Prof. Ernest Koliqi FLET NDËRSA TRUPI I Ali Këlcyrës PËRCILLET NË 29 SHTATOR 1963 NË VARREZAT ACATOLICO DI TESTACCIO

Ata qi do të kenë fatin me këthye n’atdhe

Edhe nji tjetër Atdhetar shpirtmadh u zhduk nga mesi ynë. Edhe nji udhëhjekës i palodhun qi ecte në krye t’aradhve të Liris humbi ndër hijet e mëdhaja të dekës. Edhe nji pohues i ides së Shqipnisë së lirë, çerdhe e vokët e shqiptarvet të vëllaznuem sipër paragjykimeve të çdo lloji, në ditët kur ma fort ndihej nevoja e ndërhymjes së Tij ndërtuese, po e len shprazët vendin e vet në barrikadën e luftimit kundra dhunuesave të traditave shejta qi janë palci jetësuer i atdheut t’onë.

Ali Këlcyra shkoi: nuk do t’a kemi ma trupnisht për bri në përpjekje t’ashpër për shpëtimin e Shqipnis. Ai Shqipnis s’onë qyshë në moshë ma të blerë i kushtoi fuqin e nji mendjeje së ndritun nga kultura dhe zjarrmin e nji zemre qi rrahte përherë në plotëni ndiesish bujare. Në Lindje e në Perëndim, ku filloi e ku sosi pregatitjen e Tij kulturore, Ai thithi nga burimet e ditunis ato mendime, ato parime, ato piknisje qi vyejshin për t’a realizue idealin kombëtar. U ushqye me at kulturë të shëndoshtë qi mëson me themelue jetën vetjake dhe kombëtare mbi nderë, mbi besë e mbi burrni, mbi kët granit trikandësh të shpirtit shqiptar, ku përjetësohet trashigimi i shuguruem me gjak fisnik prej stërgjyshave. Por trashigimin e etnicizmit t’one ma të çmueshëm, Ai nuk u orvat t’a mpronte në qindrime statike por dinamikisht t’a përtrinte me fuqi krijuese me idenat ma të reja të kohës.

Kur në vend t’one nji mendësi mesjetare, tepricë damcore e nji robnije shekujsh, ngujonte shumicën e popullit shqiptar në mendime e rendime shoqnore anakronike, Ali Këlcyra, ndonse pinjuell i nji dere feudale, doli papritmas si flamurtar i demokracis. Në luftën e ideve, qi i hapi kombit horizonte të reja, gojtaria e Tij jashtëzakonisht prekëse e tërhjekëse vringëlloi si shpatë e mprehët. Me at gojtari lartushtuese Ai thei e shpartalloi perde errsije, kundërshtoi çdo trajte tyranie, lëshoi kushtrime për liri e rilindje. E nuk qe prej atyne qi nxisin të tjerët në përleshje luftarake tue ndejun larg rrezikut: në Të fjalën e shoqnonte veprimi.

Në kryengritjen e Vlonës Ai mori pjesë si luftëtar i thjeshtë; në luftën kundra komunizmit Ai u fut guximtarisht mu në strofull të dërmuesave të Shqipnis Etnike e të shqiptarizmit qi mbetën shtang me armë të ngrime ndër duer, të çuditun nga trimnia e Tij e pashoqe. Shum punoi Ali Këlcyra për liri, pamvarsi e naltësim shoqnuer të Shqipnis dhe Shqipnija, e rrëmbyeme në nji shakulluer ngjarjesh orëzeza, nuk mujt me ia shpërblye ndryshej mundin e zellin veçse me mërgime, vuajtje e salvime. Krejt jetën e vetit Atdheut ia kushtoi dhe nuk pat prej si as pozitat zyrtare, as kënaqësit morale qi meritonte. Kët vrejtje jam kah e baj unë, sepse fisnikija e natyrshme e këtij Atdhedashësi të rrallë, ndjenja vetmohuese, qi i a pajiste shkëlqimtarisht shpirtin, nuk lanë kurr asnji ankim m’u vizatue në buzë të Tija.

Ai ruente në zemër, edhe në moshën e shtyeme, nji hov ndiesish atdhetare qi ishte për Të shpërblim i mjaftueshëm. Veprimtaria patriotike ishte për Të e natyrshme si frymëmarrja qi mban gjallë trupnisht njeriun. Prendvera e përpjekjeve të para kombëtare lulëzonte përherë freski-plotë në gjak të Ali Këlcyrës dhe përhapte dalldi atdhedashëse rreth e rrotull tue thekë këdo qi kishte fatin t’a afrojë.

Ai po zhduket sot nga mesi ynë, por po na len nji testament shpirtnuer, qi duhet t’a ruejmë në mendë e në zemër mbi udha të vështira të mërgimit deri sa t’agojë dita qi të mundemi me i a dorëzue djalërisë shqiptare n’atdhe të liruem. “Bashkohuni me nji ndiesi vëllaznore e në nji qëllim të vetëm epruer. Bashkohuni n’emën të Nanës Shqipni dhe shkrini fuqi t’uaja në nji përpjekje kompakte për çlirimin e Saj nga zgjedha zvetnuese qi po i a than e po i a shkymbe në gji tharmet ma të thella autoktone.”

Ali!
Hija ka me na pri edhe mbas sodit n’udhë qi Ti burrnisht e bujarisht ke rrahë drejt plotësimit t’idealeve ma të larta të kombit. Në vrullin e traditave, urtisht të njomsueme nga fryma e kohës tue u shtye në përtrimje shoqnore deri aty ku të mos preket palci qenësuar ethnik, ashtu si Ti na mësove me fjalë e me vepër, na do t’a vazhdojmë veprën epike t’Ande e të Rilindsavet të mëdhenj. E ndër çaste dyshimi, lodhjeje, ngurrimi, do të ngjallim në mbamendjen t’onë shembullin t’And qi ruejtë të pashkimun në mes mjerimeve e padrejtësive të fatit e të njerzve nji dritë ndiesish agimore.

Ali!
Kur Perendia, qi nuk do ta lajë pa shpërblim gjakun e derdhun për të drejtat e shenjta t’ona, do të çeli në qiellin e atdheut agimin e Lirisë, ata qi do të kenë fatin me t’këthye n’atdhe, kanë me pa në rrezet e atij agimi, tue xixëllue e lumnue edhe shpirtin t’And bujar, tekembramja të qetësuem e të kënaqun.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top