Shpifje dhe terror për të kyçur skandalin e përgjimeve

Fushatë e turpshme e kryeministrit Rama, me shpifje ndaj gjyqtarëve dhe me terror mbi trupën e gjykatës së Apelit që do të shqyrtojë pezullimin e drejtorit të policisë Haki Çako. I kapur në flagrancë, ai po shkërmoq çfarëdolloj shprese për konsensus për reformën në drejtësi, vetëm për të shpëtuar Saimir Tahirin nga qelia dhe veten nga dorëheqja e menjëhershme. Mbrojtja e integritetit të protagonistëve të prokurorisë e gjykatave, një detyrë e politikës dhe e ndërkombëtarëve, pasi heshtja është ortakëri me Ramën

Edi Rama prodhon nga goja e tij vetëm shpifje dhe terror. Po përdor si sebep reformën në drejtësi, ama hallin e e ka tjetërkund. Ai është i zhytur kokë e këmbe, bashkë me veshë, në skandalin më të madh që ka përfshirë vendin, atë të përgjimeve. I kapur në flagrancë, ai po shkërmoq çfarëdolloj shprese për konsensus për reformën në drejtësi, vetëm për të shpëtuar Saimir Tahirin nga qelia dhe veten nga dorëheqja e menjëhershme. Mbrojtja e integritetit të protagonistëve të prokurorisë e gjykatave është një detyrë e politikës dhe e ndërkombëtarëve, pasi heshtja është ortakëri me Ramën. Shteti paralel që ka ndërtuar Edi Rama po shkërmoqet, prandaj ai ka dalë në fushë-betejë, duke u dalë zot përgjimeve dhe duke sulmuar në mënyrë të rrezikshme prokurorinë dhe gjykatat. Mbrojtja e ministrit të brendshëm, si operativi në terren që është marrë me përgjimet, është kthyer në gurin e fundit të ngrehinës. Por Edi Rama e ka lidhur fatin e tij me fatin e Saimir Tahirit, prandaj tani sovrani, për të mbrojtur drejtësinë, është i detyruar të kërkojë largimin e të dyve njëkohësisht, si zgjidhjen e vetme për ta shpëtuar vendin nga spiralja e krimit dhe vjedhjes qeveritare.

Edi Rama nuk i shpëton dot përgjegjësisë së të qenit një përgjues. Me apo pa reformë në drejtësi, shkelja e tij është aq e madhe saqë ka cenuar kufijtë e sigurisë kombëtare. Ky skandal s’mund të mbulohet as me panaire, as me deklarimet e përçartura të Saimir Tahirit e as me garën e vartësve-policë, se kush të kandidohet si kokë turku për hetimin e prokurorisë. Skandali po merr përmasa ndërkombëtare, sepse të papërgjegjshmit e koalicionit Rama-Tahiri, po bëjnë kurban edhe perspektivën e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, duke i ekspozuar në lojërat justifikuese që shqiptojnë në deklarimet publike. Janë rreth 375 persona nga institucionet shtetërore, partitë politike, biznesi, media dhe bota artistike të përgjuar prej 6 muajsh në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Më sakt, me përgjimin e kryeprokurorit apo prokurorëve të tjerë, krimi ka qenë gjithmonë një hap para shtetit. Një përgjim i këtillë ka edhe aspektin politik, pasi ana tjetër e krimit është qeveria e Ramës. Jemi përballë një krimi qeveritar por edhe një qeverie kriminale. Pajisja e përgjimit nuk i ka shërbyer interesit kombëtar, përkundrazi është përdorur kundër interesit të shqiptarëve, kundër Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuar të Amerikës, e në veçanti ndaj Italisë. (Gazeta 55)

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top