarit të Lidhjes së Kombeve. Në notën e nëntorit të vitit 1925, drejtuar Erik Drymond, theksonte se “Qeveria shqiptare sapo u njoftua se një projekt i përpiluar nga komisioni mikst i Stambollit kërkon të dëbojë nga trojet e tyre 5 000 çamë. Në emër të qeverisë sime protestoj me të gjithë energjitë e mija kundër një vendimi të tillë”. Mithat Frashëri nënvizonte se ky projekt i komisionit mikst të Stambollit binte në kundërshtim me vendimet që ishin marrë në Konferencën e Lozanës, të pranuara edhe nga autoritetet greke. Deri në këtë kohë mbi 60 000 shqiptarë ishin dëbuar nga vatrat e tyre dhe ishin dërguar në Azinë e Vogël kundër dëshirës së tyre. Prandaj “Do t’u isha shumë mirënjohës, – shprehej M. Frashëri, – se në se ju dëshironi të merreni me këtë ngjarje, me urgjencë, t’i tërhiqni vëmendjen komisionit mikst duke e ftuar të heqë dorë nga plani për dëbimin e shqiptarëve”. Në përpjekje për të shpëtuar çamët nga katastrofa që i priste, Mithat Frashëri e diskutoi këtë çështje edhe me autoritetet greke.

Ai pati takime të posaçme disa herë me Roufos, Kaftanxhogllu, Gjeneral Kondulin etj. Në këto bisedime ajo çka binte në sy ishin argumentet absurde dhe qëndrimet dinake të tyre, siç ishte edhe argumenti që përdori Kaftanxhogllu, drejtor i përgjithshëm në MPJ të Greqisë, sipas të cilit çamët ishin myslimanë dhe si të tillë vetëm ministri i Turqisë ishte kopetent për këmbimin e tyre. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe ministri i Punëve të Jashtme Roufos, duke thënë se çështja e këmbimit të çamëve është në kompetencë të komisionit mikst. Megjithatë, ashtu si paraardhësit e tij, Roufos i premtoi Mithat Frashërit se do të jepte udhëzime që autoritetet në Çamëri të mbanin qëndrim më njerëzor ndaj shqiptarëve. “Por ky premtim, – theksonte Mithat Frashëri, – mbeti vetëm premtim dhe asgjë më tepër”. Në dhjetor të vitit 1925, Roufos, i deklaroi Mithat Frashërit se këshilli i ministrave kishte marrë vendim të ndryshonte marrëdhëniet me Shqipërinë, duke zbatuar një politikë më miqësore. Për këtë ishin urdhëruar departamentet e duhura të ndiqnin një mënyrë veprimi fare të drejtë dhe të ndryshme nga ajo që ishte ndjekur deri në atë kohë. Një nga arsyet që marrëdhëniet midis dy shteteve nuk kishin qenë dhe aq miqësore, sipas Roufos, ishte ekzistenca e disa elementëve ekstremistë me pretendime gjoja nacionaliste. Në kuadrin e politikës së re, u ishte dhënë urdhër autoriteteve vendore në Epir dhe në Ministrinë e Bujqësisë, që të mos largohej asnjë çam, madje të hiqeshin refugjatët grekë që ishin vendosur në Çamëri.

Pas dy muajve të deklaratës së Roufos, Mithat Frashëri njoftonte MPJ në Tiranë se “asnjë urdhër nuk kishte shkuar nga Athina tek autoritetet qendrore apo vendore për të ndërruar politikën kundrejt shqiptarëve. Çamëve vijonte t’u grabitej prona, tokat e kullotat etj. Kështu u veprua së fundi me 600 banorë të fshatit Karbunare”. Autoritetet greke, të mbështetura nga kryetari i nënkomisionit të Gumenicës Sillban, në fillim të vitit 1926, bënë përpjekje për të dëbuar 800 banorë të fshatrave Gardhiki e Dragumi, me pretendimin se ata kishin shprehur dëshirën për të ikur në Turqi. Mithat Frashëri protestoi ndaj këtij veprimi pranë autoriteteve greke, komisionit mikst dhe autoriteteve të Këshillit të Lidhjes së Kombeve. Ai sqaronte se në dy fshatrat e përmendur nuk kishte asnjë turk dhe asnjë prej tyre nuk kishte shprehur dëshirën për t’u larguar. Por përgjigjet që mori ishin justifikime pa bazë, tashmë të njohura. Kështu, drejtori i përgjithshëm në MPJ të Greqisë Camadho, i deklaroi Mithat Frashërit se vendimi për shkëmbimin e 800 çamëve duhej të zbatohej pasi në të kundërt do të krijonte probleme për vendime të tjera si ai i komisionit greko-bullgar.

Ndërsa presidenti i komisionit mikst Widding, i kishte lënë të kuptonte konsullit shqiptar në Stamboll se “Çështja e dëbimit të fshatarëve të Gardikit e Dragumisë i përkiste komisionit mikst, i cili, meqenëse gënjeu një herë, tani është i detyruar t’i përzërë ata të mjerë që të mos dalë në shesh gënjeshtra përpara shoqatës së kombeve”. “E kuptoj fort mirë, – i shkruante Mithat Frashëri delegatit tonë në Lidhjen e Kombeve, – këtë psikologji. Në qoftë se dalin gënjeshtra në çështje të këtyre dy fshatrave, atëherë do të dalin fajtorë edhe për veprën e tyre kriminale ndaj shqiptarëve të Pargës, Konicës, Prevezës, Janinës dhe më tepër akoma, për deportimin dhe vdekjen e shqiptarëve të Maqedonisë”. Siç shihet, një qëndrim i tillë i papërgjegjshëm ndaj çështjes së shqiptarëve në Greqi nga ana e komisionerëve të huaj, – theksonte Mithat Frashëri, – ishte reflektim i indiferentizmit që treguan qeveritë e vendeve evropiane lidhur me politikën aneksioniste të shtetit grek ndaj Jugut të Shqipërisë. Duke parë çka po luhej në kurriz të shqiptarëve, Mithat Frashëri porosiste përfaqësuesin shqiptar në Gjenevë të shtonte përpjekjet pranë institucioneve ndërkombëtare për të mbrojtur të drejtat jetike e të ligjshme të tyre, në përputhje me normat e të drejtës ndërkombëtare, të kërkonte largimin e refugjatëve grekë dhe kthimin e pasurive çamëve. Si nënshtetas grekë, atyre t’u njiheshin të gjitha të drejtat dhe liritë si nënshtetasit e tjerë grekë, të suprimohej nënkomisioni i Epirit etj.

Një çështje tjetër që M. Frashëri trajtoi në kuadrin e marrëdhënieve shqiptaro-greke në vitet 1923-1926, ka qenë veprimtaria e klubeve vorio-epirote. Këto klube ishin organizata që bashkonin elementë antishqiptarë, të cilët kërkonin aneksimin e Shqipërisë së Jugut nga Greqia. Kërkesat e tyre përputheshin me prirjet e politikës zyrtare greke, prandaj liheshin të lira dhe financoheshin nga shteti grek. Ata kryenin aktivitete të ndryshme si mbledhje, mitingje, konferenca, kongrese, përdornin shtypin për të publikuar qëllimet dhe kërkesat e tyre etj. Klube të tilla kishte në disa qytete të Greqisë si në Athinë, Selanik, Janinë, Korfuz etj. Në to bënin pjesë nënshtetas shqiptarë me banim në Greqi. Disa nga eksponentët e tyre kanë qenë Skënder Korça, Josif Adhamidhi, Harallamb Jore, Spiro Milo etj. Me vendosjen e marrëdhënieve midis dy shteteve, qeveria greke deklaroi se do të ndalonte veprimtaritë e tyre. Por në të vërtetë ajo jo vetëm që nuk mori masa ndaj tyre, por vijoi bashkëpunimin me to. “Kam lajme, – i raportonte M. frashëri MPJ të Shqipërisë, – se sillogjet vorio-epirote kanë një aktivitet të madh, në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë greke”. Duke gjykuar jo mbi atë çka deklaronin autoritetet greke, por mbi çka ato vepronin, Mithat Frashëri krijoi bindjen se qeveria greke kishte dy qëllime ndaj Shqipërisë.

E para, të përzinte nga Greqia shqiptarët për t’ua grabitur pasuritë. Dhe e dyta, pasi të shpëtonte nga kjo barrë, të siguronte helenizimin dhe aneksimin e Korçës dhe Gjirokastrës. Qëllimit të mësipërm i shërbenin përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë greke për të forcuar pozitat e minoritetit grek në Shqipëri. Ajo pretendonte për ekzistencën e një numri të madh grekësh në thellësi të Shqipërisë. I kërkonin qeverisë shqiptare që të respektonte të drejtat dhe liritë e minoritetit grek, për shkolla në gjuhën greke, kisha ortodokse, të përfaqësoheshin në qeveri e në parlament etj. Shpesh autoritetet greke këto kërkesa i ngritën edhe në institucionet ndërkombëtare. Mithat Frashëri i kushtoi vëmendje rolit që duhej të luante shteti dhe diplomacia shqiptare në trajtimin dhe në zgjidhjen e çështjeve që preokuponin minoritetin shqiptar në Greqi. Ai bëri përpjekje të vijueshme për ta bërë efektive veprimtarinë e MPJ të Shqipërisë dhe të institucioneve të tjera shtetërore në këtë drejtim. Për këtë qëllim, ai, veç takimeve direkte që pati me autoritetet shqiptare, dërgoi mbi 280 informacione dhe raporte, në të cilat informonte për gjendjen e shqiptarëve në Greqi, qëndrimin e autoriteteve greke ndaj tyre etj. Në të njëjtën kohë ai propozoi masa konkrete që duheshin marrë nga shteti për të ndaluar pasojat negative që kishin për Shqipërinë dhe shqiptarët veprimet dhe politika e shtetit grek. Ai mendonte se ishte e domosdoshme të shfrytëzohej më mirë autoriteti i Lidhjes së Kombeve në interes të çështjes shqiptare.

Në një letër drejtuar kryetarit të Republikës, Ahmet Zogut, më 4 nëntor të vitit 1925, ai theksonte se “Punët tona në Shoqatën e Kombeve sa vete po shtohen dhe e shoh fort të nevojshme që në Gjenevë të emërohet një zyrtar i zoti me vullnet të madh që të dijë mirë punët e Shqipërisë”. Gjithashtu ai sugjeronte që qeveria shqiptare të bënte më shumë presion ndaj Athinës për të ndërprerë veprimet e dhunshme ndaj shqiptarëve dhe të kërkonte njohjen e zbatimin e të drejtave të tyre të ligjshme. Për të detyruar autoritetet greke të ndryshonin qëndrim ndaj shqiptarëve, ai i sugjeronte ministrit të Jashtëm, H. Vrionit, të merreshin masa reciproke ndaj minoritetit grek në Shqipëri, si ndalimi i minoritarëve për të votuar, t’u ndalohej shitja e pasurive të patundshme, t’u sekuestroheshin shtëpitë e në vend të tyre të futeshin refugjatët çamë të përzënë nga Greqia. Ai propozonte që t’i kërkohej qeverisë greke që të këmbeheshin grekofonët me çamët e Epirit etj. Në pamje të parë masat e propozuara nga Mithat Frashëri duken si ekstreme dhe të rrepta, por, – siç theksonte ai, – nuk duhen vlerësuar si të tilla pasi ishin kopjuar besnikërisht nga masat që zbatonte Greqia ndaj shqiptarëve.

Efektin e masave të tilla Mithat Frashëri e shihte në dy drejtime: së pari, ato do të bënin që Greqia të ndërronte sjelljen ndaj çamëve dhe së dyti, do t’i jepnin kurajo shpirtit të çamëve, të cilët do të kuptonin se Shqipëria interesohej për ta. Ai kërkonte vazhdimisht që shteti shqiptar të merrte masa për t’u ardhur në ndihmë refugjatëve shqiptarë që ishin shkëmbyer me grekët në Turqi. Gjendja e tyre, – theksonte M. Frashëri, – ishte shumë e rëndë. Ata i kishin kërkuar shtetit turk vetëm dy kut tokë e pesëdhjetë kut pëlhurë për varrimin. Të ndodhur në këtë situatë të vështirë ata i ishin drejtuar konsullit shqiptar në Stamboll që t’i ndihmonte të ktheheshin në Shqipëri. Në disa raporte drejtuar qeverisë shqiptare, ai propozonte krijimin e një drejtorie të posaçme për të ndjekur problemin e refugjatëve dhe të qindra shqiptarëve që vuanin nga uria. Gjithashtu, në korrespondencën e tij me MPJ të Shqipërisë, ai shprehte rezervat e tij ndaj qëndrimit që ky dikaster mbante ndaj problemit të minoritetit shqiptar në Greqi. Ai pretendonte për një reagim më të madh dhe më të shpejtë të MPJ Shqiptare ndaj informacionit dhe kërkesave emergjente, që ai dërgonte për t’iu përgjigjur flakë për flakë politikës greke ndaj shqiptarëve. Në raportin drejtuar MPJ të Shqipërisë në qershor të vitit 1925, ai shkruante: “Për herë të parë po marr një përgjigje mbi një çështje për të cilën motmot e gjysëm s’kam rreshtur t’i heq vërejtjen qeverisë sonë, qeverive që ishin para qershorit 1924, të asaj që erdhi në qershor edhe të asaj që erdhi pas muajit dhjetor”. Nisur nga fakti se korrespondenca që ai kishte dërguar në Tiranë, për mëse dy vjet, lidhur me dëbimin e shqiptarëve të Kosturit e të Follorinës, përbënte një dosje të madhe, Mithat Frashëri mendonte se një çështje aq e rëndësishme ose ishte nënvleftësuar, ose ishte fshehur nga zyrtarët përgjegjës, kundrejt të cilëve ai kërkonte të bëheshin hetime. Këtë qëndrim M. Frashëri e shihte si një nga faktorët që ndikoi keq në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve dhe Shqipërisë. “Mjerimet e sotme të shqiptarëve, – shprehej Mithat Frashëri, – nisin nga tragjeditë e 38 katundeve të Kosturit e Follorinës, sepse qeveria greke, duke parë që Shqipëria nuk bëri asnjë hap zyrtar në Shoqatën e Kombeve për këtë krim, mori kurajo dhe tani po kërkon sheshazi që të dëbojë çamët, të grabisë pasuritë e tyre dhe të shqiptarëve të Selanikut”. Mendimi i Mithat Frashërit për një qëndrim “të vakët” të shtetit shqiptar ndaj çështjes së minoritetit shqiptar në Greqi gjatë veprimtarisë së tij si ministër Shteti në Athinë, kundërshtohet nga të dhënat arkivore të këtyre viteve.

Shteti shqiptar në fillim të viteve 20, me një pozitë të brendshme dhe ndërkombëtare më të disfavorshme se Greqia, bëri aq sa ia lejonin mundësitë për mbrojtjen e çështjes së minoritetit në Greqi. Për këtë ai shfrytëzoi Lidhjen e Kombeve, kontaktet diplomatike me autoritetet greke dhe me shtete të tjera fqinje dhe me Fuqitë e Mëdha. Duke parë veprimtarinë diplomatike të Mithat Frashërit në Greqi, në vitet 1923-1926, e pasqyruar nëpërmjet informacioneve, raporteve, notave verbale, takimeve zyrtare e private me autoritetet më të larta të shtetit grek, arrihet në përfundimin se synimi i tij ka qenë vendosja dhe përmirësimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve shqiptaro-greke. Këtë gjë Mithat Frashëri e konsideronte si një faktor me interes reciprok midis dy shteteve. Pa iu larguar këtij qëllimi, Mithat Frashëri, me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe atdhetare punoi pa u lodhur për të mbrojtur interesat e shqiptarëve që jetonin në Greqi. Ai u vu tërësisht në dispozicion të tyre duke denoncuar veprimet dhe qëndrimet e autoriteteve greke dhe bëri ç’mundi për mbrojtjen e tyre. Me intuitën dhe aftësinë e diplomatit me përvojë e me njohuri të thella të historisë së kaluar e asaj bashkëkohore, Mithat Frashëri denoncoi në mënyrë të vazhdueshme jo vetëm pretendimet pa baza të qeverive greke të asaj kohe, por tërhoqi vëmendjen e shtetit shqiptar ndaj synimeve aneksioniste që Greqia kishte ndjekur dhe po ndiqte në mënyrë të dukshme ndaj Shqipërisë. Prandaj Mithat Frashëri në raportin që i dërgonte ministrit të Jashtëm të Shqipërisë theksonte: “Po marr lirinë z. Ministër të përsërit akoma një herë, atë që e kam thënë më tepër se dyqind herë gjer më sot. Duhet të dijmë të mprojmë vehten tonë”. Mithat Frashëri, duke u nisur nga mendimi se autoritetet zyrtare shqiptare nuk po vlerësonin sa duhej çështjet që e preokuponin dhe që ai ua kishte bërë me dije institucioneve përkatëse, në janar të vitit 1926, dha dorëheqjen nga detyra si ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top