RAMA NUK PO TEJKALON DOT DIKTATORËT

SHKRUAN: ARTUR ROSHI – KRYETAR I PARTISË BALLI KOMBËTAR DEMOKRAT

Çdo skenar zgjedhjesh ku mënjanohet qëllimi i Opozitës për instalimin e votës së lirë në sistemin zgjedhor, nuk mund të ketë legjitimitet. Kriza e presidentit mund të sajohet si e dështuar dhe të ngrihet një problem që të zgjidhi këtë që kemi, mospjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje, sepse duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme se do të ngelemi pa president.

Së pari mendoj, se përderisa mazhoranca ka votat për zgjedhjen e presidentit, nuk ka logjikë që të mos ta zgjedhi atë. Shtirja se nuk e zgjedh dot është lojë struci që nuk fshihet justifikimi. Së dyti, problemi i krizës politike nuk mund të zgjidhet me sforcime duke u nisur nga forma, pra nga institucioni i Presidentit, por nga thelbi i tij që është vota e lirë.

Për opozitën problemi i vetëm që është parimor është një sistem zgjedhor që garanton një treg të lirë politik, për rrjedhojë, lirinë e votës dhe ruajtjen e saj. Kjo e drejtë e opozitës prevalon para çdo rregulli tjetër në formë kushtetuese. Palët mazhorancë-opozitë arrijnë marrëveshje vetëm atëherë kur i afrohen të vërtetës. Ngërçi politik i vërtetë, është mungesa e votës së lirë, ndërsa trafiku narkotik, korrupsioni, etj., janë rrethana përcaktuese që humbasin votën e lirë.

Institucioni që mund të të zgjidhë situatën në tërësi dhe për një kohë të përcaktuar qartë sipas meje është parlamenti i cili me një ligj të caktuar, me aftësi vepruese të kufizuar në kohë, mund të përcaktojë detyrat e qeverisë teknike, (votim elektronik-biometrik, numërim elektronik, dekriminalizimin e kandidatëve për deputet, kontrollin e financimeve të fushatave, bllokimin e trafikut, etj.), kohën e zgjatjes të qeverisë teknike, ditën e zgjedhjeve, etj. Kjo, për të garantuar seriozitetin dhe përgjegjësinë e sipërmarrjes së qeverisë teknike.

Opozita nuk mund të futet në zgjedhje për pushtetin e trafikut, që kërkon me ankth një datë zgjedhjesh të shpejta nga frika e votës së lirë. Rama nuk po tejkalon dot diktatorët, që të futet në skemën e dorëheqjes si element moral demokratik.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top