Si ma pushkatuan vëllain 19 vjeç

DËSHMON: XHEMAJL METALIA

“Na lanë 15 ditë pa gjumë, për të treguar planin e arratisjes së babait…“

Rrëfimi i Mal Metaliajt nga Dragobia, i cili u dënua kur ishte akoma fëmijë, bashkë me dy vëllezërit e tij pak më të mëdhenj. Kujto.al boton dëshminë e plotë të tij, referuar arkivës së familjes Doko, me dëshmitë e ish-të dënuarve politik të regjimit komunist.

Dëshmia e plotë:

Më quajnë Mal Xhemail Metalia nga fshati Dragobi. Si të gjitha familjet shqiptare, pasi hyri komunizmi, na bënë kulak. Familje e madhe prej 70 vetësh. Ne na kanë thënë që jemi Metaliaj, por jemi shtëpia e Elezajve të Dragobisë. Na kanë njohur shumë shqiptarë, nga të gjitha krahinat, deri në Kosovë. Që në fillim, familjet e mëdha nuk e donin komunizmin. Gjyshi im thoshte: Nga na erdhën këta komunista.

Nejse, na bënë kulak… shtëpi e madhe na morën pasurinë, na dogjën shtëpinë. Regjimi komunist, axhën e babait tim, Asim Jakën, një burrë i fortë, i njohur, e marrin e pushkatojnë në mes të qytetit, në vitin 1946. E pushkatojnë pa gjyq. Familja jonë ishte familje kundër komunizmit. Axha im kishte bërë burg. Ndërkohë, Mustafë Salihit i futën edhe dy axhët e tjerë në burg. Jakup Salihin e dënuan 20 vjet dhe i kanë konfiskuar gjysmën e pasurisë. Mustafë Salihi sa u fut në burg, u arratis. Pa kaluar një vit, vjen të na marrë neve. Në Dragobi, është kufiri afër me Malin e Zi.

Ne u bëmë gati. Na thonë vendin ku do të dilnim. Kur vijnë spiunët e sigurimit të shtetit, kishin marrë vesh se kishin ardhur për të na marrë ne edhe babain tim. Ata bien në përpjekje me ushtarët, me forcat. Pasi bien në përpjekje, ne, tre vëllezërit ngelim aty në stan. Na kishin thënë të dilnim këtu. Këta kishin rënë në përpjekje, ata ikën e morën babain edhe u kthyen mbrapsht. Aty na rrethuan shtëpinë, na morën, na lidhën, mua, Riza Xhemailin rahmet pastë edhe Imer Xhemailin. E morën vesh, gjithë familjen tjetër prej 60-70 vetëve i hypin në makinë dhe i nisin për Lushnje.

Në birucë u bë një muaj. Vinte hetuesi edhe na pyeste për babain: “Keni ditur për babain, keni treguar rrugën se ku rrinë rojet?” Unë dhe vëllai, Riza Xhemaili, Imer Xhemaili, Mal Xhemaili, kemi thënë: “Po të tjerët e kanë ditur? Ne e kemi ditur se kemi dashur të ikim. Por nuk kemi thënë se ku rrinë rojet, kemi dashur të ikim në atë rrugë, jo se donim të dilnim në pritë për të vrarë askënd.” Hetuesia na çoi në gjyq në Bush të Shkodrës pas një muaji.

Cili ishte hetuesi juaj?

Hetues, në atë kohë kur më morën në Shkodër në Degën e Brendshme, ishte një Sadik Pema. Kudo ku ka qenë ky ka lënë shembuj të këqinj.

Si ju trajtuan në hetuesi?

Në hetuesi na kanë trajtuar keq. Unë isha i ri. 15 ditë nuk na kanë lënë të flinim, vetëm që të pranonim që gjoja i kemi thënë babait ku janë rojet. Përditë, deri sa kemi dalë në gjyq edhe kemi thënë nuk e kemi ditur se ku janë rojet. Kemi dalë për t’u arratisur edhe të shkonim tek axha.

Sa vite ju dënuan?

Filloi gjyqi. Pretenca ishte: Riza Xhemaili dënohet me vdekje, pushkatim. Imer Xhemaili, vëllai i dytë, 17 vjeç, dënohet me 25 vjet burg. Mal Xhemaili dënohet me 8 vjet. Vendimi i gjykatës u dha për Riza Xhemailin, dënohet me vdekje, pushkatim, edhe ashtu e lanë. Imer Xhemaili meqë ishte nën moshë, e lanë 12 vjet. Mal Xhemaili dënohet me 5 vjet. Mbaruam gjyqin na kanë lënë të flisnim jashtë, me gjithë vëllain që e dënuan, nja 10 minuta. Pas 10 minutash, nuk e kemi parë më vëllain.

Çfarë ndodhi me vëllain e madh?

Në burgun e Shkodrës, ishin birucat për të dënuarit me vdekje. Ne ishim në një dhomë të madhe lartë, me shumë dhoma, me 200 burra. 60 metra vend kishim për të fjetur. Na futën brenda, na kanë lëshuar pak vend ata burrat. Janë çuar në këmbë dhe na kanë marrë me të mira. Vëllain e dinim si në birucë, kur dilnim në pajton, por ne nuk mundëm ta shikonim asnjëherë.

Pas 17 ditësh, vjen një oficer edhe çohemi në këmbë ne të burgosurit në atë dhomë. -Kush është Imer Xhemaili, Mal Xhemaili? – thotë oficeri i shërbimit. -Unë jam Imeri, tha Imeri. Une thashë që jam Mali. -Jua pushkatuam vëllain, tha.

Ne qëndruam, nuk bërtitëm hiç. Na i kishte lënë amanet vëllai.

U çuan ata burrat na pajtuan, na ngushëlluan. 200 burra nga të gjitha krahinat. Akt-akuza: tentativë për arratisje, pa dalë nga dera e shtëpisë, edhe e pushkatan 19 vjeç. Një djalë dy metra i gjatë, një shqiptar, në atë moshë. Unë dhe Imeri mbetëm në burg.

Pas dy muajve, vjen autoburgu edhe do na çonin diku. Hypëm në automjet të mbuluar, s’kishim ardhur ndonjëherë, vetëm vëllai kishte ardhur njëherë në Kurbin te axha. ‘’E kaluam Mamurrzin’’, tha Imeri rahmet pastë. Na çuan në Tiranë tek kombinati i mishit.

Kishte qenë kampi i madh aty që punonin. Kombinati i mishit ishte një frigorifer i madh. Aty na kanë futur brenda, kemi qenë 1000 burra. Na kanë dalë para si djem të rinj, na kanë marrë, na kanë përgëzuar, na i kanë lënë bukën e ushqimet, edhe nisëm jetën e burgut në kampin e punës. Aty Imeri u bë gati 18 vjeç, i ri dhe i bukur e çuan të bëjë beton, punën më të rëndë. Unë të them të drejtën, disa muaj, unë nuk isha në punë. Ka burra që janë gjallë sot dhe nuk dua të shtoj asgjë. Edhe sot jam me ta, me Mark Alinë, me shumë burra prej Shqipërie. Nuk më kanë nxjerrë në punë nja 6 muaj. Pastaj, një burrë nga Mokra, më thotë: A po vjen të të mësoj si hekurthyes, me mua? Edhe mësova. Pa i bërë 16 vjeç, më kanë marrë me të mira, më kanë bërë hekurthyes, më kanë dhënë zanat. Imeri ka vuajtur më shumë, ka punuar në punë të rëndë, me beton, karrocë.

Si ishin kushtet në fjetinat e të dënuarve?

Ne që ishim të rinj, regjimi na kishte bërë një kapanon më vete. Rininë e çuan në një dhomë më vete. Aty kam ndenjur sa u lirova.

Si ishin sjelljet e drejtuesve të kampit ndaj jush?

Nuk ishin të këqija. Për regjimin komunist, vetëm po të bëje sherr, të doje të ikje, dënoheshe me birucë. Policët ushtarakë ishin të mirë. Na thoshin: Hë o derëzi, rrini mirë se mbase liroheni.

Sa vjet burg bëre?

Bëra dy vjet e gjysmë. Pas dy vitesh, u bë një amnisti. Kush ishte nën 18 vjeç, që ishte dënuar 25 vjet, do të lirohej. Unë u bëra 17 vjeç, po dhe mua më kapi amnistia. Kur vjen dreka, thirrën emrat. Kam dalë tek telat, artizanati i thoshin aty. Erdha te axha, shkova në Degë të Brendshme këtu, u paraqita e më kanë thënë të shkoja në Tropojë. Por pastaj, më thanë: Ty nuk të lejohet të shkosh në Tropojë. Më dhanë një letër që isha liruar nga burgu, edhe më thonë: Nuk ke të drejtë të kalosh urën e Matit, asnjëherë. Më dhanë një letër, shkova mora pasaportën, ndenja një vit tek axha. Fillova të kërkoja punë. Axha kishte shumë të njohur, të çonte të punoje edhe në kapar privat.

Sa vite burg bëri vëllai juaj?

Imeri bëri 9 vjet. Përpara se të dilte Imeri, mua më morën edhe ushtar. I bëra 2 vjet ushtri në ZallHer, Martanesh. Pastaj u lirova, erdhi dhe Imeri pas 9 vjetëve. Të dy ishim beqarë. Bëmë një shtëpi të vogël, aty ku kisha kasollen. I blemë të dy. Imeri ishte usta, mjeshtër edhe unë punoja në ndërtim. U martuam. Një plak i vjetër, Ysen Takuti ma dha një vajzë mua. Avdi Berisha ia dha vajzën Imerit. Jetuam, punuam, silleshim mirë. Kemi lënë katër fëmijë.

A morët ndonjë lajm nga babai juaj?

Me babain, nuk kemi mundur të marrim ndonjë letër. Ka ndenjur në Kosovë, pastaj iku në Amerikë me gjithë vëllain e vogël. Deri në ‘90 nuk kemi marrë as letër, asgjë. Kur ka vdekur babai, në 1980-ën, pas tre muajve kemi marrë vesh që ka vdekur babai në Amerikë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: E drejta e autorësisë i përket autorëve! Ju lutemi për mirëkuptim.