TIRANA E PËRGJAKUR, 12 NËNTOR 1944

INSTITUTI HISTORISË “LUMO SKËNDO” PËRKUJTON TERRORIN KOMUNIST NË TIRANË

Në ambientet e Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, më 11 Nëntor 2016 u mbajt Konferenca “Viktimat e terrorit komunist në Tiranë”. Në Konferencë ishin të pranishëm familjarë të viktimave të terrorit komunist në Tiranë. Lidhur me këtë ngjarje të rëndësishme referuan gazetari dhe autori Nebil Çika dhe historiani e shkrimtari Uran Butka.

Forcat partizane krahas luftës kundër pushtuesit nazist, kryen edhe masakra ndaj kundërshtarëve politikë, por edhe civilëve të pafajshëm. Sipas strategjisë së Partisë Komuniste Shqiptare dhe skenarit të veçantë për Tiranën, dita e çlirimit duhet ta gjente Shqipërinë dhe sidomos kryeqytetin pa ata nacionalistë e intelektualë properëndimorë, pa figurat e njohura të kulturës dhe të arsimit shqiptar, pa ata oficerë patriotë që nuk u bashkuan me Frontin, nëpunësit e ndershëm, pa pronarët, tregtarët e biznesmenët që gjallonin në ekonominë e tregut të shtetit shqiptar, pa ata atdhetarë e demokratë që kishin luftuar dhe aspiruar për një Shqipëri të pavarur, të bashkuar dhe demokratike. Një nga idhtarët dhe organizatorët më të egër të këtij gjenocidi, Kristo Themelko, agjent i jugosllavëve me pseudonimin sllav “Shulja”, thotë: “Kjo rruga jonë terroriste ka lindur si vijë…Nga kjo rezulton se të gjithë ata elementë që janë kundër nesh, por që s’ka fakte, të pushkatohen qysh tani…Veçse me i pastrue gjatë luftës, veçse duhej me i pastrue me mënyrën që të mos merren vesh prej popullit… Janë vrarë edhe ata që janë dorëzuar”

Gjithçka projektohej nga kryeterroristi Enver Hoxha. “Kur unë kam biseduar me Enverin, – pohon Kristo Themelko, – ai më ka këshilluar që kur të hynim në qytet, të spastronim elementët e rrezikshëm. Prandaj, kur hyra në Tiranë, kërkova një listë nga organizata për këta elementë.” Për masakrat pohon me gojën e vet sekretari i qarkorit të Partisë Komuniste të Tiranës, Gogo Nushi në relacionet e tij drejtuar Enver Hoxhës: “Këtë shpirt terrorist e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona janë vrarë 60 vetë. Listën e kemi. Unë mendoj që asnjë nga ata nuk e meritonte këtë dënim. Jemi të sigurt se do të kemi edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar edhe të 100”

Nata e 12 nëntorit në Tiranë është, quajtur edhe “nata e Shën Bartolemeut”. Atë natë u bë masakra më e madhe, një dënin dhe vrasje kolektive pa gjyq e 14 figurave të shquara të kombit e të kulturës shqiptare.

Ismail Agë Petrela është një nga figurat madhore të Shqipërisë, që u pushkatua mesnatën e 12 nëntorit. Pse e kishin futur në listat e vdekjes Ismail Petrelën? Sepse ishte nga një familje e madhe, vetë ishte një nacionalist i shquar, një luftëtar i lirisë, një demokrat i vendosur, një burrë i mençur tiranas, një intelektual i njohur që dinte disa gjuhë perëndimore, një njeri i kulturës, sidomos e asaj muzikore. Kulmet e veprimtarisë atdhetare të Agë Petrelës janë pjesmarrja në Kuvendin e Mukjes për bashkimin e gjithë shqitarëve dhe lufta kundër pushtuesve italianë në krye të çetës së tij, që vepronte në Shqipërinë e Mesme. Ja, përse e vranë komunistët Ismail Agë Petrelën! Në çastin e pushkatimit u tha ekzekutorëve: “Qëlloni, burrat një herë vdesin!”

Terroristët këtë herë zgjodhën për të masakruar familjen e shquar Kokalari nga Gjirokastra. Pushkatuan natën e 12 nëntorit në skutat e hotel “Bristol”-it Muntaz , Vesim dhe Syrja Kokalarin. Muntazi dhe Vesimi, pionierë të arsimit kombëtar, themelues të shtëpisë botuese ”Mesagjeritë Shqiptare” që botoi vepra madhore të letërsisë sonë e të huaj, intelektualë të klasit të parë, bashkë me vëllanë e tyre Hamit Kokalarin i cili shkroi atëbotë librin e famshëm “Kosova- djep i shqiptarizmit” dhe motrën Musine, shkrimtaren e parë shqiptare, nacionalisten dhe demokraten e shquar, që diktatura më pas e burgosi dhe e internoi gjersa vdiq.

Po atë ditë terroristët komunistë pushkatuan edhe Nebil Çikën, filozofin, publicistin, demokratin e madh. Ai ka qenë redaktor dhe kryeredaktor i mjaft organeve të shtypit të lirë shqiptar si “Revista Pedagogjike”, “Reforma”, “Jeta”, “Arbëria”, “Miku i Popullit”, “Minerva”, “Bota e Re” etj. dhe autor i veprës së njohur “Njimendësia shqiptare” që e vendosi atë në elitën e zgjedhur të kombit. Pikërisht këtë elitë vrau komunizmi.

Ai goditi familjet e mëdha që kishin nxjerrë njerëz të shquar, për të ndërprerë traditën, për të tharë burimin, për të venitur e nënshtruar Shqipërinë. Një nga ato, është edhe familja tiranase Lleshi. Të gjithë burrat e saj u sakrifikuan për një Shqipëri të lirë, të bashkuar në trojet e saj etnike dhe demokratike. Muharrem Lleshi e priti me indinjatë pushtimin italian, ndërsa dy djemtë e tij Sulejmani dhe Islami, nacionalistë, u internuan nga italianët në Itali dhe Porto Romano, më pas ishin luftëtarë të batalionit ”Besnik Çano” që luftoi edhe në Kosovë për çlirimin e saj. Sulejmani themeloi gjimnazin e Gjakovës dhe qe drejtori i parë i tij.

Në mesnatën e 12 nëntorit, terroristë të armatosur hynë në oborrin e shtëpisë së Lleshëve, ku ishin strehuar demonstrues antifashistë apo ilegalë dhe thirrën emrin e Muharrem Lleshit. Sa u shfaq ai te pragu i derës, një breshëri automatiku e la të të vdekur e të mbuluar me gjak.

Familja tjetër e njohur tiranase që u godit ishte ajo Stërmasi, që kishte nxjerrë njerëz të dëgjuar si Xhaferr Stërmasin, flamurtar i Pavarësisë. I biri, Reshati, i mëkuar me shqiptarizëm dhe dije, kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali dhe shërbeu me devotshmëri në Ushtrinë kombëtare Shqiptare. Në prill të vitit 1939, në shenjë proteste ndaj pushtimit italian, dha dorëheqjen, sepse nuk donte t’u shërbente fashistëve. Mori pjesë në protestat dhe demonstratat antiitaliane. Si nacionalist i kulluar, merr pjesë qysh në vitin 1942 në Organizatën e Ballit Kombëtar dhe në vitin 1943 u caktua komandant i Rinisë së Ballit të Tiranës, të cilën e udhëhoqi në luftë kundër pushtuesve italianë e gjermanë. Ja pse e vranë Reshat Stërmasin!

Gjahut të tyre nuk i shpëtoi as Rifat Tërshana, nga Dibra e Madhe, oficer rekrutimi që shërbeu me përkushtim në Korçë, Fier dhe Durrës. Ndërkohë, ndihmoi edhe Lëvizjen Nacional Çlirimtare. Por, nuk e llogaritën, kur e pushkatuan natën e përgjakshme 12 nëntorit.

Terrori masakroi edhe njerëz të thjeshtë e të patrazuar në politikë. Lluka Xhumari, nga qyteti i Durrësit, kishte kryer në Itali shkollën teknike dhe ishte bërë mjeshtër në profesionin e tij. Njeri me iniciativë private, hapi një punishte të vogël të cilën e zgjeroi në shoqërinë automobilistike SAKT. E pushkatuan në rrënojat e hotel Bristol sepse ishte njeriu i biznesit, i iniciativës së lirë, i ekonomisë së tregut.

Po ashtu, edhe Ali Panariti, nga Korça, tregtar i njohur në Tiranë e Durrës, mandej sipërmarrës për ndërtim rrugësh. E morën Aliun nga shtëpia dhe e pushkatuan pa gjyq në breg të lumit të Tiranës, ku e gjetën fëmijët gjysmë të varrosur.

1 thought on “TIRANA E PËRGJAKUR, 12 NËNTOR 1944”

  1. Sa i përket 28 ose 29 Nentorit te vitit 1944, te njërës ndër ditëve më të errëta të kombit tonë, ajo ditë duhet shpallet ditë zije e Kombit Shqiptar.
    Ne vitet e 1920-eta deri më 6 Prill 1939 është zhvilluar një komunikim ndermjet diplomacive italiane dhe jugosllave dhe kohpaskohe edhe greke se si të bëhet ndarja e Shqipnisë ndërmjet ketyre shteteve! Italia duke e dite se lufta e permasave të mëdha po fillon e vendosi të e merr ne mbrojtje Shqipninë , pra ia dhuroi një protektorat prej serbogrekeve, dhe e qliroi nje pjesë të madhe te territoreve te okupuara që ishin pjesë e pavarësisë te vitit 1912. Protektorati Italian dhe Gjerman zgjati deri me 28 ose 29 Nentor te vitit 1944.
    Nese Shqipnia ështe liruar me luftën e saj pse athere shumë qytete Shqiptare të Shqipnisë iu dhuruan Jugosllavisë.
    Prishtina, Peja, Prizreni, Tetova, Gjakova etj iu dhuruan Jugoslavise me 28 ose 29 nentor te viti 1944. Komunistet “liridashes” nuk u renditën në anën e fituesit te luftës së dytë botërore e që ishin Amerika dhe Britania, por u renditën në anën e komunistëve rusoserb.
    Rusia i okupoi te gjithe shtete e saja “mike” siq ishin: Shqipnia, Polonia, Qekosllovakia, Mongolia, Rumania, Bullgaria, RSFJ, Gjermania Lindore……….etj. Shkatërrimet dhe viktimat i komunizmit ishin pasojë e terrorit qe hordhite komuniste e bënin ndaj popullatës, dhe nuk ka qenë rezultat i protektoratit Italian apo Gjerman.
    Popullata e Shqipnise e sidomos ajo ne qytetet te qlirueme pra ne Prishtine, Gjakove, Peje etj nuk kanë qene përkrahës te fashizmit italian apo gjerman por ka qenë LIRIDASHËS i vërtetë, e jo liridashes komunist.
    Shumica e popullatës nuk ka pasë informata për krimet fashiste qe bëheshin ne vendet tjera.
    Si përfundim i ketij komenti tim ështe se 28 nentori i PD-së ose 29 nëntori i PS-së duhet të shenohet si një ndër ditët më të errëta , në të cilën ditë Shqipnia u okupua prej hordhive dhe egërsirave komuniste, i cili zgjati deri me 1991. Pasojat e kësaj dite ende i paguajm si komb……

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top