Shkruan: Prof. Vebi Xhemaili
-Në Maqedoni nuk ka pasur kryengritje popullore
-Si u sajua Themelimi i “Komiteti i PKM” në TETOVË
“Maqedonia si shtet më i ri në Ballkan u krijua si pjellë e PKJ-s” në dëm të trojeve shqiptare të cilët gjatë kësaj periudhe lufte luftuan për bashkimin dhe çlirimin nga sundimi sllav dhe ai bollshevik. Rrethanat luftarake në Kosovë dhe në Maqedoni ishin identike. PKJ propagandonte Luftën “Nacionalçlirimtare”, duke shpallur territore sovjetike të lira dhe Maqedoninë e quante “Republikë Sovjetike”. Po ashtu Sekretariati Ballkanik i Kominternit, nën udhëheqjen e Vilhelm Pieck, solli propozim për Komitetin Ekzekutiv të Kominternit “se nuk mund të pranohet okupimi fashist i Jugosllavisë dhe as ndërrimi i kufijve gjeografikë dhe nacionalë të hartës së Jugosllavisë.
Me këto vendime të Kominternit, shihet qartë deri ku kishte arritur propaganda e komunistëve jugosllavë. Ajo kishte frikësuar shqiptarët e, në veçanti, nacionalistët shqiptarë, se me ardhjen e Armatës së Kuqe ata përsëri do të mbeteshin të copëtuar dhe të ndarë nga trungu i saj, se për shqiptarët do të përsëritej marrëveshja e Londrës dhe e Versajës, ku, në mënyrë arbitrare, diplomacia ruse donte t’i grabiste Shqipërisë Elbasanin dhe Durrësin. Ndërsa pas Luftës së Parë Botërore Shkodrën, simbolin e rezistencës dhe të krenarisë shqiptare.
Shqiptarët e krahinës së Maqedonisë, si pararojë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, edhe kësaj radhe ishin të bindur se duhej luftuar kundër ideologjisë komuniste dhe pansallavizmit. Rrethanat politike u krijuan me rastin e largimit të sekretarit të Partisë Komuniste të Maqedonisë në Bullgari, i cili territoret shqiptare kërkonte t’i vinte nën sundimin e pushtetit bullgar. Pra, shqiptarëve u hapej rruga e rezistencës kundër politikës shoviniste bullgare dhe hegjemonizmit sllav në përgjithësi. Me okupimin e Banovinës së Vardarit (Maqedonia e sodit), nga forcat fashiste dhe ndarjen e saj midis tyre, për shqiptarët ishte një objektiv drejt bashkimit. Shqiptarët, të udhëhequr nga forcat nacionaliste, gjykuan drejt dhe në kohë, se ka ardhur çasti historik që njëherë e përgjithmonë të shkëputeshin nga sundimi i egër jugosllav dhe të bashkohen me trungun e vetë. Shqiptarët ishin të bindur se me vendimin e Kominternit mundësohej që një pjese të krahinës së Maqedonisë së sotme të bashkohej me Partinë Punëtore Bullgare. Pra, u realizua qëndrimi që mbajti komunisti nga Prilepi, Metodia Shatorov-Sharllo, për ta ndarë këtë organizatë partiake nga PKJ-ja dhe ta bashkonte me Bullgarinë. Ndërsa për këtë “tradhti” komunistët bullgarë nuk e dënuan, por përkundrazi e shpallën hero. Partia Bullgare dhe Komiteti Qendror i saj edhe pse ishte nën tutelën e Kominternit, ditën ta ruanin kuadrin e vetë. Për këtë vepër patriotike ai u emërua sekretar i Komitetit Krahinor të Plovdivit dhe u gradua kolonel.
Ndërsa shqiptarët e Maqedonisë për kërkesën e vetë historike, bashkimin kombëtar, u kundërshtuan nga të dy partitë “si motra”, PKSh dhe PKJ, vetëm se në shpirt ata kishin bashkimin kombëtar. Këto tregonin se PKSh dhe Hoxha vepronin si filiali i PKJ-së, pas marrëveshjes së Mukjes. Emisarët, në çdo kohë kërkonin të acaroheshin marrëdhëniet me nacionalistët dhe veprimtarët e kombit. Jugosllavët ishin hegjemonistë në shpirt. Ata donin me çdo kusht të ruanin Jugosllavinë e Versajës. Kjo shihet qartë nga një deklaratë të Tempos, kur thotë: “kjo vepër e Shatorovit, kundër PKJ, nuk mund të komentohet ndryshe, por vetëm si shovinizëm”.
Ky do të jetë shkaku që Komiteti Qendror i PKJ-së dhe Tito të marrë masa për ndërrimin e Komitetit Krahinor të PKJ për Maqedoni, pas largimit të Metodija Shatorovit nga detyra e Sekretarit. Kjo shihet qartë në letrën e Titos dërguar Komitetit Qendror të PK Bullgare, më 16 shtator 1941. Më vonë Titoja dërgon edhe dy letra tjera shokëve maqedonas, ku nuk përmenden fare shqiptarët për veprim të përbashkët në luftë kundër pushtuesve të huaj.
Për organizimin e mëtejshëm në Parti, vendimi i Kominternës që u mor në gusht të vitit 1941. Partia Komuniste e Maqedonisë, deri në vitin 1943 fare nuk ishte e organizuar në pjesën perëndimore.
Më 19 mars të vitit 1943 mbahet një takim midis disa simpatizantëve të Luftës Antifashiste në Tetovë, me këtë rast Partia Komuniste e Maqedonisë doli me deklaratë: “në Tetovë u themelua Komiteti Qendror i PK për Maqedoni”, duke i improvizuar edhe emrat e tyre që fare nuk ishin prezentë në Tetovë. Tempo thotë, se mësuesit shqiptarë më pritnin në stacionin hekurudhor të Tetovës. Me ta së bashku urdhërova themelimin e Komitetin Qendror të Partisë në Tetovë. Tempo falsifikon këtë takim, pasi në këtë Komitet të improvizuar në Tetovë, nuk figuron asnjë emër shqiptar. (V.Xh). Pas mbarimit të mbledhjes u vendosa në Gostivar te shtëpia e Selman Kasapit dhe pas dy javëve vazhduam rrugën për Dibër dhe pasi u pajisa me dokumente udhëtimi u nisa për Elbasan.
Para se ta formojë Partinë në Tetovë, Tempo deklaron: “kur erdha në Shkup me urdhër të Titos në shkurt të vitit 1943, mbi tre muaj u mora me organizimin e luftës dhe punëve partiake në Komitetin Krahinor të Partisë në Shkup, kishte vetëm tre anëtarë partie: Borko Temelkovski, Vera Aceva dhe Dobrivoje Radosavleviq, “me këtë të fundit u ndala më gjatë në biseda për të parë arsyet e mossuksesit, pse deri tani nuk kishte pasur sukses organizimi i luftës në Maqedoni”. Po me të njëjtin vlerësim, se nuk ka funksionuar Komiteti Qendror në Maqedoni është edhe Vera Aceva, e cila deklaronte: “se kishim ngelur vetëm tre veta, pasi anëtarët tjerë të “Komiteti Qendror” ishin të burgosur. Këtë gjendje të Partisë Komuniste në pjesën Perëndimore të Maqedonisë e ilustron më së miri historiografia më e re maqedonase, e cila vërtetonte se në maj 1944 në këtë zonë aktiviteti partiak ishte si vijon: Në Tetovë 20 anëtarë, në Gostivar 16, në Galiçnik me rrethinë 10, në Kërçovë dhe Dibër situata e njëjtë.
Për arsye “praktike” Kominterni dha urdhër që PKM të mbetej në përbërjen e PKJ-së. Për shkak të pozitës ushtarake-strategjike që ajo ka, të mbetej bazë e lëvizjes partizane nën udhëheqjen e PKJ-së, për çorganizimin e prapavijës luftarake të Gjermanisë dhe Italisë në Ballkan.
Këtu shihet qartë politika hegjemoniste sllave, e udhëhequr nga Kominterni për të ruajtur Ballkanin si tërësi në dëm të kauzës shqiptare. Po ashtu gisht ka edhe Tito, i cili ka qenë bashkëpunëtor i lartë në selinë e tij mbi 12 vjet. Kjo është arsyeja pse shqiptarët nuk përmenden, kurse maqedonasit po. Për herë të parë pas ardhjes së komunistëve në krahinën e Maqedonisë, përmendet populli maqedonas si shtetformues, sipas hierarkisë komuniste- sllave. Komunistët shqiptarë, ku shumica ishin punëtorë, nuk ishin në gjendje ta deshifronin këtë bolshevizëm të përbetuar…?