Anastasios Ianullatos

Politika shqiptare bojkoton për Pashkët Janullatosin dhe një nen i rrezikshëm

Shkruan: Arben Llalla

Surpriza e kësaj pashke, nuk qëndronte tek fakti që Janullatosi edhe në vitin e 25-të të misionit të tij, vazhdon të tallet i pashqetësuar duke ju predikuar shqiptarëve greqisht nga mesi i Tiranës, me sfond fasadën bardhë e blu të flamurit grek, që mbizotëron në hyrjen kryesore të katedrales ortodokse.

Diku tjetër duhet ta shohim simbolikën e një mesazhi të fortë që shteti shqiptar, më në fund po ia jep kryepeshkop Anastasios, fakti që këtë vit e bojkotuan si kurrë ndonjëherë duke mos i shkelur në selinë e tij, por duke uruar ortodoksët nga gjetkë, si për t’i thënë që nuk e ke më mbështetjen e këtij shteti dhe populli, ne preferojmë që të tërhiqesh se e ke trashur shumë zullumin e antishqiptarisë dhe e ke djegur edhe alibinë e misionarit fetar që përdorje deri sot.

Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe zëvendësi i tij, uruan peshkopin e Korçës, që është shqiptar, i pagëzuar përgjatë komunizmit e i kthyer në ortodoksi, dhe i vetmi që e kryen dhoksologjinë e flamurit shqiptar, duke treguar kështu për të sajtin vit radhazi, që kandidatura e tij për pasardhës të kryepeshkopit grek, ka mbështetjen e të gjithë spektrit politik shqiptar.
Gjithashtu, Kryetari i opozitës, Kryetari i Parlamentit, madje dhe ish-Kryeministri, nuk u panë aspak të uronin Janullatosin, që këtë vit, për herë të parë, shëndeti i rënduar e mosha e thyer, ia lejoi përballimin e ngarkesës së ceremonive fetare të gjithë javës që paraprin pashkën.

Kjo, përveçse si një shenjë e një presioni të butë, që duhet të vijë duke u forcuar, që Janullatosi të tërhiqet dhe t’ia lërë fronin një shqiptari, duhet parë edhe si një pikë, ku ndjeshmëria e shtetit shqiptar po rritet për fatet e ortodoksisë shqiptare, pasi për shumë vjet, teologë, klerikë, por edhe studiues apo gazetarë po japin alarmin për atentatin që po i bën Janullatosi autoqefalisë shqiptare.

Me këtë shkrim dua të sjell në vëmendjen e politikës shqiptare, dhe të agjensive që mbrojnë integritetin dhe rendin, një lëvizje të maskuar, futjen tinëz dhe me shpejtësi, të një neni famëkeq, që dikur ishte refuzuar nga pala shqiptare, kur negocionte Autoqefalinë e KOASH me Fanarin, por që sot, Janullatosi, arriti ta fusë si një kalë troje, në ndryshimet e fundit që i bëri muajin e kaluar statutit të KOASH.

Anastas Janullatosi me një lëvizje surprizë, fronëzon dy peshkopë të konvertuar në dy dioqeza minimale e sa për të thënë, në Fier dhe Elbasan, dhe duke shitur përrallën që po na bën peshkopë shqiptarë, arriti të imponojë futjen për herë të parë të nenit 63, pika 2, që thotë:
“Kur kryhet gjykimi i një denoncimi ose i shkeljeve të kryepriftërinjve, duhet që të thirret sinodi më i gjerë, me pjesëmarrjen e 12 hierarkëve. Këtu marrin pjesë të gjithë anëtarët e sinodit, përveç peshkopit që gjykohet. Sinodi i parashtron lutje patrikanës që ka dhënë tomosin e autoqefalisë (Fanarit), që të caktojë mitropolitë, për plotësimin e numrit të nevojshëm. Këtë sinod më të gjerë e drejton kryepeshkopi”.

Ky nen i rrezikshëm, që tashmë është miratuar dhe është inkorporuar në statutin e KOASH, praktikisht e shkatërron de facto Autoqefalinë e Kishës Shqiptare.

Si duket, i shqetësuar për rritjen e numrit të mitropolitëve shqiptarë, Janullatosi u vendos një nen shpatë mbi kokë, ku u thotë me pak fjalë, se po nuk bëtë atë që u them unë, mund të ndodhë që të iniciohet ndonjë proces gjyqësor kishtar kundër jush, dhe në këtë rast, përveç atij që gjykohet, sinodi mbetet me shtatë anëtarë të tjerë, dhe kështu i bie, që të kërkojmë nga Fanari grek, dërgimin e pesë mitropolitëve gjykatës, që të plotësojmë dymbëdhjetëshen e peshkopëve, që ka kompetencën për të gjykuar dhe dënuar një peshkop.

Në këtë rast, kryepeshkopi i sotëm, apo dhe sinodi i nesërm, nuk ka asnjë kompetencë për gjykim të pavarur, por Patrikana e Stambollit do të zbresë në Tiranë me mitropolitët e saj për të prerë kokat e peshkopëve shqiptarë, sa herë që këta do lëvizin nga linja e kauzës grekomane.

Ndaj, politika dhe shteti shqiptar me urgjencë duhet ta shohë këtë rast, të konsultohet me ekspertë të fushës, që të shpjegojnë se ç‘pasoja katastrofale sjell aplikimi i këtij neni dhe të shihen të gjitha mënyrat e abrogimit të tij, pasi tashmë kisha autoqefale shqiptare, jo vetëm që nuk mbetet më shqiptare, por as autoqefale nuk është, edhe pse e mban këtë term, vetëm fiktivisht në titullin e saj zyrtar.
Ky nen, ishte përpjekur të futej kur negociohej me qeverinë shqiptare për dhënien e tomosit të autoqefalisë me anë të lëvizjeve diplomatike të mitropolitit Krisanthos, përfaqësues të Fanarit dhe qeverisë greke, por që u hodh poshtë, pikërisht se ky, ndër të tjera, propozoi edhe një nen të tillë, për ndërhyrje të patrikanës në çështje të brendshme kishtare shqiptare dhe për supremacinë e saj në gjykimin e peshkopëve shqiptarë.

Qeveria shqiptare vendosi t’i qëndrojë protokollit të Tiranës, të 6 qershorit 1926. Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Ahmet Zogut, vendosi mospranimin e propozimeve robëruese nga ana e Krisanthosit dhe Fanarit, gjë që vetë Zogu do t’ia bënte të ditur, në një takim që pati me tëtë nesërmen e marrjes së vendimit refuzues. (AMPJ, V. 1927, D. 238 f. 28, VKM nr. 72, 24 shkurt 1927).

Ndaj, këtë nen, që ishte në paketën e propozimeve fanariote, e që u hodh poshtë nga qeveria shqiptare, sot e ka rikthyer fuqiplotë dhe skllavërues vetë Janullatosi, pas gati 90 vjetësh, duke treguar botërisht se Fanari dhe shteti grek, nuk heqin dorë kollaj nga qëllimet e tyre për të pushtuar KOASH dhe shkatërruar autoqefalinë e saj dhe se vetë Janullatosi është dërguar pikërisht për këtë qëllim, si shërbëtori më besnik i këtij plani ogurzi.

Ndaj pyesim: Sa i ligjshëm është tashmë ky nen, kur bie në kundërshtim me një VKM, qoftë edhe të vitit 1927? A janë më të vlefshme këto vendime, apo janë shfuqizuar nga ndonjë regjim i mëpasshëm, i cili përveçse na shkatërroi kombin, përfshiu në këtë valë shkatërrimtare edhe arritjet autoqefaliste të shtetit shqiptar?

Kërkojmë, nëse ndonjë jurist patriot, ose më mirë nëse vetë shteti shqiptar, mund të ndërmarrë një padi shfuqizuese të këtij neni, pranë Gjykatës së Tiranës, ku është regjistruar KOASH, si person juridik, dhe ku është depozituar edhe statuti i saj, sigurisht, nëse Janullatosi nuk e ka shkelur sërish ligjin shqiptar, dhe nuk i ka depozituar akoma ndryshimet statutore pranë Gjykatës, sipas detyrimit ligjor.

Ky nen famëkeq, bie në kundërshtim me një VKM të hershëm, por nëse nuk gjejnë se ka akoma fuqi ligjore, bie në kundërshtim me vetë karakterin e KOASH si autoqefale, pra e pavarur, dhe ky nen e cënon rëndë këtë autoqefali.
Nëse ndonjë jurist i zoti, arrin dhe e arsyeton ligjërisht këtë argument pranë Gjykatës së Faktit, Tiranë, do i lutesha shumë ta bënte një gjë të tillë, sa nuk është akoma vonë.

Këtë luftë duhet ta bënin nga brenda edhe peshkopët shqiptarë, por duket që atyre nuk u intereson, ose fakti i origjinës së tyre fetare, i komplekson dukshëm, ndaj dhe janë zgjedhur si të tillë prej Janullatosit.

Politika shqiptare, mirë bën që e bojkoton Anastas Gjerasimo Janullatosin, por duhet të shohë dhe anullojë çdo lëvizje të tij kundër shqiptarisë së kishës sonë ortodokse, pasi ai po zhbën me durim dhe një nga një, çdo investim të dikurshëm të shtetit tonë, në dobi të KOASH. Rasti që sollëm, ishte flagrant në këtë drejtim.

Megjithatë, edhe sivjet, siç ndodh me ne shqiptarët, dikush e theu bojkotin politik. Pyesim, a ka dijeni për këto zhvillime, një anëtar i ri i Këshillit Kombëtar të PD, edhe ky i konvertuar djathtas nga e majta, si ish shef i kabinetit të qeverisë Nano, i cili për më shumë se gjysëm ore, pati një bisedë sekrete me Janullatosin, në fund të pritjes zyrtare dhe që kohët e fundit po e mbështet hapur atë në misionin e tij?

Është e habitshme se çfarë xhonglimesh spektakolare po arrin të bëjë Janullatosi në dëm të kishës dhe shqiptarisë sonë, me ushtrinë e tij të të konvertuarve fetare dhe politikë.

Kjo kategori është interesante në psikologjinë e saj dhe strategjinë se si përdoret edhe nëpër botë, ne do e analizojmë hollësisht në të ardhmen.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top