QËNDRESA DHE TRAGJEDIA ÇAME NË DRITËN E TË DHËNAVE HISTORIKE

Shkruan – Muharrem Canaj

MOJ SHQIPONJA DY KRENARE
PSE MË KE HIPUR NË ATË MINARE
KËRKOJ RRUGËN PËR NË JANINË
PËR PREVEZË DHE PRISHTINË
SE ATJE E KAM SHTËPINË

Të nderuar pjesmarrës në këtë takim!
Jam përpara jush t’u them se ka akoma një vend në këtë botë ku lumi i gjakut të një populli është i pashterrshëm e i pranishëm në çdo grimcë të asaj toke si dhe në çdo shkronjë, rrokje e fjalë të gjuhës së atij populli martir.

Flitet për ëndrrën e madhe të Evropës së bashkuar, por një popull në mes të saj kullon gjak, një popull i masakruar barbarisht shpërngulur me zjarr e bekuar nga toka e tij, shpërndan refugjatët me një det me dhembje në shpirt e ndërgjegje, e ju silleni sikur s’ka ndodhur gjë! Duhet ta dini zotërinj dhimbja jonë po helmon Mesdheun e s’mund të ketë gëzim pa na shëruar plagët duke na kthyer në tokat tona!

Të nderuar zonja e zotërinj!
Të flasësh për çështjen shqiptare duhet të flasësh me muaj të tërë, ndërsa për çështjen Çame dhe kosovare do të duhen me vite dhe përsëri do lësh diçka pa thënë. Prandaj e kam tepër të vështirë me kaq sa më lejohet të flas para jush, të përmend diçka për çështjen çame në tërësi dhe në veçanti për trojet e saj të grabitura padrejtësisht ndër shekuj nga grabitqarët e vjetër dhe të rinj, grekët, duke mos munguar dhe disa shqiptarë të shitur, që kurrë nuk kanë munguar të vihen në shërbim të grekëve dhe sidomos për të ashtuquajturën çeshtja e Vorio-Epirit. Se ne çamërit jemi të vjetër ne trojet tona aq sa bota. Kemi lerë në trojet tona dhe dashtë zoti të vdesim në trojet tona se jemi krenarë që jemi shqiptarë.

Ju, të nderuar pjesëmarrës, e dini mirë historinë e trevës së Çamërisë dhe aspiratat e dikurshme dhe të sotme të popullatës çame. Çamërisë Zoti i ka falur gjithë të mirat e natyrës, njerëz bujarë, besnik, trima dhe liridashës. Pretendimet e grekëve nuk fillojnë më 1912, por shumë më herët në vitin 1877 kur u mbrojtën politikisht në takimin e jug Shqipërisë në Janinë, të cilët u tubuan në këtë takim pikërisht për mbrojtjen e trojeve çame nga pretendimet e grekëve. Po kështu më 1878 kur u mbrojten ushtarakisht, por fatkeqesisht më 1881 në mënyrë brutale iu pre pjesa e trupit të saj duke ju shkëputur dhunshëm pjesa jugore e gjirit të Prevezës, përfshi këtu qytetin e bukur të Artës.

Sipas pretendimeve greke, rezulton krejt e kundërta mbi këto toka sepse në mesjetë kanë lulëzuar dy princërit shpiptarë, Pjetër Lozha dhe princi Gjin Ndue Shpata. Trojet tona si troje shqiptare përmenden që në kohën e Iliadës së Omerit. Shkrimtarë të lashtë grekë dhe jogrekë përmendin se kufiri verior i Greqisë është Gjiri i Prevezës dhe Arta. Sipas Plutarkut që në vitin 1530 para erës së re, çamërit kanë pasur një mbretëri të lulëzuar, por grekërit asnjëherë nuk janë pajtuar me këtë realitet duke pretenduar kufirin e tyre deri në lumin Vjosë, pra atë që nuk u takon. Grekët atë që s’kanë mundur ta marrin sipas historisë së lashtë, munden ta përlajnë pas vitit 1912. Duke shfrytëzuar dobësinë e shtetit të sapoformuar dhe mbështetjen e fuqive të mëdha, u dyndën kush e kush të rrembente sa më shumë trojet shqiptare. Kjo ishte gjendja kur Konferenca e Ambasadorëve vendosi kufijtë shqiptarë kur si parim gjoja u vendos entiteti i popullatës. Po kush më shume se gjuha e dallon një etni nga tjetra?

Cila ishte gjuha e trojeve çame deri në kufijtë e Kosturit veç asaj shqipe? Të ndodhur para këtij fakti grekomëdhenjtë u turrën mbi trojet çame dhe s’lanë poshtërsi pa bërë që largonin shqipfolësit nga trojet e tyre. Çfarë nuk bënë në kurriz të vëllezërve dhe motrave tona që ata të deklaronin të ishin grekë, por gjuhën shqipe e njihnin se kishin bërë tregti me fqinjët shqiptarë.

Por shqiptarëve të Çamerisë nuk u mjafton vetëm bëmat e grekëve por mbanin mbi shpinë dhe përkrahjen e fuqive të mëdha të asaj kohe që kishin grekët, duke përjashtuar këtu vetëm misionarët amerikanë, të cilët ashtu si udhëheqësi i tyre i shquar senatori Villson mbrojnë të drejtat e pamohueshme të çamëve. Por gjithçka s’mbaron këtu, se fillon lufta ballkanike dhe ajo e parë botërore ndaj vendosja e kufinjve shtyhet për një periudhë tjetër.

Shteti Shqiptar duke përfituar nga prania e tij në lidhjen e kombeve në vitin 1920 shfrytëzoi rastin se kufijtë nuk ishin vendosur në vend që më 1913. Ndaj kërkoi me ngulm që të huajt të dilnin nga trojet shqiptare, duke nënkuptuar këtu të huajt ushtritë greke të vendosura në Çamëri, ushtritë serbe të vendosura në Kosovë dhe në disa raste këto ushtri të futura deri në Korçë dhe Gjirokastër. Në këto rrethana u ngrit komisioni i vendosjes në vend të kufijve, i cili fillimisht vendosi për kufirin ndarës me Greqinë. Që nga kufiri ndarës në Korçë ku me gjithë përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë dhe popullit vendas, nuk u bë e mundur që shumë troje shqiptare të vendoseshin nën shtetin shqiptar, por u lanë nën sundimin grek. Por me gjithë poshtërsitë e mëdha të grekëve për të detyruar popullatën shqiptare të hiqte dorë nga kombësia shqiptare, hasën në qëndresën e kryetarit të komisionit të vendosjes së kufijve Gjeneral Telimit, i cili u mundua me sa mundi të mbante drejtësi duke futur në territorin shqiptar dhe shume troje të lakmuara nga grekët.

Kjo bëri që grekët të ndërrmerrnin fushata dhe shpifje ndaj Gjeneral Telimit dhe kur panë se ai kishte qëllim që Çamerinë veriore ta linte në Shqipëri. Por grekët filluan të përdornin dredhinë si një nga armët më të rëndësishme të tyre, me të cilën kanë mundur jo rrallë të dalin triumfues. Që kështu ata bindën fuqitë e huaja që në këtë kohë komisioni i vendosjes së kufijve të komandohej në Janinë. Grekët, sipas qenit të pabesë që kanë, i zunë pusi gjeneralit dhe e vranë. Më pas u munduan që këtë t’ia faturonin shqiptarëve, por përsëri s’u eci, pasi komisioni përkatës i kryesuar nga një jurist japonez u nxori të palarat në shesh. Pasardhësi i Telimit duke patur frikën e grekëve vendosi kufijtë sipas pretendimeve të tyre duke ia dhënë një pjesë të trupit shqiptar Greqisë. Tani çamët mbetën përsëri më te huaj ne trojet e tyre, sepse me Kushtetuten Greke të kësaj kohe, Greqia fillon reformën agrare dhe çamet i shpronëson plotësisht nga tokat e tyre nën pretekstin e të ashtuquajturës “reforma agrare”. Grekët djegin zyrat e Prefekturës së Janinës ku ndodhej edhe Kadastra. Paudhësitë e grekëve ndaj çamëve nuk kanë të sosur, ato marrin një hov të paparë mbas marrëveshjes greko-turke të vitit 1923 për ndërrimin e popullatës reciproke, ku sipas saj palët binin dakort të shkëmbenin popullaten me kombësi përkatëse. Greqia i jepte Turqisë popullatën me kombësi turke dhe anasjelltas; grekët duke përfituar nga rasti se shumica e popullatës çame ishte e besimit mysliman, këta i konsideron si turq dhe me dhunë të paparë mundohet t’i shpërngulë nga trojet çame duke sjellë në këto troje grekët e Turqisë. Kështu me dhjetra e mijëra çamë u detyruan të linin tokat e tyre në duart e ardhacakëve dhe të largoheshin kush në Turqi dhe kush në Shqipëri dhe kush nuk u largua, provoi të “zitë e ullirit” dhe të jetë i huaj në truallin e vet.

Në këtë gjendje e gjeti lufta e dytë botërore Çamërinë. Populli çam masivisht u rendit me luftën Nacionalçlirimtare gjatë luftës së dytë botërore. Kështu në territoret çame u krijuan formacione partizane si: Hoxhë Tasimi, Alush Taka, etj, si dhe shumë formacione të tjera të cilat dhanë një kontribut të çmuar për çlirimin e trojeve çame dhe më gjerë nga pushtuesit e huaj duke bashkëpunuar ngushtë dhe me lëvizjen çlirimtare greke ku dhanë jetën me qindra djem çamë. Po cili ishte shpërblimi për këtë gjak nën udhëheqjen e Zervës, një greku bashkëpunëtor i pushtuesit nazi-fashist që pushtuan Greqinë dhe sot qeveria Greke i ka ngritur një bust madhështor në Prevez dhe e quan hero kombëtar, ndersa çamët i ben bashkëpuntor me okupatorët? Në këtë kohë grekët bënë propagandë se do të vendosnin qeverisjen e shqiptarëve në këto troje ndaj s’duhet të largohej këmbë shqiptari dhe më pas, pasi siguruan kufirin, filluan masakrën e pashoq në historinë botërore duke vrarë e prerë me thika e zjarr këdo që t’i dilte përpara vetëm për faktin se ishin shqiptarë duke mos përjashtuar as femijët e djepit si p.sh., vlen për ta përmendur Sanie Bollatin që i çanë barkun dhe i nxorën fëmijën nga barku. U skuq toka çame me gjakun e bijve dhe bijave të saj, lumenjtë nuk përcillnin më ujë, por gjakun shqiptar të çamëve. Kush mundi iku dhe u vendos në gjirin e mëmës Shqipëri, së cilës i ishin prerë dy krahët: Çamëria dhe Kosova. Kush nuk mundi ra prehë e grekëve dhe e hëngrën korbat për të vetmin faj se ishin shqiptarë. Vetëm në këtë periudhë nga rreth 28.000 çamë që morën rrugën për në Shqipëri u vranë dhe u therën me thika rreth 7.000 që duke u llogaritur në raport me popullsinë, nuk mund të krahasohet me dëmet që iu sollën Rusisë nga lufta e dytë botërore që mbahet një nga rekordet botërore. Grekët, për të legjimituar bëmat e tyre në sytë e botës, i quajtën çamët bashkëpunëtorë të pushtuesve të huaj duke vendosur:

l. dënim me vdekje, kriminel i tërë çamëve myslimanë të përtejkufirit.
2. mohimi përjetë i të drejtës së vendësit pra mohimi i vatrave amëtare dhe i trojeve të veta stërgjyshore.
3. shtetëzimi i çdo pasurie të tundshme e të patundshme.

Por shqiptarët e trojeve të Çamërisë asnjëherë nuk janë pajtuar me bëmat e grekëve, asnjëherë nuk kanë rreshtur së kërkuari të drejtat e tyre. Ata gjithmonë u janë kundërvënë shovinistëve grekë si me qëndresë fizike edhe me qëndresë politike. Kështu ka ndodhur në vitin 1912 -1913 ku me qindra mijëra tejshkrime i janë përcjellë fuqive të mëdha, të tjera i janë përcjellë konferencës së ambasadorëve. E njëjta gjë ndodh edhe pas 1920. Por gjithmonë këto protesta kanë rënë në vesh të shurdhër nga fuqitë e mëdha. Po kështu ndodh edhe më 1944-1945. Shteti shqiptar duke mos patur kredon dhe as mundësinë e mjaftueshme të influencojë, e la në heshtje. Ne çamët e shpërngulur me forcë nga trojet tona në shtetin amë, kemi gjetur ngohtësinë e vëllezërve shqiptarë në trojet e Shqipërisë së mbetur. Ata na janë gjendur gjithmonë pranë në gëzim e hidhërim, na janë gjendur në ditët tona më të vështira.

Shteti komunist gjatë 46 viteve na ka parë me syrin e njerkës; si gjithmonë na ka konsideruar grekë. Asnjëherë nuk ka sensibilizuar botën për çështjen tonë çame. Të shumtë janë çamët që i janë nënshtruar përndjekjes politike vetëm pse ishin çamë. Një nga këta jam edhe unë i rritur në burgjet e komunizmit dhe familja ime në kampet e përqëndrimit. Të shumta janë gjoja grupet armike të zbuluara në kohën e regjimit komunist që u përkisnin çamëve. Por tradhtia më e madhe e qeverisë komuniste shqiptare u bë karshi çamëve ku më 1953 në mënyrë arbitrare të pambështetur nga asnjë ligj i shtetit shqiptar dhe atij ndërkombëtar, heq të drejtën e shtetësisë greke duke na dhënë atë shqiptare. Kjo do të thotë vetëm e vetëm për t’i ardhur në ndihmë Greqisë për të humbur të drejtën e rikthimit tonë, sepse vërtet ishim me shtetësi greke dhe kombësi shqiptare. Por, persekutimi i çamëve vijon edhe sot; kështu jo shumë ditë më parë në Parlamentin shqiptar u paraqit për aprovim një projekt-rezolutë për zgjidhjen e çështjes çame, një ndër rastet e rralla kur përfaqësues të pozitës dhe opozitës në Parlament bien dakort të paraqesin një rezolutë të përbashkët. Por ç’ndodhi? Qeveria shqiptare, maxhoranca në parlament, nëpërmjet kartoneve të saj rrëzon këtë rezolutë duke e bërë qesharake në opinion sepse vetë e propozuan dhe vetë e hodhën poshtë.

Vëllezër dhe motra pjesmarrës në këtë tubim! Ne populli çam ashtu si dhe vëllezërit tanë kosovarë asnjëherë nuk kemi rreshtur së kërkuari të drejtat tona. S’ka kombësi pa troje dhe trojet tona janë deri në jug të Gjirit të Prevezës dhe deri aty ne do t’i kërkojmë, le të çirret dikush sa të dojë se pretendimet tona janë për identitet, siç po marrin identitetin e tyre honkongasit në Azi, kemi të drejtë të marrim identitetin shqiptar në çamërit dhe kosovarët në Evropë, ndaj me të drejtë ne i themi Evropës siç thotë kënga kosovare “Kthena borxhin”.
Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri, kjo nuk është thirrje për nacionalizëm, por thirrje për identitet.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top