SAGA E KUAJVE TË LUFTËS DHE OFENDIMI I NJË USHTRIE

SHKRUAN SEFEDIN KRASNIQI, KOORDINATOR I BALLIT KOMBËTAR DEMOKRAT NË ZVICËR DHE ANËTAR I SEKRETARIATIT KOORDINATOR NË MËRGIM

Në vazhdën e aplikimeve për kontributin e dhënë gjatë luftës, dy kërkesa për aplikim – post tempus

Në vjeshtën e vitit 1991, u njoftova se në disa vende të Gjermanisë dhe Zvicrës do të fillohej me përgatitjet fizike të ushtrimeve ushtarake. Nuk bëja pjesë në asnjë parti, por Statuti i arsimtarit të LAPSH obligonte çdo mësues t’i përgjigjej “urdhrit për mobilizim”. Urdhër për mobilizim nuk kishte, por në këto ushtrime mora pjesë vullnetarisht sikur shumë shqiptarë nga regjioni i Chablais – Zvicër. Ushtrimet fizike zgjatën tri javë dhe janë zhvilluar në njërin nga stadiumet ndihmës të qytetit Monthey-afër ndërmarrjes Verolet. Për drejtues të këtyre ushtrimeve fizike e zgjodhëm futbollistin, më vonë edhe trajner, Ramush Gashin.

Duhet të dihet se ushtrime të këtilla janë mbajtur në shumë qytete të Zvicrës, por fakti se organizoheshin nga strukturat e LDK-së, ato filluan të bojkotohen dhe të çoroditen deri në skajshmëri, pikërisht nga ata që më vonë do të dalin si themelues së UÇK-së.

Oficerët shqiptarë të ish APJ

Në këtë kohë, në Zvicër, patën mbërri oficerët e parë shqiptarë si azilkërkues. Kontaktova me ndonjërin prej tyre dhe i informova se ushtrimet kishin filluar e faza e përgatitjeve fizike kishte përfunduar dhe së shpejti do organizoheshin edhe gjuajte me armë në Lausanne. Doja gjithsesi, për çështje sigurie, të jenë të pranishëm, sepse ishin (apo i kishim) shkolluar për këtë punë. Pasi asnjëri prej tyre nuk u tregua i gatshëm, u ndjeva shumë i dëshpëruar dhe i pasigurt që njerëz pa përvojë dhe dije ushtarake t’i organizonin edhe ushtrimet (gjuajtjet) me armë. Një ditë e pyeta një Ismet Gjocin, nuk di a është gjallë, se ku do të vendoseshim pasi ta lëshojmë Zvicrën. “Një vend mik ka shprehur gatishmërinë të na pranojë”, mu përgjigj… Edhe sot kur flitet për kontratat e armatimeve, shumë thonë, patëm bërë kontratë me një vend mik”… Po sa vendet mike i kishim pasur!?

Saga e kuajve të luftës

Shumë vite më vonë, pasi paraprakisht 34 ushtarët e parë të Gueriles së Kosovës, të udhëhequr nga Sali Çekaj dhe Adem Jashari (1991) të ngarkuar rëndë me armatime, kishin depërtuar në Kosovë dhe i kishin kryer aksionet e para, në Dukagjin, Drenicë dhe Llap, do të shpërthej lufta për çlirimin e Kosovës nga Serbia (1998). Me këtë rast nuk dua të flas për ushtarët, zëdhënësit, drejtoritë politike, për legjendat e krijuara me meritë e pa meritë, në baza interesi, partish politike apo ideologjish, as për dëshmorët, për heronjtë as për gratë e dhunuara, madje as kurvat e kurvarët e hotelit Rogner apo vilat e bllokmenëve të Tiranës, shfryheshin e shkrryheshin printerët e luftës, etj. Jo se nuk ka çka të thuhet, por kësaj radhe do të flas për një kategori qeniesh që luajtën njërin nga rolet vendimtare në luftën çlirimtare të Kosovës. Qeniet shumë fisnike dhe të dobishme siç janë kuajt e luftës që u treguan të vyeshëm dhe me përkushtim bartën mbi shpinën e tyre gjithë ato armatime të kalibrave të ndryshëm. Dua të flas për kuajt që me dhjetëra herë, miku im, Saim Tahiraj, sa herë kemi biseduar për luftën, më ka folur për Doriun dhe Allçin dhe sagën e tyre. Ua qante hallin të dyve, sidomos Doriut, të cilin më dhjetëra herë e kishte ngarkuar në mënyrë eksesive me armatime nga 50 e më shumë kilogramë mbi shpinë.

Unë nuk kam aplikuar as që do të aplikoj ndonjëherë për çfarë do lloj kontributi të dhënë për luftën e Kosovës, në shenjë revolte, për vrasjen e komandantit tim, ministrit të Luftës, Ahmet Krasniqit, as nuk do të pranoj kurrë të më vlerësojnë ata të cilët, edhe nëse nuk kanë qenë organizatorë apo pjesëmarrës direkt në vrasjen e tij, e kanë sharë turpshëm dhe akuzuar për tradhti, siç ka bërë Çeku Agim.

Dy aplikacione – post tempus

Megjithatë, me pëlqimin e miku tim, Saim Tahirajt, kam vendosur t’ia bëj një kërkesë publike Bacit Adem (Demaçit) generalis (simus) prolocutor të UÇK-së, që të ketë mirësinë dhe ta merr në konsideratë edhe kontributin Doriut dhe Allçit. Edhe pse këta nuk kanë qenë këshilltarë politik dhe Serbinë nuk e kanë njohur kurrë, saga e tyre ka qenë pjesë e luftën tonë çlirimtare… dhe aplikimi i tyre si qenie kurrizore nuk e ofendon ushtrinë. Atë e ofendojnë njerëzit …!

NB: Pasi e kishte lexuar shkrimin, më telefonoi Saimi dhe më tha: “Në emrin tim dhe të Muhamet Imerit, heqim dorë nga çdo mirënjohje për kontributin tonë, nëse kërkesa për Doriun dhe Allçin merret në konsideratë”, më kërkoi që shkrimit t’ia bashkëngjis foton e Allçit, ngase Doriu, në ndërkohë ka ndërruar jetë!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top