Një fshat i vogël polak në kufirin shtetëror me Ukrainën ra viktimë e sulmeve me raketa nga ushtria ruse. Një konfirmim zyrtar është ende në pritje.
Dy raketa ruse goditën fshatin polak Przewodów të martën në mbrëmje. Lajmi bëhet i ditur nga radio stacioni lokal Radio Zet. Dy persona kanë vdekur. Fshati kufizohet drejtpërdrejt me Ukrainën. Me sa duket raketat janë predha endacake. Kryeministri i Polonisë Mateusz Morawiecki (54) mblodhi Këshillin e Ministrave për Sigurinë Kombëtare dhe Mbrojtjen në një takim urgjent, tha një zëdhënës i qeverisë në Twitter. Një konfirmim zyrtar i ngjarjes është ende në pritje.
Sipas agjencisë së lajmeve AP, një zyrtar i inteligjencës amerikane ka konfirmuar se ishin raketat ruse që goditën Poloninë. Patrick Ryder, zëdhënës i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA në Uashington, tha se aktualisht nuk ka asnjë informacion për të konfirmuar raportet e mediave polake për një sulm të supozuar raketor rus. Pentagoni aktualisht po shqyrton raportet. Megjithatë, Ryder theksoi: “Ne e kemi bërë shumë të qartë se do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”.
Moska i quan raportet për sulmin rus “provokim”
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky (44) gjithashtu supozon se raketat janë ruse. Kështu pohon ai në kanalin e tij në Telegram. “Sa shpesh e ka thënë e pohuar Ukraina se shteti terrorist nuk do të kufizohet vetëm në vendin tonë,” vazhdon Zelensky. Është vetëm çështje kohe para se terrori rus të shpërndahet edhe në vendet tjera.
Kremlini është duke u mbrojtur kundër këtyre akuzave: ushtria ruse ka hedhur poshtë raportet për raketat ruse që kanë rënë në një fshat polak dhe pohimet e tilla i konsideron si “provokim të qëllimshëm”. Ministria Ruse e Mbrojtjes njoftoi se nuk u qëllua mbi asnjë objektiv në zonën kufitare ukrainase-polake. Gjithashtu u tha se fotot e mbeturinave të supozuara të shpërndara në mediat polake nuk kishin asnjë lidhje me sistemet ruse të armëve.