Të humbësh me sukses

SHKRUAN: EDISON YPI

Llomotit sa më tepër kundër partisë. Që të jesh sa më i besueshëm, llomotitjen bëje në stilin “kush të do të rreh”.

Kafen pije gjithmonë me të njëjtët miq. Bindeni njëri-tjetrin se jeni më të mirët, më të squtët, më interesantët, jeni ajka, jeni krema. Me të tilla stuhira masturbative brenda filxhanit të kafes, pakngapak do tkurreni, do paksoheni. S’ka problem. Me “pak e sak” humbja nuk vonon.

Shpif dhe intrigo partinë dhe kryetarin. Kusur mos u lër. Humbja vjen më shpejt.

Sakën se përdor emrin tënd. Nxjerrja e emrit të çon në fitore. Të humbësh duhet pseudonim. Shpifjet me pseudonim bëji në stilin e vigjilencës proletare të kohës së kurvit. Dhe ja ku humbja u bë realitet.

Atdhetarët shqiptarë të gjitha kohërave kanë shkrirë jetët e tyre duke ekzaltuar identitetin perëndimor të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Larg amaneteve të budallenjve. Je nisur për të humbur, jo për të fituar. Ngri në qiell identitetin lindor të shqiptarëve. Haremin, mullinin e kafes, sherbetin e shegës, Islamizmin radikal, atë që s’ka lidhje me Muhamed e Kur’an, por vetëm me Politikë.

Nëse jo ti, por njerëzit e tu, kanë vuajtur nëpër burgje apo internime, dhe kjo është arësyeja pse kërkon privilegje, nuk të lypset këshillë si të humbësh. Ke humbur pa u nisur.

Nëse je i përndjekur që ke vuajtur vetë, dhe tani kërkon si e si të kompensosh vitet e humbura duke kopjuar shthurjet e komunistave ultraliberalë, që të humbësh me sukses, ke nevojë për një këshillë të vockël, eja në vete sa më shpejt.
Je ish pronar. Nuk ta nin fare se në sistemin pluralist pushteti merret me vota, votat duan parti, partisë i duhet elektorat, bërja për vete e elektoratit kërkon aftësi, talent, energji, dije. Je i pakënaqur. Llap lart e poshtë për ligjin 7501. Tek Katovica sheh të gjitha fatkeqësitë. Ulurin për mungesën e një partie vërtet të djathtë etj etj. Në këto kushte s’ke nevojë për asnjë këshillë, i humbur je.

Të mos votosh, apo votën ta shesësh, si mënyrat më të efektshme për të humbur, nuk t’i zura në gojë se u bë kaq kohë që je duke i përdorur me sukses të admirueshëm.

Vëre vëth në vesh: Duhet të humbësh sa më thellë.
Se po fitove, duhet përkushtim që ty të mungon, duhen sakrifica që ti s’je gati t’i bësh.

Ama nëse humb, ti dhe partia jote do mbeteni të vdekur në shekuj.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top