Edi Rama dhe Saimir Tahiri u shfaqen dje në Kuvend të zbardhur, me qafë të holluar dhe sy të nxirë. Ata u gdhinë me një Elbasan të gjakosur nga breshëria e kallashnikovit të veshur me uniformë policie, ditën kur kryeprokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla theksoi se shteti po sfidohet nga krimi. Në fytyrat e tyre të zbardhura si “zombie” u lexohej itinerari krim-fund. Bllokada e ngritur ndaj reformës në drejtësi është vula politike e panikut të tyre
Edi Rama dhe Saimir Tahiri u shfaqen dje në Kuvend të zbardhur, me qafë të holluar dhe sy të nxirë. Ata u gdhinë me një Elbasan të gjakosur nga breshëria e kallashnikovit të veshur me uniformë policie. Ngjarja ndodhi në të njëjtën ditë kur kryeprokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla, gjatë analizës së prokurorisë së Durrësit u shpreh se autorët e disa ngjarjeve kriminale në këtë zonë kanë përdorur uniforma policie dhe po sfidojnë autoritetin e shtetit. Kryeprokurori Lalla u përkujdes të theksonte se Prokuroria e Përgjithshme e kupton më së miri se kjo është një sfidë e vështirë, pasi grupet kriminale kanë aftësinë që të bashkëpunojnë me zyrtarë publikë dhe hetimet jo gjithnjë ecin me ritmin e duhur. Sigurisht, duhet të risjellim në vëmendje një tjetër deklaratë të rëndësishme, atë të ambasadorit amerikan Donald Lu, i cili në një intervistë për Zërin e Amerikës theksoi se në Shqipëri ka lidhje serioze mes krimit dhe politikës.
Këto janë deklaratat e dy zyrtarëve të rëndësishëm, por që për shqiptarët nuk përbëjnë “lajm” pasi qysh prej 2013 ata kanë parë sesi emri i ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri ka dalë i lidhur me shumë ngjarje kriminale, nga narko-trafiku me makinën e tij personale e deri tek shqetësimi i vendeve fqinje se ministri që na i ka taksur Edi Rama dekonspiron operacionet kundër drogës, duke u thënë kriminelëve që s’i ka arrestuar ai, por prokuroria.
Sigurisht, kur flasim për lidhjet e Tahirit me krimin flasim për lidhjet e Edi Ramës me krimin. Si kryebashkiak, ai ka pasur një sevda me grupe kriminale dhe i ka harlisur këto lidhje deri tek posti i ministrit, por pa kursyer parlamentin dhe administratën shtetërorë. Ashtu si ai vrasësi që mu kur beson se ka bërë vrasjen e përsosur bash aty bën gabimin fatal, Edvini me Tahirin besojnë se kanë bërë mbulimin perfekt të krimit, duke i dhënë privilegje prej qeveritari. Një krim i privilegjuar s’ka sesi të mos vesh uniformë policie, të qëllojë breshëri plumbash me kallashnikov, të trafikojë drogë me makinën e ministrit, të bëjë kontrabandë dhe evazion.
Dje në Kuvend, në fytyrat e tyre të zbardhura si “zombie” u lexohej itinerari krim-fund. Bllokada e ngritur ndaj reformës në drejtësi është vula politike e panikut të tyre. (Gazeta55)