RAUF FIÇO – SHQIPTARI I MADH I SHQIPËRISË SË VOGËL

Shkruar nga Skender SHKUPI

E patën harruar komunistët!- Sa fjalë zbutëse dhe mikluese pak a shumë si ajo që përdoret jo rallë nga nostalgjikë të maskuar të cilët “Diktaturën” tonë komuniste e quajnë thjesht “Monizëm”. Nuk e harruan, jo, madje e njihnin mirë. Por ai i plotësonte të gjitha kushtet që ata ta urrenin: elegant, inteligjent, thellësisht perëndimor, patriot deri në vetmohim, diplomat i shkëlqyer, i ndershëm, poliglot, i dashur dhe popullor për të gjithë, si për elitën ashtu edhe për njerëzit e thjeshtë të popullit, por mbi të gjitha, antikomunist i vendosur. E si mund ta duronin ronxho-bonxhot e “botës së re” që mbante erën e mykut të Komunës së Parisit dhe të Grushtit Bolshevik të Shtetit që çuditërisht e quajtën dhe revolucion? Ishte ndofta një ndërhyrje providenciale që ai mbylli sytë në janar të vitit 1944, për të mos parë me sytë e tij gjëmën e tmerrshme që pllakosi popullin e tij vetëm ca muaj më vonë.

Lindi më 1881, në skajin më të largët të zotërimeve osmane të Lindjes së Afërt, në Sana të Jemenit, aty ku deri në vitet 50-të të shekullit të kaluar firmoste mbreti për shishet e bojës së shkrimit që merrnin katër shkollat fillore të vendit nga magazinat e mbretërisë. Ai ishte biri i një kadiu, profesion i parapëlqyer nga shumica e banorëve të qytetit të prejardhjes së prindërve të tij, të Gjirokastrës, qendër e përmendur për cilësinë e intelektualëve të saj të shpërndarë anekënd perandorisë. Fati i mirë e solli Rauf Ficon në moshë fare të vogël në Shkodër, ku qé transferuar i ati, duke i dhënë mundësinë të merrte një arsim fillor, vërtetë në një shkollë turke, por të paktën në një mjedis shqiptar. Etapa tjetër ishte Folksshule (gjermanisht: Volksschule – Shkollë elementare) në Vjenë, për të vazhduar shkollën e mesme në Stamboll, në kryeqendrën e perandorisë. Atje vijoi studimet e larta në të njohurën Mylkije (turqisht: M’lkiye – Shkollë e Shkencave Politike) të cilën e mbaroi me rezultate të shkëlqyera. E shohim pas kësaj në Janinë, më 1903, ku qé dërguar si stazhier në rolin e sekretarit të valiut të Janinës. Pas këtij stazhi Raufi emërohet kajmekam (turqisht: kaymakam – nënprefekt) i Konicës për të vijuar në po atë detyrë në Himarë e më pas në Margëllëç të Çamërisë. Funksionar i lartë vendor në sanxhakun e sapokrijuar të zonës së Margëllëçit, Rauf Fico, me rastin e përurimit të kësaj ndarjeje të re administrative u mbajti çamërve një fjalim në gjuhën shqipe, fakt pa precedent që zëmëroi pa masë eprorët e tij në Stamboll. Përfaqësues i Gjirokastrës në Kongresin e Alfabetit në Manastir, më 1908, pyetjes së Pashait të vilajetit se për cilin alfabet ishte Raufi, për shkronjat latine apo për ato arabe, ai iu përgjigj thjesht: “Unë si shqiptar jam për alfabetin shqip”. Kuptohet që kjo i kushtoi jo pak në marrëdhëniet e tij të vështira me hierarkët e lartë të Stambollit.

Me shpalljen e pavarësisë, Rauf Fico, si shumë patriotë të tjerë gjendet përkrah Ismail Qemalit në Vlorë. Atë e emërojnë këshilltar për administratën dhe punët e brendshme. Siç ishin të vrullshme ato kohë për Shqipërinë e sapodalë nga nata pesëqindvjeçare osmane, po të tilla qenë edhe për Rauf Ficon. Jeta e tij dhe ajo e popullit të tij ecnin paralelisht në gëzimet e pakta dhe hidhërimet e shumta, në kënaqësitë e ralla dhe vuajtjet e shpeshta, në fitoret e pjesshme dhe zhgënjimet mbisunduese. Por ai nuk u zmbraps, nuk u ligshtua, nuk u tremb. E shohim të shkojë në Vjenë me delegacionin shqiptar për të mbrojtur territoret dhe kufijtë e vendit të tij, të përpilojë thirrjen drejtuar popullit italian që të ndërgjegjësohet për padrejtësitë që po i bëheshin kombit të tij, t’i përvishet një pune të tejvështirë si nënprefekt i Tiranës më 1917 për të nxjerrë popullin e një qyteti të tërë nga letargjia mesjetare dhe varfëria e skajshme. Ai është nismëtari i të parës Strehë Vorfnore të Tiranës, i të parit gjimnaz dhe i të parit spital të qytetit, ai i shkund nëpunësit nga plogëtia osmane duke i detyruar forcërisht të flasin e të shkruajnë shqip nëpër zyrat e shtetit, ai nxit miqtë e tij patriotë për mbajtjen e Kongresit të Tiranës në dhjetor të vitit 1918 që i parapriu mbajtjes së Kongresit historik të Lushnjës pas katërmbëdhjetë muajsh.Në këtë veprimtari të dendur, sa diplomatike përjashta aq edhe organizative e administrative përbrenda vendit, Rauf Ficoja, nuk nguroi të verë në rrezik deri dinjitetin vetiak për interesat e larta të kombit të tij. Gjatë vizitës së delegacionit shqiptar në Itali, më 1913, përballë sekretarit të shtetit për Punët e Jashtme të Italisë, Princit Scalea, ai iu ul në gjunjë duke iu drejtuar në gjuhën kryesore ndërkombëtare të asaj kohe, në frengjisht: “Excellence! Sauvez nous la Tchamerie!” (Shkëlqesi! Na e shpëtoni Çamërinë!)Pas Kongresit të Lushnjës për organizimin e të cilit, krahas Aqif pashë Elbasanit, Ahmet Zogut dhe të patriotëve të tjerë, ai ka rolin e vet, Rauf Fiço i ngjit me shpejtësi shkallët e angazhimit të tij politik: këshilltar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, zëvendës ministër i Punëve të Brendshme, ministër i Punëve të Brendshme, dhe njëherësh deputet i parlamentit shqiptar.Në janar të vitit 1924, në parlamentin e kohës, deputeti Fico lajmëron të pranishmit për vdekjen e ish presidentit Uillson, mbrojtësit historik të të drejtave të kombit shqiptar duke propozuar që të mbahen pesë minuta heshtje në nderim të mikut të shquar. Parlamenti e pranoi propozimin dhe salla e nderoi kujtimin e amerikanit të madh. Meqë ky propozim vinte nga krahu i djathtë i deputetëve, edhe të majtët kërkuan diçka të ngjashme. Më 21 janar kishte vdekur Lenini. Jashar Erebara propozoi të mbahej zi edhe për Leninin, nisur nga denoncimi i traktateve te fshehta të perandorisë cariste, ku përfshihej edhe ai i Londrës për copëtimin e trojeve shqiptare. Edhe ky propozim u miratua. Por për shumë vite me radhë historia marksiste e Shqipërisë afishoi kryesisht vetëm njerin nga të dy momentet veçse me një deformim të vogël: propozimin për Leninin ia vuri në gojë Avni Rustemit!….

Dhe pas këtyre posteve të rëndësishme Raufi kalon në diplomaci. Më 1926, ai bëhet i pari ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Turqi. (Në atë kohë përfaqësuesit diplomatikë quheshin ministra fuqiplotë ose të ngarkuar me punë sipas nivelit të marrëdhenieve ndërmjet shteteve). Është interesant fakti që cilësitë intelektuale dhe profesionale të Rauf Ficos ishin të njohura jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë vendit. Ismet Inony, presidenti i dytë i Turqisë pas Mustafa Kemalit, kishte qenë shok klase me Rauf Ficon në vitet studentore në Stamboll. Por Ficon e njihte edhe Ataturku. Ka një episod kuptimplotë: fillimisht qeveria shqiptare kishte dërguar disa emra kandidatësh për ministër fuqiplotë të Shqipërisë në Ankara. Por Raufi nuk figuronte ndërmjet tyre. Ka një regull në diplomaci – një përfaqësues titullar i një shteti të huaj nuk mund të emërohet në detyrë pa miratimin e vendit pritës. Ndërkohë që Ismet Inony ia paraqet listën shefit të tij, ky i fundit, disi i habitur pyet: “Pse, Raufi nuk qenka në Shqipëri?” Ky minidialog i bëhet injohur, gjoja rastësisht, Tiranës. Kryeministri Ahmet Zogu e korrigjon menjëherë gabimin dhe Rauf Fico caktohet si kandidat i vetëm në legatën shqiptare të Ankarasë.Studiuesi i njohur turk, akademiku Bilal Shimshir, autor i veprës voluminoze “Ataturku dhe udhëheqësit e shteteve të huaja”, ku kapitulli për Shqipërinë ka një shtrirje prej 80 faqesh të plota, dhe që pati mirësinë t’ia dhurojë një kopje të saj autorit të këtyre radhëve, shkruan: “Ky diplomat i shquar, i cili më pas do të bëhej ministër i punëve të jashtme, kishte për detyrë të forconte marrëdhëniet e miqësisë ndërmjet dy vendeve.” Dhe ai e plotësoi më mirë se kushdo tjetër këtë detyrë. Të mos harrojmë se nuk e kishte aspak të lehtë. Ato vite kur Zogu u shpall mbret nga parlamenti shqiptar, Ataturku, si mbështetës i zjarrtë i regjimit republikan, u zëmërua tej mase. Ai nuk kishte ndonjë informacion të hollësishëm mbi kushtet e ndryshme historike dhe diferencat ndërmjet Turqisë dhe Shqipërisë gjë që e bënte të vinte shenjën e barazimit midis dy vendeve. Qé diplomacia e Rauf Ficos, krahas hapave tejet të kujdesshme e të matura të mbretit Zog që pas dy tre vitesh zëmërate, marrëdheniet turko-shqiptare të ktheheshin sërish në normale, madje në të ngrohta e miqësore siç e dëshmon edhe akademiku Shimshir. Fico vepronte në dy plane – në pistën e përpjekjeve për përmirësimin e vazhdueshëm të klimës miqësore ndërmjet dy vendeve dhe në atë të mbajtjes së vigjilencës së lartë për të mos e lënë diplomacinë turke të bëjë, qoftë edhe rastësisht, kauzë të përbashkët me synimet djallëzore të fqinjëve tanë ballkanas. Në një intervistë të dhënë gazetës së madhe turke të krahut konservator, “Xhumhurijét” (turqisht: Cumhuriyet – Republika) ndaj devizës “Ballkani u takon ballkanasve” ai bën plotësimet vijuese: “Këtij slogani i duhet bërë një korrigjim i vogël, Ballkani u takon ballkanasve por me të drejta të barabarta dhe pa ushtrim dhune të një shteti ndaj një tjetri.”

Ishte koha kur me marrëveshje të veçanta dypalëshe turko-jugosllave dhe në zbatim të dispozitave të traktatit të Lozanës të vitit 1923 që regullonte marrëdhëniet e ndera turko-greke, dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës e të Çamërisë po mbarteshin drejt zonave të largëta lindore të Anadollit duke shpopulluar nga shqiptarët krahinat përkatëse. Fico u ngrit fuqishëm kundër një eksodi të tillë të detyruar, kundër këtij dëbimi të pashembullt në kohë paqeje. Ai bëri demarshe të fuqishme diplomatike dhe njerëzore për ta ndalur këtë hemorragji të tmerrshme të popullsisë shqiptare nga trojet e veta, sidomos në kohën kur kryente detyrën e ministrit fuqiplotë të Shqipërisë në Beograd.Mund të kujtojmë disa momente me interes nga vitet e përfaqësimit të Shqipërisë në mbretërinë jugosllave. Gjatë lëvizjeve me makinë për të ardhur në Shqipëri, Rauf Fico qëllimisht zgjidhte gjithmonë rrugët e këqia përmes Kosovës për të pasur mundësinë të valviste flamurin shqiptar të ngulur anës kófanos së veturës. Ungji i vëllezërve Myzafer e Telat Gostivari dëshmon se ai merrte vazhdimisht materiale propagandistike patriotike nga legata e Beogradit. Një ditë, dallon dy veta që po e ndiqnin. Ishte diku pranë godinës së përfaqësisë shqiptare. Meqë nuk kishte rrugë tjetër, për t’i shpëtuar arrestimit, hyri në legatë. Takoi ministrin Fico duke ia shpjeguar gjendjen e tij të pashpresë. Raufi e mori në makinën e legatës, e shtriu te këmbët e tij te sedilja e dytë dhe doli nga ndërtesa e përfaqësisë. Pas disa kthesash nëpër rrugë të ngushta të qytetit, e nxori jashtë makinës viktimën që shpëtoi nga përndjekja e agjentëve serbë. Shqiptarët e Kosovës me banim në Beograd e donin ministrin e tyre dhe nuk nguronin ta shprehnin atë ndjenjë vazhdimisht. Pronari i një ëmbëltoreje, ngjitur me legatën shqiptare, me mbiemrin Pelivani, merrte regullisht literaturë të ndaluar në përfaqësi. Për festën kombëtare të 28 nëntorit ai përgatiste torta 1X1 m. për diplomatët shqiptarë dhe familjet e tyre dhe i sillte në legatë. Rauf Fico shfrytëzonte çdo mundësi ligjore për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve në ish Jugosllavi. Meqenëse ata kishin nevojë për mësimin e shqipes pasi shkollat shqipe qenë tepër të pakta por, nga ana tjetër, librat me përmbajtje kombëtare konfiskoheshin nga policia e fshehtë, ai shpërndau sasi të mëdha të Kuranit në gjuhën shqipe të Hafiz Ibrahim Dalliut, libër që nuk mund të përbënte objekt sulmi nga një shtet që e respektonte fenë.

Më 1930 Rauf Fico emërohet Ministër i Punëve të Jashtme. Për këtë ngjarje, sipas citimit të studiuesit Kopi Kyçyku, gazeta Poster Llojd shkruante: “…. Rauf Fico, njeriu më i kulturuar i Shqipërisë. Kur u desh të krijohej administrata e shtetit shqiptar, rreth tij u grumbullua grupi që organizoi Shqipërinë e sotme. Edhe në përmasa europiane Ministri Shqiptar është njeri me kulturë të spikatur, zotëron plotësisht gjashtë gjuhë të huaja, dhe është një nga diplomatët më të zotë të Ballkanit.” I njëjti autor citon në shkrimin e tij “Rauf Fico – besniku i vetësundimit tonë”, gazetën gjermane Diplomaten Caitung (gjermanisht: Diplomaten Zeitung – Gazeta Diplomatike): “Rauf Fico është një nga burrat më të aftë jo vetëm të Shqipërisë por edhe të Ballkanit.” Megjithatë qëndrimi i Rauf Ficos në këtë post nuk vazhdoi gjatë. Pozicionimi i tij tejet antagonist ndaj presioneve të Italisë fashiste mbi qeverinë shqiptare, e detyroi të japë dorëheqjen, akt që u prit me dëshpërim nga shumica e patriotëve që e çmonin dhe e vlerësonin lart personalitetin e tij. Emërohet ministër fuqiplotë në Athinë. Tema e njohur e reciprocitetit të munguar në marrëdhëniet greko-shqiptare u bë njëra nga pistat e përzgjedhura të veprimtarisë së tij. Ai kërkoi t’i kushtëzonte hapjen dhe funksionimin e shkollave greke në Shqipëri me të njëjtën politikë që ndiqte edhe qeveria greke për arsimimin e shqiptarëve çamë në Greqi. Si kudo ku përfaqësoi vendin e tij, edhe në Greqi, Rauf Fico, u prit dhe u përcoll me nderimet më të mëdha që mund t’i bëheshin një ambasadori të huaj për cilësitë dhe nivelin e tij të shquar profesional e njerëzor.

E shohim, së fundi, të transferohet në Gjermani, si ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Berlin. Ditën që i paraqiti letrat kredenciale kancelarit të Rajhut, Adolf Hitlerit, në nëntor të vitit 1938, në të njëjtën datë dhe pak pas tij u paraqit edhe ambasadori i Japonisë. Ka mbetur tanimë si kuriozitet komenti i Hitlerit pas atyre dy audiencave: “Sot kam takuar dy diplomatë, njëri ishte një diplomat i madh i një vendi të vogël dhe tjetri një diplomat i vogël i një vendi të madh.” Veprimtaria e tij në Berlin ishte aq e suksesshme saqë trembi edhe hierarkët fashistë të Romës se mos Fico mund t’i zhvendoste marrëdhëniet preferenciale të Tiranës me Romën drejt Berlinit, frikë që e demonstron qartë një telegram i nisur nga legata italiane në Tiranë drejtuar MPJ të Italisë në Romë në janar të vitit 1939.Pushtimi i Shqipërisë e gjeti me detyrë në Berlin. Rauf Fico ka qenë një nga të paktët përfaqësues të Mbretërisë Shqiptare jashtë që protestoi energjikisht për pushtimin e vendit nga Italia fashiste. Ai kërkoi një takim me Hitlerin por e priti ministri i jashtëm Fon Ribentrop. Kuptohet vetë Gjermania ishte aleate e Italisë dhe demarshi i Ficos nuk kishte gjasa të nxiste ndonjë reagim anti-italian nga Berlini. Megjithatë ai u mbajt në detyrë nga pala pritëse deri në qershor të 1939-ës, kur MPJ e Shqipërisë u suprimua juridikisht nga italianët. Ai kthehet në Tiranë, por pas disa muajsh internohet në Itali. Rikthehet në atdhé në shtator të 1943-it, pas kapitullimit të Italisë.Veprimtaria e gjithanshme në marrëdhëniet me vendet e huaja dhe përpjekjet e Ficos për një klimë miqësore dhe bashkëpunimi me të gjitha vendet ku ushtroi detyrën e përfaqësuesit të vendit të tij ndikuan në dekorata të shumta që iu akorduan atij nga sovranë dhe drejtues politikë të disa shteteve europiane. Ai është nderuar me urdhërat dhe medaljet që vijojnë:

*) Grand Kordon i Franc Jozefit, nga Austro-Hungaria.
*) Grand Kordon i Urdhrit Leopold të Belgjikës.
*) Grand Kordon i Rumanisë.
*) Grand Kordon i Kurorës Italiane.
*) Grand Kordon i Urdhrit Foiniks nga Greqia.
*) Grand Kordon i Kurorës së Luksemburgut.
*) Oficer i Legjionit të Nderit nga Franca.
*) Palma e Akademisë Franceze.
*) Urdhri i Borisit nga Bullgaria.
*) Doktor Honoris Causa i Akademisë së Napolit nga Italia.

Dëshpërimi dhe sëmundja që erdhi pas asaj fatkeqësie kombëtare si pasojë e pushtimit të vendit e shpejtuan fundin e Rauf Ficos. Ai vdiq më 23 janar 1944 në Tiranë. Vlerësimin e përgjithshëm për figurën e tij mund ta marrim nëpërmjet titujve të gazetave kryesore të Tiranës të atij janari të vitit 1944, – të cituara nga libri i Dr. Shyqyri Hysit me titull “Rauf Fico, shtetar dhe diplomat i shquar”, – të tillë si “Vdekja e një patrioti të shquar”, “Funeralet e patriotit të shquar”, “Rauf Fico, atdhetar i shquar”, “I ndieri Rauf Fico”, “Patrioti i Madh, Rauf Fico, ndërroi jetë”, “Një humbje kombëtare”, etj. Përkushtimin e tij atdhetar Rauf Fico e tregoi në formë dhe në përmbajtje. Ka një përputhje interesante ndërmjet tij dhe një atdhetari tjetër po aq të shquar si Faik Konica. Ishin ata të dy të vetmit që për ditën e madhe të 28 nëntorit shfaqeshin në publik me kostume kombëtare. Dhe jo rastësisht qénë vetëm ata të dy që, si përfaqësues të Shqipërisë së pavarur në Gjermani dhe SHBA, protestuan ashpër për pushtimin e Shqipërisë nga fashistët, më 7 prill 1939, i pari në Berlin dhe i dyti në Uashington.

Ai kishte një patriotizëm dhe ndershmëri të përmasave proverbiale. Për ilustrim po përdor tre momente të ndryshme nga opinionet e shprehura për Rauf Ficon nga njerëz të ndryshëm, në rrethana të ndryshme, në kohë të ndryshme. Në dhjetor të vitit 1924, kur kryengritësit e të ashtuquajturit revolucion të qershorit qenë grumbulluar në Vlorë gati për t’u larguar nga vendi, Fan Noli kishte një shqetësim të madh. Nga Tirana, për të shmangur ndonjë grabitje të mundshme të thesarit të shtetit nga individë apo grupe të palëve ndërluftuese, ai kishte marrë me vete të gjithë fondin e thesarit. Tani, para se të largohej nga Shqipëria, ai donte t’ia dorëzonte atë thesar një njeriu të besuar dhe absolutisht të ndershëm për ta rikthyer të paprekur në Tiranë. Pasi mendoi gjatë, Noli vendosi – njeriu më i ndershëm për ta kryer atë mision ishte nënprefekti i Vlorës, Rauf Fico. Midis tyre u bë një bisedë e shkurtër. “Zoti Rauf, i tha Noli, unë nga rrjedha e furishme e ngjarjeve, nuk kam marrë dy rrogat e fundit.”

Fico ndau nga thesari shumën e caktuar dhe ia kaloi ish kryeministrit, kundrejt një dëftese. Dhe ashtu u ndanë, antagonistë në politikë por miq në jetë. Në vitet ’30, Faik Konica shkruante: “Rauf Fico ishte shqiptar kur nuk kishte Shqipëri!” Në vitet ’60, Jonuz Blakçori, një burrë i gjatë, me tipare të fisme, mik i tim eti, që banonte në rrugën e Fortuzit në katin gjysmë-përdhes (dritaret ishin në nivelin e rrugës) të një vile që dikur kishte qenë e tij, mbante në një dhomë që i shërbente si klasë për një kurs gjysmë-ilegal privat të italishtes, ndërmjet të tjerash, edhe një portret të Rauf Ficos. Jonuzi kishte qenë në rini të tij sekretar i Bajram Currit, pasi ky i fundit ishte analfabet. Më kujtohet që ishte një antikomunist i betuar. Kur binte fjala për Rauf Ficon, ai ngrihej papritmas në këmbë në shenjë nderimi, gjest që ndokujt i dukej disi teatral. Kur një vizitor e pyeti se pse e bënte këtë, Blakçori i qé përgjigjur: “Ai ka qenë njeriu më i ndershëm që kam njohur në të gjithë historinë politike të Shqipërisë”. E ç’duhet më shumë për një shqiptar të nderohet me Urdhrin e Flamurit të Klasit I?

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top