TROKITJE NË GJYKATËN E NDËRGJEGJES

SHKRUAR NGA SEFEDIN KRASNIQI

« Ka një gjykatë më të lartë se të gjitha gjykatat, është gjykata e ndërgjegjes » Mahatma Ghandi

– Gjykata e opinionit publik,
– Gjykata e Ndërgjegjes,
– Gjykata e Perëndisë

Historia e njerëzimit, ende pa u themeluar gjykatat e mirëfillta, si institucione të shtetit, ka njohur, në fillim Gjykatën e opinionit publik (gjykatën e thashethemeve). Mund të themi se kjo gjykatë është vazhdimisht në seancë, sepse thashethemet nuk janë ndalur kurrë, së paku prej se ekziston njerëzimi dhe flet me gjeste apo me gojë. Edhe pse nuk është aq e rëndësishme, sa dy tjerat, megjithatë kur bëhesh protagonist, sidomos për të keq, gjykata e opinionit publik të shtrinë për toke, ta thyen qafën.

Gjykata e Perëndisë

Gjykata e Perëndisë, më e rëndësishmja, por e vura në rendin e dytë, sepse vlen vetëm për besimtarët. Jobesimtarët (ateistët) nuk e njohin as nuk e respektojnë, prandaj përparësi po i japim (në rastin tonë) Gjykatës së Ndërgjegjes.

Gjykata e Ndërgjegjes

Gjykata e ndërgjegjes (për rastin tonë) është gjykatë më e pamëshirshme se e para dhe e treta, kuptohet, në këtë botë. Pse? Sepse e para, meqenëse merret me opinionin e publikut që shpesh gabon dhe në te merr pjesë gjithkush; femra e meshkuj, të vegjël e të rritur, pleq e plaka, të ditur e të paditur, ajo edhe mund të gabojë. Siç e thamë, Gjykata e Perëndisë (në këtë Botë) vlen vetëm për besimtarët, prandaj, po vazhdojmë me disa fjalë me Gjykatën e Ndërgjegjes.

Pasi ka dy lloje ndërgjegje; filozofike dhe morale, kësaj radhe s’na hy në punë ajo filozofike, por, ajo morale. Për ta përcaktuar edhe më mirë, do të thoshim, e kemi fjalën për përgjegjësinë individuale, para individit dhe shoqërisë. Pra, e kemi fjalën për aftësinë unike të njeriut për të gjykuar veprimet e veta të mira apo të këqija, të cilat, na bëjnë të ndihemi mirë apo keq. Medet për ne, në qoftë se, na bëjnë të ndjejmë keqardhje dhe të ndihemi keq, sepse jemi fajtor, për një veprim, atëherë është në pyetje dinjiteti ynë, moral njerëzor etj.
Pasi në mesin e të këqijave, sipas shkallëve të krahasimit, që janë tri; ka veprime të këqija, më të këqija e shumë më të këqija, ne po ia shtojmë edhe të katërtën – shqiptar marksist-enverist apo naziste-fashiste (vrasës) edhe mendojmë se Gjykata e Ndërgjegjes, këtë të keqe do ta radhiste në shkallën e katër – aktin e VRASJES (në veçanti asaj politike)!

Me këtë rast do ta japim vetëm një shembull. Sipas shtypit të kohës, piloti amerikan, i cili kishte lëshuar bombën atomike mbi Hiroshime, edhe pse e kishte lëshuar, me urdhër, për ta shkatërruar një pjesë të një kombi (ushtrinë japoneze) që ta shpëtojë shumicën e njerëzimit, pas shumë viteve, nga ky akt, kot e kishin strehuar në një shtëpi të bukur dhe luksoze, për ta gjetur qetësinë shpirtërore, megjithatë, e kishte gjetur dhe e kishte dënuar Gjykata e Ndërgjegjes.

Si pasojë, me ditë dhe net të tëra, piloti ishte ndier keq dhe fajtor, prandaj, pas shumë netëve, i pushtuar nga ankthi i fajësisë, në një mëngjes të bukur, kishte varr veten në një dru të gjelbëruar.

Pasi, në Kosovë, gjykatat e shtetit, tash për tash, nuk funksionojnë, shumë prej vrasësve nuk e kanë gajlen për Gjykatën e opinionit publik, as për Gjykatën e Perëndisë, mbesim me shpresë se Gjykata e Ndërgjegjes do të merr hak për të gjitha vrasjet politike, sepse këto vrasje ende nuk po ndalën.

Derisa para pak viteve kriminelë të ndryshëm vranë shumë kundërshtarë politik, tash disa komandantë me emra e mbiemra, duke hartuar lista të rrejshme për veteranët e UÇK-së, i harruan shumë dëshmorë të UÇK-së dhe kështu po i vrasin për së dyti duke ua zënë vendin me të tjerë që kur ndodhi lufta ishin ende adoleshentë !!!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top