Shqiptarët dhe Jugosllavitë!

SHKRUAN: BAJRAM MJEKU

Kur u bë Jugosllavia e Versajës në vitin 1918, jo vetëm shqiptarët e Kosovës, por të gjithë shqiptarët që mbetën jashtë kufijve të shtetit shqiptar, ishin populli më i shtypur jo vetëm në Ballkanin Perëndimor.

Fuqitë e Mëdha, të cilat vulosën fatin e rreth 1 milion shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të shtetit shqiptar në Konferencën e Paqes, atëbotë mbyllën njërin sy. Ato besonin se themelimi i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene e dominuar nga serbët dhe me Mbretin serb, do të prodhonte stabilitet politik në Ballkanin Perëndimor. Ky ishte sebepi kryesor i krijimit të Jugosllavisë së Versajës.

Kështu ndodhi edhe në fund të Luftës së Dytë Botërore. Fati i shqiptarëve nën Jugosllavinë komuniste, edhe për gjysmë shekulli mbeti i njëjtë. Dallimi i vetëm për shqiptarët ishte kur regjimi monarkist u zëvendësua me atë komunist dhe monarku i fundit, Petar Karagjorgjeviqi i Dytë u zëvendësua nga shefi komunist, Josip Broz Tito!

Ideja për njëfar federate të “re” për shqiptarët e Kosovës, që këta të fundit të kthehen aty ku ishin për një shekull, erdhi vitin e kaluar kur Ballkanin Perëndimor e përfshiu një valë entuziazmi! Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama në vend të xhevahirëve nxorën Kutinë e Pandorës, në emër të kinse njëfar tregu të përbashkët ekonomik!

Lidhur me këtë çështje, Qeveria e Kosovës sot në përgjigjen e saj për Gazeta Express paskësh thënë se “Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për bashkëpunim rajonal dhe përshëndet idetë e shteteve fqinje. Kosova do të vendos në bazë të interesave të saj dhe mbështetur në Kushtetutën dhe në vizionin e saj për të ndjekur kursin euroatlantik…”.

Kjo deklaratë më kujtoi Turhan Pashën, shefin e delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes. Ish-kryeministri i shkretë dhe në moshë të thyer, gjithë jetën e kishte shkuar nën Perandorinë Osmane dhe as dinte të fliste, as të shkruante shqip, derisa përfaqësonte të ardhmen e një kombi në njërën nga Konferencat më të rëndësishme ndërkombëtare! Më keq se kjo, katër vjet kishte shërbyer ambasador i Perandorisë Osmane në kryeqytetin e Perandorisë ruse në Shën Petërburg, prandaj edhe dyshimet për të ishin të mëdha. Për dy javë sa zgjati Konferenca e Versajës (gjithmonë duke u mbështetur në arkivat e Mbretërisë së Bashkuar), Turhan Pashës iu dha rasti vetëm një herë të diskutonte për Shqipërinë. Për disa minuta kur e mori fjalën, Shefi i delegacionit shqiptar fliste përgjumur, prandaj edhe i zhgënjeu Fuqitë e Mëdha.

Po, Kosovën kush e përfaqësonte në Konferencën e Versajës? Askush! Ishin toskët e Jugut ata që nuk lejuan Hasan Prishtinën të ishte pjesë e delegacionit shqiptar, me pretekst se këtij të fundit i mungonte pasaporta!

Në rast se udhëheqja e Kosovës nuk përgatitet seriozisht për dialog me palën serbe, atëherë për fatin e Kosovës do të vendos sërish sozia e Turhan Pashës në kuadrin e një “Jugosllavie të re”.

 


 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top