SEANCË GJYQËSORE NDAJ MINISTRIT LIBURN ALIU

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka caktuar 6 prillin si datë të mbajtjes së shqyrtimit fillestar në rastin ndaj Liburn Aliut dhe të tjerëve, të cilët po akuzohen për keqpërdorim të rëndë të detyrës zyrtare.

Zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar për mediat vendore se gjyqtari i rastit, Alban Ajvazi, 6 prillin e ka caktuar si datë të mbajtjes së shqyrtimit fillestar edhe ndaj ministrit Liburn Aliu.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, si dhe disa zyrtarë tjerë akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare për kohën kur ishte drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Pretendimet për aktakuzë ndaj tij i kishte mohuar përmes rrjeteve sociale vet ministri Aliu. “Pas lajmit që pashë sot në disa media në lidhje me gjoja akuzimin tim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, gjatë kohës sa kam qenë Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, ndjehem i obliguar të ndaj këtë reagim.

Unë për këtë rast kam dëgjuar për herë të parë nga mediat sot. Marrë parasysh këtë, e kam të pamundur të komentoj mbi substancën e rastit, por mund të them disa fjalë mbi procesin e munguar.

Me të lexuar lajmin, kam ndërmarrë hapat e duhur për të konfirmuar këtë çështje.

Unë nuk kam qenë dhe akoma zyrtarisht nuk jam në dijeni për asnjë aktakuzë që ekziston ndaj meje. Asnjëherë nuk jam kontaktuar as nga Prokuroria, as nga Gjykata për t’u informuar në mënyrë zyrtare se ekziston ndonjë aktakuzë e ngritur kundër meje. Ngritja e aktakuzës (nëse diçka e tillë është e vërtetë) pa njoftimin tim si palë, është shkelje e procedurës. Dhe për këtë unë do të kërkoj përgjegjësi.”

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top