Rroftë Rrota

Shkruan: Edison Ypi

Rroftë ajo rrota e mjerë vdekur mbi rërë, rrota e Divjakës, rrota që rrëzoi aeroplanin e drogës, rrota që vuri në lëvizje rrotat e tjera, rrotat e propagandës, rrotaxhilet e gazetave, rrotaxhinjtë e televizioneve.

Rroftë rrota që ndezi fantazinë e shqiptarëve që vrasin babain me kazëm në kurriz, therin fytin e gruas me thikën e bukës, shkulin gurrmazin e ortakut të biznesit me tyrjelën e heqjes së tapës.

Rroftë rrota që lëvizi rrotat e Parlamentit, rrotat e pushtetit, rrotat e rendit, rrorat e mendjeve të shqiptarëve.
Rroftë rrota e Divjakës falë së cilës u bë e qartë se kaçatorrat e drogës i kapim, Mitsubishat i ndalim, trafikantët i burgosim, dhe rrjedhimisht Statusin e meritojmë, në Europë do rrotullisemi.

Rroftë rrota që na bëri të ditur se drogën e transportokemi jo vetëm me rrota mishi, rrota të gjalla, njerëz, mushka, gomerë, por edhe rrota të pashpirta, makina, aviona, motoskafa.

Rroftë rrota e Divjakës që u dha haberin rrotave të Razalatatit, dhe jo vetëm atyre, se hashin mund të vazhdojnë ta kultivojnë, por me pak më tepër vigjilencë, rrotash natyrisht.

Rrofshin rrotat që me sebepin e rrotës së Divjakës, po na thonë se hashishi nuk është vdekjeprurës dhe s’kemi pse të mos e legalizojmë.

Rroftë ai rrota që tha se tash e tutje informatorët e rrotave të rëna nga avionat e drogës duhen shpërblyer me titujt; “Hero i rrotës kapitaliste”, “Nderi i drogës së Divjakës”, “Shpëtimtari i hashishit të Çermës”, “Martiri i miellit të Karavastasë”, “Lavdia e barit të Bashtovës”.

Punë të mbarë kryepleqve rrotullues të fshatrave ku kultivohet drogë për më tepër vigjilencë rrotore dhe spiunim rrotaxhil.
Edhe pse e prishur, edhepse e hedhur, edhepse mbi rërë e dergjur, rroftë rrota e drogës së Divjakës.

Rrofshin e qofshin edhe rrotat e Gjadrit, Razalatit, Rinasit, dhe ku janë e ku s’janë rrofat e fushave, korijeve, pllajave, livadheve, lëndinave, ku ulen e ngrihen tajaret e drogës.

Rroftë dhe rrota e Historisë. Që rrotullohet e rrotullohet e kurrë s’ndalet duke na mbajtur gjithë kohën nën zapin e frikës së rrotave të drogës.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top