ALEKSANDËR RANKOVIQI PËR ENVER HOXHËN

Rroftë Sigurimi

SHKRUAN: EDISON YPI

Rroftë Sigurimi dhe spiunllëku, pa të cilët në Shqipërinë tonë të dashur asgjë nuk ndodh, asgjë nuk lëviz, jeta s’ka lezet, ekzistenca s’ka kuptim.

Rroftë Sigurimi që shqiptarëve spiunllëkun ua mësoi aq mirë sa pa spiunuar dhe pa u spiunuar të mos marrin dot frymë.
Rroftë Sigurimi që spiunllëkun e popullarizoi aq tepër sa po të kishte qënë gjallë Çajupi, spiunave të kudondodhur do tu kishte kënduar; Spiuna spiuna, dhe spiuna prapë, spiuna të pasosur, dhe shumë baltë.

Rroftë Sigurimi që po ashtu si qiriu i Naimit, është i gjallë e është në jetë, është në dritë të vërtetë.
Rroftë Sigurimi që duke na përmbytur demokracinë dhe pluralizmin me spiuna e ka bërë Shqipërinë si film shqiptar, pra një pështirosje të pafundme.

Rroftë Sigurimi që bëri, jo vetëm poetët spiunë, por edhe diçka të paparë e të padëgjuar kurrë më parë, spiunat poetë.
Rroftë Sigurimi që i ka ndriçuar aq tepër mendjet sa cilindo budalla që zhgarravit dy strofa, e shpallin atypëraty poet me imunitet të plotë dhe lavdi të përjetëshme ndaj çdo hajvanllëku.

Rroftë Sigurimi që kujdestarë të pallateve po emëron spiunat e vjetër të lagjeve, ata që përgjonin nën driraret dhe na hiqnin antenat e televizorëve.

Rroftë Sigurimi që na e ka mbushur Parlamentin me spiuna që gjithmonë janë atje ku s’janë dhe kurrë nuk janë atje ku janë, s’dinë të flasin por dinë të llapin, s’dinë të shkruajnë, por dinë të shkarravisin.

Rroftë Sigurimi që duke pasur aq shumë pare sa s’di si t’i shpenzojë, blen gazetarë, rekruton opinionista, hap gazeta, financon portale.
Rroftë Sigurimi që frymëzon llapaqenët e banaqeve televizive për përdhosjen e Shqipërisë me anë të përdredhjeve verbale që do tua kishte zili kurvi dhe KGB-ja.

Rroftë Sigurimi që në krye të OJQ-ve na ka vënë, dhe na ka lënë, vetëm spiuna dhe spiune që na japin shembullin personal si të vjedhim gjithçka pa bërë asgjë.

Rroftë Sigurimi për armatën e shkrimtarëve, regjimentet e poetëve, detashmentet e përkthyesve të panumurt që po nxjerr nga gjiri i vet dhe po na i fal.

Rroftë Sigurimi që Zërin e Amerikës e mbajti zap me dhjetra vite, dhe po e komandon dhe sot.
Rrotë Sigurimi që me anë të zapit të mësipërm shpëtoi nga burgu shqiptarët që dëgjonin Zërin e Amerikës.
Rrofshin sa malet “Tre Tenorët”; Zëri i Popullit, Zëri i Sigurimit, Zëri i Amerikës, të cilët me zërat e tyre mahnitës glorifikuan kërcitjen e prangave, hovin e parakalimeve, batarenë e kalashnikovit të kufitarit mbi shpinën e shkelësit e kufirit.

Rroftë Sigurimi për firmat e bashkëpunimit që u mori mijëra shqiptarëve të arratisur nëpër botë, kryesisht në Amerikë, me arsyetimin; “Vëre firmën. Jo për hir të marksizëm leninizmit. As të kurvit. Për hir të Shqipërisë, të atdhedashurisë, të mbrojtjes së saj nga armiqtë e jashtëm”.

Rroftë e qoftë Sigurimi.
Por më mirë vdektë. Këtë çast. Ky përbindësh i përgjakur. Ky vampir. Ky turp kombëtar.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top