REALITETI QË NXORI NJË SONDAZH

Shkruan: Xhafer Sadiku

Sondazhi i OSBE, sipas të cilit 52 për qind e shqiptarëve duan Enver Hoxhën, nxori në dritë mashtrimin e klasës politike, e cila pretendonte kinse më shumë se 90 për qind e shqiptarëve janë për Bashkimin Evropian dhe hyrjen e vendit në NATO. Ndryshe nga politikanët tanë, rezultatin në fjalë Perëndimi e përktheu qartësisht si rritje e influencës ruse në Shqipëri, çka bëri të mbërrinte me urgjencë në Tiranë vet shefi i CIA- s.

Më të zhgënjyerit mbetën politikanët që përfaqësojnë të djathtët, që me sa duket nuk e njohin realitetin, ndryshe nga të majtët që e duan Enver Hoxhën dhe e dinë mirë se çfarë bëjnë.

Duke besuar tek shifrat e sondazhit, disa nga shkaqet që kanë këtë raport, mund të përmenden:

a) Praktika staliniste e regjimit komunist dhe deformimi i shoqërisë.

Që në krye duhet theksuar se Enver Hoxha nuk la si trashëgimi ndonjë doktrinë politike të vetën. Ai frymëzohej nga një amalgamë idesh të majta të kopjuara nga fashizmi, marksizmi, titizmi, stalinizmi, maoizmi, etj. Si praktikë e ushtrimit të pushtetit, përkundër antifashizmit të deklaruar, duhet theksuar se në vitet e para regjimi hoxhist sundoi me metoda fashiste, ndërsa pas Kongresit të Parë të PKSH (1948), ishte një kopje e stalinizmit.

Mekanizmi i Luftës së klasave, i zbatuar në një shoqëri ku ishin zhdukur klasat, i shërbeu për të ushqyer mbështetësit e tij me urrejtje për “armiqt e brendshëm e të jashtëm”. Në emër të “pushtetit të popullit”, i implikoi një pjesë të popullit në shtypjen që ushtronte ndaj “armiqve të klasës”, madje vuri në shërbim të tij edhe një numër të konsiderueshëm të këtyre të fundit.

Fryma e luftës së klasave u përcoll në sistemin arsimor, madje duhet thënë se ishin programet mësimore, historiografia dhe krijimtaria letrare e artistike, që formuan njeriun e ri, besnik të regjimit.

b) Ruajtja e trashëgimisë së regjimit komunist.

Megjithë retorikën antikomuniste të politikanëve të rinj të fillimviteve 1990, ata u kujdesën të ruanin trashëgiminë e regjimit komunist, sidomos në letërsi dhe arte. Nën pushtetin e “antikomunistëve” elita intelektuale e komunizmit dhe në mënyrë të veçantë shkrimtarët dhe artisët më të mirë të realizmit socialist përfituan privilegje që nën sundimin e Enver Hoxhës as nuk mund t’i ëndërronin. Botimi i veprave dhe ndërtimi i banesave të tyre me paratë e popullit të varfër, dhënia e titujve të nderit dhe pensionet e majme ishte sinjal i qartë i ruajtjes së diferencimit klasor të vendosur nga regjimi komunist. Ndonëse për 25 vjet nuk kanë krijuar asgjë me vlerë, emri i tyre i shërben klasës politike si barrierë për krijuesit e rinj, vepra e të cilëve është me nivel më të lartë se cilido autor i realizimit socialist.

Është e tepërt të flitet për reformat ekonomike pasi që ato dihen. Duke qenë se pushteti është atje ku është pasuria, edhe pushteti gjyqësor do të ishte aty ku ishte pasuria dhe produkti i tij tashmë nuk ka nevojë për analizë.

c) Roli i axhendave të Perëndimit.

Për shkak të axhendave të tij në Ballkan dhe në mënyrë të vecantë në Shqipëri, Perëndimi ka qenë tutor i “elitës” intelektuale të regjimit komunist, e cila duke qënë e kriminalizuar dhe korruptuar, do ti shërbente me zell. Kjo do të dukej qartë pas fitores së të Majtës amerikane, më 1993, me ndihmën e së cilës e majta shqiptare imponon vullnetin e saj në jetën e vendit. Edhe ndonjë inisiativë gjysmake e ndërmarrë pas vitit 1992 për dënimin e krimeve të komunizmit, do të pengohej nga përfaqësuesit e Uashingtonit dhe Brukselit. Nëpërmjet fondacioneve të ndryshme, shtetas të këtyre vendeve vazhdojnë të plaçkisin Shqipërinë, duke filluar që nga firmat piramidale dhe deri në ditët tona.

Një aspekt tjetër që e ka shtuar “dashurinë” për Enver Hoxhën është edhe politika shtypëse ndaj shqiptarëve myslimanëve, që përbëjnë shumicën e popullsisë. Arrestimet e shumta dhe mohimi i të drejtave elementare të njeriut që u bëhet atyre, nuk ndryshojnë shumë nga lufta që zhvillohej kundër “armiqve të klasës”.

d) Mësime që mund të nxjerrim nga sondazhi

Po ti referohemi shifrave të sondazhit, 48 për qind që përbëjnë kundërshtarët e regjimit të Enver Hoxhës është një shifër e lartë e cila mban gjallë edhe shpresën se ky vend mund të ndryshojë. Por ajo përbën njëkohësisht rrezikun real për trashëgimtët e regjimit komuniste dhe tutorët e tyre në Perëndim. Për ironi, këta të fundit, nga njëra anë shqetësohen për rritjen e influencës ruse dhe nga ana tjetër mbajnë larg përfaqësimit dhe pushtetit ata që realisht e duan Perëndimin.

Duke qënë se e Majta e njeh më mirë se kushdo tjetër këtë pjesë të popullsisë, ajo nxit me të gjitha mjetet fragmentarizimin e saj. Ndërsa nga njëra anë lufton dhe izolon elementët dinjitozë, nga ana tjetër përdor elementë karrieristë dhe të korruptuar nga shtresat e persekutuara dhe partitë politike të vetquajtura të djathta. Kjo ka rezultuar me shumë sukses: ditën e votimeve pjesëmarrja e tyre rezulton e ulët ndërsa mbështetja për partitë e djathta edhe më e vogël.

Realiteti dhe shifrat e sondazhit mund tu shërbenin politikanëve idealistë që të orientojnë politikat dhe identifikojnë faktorët që i shërbejnë popullit.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top