Shkruar nga Eqerem Bej Vlora
Në shumicën e veprave mbi Shqipërinë përmenden persona dhe familje, pa shpjeguar ndërkaq se cili ishte pozicioni dhe tagri i tyre në jetën politike dhe shoqërore të vendit.
Cilësorë si bej, pasha, aga, bajraktar, spahi, dizdar etj. qëndrojnë para apo prapa emrit.
Këtu nuk kemi të bëjmë as me tregues fisnikërie, as me tituj që tregojnë ofiqin që mban personi në fjalë aq më pak me nofka apo patronimikë.
Një vështrim i sipërfaqshëm i kushteve shoqërore të Shqipërisë ka çuar shumë herë në hamendësimin që në Shqipëri nuk ka pasur, përgjithësisht ndryshime kastash. Ky mendim që për motive ideologjike mbështet edhe sot në punimet albanologjike që botohen në Shqipëri, është krejtësisht i gabuar.
Është e vërtetë që në Lindje, me saktësisht në Perandorinë Persiane, Bizantine, Arabe dhe Osmane zyrtarisht nuk është njohur asnjë cilësim fisnikërie, por edhe as të drejtat feudale sipas kuptimit evropianoperëndimor. Në mungesë, pra të një aristokracie fisnore të njohur nga shteti, në botën Lindore u rrit në përmasa të papara rëndësia e roli i zyrtarëve dhe i ushtarakëve. Prej tyre, në rrjedhë të kohës e kryesisht në provincat, ky ofiqet zyrtare dhe postet ushtarake mbeteshin në duart e të njëjtave familje, u zhvillua, nga shprehia dhe nga tradita, një farë dallimi të cilin shteti u detyrua jo vetëm ta durojë por praktikisht edhe ta njohë. Kështu në Lindje lindi dalëngadalë një “shtresë e lartë aristokracie”, e cila në shumë treva (fjala vjen në Shqipëri, Bosnje, Kurdistan dhe Arabi) krijoi një “aristokraton” një regjim të veçantë, të privilegjuar, i cili ekzistonte jo de jure por de facto.
Shpjegimi që jep albanologu i madh George fon Hahni në vëllimin e dytë të librit të tij “Studime shqiptare” për lindjen e një shtrese të lartë në Shqipëri, përqasja që ai u bën rrethanave shoqërore deri më 1847 dhe zhvillimeve të tyre me ato të Galisë në kohën e Çezarit janë pjesërisht të sakta dhe mund të kenë vlerë mbase vetëm për fisnikërinë e ulët fshatare (gentry angleze), por aspak për disa nga “shtëpitë e mëdha” me “dyer të mëdha dhe oxhaqe të larta” që kanë luajtur vazhdimisht një rol “derë e madhe – oxhak i lartë) në historinë e vendit. Ato kanë zanafillë krejt të ndryshme, të cilën më tepër mund ta krahasosh me markgrafët (kontët) e epokës karoligiane.
Por Shqipëria është një vend i kundërt dhe është e vështirë të ndërtohet një skemë e njësuar. Ne vërejmë rregulla dhe përjashtime në të gjitha dukuritë e jetës së saj. Përkufizimin më të qëlluar për fisnikërinë e lartë shqiptare, mendimi im ky, e ka bërë historiani turk Ahmet Xhevdet pasha.
Ja si shkruan ai: “Shqipëria është një vend i vrazhdë, i varfër, i pakalueshëm, populli i saj i egër, i pabindur, krenar dhe luftarak. Për të mos lejuar që ajo të kthehet në furrik trazirash të përhershme, Sulltanët ia kanë besuar gjithmonë qeverisjen e tij vendeve besnikë, të cilët e zmadhonin gjithnjë e më shumë fuqinë dhe ndikimin e shtëpisë së tyre derisa krijuan sundime të mirëfillta, që me kohë, u bënë thuajse të trashëgueshme nga brezi në brez në formën e dinastive. Ky zhvillim kishte edhe motivet e veta gjeopolitike. Shqipëria dhe historia e saj i përkasin vërtet, që prej 1000 vitesh botës Lindore, por ajo ishte, njëherësh dhe trevë kufitare; si pasojë e përbërjes së popullsisë së saj dhe e fqinjësisë me “Evropën”, ajo mori edhe shumë nga botëkuptimi i Perëndimit. Për këtë arsye shqiptare, edhe pse ishte mysliman, në kundërshtim me Lindorët, jo vetëm e çmonte dhe e pranonte rëndësinë e sojit dhe të familjes, por kishte edhe një synim të spikatur për fisnikërinë. Prijësia në fisin dhe në shoqërinë shqiptare, sado demokratik të ishte organizimi i saj, nuk bëhej thjesht ai që ishte më i zoti, por ai që, krahas vetive personale të shkëlqyera, mund të paraqiste edhe epërsitë e sojit dhe të traditës.
Tek asnjë popull tjetër i botës, hierarkia lindësore nuk është respektuar me një saktësi të tillë të heshtur, por të ndërgjegjshme, si të shqiptarët. Në tubimet e gjithmbarshme duhej të zinte dhe radhën për të folur.
Gjer edhe shqiptari më i thjeshtë kërkonte të respektohej soji, pesha dhe ndikimi i tij.
Se sa të ndjeshëm ishin njerëzit në këtë drejtim e tregon një rast që ka ngjarë më 1909 në krahinën e Kolonjës; gjatë një udhëtimi me karvanin tim arritëm buzë përroit të Borovës, i cili ishte fryrë kaq shumë nga shirat, sa vau nuk shquhej kurrkund. Njerëzit e mi u bënë zë disa burrave që po rrinin ulur në bregun përtej të na tregonin se ku ishte ura. Askush nuk lëvizi vendit. Atëherë një xhandar kalorës që unë e kisha marrë për udhërrëfyes, del përpara dhe thërret: “Hej o bejlerë! Cili nga ju do të na ndihmojë të kalojmë përroin?” Kjo ishte fjala magjike që i vuri ata në lëvizje: ata brofën të gjithë në këmbë dhe kush e kush të na ndihmonte më parë.
Natyrisht jo të gjithë shqiptarët e kanë kafshuar këtë karrem kaq të thjeshtë. Banorët e malësisë së Dangëllisë dhe Kolonjës ishin veçanërisht të ndjeshëm ndaj çështjeve të nderit vetjak, gjatë kohës së Luftës së grekëve për pavarësi dhe asaj të Tanzimatit ata kishin shërbyer si rrogëtarë në ushtrinë osmane. Synimi i qeveritarëve qendrorë osmanë të atëhershëm ishte të minonte ndikimin dhe pozitën e bejlerëve të mirëfilltë, kështu që ata i jepnin titullin bej çdo kusari që komandonte dhjetë ushtarë rrogëtarë. Ata dëshironin të shkaktonin një inflacion të këtij titulli, i cili deri më 1833 kishte pasur një vlerë të lartë, sa gjer edhe i vëllai i vezirit të madh nuk kishte të drejtë ta mbante pa ndonjë arsye të mjaftueshme. Pra nëse malësorët kur i thërrisje me këtë titull nuk ta merrnin për tallje, kjo tregonte me siguri, zhvlerësimin e tij.
Nga ana tjetër, rrethana që shqiptari shpesh ua mohon fqinjëve të tij sojin, dhe rëndësinë, të cilat i mëton me aq forcë për vete është nj dëshmi më tepër se sa rëndësi i jepte ai kësaj pike.
Titulli bej ka prejardhje tataro-turke. Fillimisht kishte kuptimin “princ”. Atë e kanë mbajtur babai i Sulltanit të parë turk, i vëllai, i biri i tij. Djali i dytë e ka mbajtur deri në kohën e Sulltan Muratit (1359-1389). Në forma të ndryshme ai është përhapur me të njëjtin kuptim në të gjithë lindjen dora-dorës me dyndjen tataro-turke, derisa më në fund gjeti përdorim edhe si titull për gratë: beg-um, fjala vjen, quhej gruaja e një princi mysliman në Indi.
Në Anadoll, edhe përpara kohës osmane, te popujt e ardhur turq, bej ishte “princi” i pavarur, apo edhe i varur i një krahine (karaman Beyi-Saruhan Beyi). Osmanët ua dhanë këtë titull që me fillimet e pushtimeve të tyre (nga 1450) mëkëmbësve të Sulltanit në qarqet administrative ushtarake dhe civile “sanxhakëve” (njësi ushtarake që futej në luftë nën të njëjtin flamur). Fermanet thoshin shprehimisht: “Ti, që je beu i Vlorës etj. etj., “ dhe pastaj vinin me radhë emri, ofiqet dhe mbiemrat e ndryshëm. Pra, emërtimi i parë ishte më i rëndësishmi. Kjo ishte arsyeja që ai gjithmonë, vetëm kur përdorej për dy, tre apo katër persona të së njëjtës familje, mund të shndërrohej në një lloj “emri cilësie”, për të mos thënë titull. Sidoqoftë anëtarët e një familje që nuk ishin qeveritarë të krahinës nuk quheshin “beu i …” por “nga bejlerët e …” Shumë shpejt sikundër te zyrtarët turq dhe në gojën e popullit ky emërtim hyri për disa familje (deri nga 1850)
Kishte dy kategori bejlerësh — ata të provincave të brendshme (sanxhakbej) dhe ata të provincave kufitare (Sirdarbej). Këta të fundit lipsej ta mbanin gjithnjë gati kontigjentin e tyre ushtarak. Si kategori ata ishin afërsisht të barabartë. Grada e vetjake (zakonisht ishte titulli”pashë”) ndryshonte sipas rëndësisë dhe meritave të secilit. Dallimi dukej nga tujat që mbanin. Një tujë tregonte shkallën me të ulët të pashait e kjo me vonë filloi t’u jepej edhe komandantëve të kështjellave: me dy tuja ishin zakonisht sanxhakbejtë, tre shënonin titullin e një veziri, katër tuja mbante bejlerbeu, cili në raste luftërash si kryekomandant (gjeneral armate) udhëhiqte disa divizione të sanxhakut. Sanxhakët e Shqipërisë vareshin nga bejlerbeu i Rumelisë me seli në Manastir (Bitola). Pozita e këtij të fundit ishte mjaft e pasigurtë. Ai mund të zëvendësohej edhe gjatë gushatës e duhet thënë se midis 1500-ës dhe 1830-ës Perandoria Osmane ka qenë vazhdimisht në luftë me fqinjët e saj, po kështu ndodhte shpesh që këtë post e merrte edhe ndonjë sanxhakbej shqiptar. Sanxhakbeu ishte përfaqësuesi (mëkëmbësi) i Sulltanit në një provincë. Dekreti i emërtimit të tij ishte një akt i thjeshtë emërimi i një nëpunësi, por, sipas koncepteve evropiane, një shpërblim i mirëfilltë. Teorikisht ai ishte i vlefshëm për një vit. Por në praktikë, sanxhakbeu, kur nuk kishte bërë ndonjë shkelje të rëndë, rrinte edhe 10-12 vjet në detyrë, sepse dekreti i emërimit rinovohej automatikisht dhe shpërndahej pastaj nga korierë të posaçëm (myteferikë) nëpër sanxhaqet e ndryshme. Ky zakon kishte lëshuar rrënjë aq të thella në Perandorinë Osmane, sa për shembull, dekreti për emërimin e sanxhakbeut të Vlorës u lëshua në emër të Ibrahim pashë Vlorës më 1850 nga Ali Pashë Tepelena dhe mbahej në kështjellën e Janinës. Pas vdekjes së tij, sanxhakbej i Vlorës me titullin vezir, u emërua i biri i tij debil, Sulejman pasha, i cili kishte pas qenë në burg bashkë me të atin.
Sanxhakbeu e qeveriste provincën e tij në mënyrë thuajse të pavarur. Ai bënte aty ç’t’i donte qejfi. Ajo që kërkohej detyrimisht prej tij ishte shërbimi ushtarak dhe mbajtja në gatishmëri të përhershme e “divizionit” të tij. Taksa dhe detyrime të tjera provincat shqiptare nuk paguanin duke qenë se në Stamboll ishin të vetëdijshëm se nga Shqipëria mund të nxirrej pak apo thuajse asgjë. Herë pas here nga kryeqyteti vinte ndonjë “defterdar” (inspektor, financier), për të bërë inventarin. Sipas koncepteve administrative turke, sanxhaku duhej, së paku të dilte “selfsufficient”, pra që të mos kishte nevojë për financim nga qendra. Të ardhurat ishin të pakta, të pasigurta dhe të vështira për t’u mbledhur, shpenzimet të vazhdueshme dhe të mëdha. Para së gjithash duhej të dilte rroga (aidat) e vetë sanxhakbeut. Në krahasim me detyrimet, ajo nuk ishte e madhe dhe po të mos kishte beu burime të tjera nga pronat e veta apo nga ato me qira, do t’i duhej të hiqte dorë nga shumë gjera për t’ia dalë mbanë. Nga sa thamë mund të përfitohet mendimi se sanxhakbeu mund të jepej pas dëshirave deh qejfeve. Por nuk është kështu. Një sanxhakbej kishte shumë liri veprimi dhe mund të bënte shumë të mira apo të liga. Por, kur e tepronte, atëherë, herët a vonë, duhej të priste trokitjen e Nemesisit në derë, madje të shpallej fermani dhe si i dalë jashtë ligjit, të humbiste kështu të gjitha: pasurinë, kokën. Nga ana tjetër, ndodhte edhe që, kur sanxhakbeu qëllonte”kockë fortë”, Stambolli të bënte durim të madh. Kështu qeveria qendrore në Stamboll duroi 10 vjet (1811-1819) derisa nxori përpara përgjegjësisë Ali Tepelenën, pashën e Janinës.
Po kështu, edhe rruga e ankesave kundër sanxhakbeut ishte e hapur. Diçka me rrezik, doemos, por mund të sillte shpesh edhe fundin, sidomos kur pozita e tij për shkaqe të ndryshme, tashmë ishte lëkundur.
Një shembull drastik dëshmon qartë sesi silleshin në “kohën e rënies” autoritetet qendrore në raste të tilla. Ismail pashë Vlora (Velebishti) ishte në vitin 1756 sanxhakbej i Vlorës, por selinë e kishte në Berat që prej vitit 1691. Mirëpo pashës nuk i pëlqente të banonte as në kala, as në pallatin familjar në qytet. Ndaj ndërtoi një shtëpi fusharake në fshatin e vogël Velabisht dhe u bënte trysni esnafëve të qytetit që të fillonin të shpërnguleshin. e vërtet ose jo, esnafët e Beratit dërguan njerëz në Stamboll me një ankesë kundër sanxhakbeut. Nga Stambolli erdhi pa vonesë një shkresë nga veziri i madh që e qortonte rreptë beun dhe e njoftonte se do të pushohej nesh vazhdonte t’u binte në qafë esnafëve. Pashai ishte njeri me shkollë shumë dhe kishte miq ndër më të mëdhenjtë e Stambollit. Dhe kështu e mori vesh se tregtarët i kishin dhënë vezirit të madh 2000 flori ryshfet. Për Bajramin e madh të vitit 1757, përfaqësuesit e esnafëve të qytetit erdhën në pallatin e Velebishtit për urime. Pas ceremonisë morën rrugën e kthimit, por në një pritë u grinë të tërë nga garda e pashës: plot 63 njerëz. Autoritetet qendrore vetëm sa e transferuan pashën në Janinë e prej aty pas tri vjetësh, meqë ai vazhdonte përherë me të vjetrën, e hodhën në sanxhakun më të parëndësishëm të Lepantos. Dhe pikërisht atje, në vitin 1763, e arriti dora hakmarrëse e fatit. Ai u dënua me vdekje dhe u shpall fermanli, iku në Shqipëri, mblodhi atje nja 20000 ithtarë dhe iu kundërvu pushtetit qendror, deri sa në 3 gusht 1764, dy djem të rinj, duke qëlluar nga oxhaku i shtëpisë në Vlorë, ku ai kishte zënë vend, e palosën përtokë me dy të shtëna pushke, se ai ishte shpallur “jashtë ligjit”. Sanxhakbeu urdhëronte në një trevë goxha të madhe; sanxhaku i Vlorës, fjala vjen përfshinte 7000 km2, ai Shkodrës 8.000 km2. Ai ishte kryetar ushtarak dhe civil i dhjetëra mijë njerëzve. Po të mendosh se çfarë ndikimi, çfarë mundësish ekonomike dhe çfarë peshe politike i jep një pozitë e tillë dhe në një vend, ku konceptet e të drejtës dhe të paanësisë ishin kaq të epshme, një shtëpie dhe pesëmbëdhjetë, njëzet apo më shumë anëtarëve të saj, njëri pas tjetrit, atëherë është e lehtë të përfytyrohet se edhe pasardhësit e këtyre “shtëpive të mëdha” do të ishin diçka ndryshe nga masa e popullit e mbase jo më të mirë dhe as më të këqij, por sidoqoftë “më tepër”.
Është vështirë të përcaktohet se çfarë ishin bejlerët shqiptarë. Pozita e tyre në shtet, siç u tha, nuk njihej zyrtarisht, populli, nga ana tjetër, i njihte si zotërinjtë e tij. Dëshmia më e mirë për këtë është motoja popullore: oxhaku s’paguan gjak, pra ai nuk bie në gjak edhe kur bën vrasje. Dëshmi kjo që bejlerët edhe në konceptimin popullor qëndronin mbi vdektarin e zakonshëm, mbase si mishërimi i vetë pushtetit. Por ata nuk duhen krahasuar me aristokracinë evropiano-perëndimore, sepse atyre u mungonte e drejta e trashëgimisë. Një bej shqiptar prej një “shtëpie të madhe” i shëmbëllen e parë kjo nga pikëpamja juridike dhe heraldike, një rajhsgrafi gjerman, po aq pak sa edhe një mandarin kinez një lordi anglez. E, megjithatë që të katër kategoritë, mishëronin dikur shtresën e lartë, klasën përcaktuese dhe drejtuese të popujve të tyre kishin një gjë të përbashkët: vetëdijen se janë më shumë dhe ndryshe nga të gjithë të tjerët dhe rrethanën që populli e shteti nolens volens ua kishin njohur këtë privilegj. Shtrohet pyetja në se “shtëpitë e mëdha” në kohën bizantine dhe serbe, si gjatë periudhës kalimtare të sundimit osman, si fjala vjen Muzakajt, Topiat, Arianitasit, Dukagjinajt apo Balshajt, që sot na duken si dinasti, kanë qenë diçka tjetër nga “oxhaku” i periudhës turke. Unë nuk besoj, dhe jam fort i bindur se një studim themelor krahasues i pushtetit, i pronave dhe i mënyrës së jetesës, mund ta ulte kandarin, mbase, në anën e pushtetarëve të periudhës turke.
Këtë dëshmon madje edhe historia e Shqipërisë nga Mesjeta e vonë deri në Kohën e Re; ajo përbehet nga historitë e disa brezave sundimtarësh. Ata ishin mbartësit e ideve dhe elementi veprues i aksioneve ngjarjeve dhe vendimeve. Prej këndej del se për historinë e një vendi ka rëndësi të posaçme njohja me historinë e brezave të sundimtarëve, qoftë edhe shkurtazi. Nëse unë ndërkaq jam në gjendje që për disa “oxhaqe” shqiptare të shkruaj më tepër nga të tjerët, emrat e të cilëve këtu vetëm sa ceken, kjo ndodh jo sepse unë dëshiroj që disa t’i nxjerr më në pah, por sepse për disa familje unë di më shumë dhe kam grumbulluar material më të pasur, se sa ka qenë e mundur kjo në vend të huaj, megjithë përpjekjet e mia të mëdha, për rastet e tjera.
*Marrë nga vëllimi i dytë i librit “Kujtime”