Reagim shterpë i qeverisë së Kosovës

Qeveria e Kosovës reagoi shterpë karshi shqiptimit të dënimeve ndaj ushtarëve të lirisë së Kosovës nga Gjykata e kolonistëve të Serbisë, në qytetin e pushtuar shqiptar të Nishit. Reagim shterpë i qeverisë, sepse udhëheqësve aktual politik ju mungon gatishmëria të themelojnë një Gjykatë për Krime të Luftës dhe Gjenocidit, përmes së cilës do të mundësohej ngritja e aktakuzave zyrtare kundër secilit serb që ka nxitur, mbështetur dhe ka kryer akte gjenocidale, përfshirë aty zyrtarët shtetëror, kishtar dhe ushtarak të Serbisë. Si përçmim dhe miratim të trajtimit përbuzës të qeverisë së Kosovës ndaj viktimave shqiptare të shkaktuara nga gjenocidi shekullor serbomadh, shteti serb dhe udhëheqësit e dikurshëm të paramilitarëve dhe forcave ushtarake pushtuese, kanë filluar të shqiptojnë dënime për të gjithë ata që i kanë kapur armët në dorë dhe i kanë dalur zot lirisë së Kosovës. Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet tjera në vendin tonë e kanë për detyrë dhe obligim të mbështesin formimin e Gjykatës për Krime të Luftës dhe Gjenocidit ndaj shqiptarëve. Kjo Gjykatë duhet t’i trajtojë të gjitha krimet e shtetit të Serbisë ndaj shqiptarëve autokton dhe jo vetëm krimet e luftës së fundit. Shteti dhe shoqëria jonë e kanë për detyrë të qëndrojnë unik dhe të pathyeshëm në mbrojtjen e luftëtarëve të lirisë (përjashto puçistët, uzurpatorët, kriminelët dhe gënjeshtarët). Pse mos të ngritet një aktakuzë ndaj të gjithë punëtorëve të Gjykatës së kolonistëve të Serbisë në qytetin e pushtuar të Nishit, për mbështetje dhe tentim rehabilitimi të politikës së gjenocidit ndaj shqiptarëve? Kush po ia mundëson Serbisë talljen institucionale me viktimat?

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top