“Terroristët erdhën nga Shqipëria, gjuajtën, vranë dhe shkatërruan, e pastaj u kthyen në Shqipëri”

SHKRUAN: SEFEDIN KRASNIQI

A KISHTE SHTAB TË UÇK-së DHE KUR U FORMUA E NGA KUSH ?

(një shkrim, një pjesë e të cilit është përgatitur për një rast tjetër)

Ja sesi e shpjegojnë në librat e tyre protagonistët e luftës dhe ata që përfituan nga lufta si tipat : Xhavit Haliti, Azem Syla, Hashim Thaçi, Kadri Veseli etj…

Shtab të Përgjithshëm të UÇK-së nuk ka pasur dhe ” shtrirje organizative “, në kuptimin e komandimit të mirëfilltë ushtarak, nuk ka pasur. Rolin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së e ka luajtur Kryesia e LPK-së, Dega jashtë vendit, siç i thoshin, e cila lëshonte komunikata (49, sipas Muhamet Kelmendit) faqe 45, libri – “Pse nuk u formua fronti për çlirimin e Kosovës”. Pra, për aksionet e kryera nga tri Grupet Guerile ushtarake në Kosovë (viti 1991) : në Dukagjin (Salih Çekaj), Drenicë (Adem Jashari) dhe Llap (Zahir Pajaziti) lëshonte komunikata Kryesia e LPK!!!???

Shpjegim: lexuesit duhet ta dinë se Muhamet Kelemendi për vite të tëra, por edhe gjatë luftës, ka qenë sekretar i LPK-së. Nga ky libër dhe nga shënimet e veta, Muhamet Kelmeni ishte bërë Dr. Muhamet Kelmendi. Urime!

Më poshtë po jap shpjegimet e Ramush Haradinit dhe të Remit (Muharrem Mustafës) se si e shpjegojnë ata “shtrirjen organizative” të ShP të UÇK-së, Drejtorinë politike si dhe kur është zgjedhur komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Pastaj si e shpjegon Xhavit Haliti themelimin e UÇK-së, e si e shpjegon Rifat Jashari:

2. a/ … ata e konsideronin të arsyeshme, të mos u nxirrnim telashe në organizimin e Shtabit te Përgjithshëm, por t’i lëmë aty satelitët e tyre. Domethënë, është kërkuar të ishim të dëgjueshëm ndaj argatëve që i kishin Azem Syla dhe Xhavit Haliti në terren dhe të pranonim se ekziston një Shtab i Përgjithshëm, e faktikisht nuk ekzistonte, nuk ishte i kompletuar. Kërkohej të vepronim në bazë të urdhrave të “shokëve” që nuk dihej se kush janë. Na thoshin: “Kanë thënë shokët, kanë thënë shokët! “Cilët shokë? Me “shokët” aludohej në Shtab të Përgjithshëm. Në fakt, kjo ishte një mënyrë për ta mbajtur mekanizmit ushtarak nën kontroll me diçka te “hijes”, dhe “të nëntokës”, me diçka misterioze “. Ramush Haradinaj ” Rrëfimi për luftën dhe lirinë “, faqe 129, Bardh Hamzaj.

b) ” … lufta në Kosovë është bërë nga komandantët e zonave. Nuk është bërë nga Drejtoria Politike. Këtu duhet të jemi të qartë. Drejtoritë politike kanë mundur të veprojnë edhe prej Hëne “. Ramush Haradinaj ” Rrëfimi për luftën dhe lirinë “, faqe 130, Bardh Hamzaj.

c ) ” Para Sylejman Selimit nuk ka pasur komandant të UÇK-së. Nëse ka pasur, ai nuk ka mundur të jetë ilegal për komandantët e zonave… asnjë komandat zone nuk e dinte. Ideja për emërimin e komandantit ka dalë aty (në mbledhjen e parë të komandantëve të zonave, v.j.). Ne kemi dashur të kontribuojmë për të mirë dhe do ta forconim delegacionin shqiptar në Rambuje, për të bërë me dije se ata e kanë komandantin e vet dhe duhet të vijnë këtu për tu konsultuar dhe se nuk janë ata që mund të vendosin për fatin e Kosovës… ” libri i Remit ” Lufta për Kosovën “, faqe 94, autor Safet Zejnullahu.

Shpjegim: Kjo na bënë të besojmë se ” shefi ” i Drejtorisë politike të ShP të UÇK-së, Hashim Thaçi, po del falco, i sajuar, sepse nuk ishte ai që vendoste në emër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Rambujet. Kjo bindje bëhet edhe më e fortë kur dihet që pas këmbënguljes nga Adem Demaçi dhe komandantëve të zonave që mos të nënshkruhej marrëveshja me Serbinë, delegacioni “i krahut të luftës” që kryesohej nga Hashim Thaçi u detyrua të kthehet në Kosovë, për tu marrë vesh me komandantët e zonave, të cilët e bënin luftën.

Ja edhe dy-tri fjalë si e shpjegojnë Xhavit Haliti dhe Rifat Jashari themelimin e UÇK-së :

3. ” Në fillim është hedhur ideja për krijimin e një strukture ushtarake. Si vendim u mor në Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme të LPK-së në Kosovë. Mbledhja është mbajtur në Ujmir… Kjo e ngarkoi Azem Sylën dhe Hashim Thaçin që të merren me organizimin e UÇK-së… Xhavit Haliti, gazeta ” Zëri “, faqe 11, më 08 shkurt 2001.

Tashi, unë kam drejtë të pyes edhe njëherë kur ka ndodhur kjo ? Pse Xhavit Haliti nuk e tregon as datën as vitin? A ka proces-verbal? Edhe dita e formimit të një ekipi të futbollit e ka rëndësinë e vet, e mos të flasim për formimin e një ushtrie me atributin “çlirimtare”! PAstaj, Xhaviti thotë; “u hodh ideja”. Pra ishte ide, por asnjë vendim nuk qenka marrë!

Pas insistimit të gazetarëve, B. Hamzaj, F. Hoti, K. Gecaj të gazetës “Zëri”, Rifat Jashari ndër tjera deklaron kështu: “UÇK-ja me emër është prej vitit 1993, kurse fillimi i saj daton 4-5 vjet më herët. Rifat Jashari qartëson se në konakun e Jasharëve më 5 prill 1993 (mendohet në 5 prill 1993 që do të mund të merret si datë e themelimit të UÇK-së) ka ndodhur një takim ku paskan qenë të pranishëm, përveç personaliteteve ushtarake,edhe personalitete politike që sot janë të radhitura si në LDK, PDK dhe AAK. Gazeta “Zëri”, më 1 tetor 2002, faqe 7.

4. – Ndërsa, sipas dëshmive të Saim Tahirajt: “Para paraqitjes në skenë të UÇK-së, aksionet e para, duke filluar që nga viti 1991, janë kryer nga pjesëtarët e trei Grupeve Guerile, të cilët ushtruan në Shqipëri në vitin 1991. Financimi i të dy grupeve u realizua nga Fondi Gjithëkombëtar.

– Në Dukagjin, aksionin e parë e ka kryer (dhjetor 1991) Salih Çekaj, me guerilët e vet, mbi patrullën e policisë serbe, në aksin rrugor Deçan Lumbardh. Pas këtij aksioni, bastisen dhe maltretohen këto familje: Familja Tahiraj nga Belegu (vëllezërve Ismet, Saim, Sami dhe Bajram Tahiraj) familja e Osman Ferizit, familja e Hasan Ferizit dhe familja e Shkelzen Gjonajt. Pak kohë më vonë është bastisur dhe keqtrajtuar familja e Agron Tolajt nga Pobërgja. Të gjitha këto familje kanë dhënë kontribut të çmuar qysh në vitin 1991”.

– Aksionet e para në Llap janë kryer gjithashtu nga pjesëtarët e gueriles së Kosovës siç ishin: Et’hem Ajeti (axha i Ali Ajetit), Ekrem Sheholli, Murat Ajeti, Mehmet Visoka (i vrarë në lufte, babai i Islam Visokës, i cili me vite të tëra punoi besnikërisht në sigurimin e Dr. Rugovës).

– Ndërsa në Drenicë, gjithashtu aksionet e para i kanë kryer pjesëtarët e Gueriles së Drenicës, në ballë me Adem dhe Hamëz Jasharin dhe bashkëluftëtaret e tyre që shumica, sikur që ishin Adem dhe Murat Jashari kishin ushtruar në Shqipëri në vitin 1991. Më simboliku është rezistenca që familja Jashari u ka bërë forcave serbe më 29.12.1991. Një pasqyrim të ngjarjeve e ka dhënë edhe Gani Geci në librin “Lufta Pa maska” –

I mbrojtur: Lufta pa Maska

Shpjegim:

a) Të gjitha aksionet tjera të Gueriles së Kosovës janë pasqyruar në gazetën “Nedelni telegraf”, nga gazetari Millosh Antiq, të datës 19.02.1997, nën titullin, Terroristët erdhën nga Shqipëria, gjuajtën, vranë dhe shkatërruan e pastaj u kthyen në Shqipëri. Ky artikull, i gazetës “Nedelni Telegraf”, është përkthyer shqip dhe me disa artikuj tjerë është shkruar libri i parë, me titull Ushtria Çlirimtare e Kosovës, i përgatitur nga Gafurr Elshani, i botuar nga “Zëri i Kosovës” në shtator të vitit 1998, faqe 144. Pra, ky gjest i LPK-së është fillimi i përvetësimit të luftës çlirimtare të Kosovës. LPK-ja, gjithë kohën është thirrë në Adem Jasharin, por nuk e ka ndihmuan kurrë, e çka është me keq, nuk ia dolën t’ia sigurojnë as një uniformë me emblemën e UÇK-së. Të gjitha fotot janë fotomontazhe të realizuara me programe të internetit dhe janë janë të sajuara. Ai që ma gjen një uniformë origjinale, ku Adem Jashari e ka në krah, gjoks apo ballë shenjën me simbolin UÇK, do ta puth edhe nëse është e mbuluar me gjak.

d) I njëjti artikull, i “Ndelni Telegrafit”, i shkruar nga gazetari Millosh Antiq, është përkthyer edhe frëngjishte nga unë- Sefedin Krasniqi – dhe i ka shërbyer Fatmir Limajt për marrje të azilit në Zvicër.

e) Sa i përket datës, 5 prill 1993 , të cilin e zë në gojë z. Rifat Jashari, si datë e themelimit të UÇK-së, unë mendoj se ka më shumë drejtë se sa Xhavit Halitii apo kushdo tjetër. Megjithatë duhet të thuhet qartë e zëshëm, se në atë takim, në shtëpinë e Jasharëve ishte i pranishëm edhe Dr. Fehmi Agani, i cili ka qenë në rrjedhë për të gjitha lëvizjet e Gueriles së Kosovës. Lirisht mund të konstatojmë se Guerilja e Kosovës që vepronte në kuadër të LDK-së është paraardhëse e UÇK-së dhe, më vonë, bashkëformuese e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) që udhëhiqej nga ministri i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi. Përfundimisht, të gjithë ata anëtarë të UÇK-së, që pranojnë dhe e hanë propagandën e SHIK-ut se LDK e ka sabotuar luftën nuk janë të denjë as të jenë anëtarë të LDK-së, e as ta udhëheqin LDK-në, shton Saim Tahiraj.

5. U deshtë të kalojnë shumë vite dhe në shtyp të paraqitet edhe një dëshmi e fortë lidhur me ekzistimin apo mos ekzistimin e Shtabit të Përgjithshëm. Këtë dëshmi për publikun e bëri të njohur në vitin 2013, oficeri i karrierës Hafir Hoxha me këtë dëshmi:

– Ahmet Krasniqi i ka thanë shumë qartë Azem Sylës : “Azem të gjithë ushtarët dhe eprorët që janë në qendra stërvitore dhe në luftë janë pjesëtarë të UÇK-së , të gjithë janë nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe të gjithë do të vihen nën urdhrat e Shtabit të përgjithshëm te UÇK-së , por mua më nevojitet emri dhe mbiemri i komandantit të Shtabit të UÇK-së t’ia dorëzojë tërë këtë arsenal teknik dhe njerëzor, sepse unë jam ministër i FARK-ut dhe ne ketë ministri e kam edhe Mbrojtjen Territoriale të Republikës së Kosovës me Shtabin dhe strukturat e njësitet e tyre dhe e kam Ministrinë e Punëve të Brendshme, kështu që këto tri struktura përbejnë FARK-un”. (Tribuna Shqiptare – http://tribunashqiptare.net/?p=14141)

6. Nën pikën gjashtë po e përfshij punën e zëdhënësve të UÇK-së. Dihet se në atë kohë UÇK ka pasur shumë zëdhënës; nga diaspora dhe nga Kosova. Ata të diasporës, të tipit të Bardhyl Mahmutit, që vetëm kanë lajmëruar ndonjë vrasje apo kanë përgatitur lista për vrasje të shqiptarëve, nuk çojnë peshë, sepse informata nga terreni i kanë pasur pak edhe ato që u kanë ardhur nga terreni, i kanë paguar shtrenjtë me paratë e Fondit “Vendlindja thërret”.

Zëdhënës më zyrtarë ishin Adem Demaçi dhe Jakup Krasniqi. Derisa Demaçi vepronte dhe punonte në Prishtinë, në barakën e Dr. Rugovës në Prishtinë, Jakup Krasniqi, vepronte nga malet (më pak) e më shumë qëndronte në Shqipëri dhe fliste zi e terr për Dr. Rugovën. Nëse hedhim një paralele dhe bëjmë një vështrim në mes Demaçit dhe Dr. Rugovës është shumë interesant rrjedha e ngjarjeve. Gjatë egzodit të madhe të shqiptarëve kah Shqipëria dhe Maqedonia, edhe Demaçi edhe Rugova nuk kanë lëvizur nga Kosova. Por për çudi, edhe pse Adem Demaçi (luftëtari) ishte zyrtarisht zëdhënës i UÇK-së, forcat serbe e linin të shëtiste lirshëm nëpër Prishtinë, ndërsa Dr. Rugovën (paqësorin) e morën peng dhe e dërguan në Beograd! Ky fenomen kërkon një analizë të hollë për të vërtetuar faktet për të ditur të vërtetën e pengmarrjes së dr. Rugovës nga forcat serbe.

7. Pas këtyre shpjegimeve, vlen të thuhet sesi u zgjodhën zëdhënës të UÇK-së Adem Demaçi dhe Jakup Krasniqi. Në mungesë të Shtabit të Përgjithshëm, dëshmitarë të asaj kohe thonë se Xhavit Haliti e kishte zgjedhur zëdhënës Adem Demaçin, ndërsa Azem Syla ishte kundër, mu për këtë, Azemi e zgjedh Jakup Krasniqin.

Pse iu ktheva kësaj teme?

a) Iu ktheva për arsyen e thjeshtë; opinioni shqiptar duhet të njoftohet, sidomos historianët, duhet të hulumtojnë në mënyrë shkencore për luftën çlirimtare të Kosovës. Mos të na ndodhë ta shkruajmë edhe njëherë rrejshëm historinë. Mos të na ndodhë që një ditë amerikanët, siç po na thonë tash turqit, pritni pak, se arkivat tona thonë diçka tjetër. Ata që e menduan “Krahun e luftës” janë vazhduesit e mashtrueseve që nga Mukja e këndej. Këtë e forcon fakti se kur Hashim Thaçi “hyri” në Prishtinë nga ajri me helikopter… dikush mund te thotë, UÇK nuk kishte helikopter as civil as ushtarak… dihet publikisht, Hashimi u takua me Fadil Hoxhen dhe i tha “e vazhduam aty ku a keni lënë ju”. Ky takim, më vonë u hesht me qëllim.

b) Është e dhimbshme dhe skandaloze qe institucionet e Kosovës nuk e kanë përfshi si kontribut për çlirimin e Kosovës periudhën kohore prej vitit 1991 kur nisen të veprojnë guerilët e parë të Kosovës.

c) LDK duhet të organizojë një Simpozium Shkencor Ndërkombëtar, lidhur me kontributin dhe çlirimin e Kosovës. Një propozim të tillë, në vitin 2001, ua ka shtruar Dr. Muhamet Pirraku krerëve të ashtuquajtur të UÇK-së, të cilët nuk kanë guxuar kurrë të pranojnë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top