SHQIPTARËVE NUK MUND T’UA BËJË ASKUSH SHQIPËRINË ETNIKE

SHKRUAN: DR. ILIR HYSA

Këto kohët e fundit Profesori David Phillips nga Columbia University këtu në Nju Jork ka ndërmarrë një nismë të quajtur “Albanian Neighborhood” e cila është komentuar edhe në mediat e Tiranës. Ajo që të bie në sy është fakti se, ndonëse nisma e Profesorit Phillips duhet përshëndetur, ajo në shumë raste është keqkuptuar si një projekt për një Shqipëri Etnike nëpërmjet ndryshimit të kufijve. As Profesori Phillips dhe as Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington që mbështet këtë projekt nuk mund të ndryshojnë kufijtë në Ballkan. Sigurisht, ata mund të luajnë një rol të rëndësishëm në aspektin e evidentimit të nevojës për një Shqipëri Natyrale si faktor stabiliteti që çështja shqiptare të zërë një vend të rëndësishëm në axhendën e kancelarive perëndimore. Për më tepër, implementimi i këtij projekti duket se ka të bëjë më shumë me përgatitjen tonë, sesa me ndërgjegjësimin e aleatëve tanë ndërkombëtarë.

Pra, në thelb projekti konsiston në integrimin e shqiptarëve në Ballkan, një ide kjo jo e re. Vetë ideja e antarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian synon egzaktësisht realizimin e këtij integrimi, i cili do të shmangte kokëçarjet që do ti krijoheshin Europës nga zgjidhja alternative — ndryshimi i kufinjve për formimin e Shqipërisë Etnike.

Le të kthehemi tek përgatitja jonë. A jemi ne gati të integrohemi? Edhe pse në biseda me njëri-tjetrin ne të hidhemi në grykë kur bëhet fjala për Shqipëri Etnike, e vërteta e hidhur është se ne nuk jemi gati për t’u integruar dhe këtë e ka kuptuar mirë Profesori Phillips. Përveç egzistencës së një klase politike të papërgjegjshme dhe në shumë raste të inkriminuar, ne kemi një shoqëri civile të dobët dhe në pjesën më të madhe një system të medias të mekatuar nga servilizmi dhe mungesa e objektivitetit. A kemi bërë ne përparime në dy dekadat e fundit për t’u bërë një shoqëri me e edukuar dhe e përgjegjshme? Sigurisht. Megjithatë, edhe sot pas dy dekadash rrumpallë, dhe që shumë e quajnë tranzicion, ne jemi ende skllevër të ideve të parafabrikuara se një mrekulli (e tipit të Çekut të Bardhë) na shpëton ne dhe asgjë tjetër. Ku qëndron e keqja këtu? Thjesht në faktin se ne nuk e shohim veten si ata që përcaktojmë fatin tonë por ende besojmë ne zgjidhje të tipit “deus-ex-machina” që shumëkush kishte menduar se u venitën me perëndimin e një rryme të tërë artistike dhe letrare. Moralisht, si shoqëri ne jemi të zhytur në mëkatin që shoqëron mungesën e vërtetësisë dhe na mungon kurajoja të ndahemi nga e kaluara kriminale e regjimit komunist për të mundësuar pajtimin.

Për rolin destruktiv të politikës dhe insitucionet tejet të dobëta e tërësisht të varura nuk po flasim këtu pasi ato njihen mirë tashmë. Mediat tona herë vuajnë nga servilizmi dhe herë nga përcjellja e lajmit me deformime për mungesë profesionalizmi apo shejtanllëku. Në fakt, në shumicën e rasteve motivi i deformimit mbetet i paqartë. Për shembull, versioni online i gazetës Tema i datës 21 Qershor, 2012 botoi një shkrim në lidhje me këtë nismë të titulluar “Nismë e Universitetit Columbia për bashkimin e shqiptarëve”. Përveç faktit që shkrimi i referohet nismës në gjuhën angleze si “Initiative Albanian Neighborhood” ndërkohë qe nisma titullohet Albanian Neighborhood Initiative, që në titull lexuesi keqinformohet dhe kjo reflektohet në komentet që vijojnë. Ja disa prej tyre:

“E pa besueshme! Ku jane palo-atdhetaret shqipetare?
Zoti te dhente shendet dhe mbaresi!”

“Hallall , Zoti te ndihmofte ty dhe familjen tuaj zoteri. Mos pafsh keq kurre ne kete bote por veçse te mira dhe me bollek bile. Ka ardhur koha qe gjerat te shkojne ne vend te tyre . Koha punon per Shiptaret , koha punon per Shqiperine etnike.”

Ka edhe nga ata qe nuk pajtohen me teknikalitetet e iniciatives:

“Folesi kryesor eshte Sali Berisha? Po pse jo te kishin vene dhe familjaret e Millosheviçit apo presidentin e Serbise Nikoliç?”

Pra, kjo tregon katërcipërisht se ne nuk jemi gati të integrohemi, pa përmendur bashkimin e trojeve. Ndërkohë që iniciativa e Profesorit Phillips duhet mirëpritur, rezultatet e saj dhe çdo nisme tjetër do të varen në pjesën më të madhe nga fakti nëse ne e duam integrimin dhe bashkimin dhe do të punojmë për të dhe jo duke i mbajtur sytë nga qielli. Ne shqiptarët do të integrohemi vetëm duke u fuqizuar ekonomikisht dhe politikisht si dhe duke ruajtur dhe kultivuar vlerat tona kombëtare. Në këtë prizëm, edhe pse në dukje jo sensacional, lajmi i sotëm së shalqinjtë nga Shqipëria kanë mbushur tregun serb është më i rëndësishëm se sa një konferencë e mbajtur në Tiranë për integrimin. Kur të gjithë ne, klasa politike, mediat, shoqnria civile dhe gjithë aktorët e tjerë në hapësirën shqiptare ta kuptojnë këtë, atëhere integrimi dhe bashkimi do të jenë mes nesh.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top