Shkruar nga Profesor Abas Ermenji
Le të shohim pak tani se cila ishte politika e brendëshme dhe politika e jashtëme e Skënderbeut dhe përse dallohet ky nga princat e tjerë që pat pasur Shqipëria. E para, sepse asnjë Shqiptar tjetër deri atëhere nuk pat korrur fitore ushtarake aq të mëdha e për një kohë aq të gjatë. E dyta, sepse nëpërmjet të luftës kundër Turkut Skënderbeu u përpoq të ndërtonte një shtet shqiptar të njësuar e të pavarur, domethënë të bënte bashkimin politik të Shqipërisë. Që në muajt e parë të kryengritjes së tij, ai mendoi e thirri të gjithë krerët shqiptarë në Kuvendin e Leshit, ku u formua e para lidhje shqiptare, me karakter pak a shumë kombëtar, që njeh historia. Por kjo lidhje nuk ishte veçse një lloj konfederate e çlirët, prej së cilës antarët mund të largohëshin kur të donin, ashtu siç ngjau më pastaj. Venetiku nga njëra anë, Turqia nga tjetra, i punonin me intrigat e tyre krerët shqiptarë për t’i shkëputur nga Lidhja e Leshit. Në kohën e rrezikut më të keq, në rrethimin e parë të Krujës prej Muratit II, antarët e Lidhjes e lanë Skënderben në fatin e tij, siç e pamë më sipër. Ky e përballi furtunën me fuqitë e armatosura që nxori nga principata e vet. Krerët shqiptarë mundohëshin, si gjithnjë, të ruanin pavarësinë dhe të drejtat e tyre feudale mbi tokat që zotëronin. S’shikonin dot përtej interesavet vetiake më të ngushta, dhe seicili kërkonte të kishte lidhjet e tija me shtetet e jashtëm.
Skënderbeu, duke përfituar nga pozita si kryekumandar i ushtërisë shqiptare dhe sidomos nga prestigji që i dhanë brenda dhe jashtë Shqipërisë fitoret e shkëlqyera kundër Turkut, u mundua t’i shtronte nën autoritetin e vet krerët më të vegjël dhe të hidhte kështu themelet e një shteti shqiptar të përqendruar. Si mjet për t’ia arritur këtij qëllimi, përveç aftësisë politike dhe lidhjevet familjare, përdori sidomos forcën ushtarake. E pamë se sa rëndësi i dha Skënderbeu, që në fillim, organizimit t’ushtërisë. Kuadrat e kësaj i krijoi ai vetë duke i zgjedhur më të shumtën nër familjet bujare, po edhe nga radhët e popullit. Me prestigjin e madh që fitoi në luftë, i lidhi pas vehtes krerët më të vegjël dhe masat e gjera popullore. Pak nga pak, zotërimet e familjeve bujare të Shqipërisë së Mesme u bashkuan e u njësuan pothuajse me principatën e Skënderbeut, mbasi ky, për nevojat ushtarake, duhej të shkelte nëpër to, të linte garnizone besnike në fortesat e tyre dhe të kishte lidhje të drejtpërdrejta me popullsinë. Kështu Thopiajt, Stres-Balshajt, Muzakajt e të tjerë e humbën pavarësinë e mëparshme dhe iu nënshtruan, me dashje a pa dashje, autoritetit të Skënderbeut, i cili iu la titujt e pronavet e iu dha shpeshëherë shkallë të larta në kumandën e ushtërisë, por e mori vetë në dorë mprojtjen e krahinavet të tyre. Kuptohet vetvetiu se kjo pozitë i jepte të drejtën e ndërhyrjes n’ato krahina, të cilat, me dashurinë dhe nderimin e madh që kishin për të, zunë t’i bindëshin më shumë autoritetit të tij se sa zotërinjve titullarë. Nganjëherë ua rrëmbente pronat bujarëvet që s’i shtrohëshin dhe ua jepte besnikëve ose atyreve që shquhëshin për zotësi në luftë. Pas rrethimit të parë të Krujës, i pat falur Kont Uranit, si shpërblim për qëndresën heroike, një tokë të gjerë në Mat.
Natyrisht, kjo politikë e brendëshme e Skënderbeut nuk ishte kundër rendit feudal në vetvehte si klasë shoqërore, por kërkonte t’a shtronte feudalizmin shqiptar nën autoritetin e një pushteti qendror duke ia hequr fuqinë politike, për të bërë një shtet të përqendruar, ashtu siç ngjau disa kohë më vonë në Francë, në Gjermani e gjetkë me formimin e monarkive të mëdha. Këtë politikë përqëndrimi shtetëror rreth principatës së vet Skënderbeu e ndoqi krahas me luftën kundër Turqve, megjithëse i solli mjaft trazime dhe i shkakëtoi një varg trathëtish deri tek njerëzit e tij më t’afërm. Por pa bashkimin e forcavet njerëzore dhe të mjetevet ekonomike të vendit në një rreth sa më të gjerë, s’do të kish mundur të mbahej as t’i bënte dot ballë për një kohë aq të gjatë perandorisë s’Osmanllinjvet. Kështu Skënderbeu është i pari princ n’Evropën feudale që ua hoqi Zotërinjvet të nënvarur të drejtën e sovranitetit mbi tokat e tyre dhe i shtroi nën autoritetin e tij.
Dëshminë më të mirë të kësaj politike përqëndronjëse të Skënderbeut na e jep Gjin Muzaka në Gjenealogjinë. “Pasi u bë kumandar i përgjithshëm i Zotërinjvet të Shqipërisë, tregon ky, në pak kohë mendoi t’a zotëronte të tërë vendin. Hodhi në burg vëllezërit Gjon e Gjokë Balsha… dhe ua mori shtetin e tyre ndërmjet Krujës dhe Leshit, domethënë krahinën Misia. I mori edhe Zotit Moisi Komnenit shtetin e tij që ishte në Dibër… Dhe, si vdiq im atë, na mori edhe neve Tomonishtën, domethënë Myzeqenë e Vogël, e ashtu ua bëri edhe Zotërinjve të tjerë… që nuk mund të mprohëshin, sepse ai kishte fuqinë e ushtërisë, dhe Turku na rrinte gjithmonë mbi krye… “.
Duket se Gjin Muzaka ngatërrohet pak n’emrat e vëllezërvet Balshaj dhe në punën e Moisiut. Skënderbeu burgosi Gjergj dhe Gjokë Stres Balshajt, të nipërit, që e trathëtuan duke iu lëshuar Turqvet fortesën e Modricës. Dhe Moisi Golemit ia mori krahinat në Dibër kur ai e trathëtoi, por ia këtheu prapë pasi e fali. Sidoqoftë, dëshmi e Gjin Muzakës vërteton se Skënderbeu ishte gjithmonë i gatishëm t’ua përfshinte principatat krerëve të tjerë, ose t’iu linte titujt dhe t’i shtronte nën autoritetin e tij.
Vetëm zotërimet e dy familjeve të mëdha nuk mundi Skënderbeu t’i përmblidhte në shtetin e vet: ato të Dukagjinëvet, në veri, dhe ato t’Aranitëvet, në jugë. Këto dy principata, duke qënë vende malore, patën ruajtur edhe më përpara një farë autonomie kundrejt Turqvet. Sadoqë me familjen e Aranitëvet Skënderbeu u lidh me krushqi, të bijt e Gjergj Aranitit i pat kundër, të zemëruar sepse i ati i dha motrës së tyre një pajë të madhe. Edhe Gjergj Araniti vetë i ftohu marrëdhëniet pak nga pak me të dhe më në fund u vu në shërbim të Venetikut. Kurse Dukagjinët i pat më të shumtën e herës jo vetëm kundërshtarë po edhe armiq, dhe për pak desh hyri në luftë me ta. Në disa raste, Dukagjinët arritën sa të lidhëshin edhe me Turqit kundër Skënderbeut.
Kështu, gjatë luftës së tij të paprerë, Skënderbeu mundi të formonte një shtet shqiptar në kuptimin politik dhe ushtarak të fjalës, i cili përfshinte pothuajse të tërë Shqipërinë e Mesme, përveç Durrësit, një pjesë të Veriut dhe disa krahina të Jugës. Kjo bërthamë e Shqipërisë erdhi gjithnjë duke u përqendruar nër duart e tija. Natyrisht, organizimi i këtij shteti kishte një karakter ushtarak, dhe ajo çka mund të quhej administrata e tij duhej t’iu shtrohej nevojave të luftës: në vijë të parë vinin rekrutimi i ushtarëvet, financat, grumbullimi i ushqimevet, ndreqja e fortesavet etj. I kapërthyer në një luftë të përhershme për jetë a për vdekje, shteti i Skënderbeut nuk pati nge as mundësi që të zhvillohej në të tjera drejtime, të krijonte institute kulturore, t’iu jepte një shtytje diturivet edh’artevet, t’a bënte shqipen gjuhë letrare me një liturgji kishtare të sajnë. Kjo do të kishte sjellë bashkimin kulturor dhe shpirtëror të kombësisë shqiptare. Po edhe me aq sa mundi, ndërmarrja e Skënderbeut mbetet në historinë e Shqipërisë si përpjekja m’e fortë drejt bashkimit kombëtar, nëpërmjet të një qëndrese heroike që la gjurma të thella për në të pastajmen.
Nuk duhet t’i veshim kohës së Skënderbeut ndjenjat kombëtare të sotshme. Por është për t’i vënë re njëj letre që fatosi i ynë i dërgonte si përgjigje princit të Tarantos, Antonio Orsini-t, më datën 31 Tetor 1460. I shkruante nër të tjerat: “E mbasi thoni se me Shqiptarët nuk do të mjaftonj për ta ndihmuar as për t’a mprojtur (mbretin Ferdinand), as për të dëmtuar armiqtë e tij të fuqishëm, po ju përgjigjem se puna është ndryshe, e nëqoftëse kronikat tona nuk gënjejnë, ne quhemi Epirotë, dhe duhet të kini njohuri se në kohë të tjera stërgjyshët tonë kanë kaluar në vendin që ju mbani sot dhe kanë bërë me Romakët beteja të mëdha, dhe e dimë se të shumtën e herës fituan më tepër nder se turp”.
Kjo pjesë e letrës nuk lë pikë dyshimi që Skënderbeu kish një kuptim të historisë së lashtë të kombit shqiptar dhe se vehten e tij e mbante si pasardhës i Pirros s’Epirit. Në shekullin XV, duket se Shqiptarët kishin një ide të qartë mbi vjetërsinë e racës së tyre dhe e dinin që zbrisnin prej Iliro-Epirotëvet.
Politika e jashtëme e Skënderbeut i nënshtrohej nevojës së vazhdimit të luftës kundër Turqvet. Porsa filloi kryengritjen e tij më 1443, u kthye nga Perëndimi me të cilin e lidhte feja, qytetërimi, tradita politike dhe sidomos qëllimi i përbashkët i mprojtjes kundër Turkut. Pasi u bë i famshëm në fushën e betejavet dhe tërhoqi vëmendjen e fuqivet evropiane t’asaj kohe, Skënderbeu u përpoq t’a lidhte luftën e tij me frontin e përbashkët të Krishterimit dhe t’a bënte Shqipërinë si kryeurën e mprojtjes së Evropës. E dinte se po t’ishte përmbysur ai, edhe Italia do t’a kishte ndierë sigurisht rrezikun dhe do të kishte rënë nën sundimin e Turqvet, sikurse i shkruante princit të Tarantos në letrën që përmendëm më sipër. I vetëdijshëm për rolin e tij si mprojtës i Krishterimit dhe i Evropës, Skënderbeu kërkoi ndihmë dhe aliancë ngado që t’i vinin.
Në fillim, duke ndjekur traditën e familjes së Kastriotëvet, ai shpresoi tek përkrahja e Venetikut. Por e pamë se Republika, me politikën e saj tregëtare, s’mendonte tjetër veç si e si të shtrinte tregëtinë në Lindje, duke e mbajtur mirë me Turqit, dhe të siguronte zotërimet që kishte anës detit të Shqipërisë. Prandaj jo vetëm që s’i dha ndonjë ndihmë të rëndësishme Skënderbeut, por e shikoi edhe si të rrezikshëm për qytetet që ajo sundonte në Shqipëri dhe nisi nga intrigat për të përçarë Lidhjen Shqiptare të Leshit. Më 1448, arriti sa të merrej vesh edhe me Turqit për t’i bërë luftë të hapët Skënderbeut, sikurse e pamë më sipër. Gjatë rrethimit të parë të Krujës, më 1450, Skënderbeu kërkoi që Republika t’a merrte nën mprojtje duke i premtuar t’i falte edhe Krujën si peng besnikërie, por ajo s’desh t’i prishte n’asnjë mënyrë marrëdhëniet e mira me Sulltanin.
Atëhere Skënderbeut iu desh të vështronte nga një tjetër fuqi e madhe që ishte fqinjë deti me Shqipërinë, nga Mbretëria e Napolit, në krye të së cilës ndodhej Alfonsi V i Aragonës, një nga princat më të shquar dhe më të fuqishëm të kohës së tij. Edhe me të tjerë shtete të Perëndimit Skënderbeu u mundua të mbante marrëdhënie sa më të mira, sidomos me Papatin, i cili ishte qendra e përpjekjevet për organizimin e një kryqëzate të përgjithshme evropiane kundër Turqvet. Papët e patën përkrahur moralisht dhe, në disa raste, edhe me të holla, ushqime e municjone. Patën ndërhyrë pranë shteteve dhe princave t’asaj kohe që t’a ndihmonin. Në planet e kryqëzatave që patën menduar Papët njëri pas tjetrit, Skënderbeu, i cili ishte bërë një figurë e madhe evropiane, vinte në radhë të parë, i mbuluar me tituj lavdie, si “Atlet e Mprojtës i Krishterimit” dhe “Kapiten i Përgjithshëm i Selisë së Shenjtë”. Mjerisht, asnjë nga ato plane nuk u sendërtua (realizua), dhe Skënderbeut i kushtuan shtrenjtë disa herë shpresat e thata.
Me Republikën e Raguzës (Dubrovniku i sotshëm) Skënderbeu pat qënë gjithmonë në marrëdhënie të mira dhe qe pritur me nderime të mëdha prej Senatit të saj. Qyteti i Raguzës kishte një shumicë familjesh shqiptare që zinin një vend të parë në Senat dhe në ofiqet e larta të Republikës. Prandaj lidhjet midis Shqipërisë dhe Raguzës patën qënë gjithmonë të përzemërta. Ajo nuk bëri ndonjë aliancë ushtarake me Skënderben, por e ndihmoi disa herë me të holla dhe i vlejti si ndërmjetëse besnike për ndërlidhjet e tija me Italinë dhe me Hungarinë.
Përveç Shqipërisë, si fuqia luftarake m’e madhe kundër Turqisë ishte n’atë kohë Hungaria me kumandarin e famshëm Gjon Huniadin. Por Hungaria dhe Shqipëria ndodhëshin larg njëra-tjetrës, prandaj me gjithë marrëveshjet që pat pasur midis Skënderbeut dhe Gjon Huniadit, këta të dy s’i bashkuan dot forcat e tyre në një front të vetëm dhe mbetën t’a luftonin Turkun seicili m’anë të tij. Skënderbeu pati lidhje miqësore e shkëmbime letrash e dhuratash edhe me Dukën e Milanos dhe me Dukën e Burgonjës. Me despotin e Serbisë, Gjergj Brankoviçin, u afrua më 1448 për kundër Venetikut, por në luftën kundër Turqvet nuk mund të pritej ndonjë ndihmë prej tij mbasi ai ishte bërë vasali i Sulltan Muratit II. Më në fund, Mehmeti II e përzuri prej Serbie Brankoviçin, dhe trashëgimtari i tij, despot Stefani, erdhi të gjente strehë në Krujë pranë Skënderbeut. Kemi një letër-shkëmbim ndërmjet këtij dhe Dukës së Milanos, ku fatosi shqiptar i lutej Dukës që të bënte diçka për despot Stefanin.
Pas rrethimit të parë të Krujës dhe tërheqjes së Sulltan Muratit, me gjithë fitoren e Shqiptarëvet, vendi ishte prishur anembanë, fushat e Shqipërisë së Mesme ishin shkretuar nga lufta dhe nga qëndrimi i gjatë i ushtërisë armike, katundet ishin djegur, popullsia kishte mbetur pa strehë, pa gjë, pa bukë, me mijëra të plagosur e të gjymtuar thërrisnin për ndihmë, deri muret e Krujës ishin çarë e dërrmuar; ngado që kaloi rrebeshi s’të zinte syri veç gërmadha e mjerime. Duhëshin mjete për të rindërtuar vendin, për të shpëtuar popullsinë nga uria, për të ndrequr muret e fortesavet, për të vazhduar qëndresën.
Me hipjen e Sulltan Mehmetit II në fron – një nga sulltanët m’ambiciozë, më të pashpirt dhe më gjakësorë por njëkohësisht edhe një nga më të zotët që ka pasur Turqia – i cili kish për qëllim të pushtonte më nj’anë Kostandinopojën dhe n’anën tjetër Romën, dhe rrugën e kësaj të fundit ia priste Shqipëria, u duk se lufta midis Turqisë dhe Shqipërisë do të vazhdonte deri me shuarjen e njërës anë. Skënderbeu vetëm për vetëm e kishte fort të vështirë tani t’i bënte ballë gjendjes pa një ndihmë të jashtëme. Pas provës që pati me Venetikun, s’i mbetej tjetër rrugë veçse ajo e Napolit.
Alfonsi V i Aragonës që kish hipur në fronin e Napolit, nuk ishte më pak ambicioz nga Normanët, nga Hohenshtaufen-t dhe nga Angjevinët. Ëndërronte edhe ky, sikurse Charles d’Anjou, të themelonte një perandori të gjerë në Mesdhe. Mbasi pellgun perëndimor të këtij deti e kishte bërë të tijnë, donte ta shtrinte sundimin edhe mbi pellgun lindor duke pasur Napolin si qendër. Mirëpo rrugën e Mesdheut të lindjes ia prisnin Turqia dhe Venetiku. Shqipëria, me një ushtëri të fortë nër duart e Skënderbeut, kishte rëndësi të veçantë për Alfonsin V si pikëmbështetje për politikën e tij ambicioze në Ballkan dhe në Lindje. I zgjuar e largpamës, ai e kishte kuptuar mirë rrezikun turk. Por nga ana tjetër, shihte edhe tek Venetiku një rival shqetësonjës. Prandaj nisi t’i shtrëngonte lidhjet me Skënderben më 1448, kur ky ndodhej në luftë kundër Republikës. Shikonte te kryetrimi shqiptar një shtyllë qëndrese të sigurtë edhe kundrejt rrezikut turk. Kurse Skënderbeu, nga anë e tij, kishte nevojë të madhe për ndihmën e një shteti të fuqishëm, siç ishte Mbretëria e Napolit, për t’i bërë ballë Sulltan Mehmetit II.
Kështu u arrit nënshkrimi i një traktati, në Gaeta (Itali), më 26 të Marsit 1451, ndërmjet Alfonsit V dhe dy të dërguarve të Skënderbeut, peshkopi i Krujës, Stefani, dhe dominikani Nikolla de Berguzi. Në përmbajtjen e këtij traktati, Skënderbeu dhe farefisi i tij detyrohëshin t’ia dorëzonin Krujën dhe principatat e tyre njëj zëvendësi t’Alfonsit në rast se ky do të dërgonte ushtarë dhe ndihma të mjafta për t’a mprojtur vendin nga Turqit. Dhe po t’ishte se me ndihmën e Alfonsit do të çlirohëshin toka të tjera që kishin pushtuar Turqit, do të hynin edhe këto nën mprojtjen e mbretit të Napolit. Skënderbeu premtonte se do të vente në Napoli a më çdo vend tjetër që t’i caktonte Alfonsi, për t’a njohur atë si kryezot dhe për t’i bërë betimin e besnikërisë – siç ishte zakoni në Kohën e Mesme – por mbasi ta kishte çliruar prej Turqve krejt vendin (Beratin, Sfetigradin etj.) me ndihmën e Alfonsit. Premtonte gjithashtu se do t’i paguante mbretit të Napolit një haraç të përvjetshëm në rast se me ndihmën e atij do ta kishte shpëtuar vendin prej rrezikut turk. Kurse mbreti i Napolit zotohej se do t’a merrte nën mprojtje Skënderben dhe gjithë farefisin e tij, se do të ruante privilegjet e Krujës dhe të krejt Arbërisë, se do të dërgonte ushtarë dhe ndihma të mjafta për në luftën kundër Turqvet.
Traktate të këtilla Alfonsi V lidhi edhe me Gjergj Aranitin, me Dukagjinët dhe me shumë krerë të tjerë shqiptarë dhe ballkanikë duke pasur në mendje organizimin e një kryqëzate të përgjithshme kundër Turqvet, por nuk ia arriti dot qëllimit.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Alfonsi V dërgoi në Krujë një fuqi simbolike prej 100 ushtarësh Katallanë për të marrë gjoja në dorëzim qytetin, dhe një komisar të posaçëm, Bernard Vaquer, i cili u zëvendësua, një vit më vonë, nga kalorësi Ramon d’Ortafa, që përfaqësonte mbretin e Napolit në Shqipëri. Kjo fuqi e vogël ndëjti në kështjellën e Krujës deri pas vdekjes së Skënderbeut, si një paraqitje simbolike. Ramon d’Ortafa vëzhgonte zhvillimin e ngjarjevet të Shqipërisë dhe ia raportonte herë pas here mbretit të Napolit. Skënderbeu i dërgonte Alfonsit, pas fitorevet, plaçka, flamure e kuaj që iu zinte Turqvet, por nuk i pagoi kurrë haraç as nuk i bëri betimin e besnikërisë.
Traktati i Gaetës, po të shikohej nga forma, ose nga ana juridike si do të thoshnim sot, e vinte Skënderben në një pozitë të nënshtruar përpara Alfonsit V dhe Shqipërinë nën protektoratin e mbretit të Napolit. Por po të shikohej nga ana praktike, delte në përfitim të Skënderbeut dhe të Shqipërisë. Është e vërtetë që Alfonsi V u mundua t’impononte vullnetin e tij dhe të ndërhynte pak si tepër në punët e brendëshme të Shqipërisë duke mbajtur lidhje edhe me krerë të tjerë. Por këta nuk i nxiti asnjëherë kundër autoritetit të Skënderbeut, i cili mbeti, në fakt, kryekumandar dhe sundimtar i Shqipërisë. Ndërhyrjet e Alfonsit prunë disa moskënaqësira dhe ndoshta qenë një nga shkaqet e trathëtivet që ngjajtën më vonë. Por ai s’pat kurrë një mundësi kontrolli mbi Shqipërinë, dhe Skënderbeu, si në Krujë ashtu edhe në tërë shtetin e tij, sundoi e kumandoi vetë, krejt i pavarur, deri sa vdiq. Mund të themi se traktati i Gaetës, praktikisht, pati zbatim të njëanshëm, domethënë në fitim të Skënderbeut, sepse, megjithëqë nuk u zbatua dot kurrë pikë për pikë, ndihmat që dha mbreti i Napolit, të holla, ushqime, inxhenjerë, armë e municione, sadoqë jo të mjafta, i vlejtën shumë kryetrimit shqiptar për të kapërcyer vështirësitë e tmerrshme ndërmjet vjetëvet 1451-1458. Skënderbeu e kish kuptuar që nënshtrimi përpara mbretit të Napolit do t’ishte vetëm në dukje, kurse ndihmat që shpresonte të merrte prej atij mund t’ishin vendimtare për të përballur rrezikun turk dhe për të mbajtur shtetin shqiptar në këmbë. Dhe me të vërtetë, jo vetëm që Alfonsi nuk pati ndonjë sundim mbi Shqipërinë, por, pas vdekjes së tij, kur i biri, Ferdinandi, ishte në rrezik të humbiste fronin e Napolit, iu desh Skënderbeut të hidhej n’Itali për t’ia siguruar. Sidoqoftë, Skënderbeu ruante një kujtim mirënjohjeje të thellë ndaj Alfonsit, siç kuptohet nga letrat e tija.
Lidhja e Shqipërisë me Mbretërinë e Napolit e shqetësoi Venetikun, i cili nisi përsëri intrigat e përçarjes dhe ngacëmimet kundër Skënderbeut. Senati i Republikës ia preu këtij pensionin që i kishte lidhur me traktatin e paqes të vitit 1448. Cytjet dhe trazimet në kufijt filluan rishtas. Por Skënderbeu u hodh menjëherë në vepërim duke hyrë me ushtëri nëpër krahinat që zotëronte Venetiku. Kjo gjendje vazhdoi gjer në Jenar të vitit 1452, kur Senati i Republikës hoqi dorë nga provokimet dhe nisi t’ia paguante përsëri pensionin Skënderbeut.
Sulltan Mehmeti II, i zënë n’Anadoll me princat e Karamanisë dhe të Mendeshës, nuk dërgoi ndonjë ushtëri kundër Shqipërisë gjatë vitit 1451. Kjo i la pak kohë të lirë Skënderbeut që të merrej me rindërtimin e vendit dhe me organizimin e mprojtjes. Ndreqi muret e kështjellës së Krujës dhe i vuri në gjendje që t’iu qëndronin topavet të rëndë. Ndërtoi një fortesë të re në Modricë, mbi një lartësirë të malit Shar, për t’iu mbyllur ushtërive turke hyrjen e Dibrës së Poshtëme pas humbjes së Sfetigradit. La aty një garnizon prej 400 vetash nën kumandën e Gjergj Stres Balshës, i cili duhej të vëzhgonte lëvizjet e ushtërive armike kur vinin nga Maqedonia dhe të jepte shenja me top. Nisi të ndërtonte gjithashtu një tjetër fortesë në kep të Rodonit, te gryka ku derdhet Drini në det. Atje shkonte vetë, pothuajse çdo ditë, për të shikuar punimet. Por një mëngjes, kur delte nga Kruja për të vajtur te kepi i Rodonit, iu qas një i panjohur edhe i tha se në pyllin e Krabit i kishin zënë pusinë për t’a vrarë. Një repart i gardës u dërgua menjëherë dhe zbuloi tetë veta t’armatosur, të fshehur në një shpellë. Në përpjekjen që u bë për t’i kapur të gjallë, pesë prej tyre u vranë dhe vetëm tre u dorëzuan. Këta treguan se ishin Turq të dërguar prej Sulltanit për të vrarë Skënderben. Kishin ardhur n’atë pyll t’udhëhequr prej dy Shqiptarësh, që mbetën të vrarë bashkë me tre shokë të tyre. Nuk dinin se cili kapedan shqiptar ua dha dy udhëheqësit për në pyll të Krabit, mbasi shokët e tyre që u vranë nuk ua kishin treguar. Dyshimi i parë ra mbi Dukagjinët, të cilët, n’atë kohë, ishin armiq me Skënderben, dhe Lek Dukagjini kishte famë të keqe për këso punësh. Por këta, më pastaj, u shpjeguan, u betuan dhe dolën të larë. Atëhere dyshimi kaloi me radhë mbi të bijtë e Aranitit, të zemëruar për pajën e tepërt që pat marrë motra e tyre, mbi Moisi Golemin dhe mbi Hamzë Kastriotin, të cilët, pak më vonë, dolën trathëtarë njëri pas tjetrit. Sidoqoftë, komploti i pyllit të Krabit tregon fillimin e trathëtive të brendëshme që e ndoqën Skënderben deri në rrethin familjar të tij. Këto nxitëshin, sigurisht, prej armiqve të jashtëm, por dëftejnë edhe se sa i vështirë ishte bashkimi i Shqiptarëvet dhe se sa pak e duronin krerët dhe kapedanët e vendit politikën përqëndronjëse të Skënderbeut.
Në verën e vitit 1452, porsa Sulltan Mehmeti II i pati duart e lira, dërgoi dy ushtëri turke në të njëjtën kohë për t’a vënë Skënderben midis dy zjarresh. I pari arriti Hamza Pasha me një fuqi prej 10.000 vetash, kurse kryekumandari, Talip Pasha, me 15.000 të tjerë, vinte nga një rrugë tjetër. Skënderbeu me ushtërinë shqiptare prej 14.000 vetash rendi më parë kundër Hamza Pashës, e goditi afër Modricës, më 21 të Korrikut, dhe e dërrmoi në pak orë duke e zënë rob atë vetë bashkë me tërë shtabin. Pastaj i dolli përpara Talip Pashës në fushën e Meçadit dhe i mori krahët me gardën e famshme, ndërsa Moisi Golemi me pjesën tjetër t’ushtërisë e sulmoi për ballë. Më parë se të niste beteja, Shqiptarët iu treguan Turqvet Hamza Pashën të lidhur bashkë me oficerët e shtabit të vet që ishin zënë rob. Megjithatë, ushtëria turke luftoi me tërbim deri sa Moisi Golemi, me një sulm të tmerruar, e çau përmidis, u fut deri në qendër dhe e vrau Talip Pashën me dorën e tij. E mbetur pa kumandar, ushtëria armike u shpartallua dhe Shqiptarët korrën një fitore të madhe. Sipas kronikanëvet, në këto dy beteja Turqit lanë përmbi 7.000 të vrarë, përveç robërvet. Të dy kampet me flamuret, me kuajt dhe me tërë plaçkat e tyre mbetën në duart e Shqiptarëvet. Për të liruar Hamza Pashën dhe oficerët e tjerë robër, Skënderbeu mori si shpërblim nga Sulltani 13.000 dukata.
Kjo fitore e dyfishtë kundër dy ushtërive të Sulltan Mehmetit II iu dha zemër Shqiptarëvet dhe bëri që të jehonte emri i tyre në tërë Evropën. Një gëzim tjetër solli pajtimi i Skënderbeut me Dukagjinët, që u bë në Shtator t’atij viti me ndërhyrjen e Papës Nikolla V nëpërmjet të peshkopit të Drishtit, Pal Engjëllit.
Në Prill të vitit 1453, megjithëse Mehmeti II bënte përgatitjet për të pushtuar Kostandinopojën, nuk e harroi Shqipërinë. Dërgoi një ushtëri prej 14.000 vetash nën kumandën e Ibrahim Beut, i cili desh të hynte nga ana e Tetovës. Por Skënderbeu i dolli përpara, e goditi befas ushtërinë turke në fushën e Pollogut, më 22 të Prillit, dhe e dërrmoi plotësisht duke vrarë me dorën e tij edhe Ibrahim Ben.
Më 29 Maj 1453, Sulltan Mehmeti II pushtoi Kostandinopojën ose Stambollin, siç e quajtën Turqit, edhe e bëri kryeqytet t’Osmanlinjvet duke i dhënë fund Perandorisë Bizantine mijëvjeçare. Kjo ngjarje shkakëtoi një tronditje të madhe n’Evropë, sepse pushtonjësi i Stambollit, pasi të siguronte sundimin e vet në Lindje, do t’i vërsulej Perëndimit. Mirëpo, përveç tronditjes psikologjike dhe disa mbledhjeve që u bënë aty-këtu, Evropa dukej në pamundësi lëvizjeje. Italia, e sidomos Mbretëria e Napolit dhe Republika e Venetikut, që kërcenohëshin drejtpërdrejt prej rrezikut turk, ndodhëshin të zëna me grindjet e brendëshme. Venetiku luftonte kundër Milanos, Napoli kundër Gjenovës dhe Firencës. Papa Nikolla V mundohej të paqësonte Italinë dhe i lëshoi zërin Krishterimit që të ngrihej me armë kundër Turqvet. Mendimi i njerëzve largpamës, n’Evropë, ishte për bashkimin e të gjitha forcavet të krishtere në një kryqëzatë të përgjithshme. Një mbledhje e madhe u bë në Romë për këtë qëllim; u bënë mbledhje nëpër qendra të tjera. Por nga këto thirrje s’dolli asgjë. Seicili prej princave ose shteteve të Perëndimit shikonte interesat e tija më të ngushta, në kundërshtim njëri me tjetrin. Enthusiazmi fetar i Mesjetës ishte ftohur, koha e kryqëzatavet kishte perënduar. Evropa hynte në periudhën e Rilindjes, me oborret princore që hahëshin në mes tyre kush të shkëlqente më shumë, pa një hov ndërmarrjesh të largëta ushtarake dhe pa një autoritet të lartë që t’i mblidhte tok.
Megjithatë, rënia e Stambollit në duart e Sulltan Mehmetit II, i cili pas këtij ngadhënjimi u mbiquajt Fatih (pushtonjës), u duk sikur do të sillte afrimin midis Venetikut dhe Napolit. Skënderbeu desh të përfitonte nga çasti psikologjik dhe iu drejtua për ndihmë Papës, Alfonsit V, Venetikut, Raguzës. Mori si përgjigje fjalë të mira dhe premtime. Me ndërmjetësinë e Raguzës hyri në marrëveshje me Hungarinë dhe Serbinë, që këta dy shtete të formonin me Shqipërinë një front ushtarak të përbashkët. Sepse, me gjithë zhurmat e Perëndimit dhe thirrjet e Papës, si fuqi të vërteta për të mprojtur qytetërimin evropjan, n’atë kohë, s’kishte veçse dy popuj dhe dy burra: Skënderbeu me Shqiptarët dhe Gjon Huniadi me Hungarezët. Papa Nikolla V u përpoq t’i ndihmonte këta të dy me sa i erdhi për dore.
Me shqetësimin që solli rënia e Stambollit, Skënderbeu shpresoi se do të ndihmohej nga Perëndimi për të çliruar Beratin dhe Sfetigradin. Me këtë mendim, nisi një dërgatë për në Napoli që të kërkonte ndihmën e Alfonsit. Mbasi dërgata u kthye pa bërë gjëkafshë, Skënderbeu u nis vetë për n’Itali, në Tetor të vitit 1453, i shoqëruar nga një provizor i Venetikut, me qëllim që t’i parashtronte Alfonsit planet e tija dhe t’i kërkonte ndihmën ushtarake, sipas traktatit të Gaetës, për t’i përzënë Turqit nga pjesët e shkelura të Shqipërisë. Dukej sikur Venetiku dhe Napoli po bashkohëshin këtë radhë për ta ndihmuar. Alfonsi V i premtoi artileri dhe ushtarë për të çliruar Beratin. Prej Napolit, Skënderbeu shkoi në Romë, ku u prit me nderime nga Papa Nikolla V, i cili i dhuroi edhe një shumë të hollash prej 5.000 dukatash.
Mjerisht, ndihmat e Perëndimit ishin të pakta dhe të pasigurta. Edhe bashkimi i menduar prej tij ish i pamundshëm. Disa muaj më vonë, në Prill të vitit 1454, Republika e Venetikut ua la të tjerëve barrën e luftës kundër Turqve dhe i këtheu krahët Perëndimit duke nënshkruar me Sulltanin një paqe të veçantë për të shpëtuar interesat e saja. Skënderbeu u përpoq të forconte lidhjet në Ballkan, dhe sidomos bashkëvepërimin ushtarak me Hungarinë.
Sulltan Mehmeti II, për të ndaluar krijimin e një fronti të përbashkët ndërmjet Hungarisë, Serbisë dhe Shqipërisë, nisi një ushtëri kundër Serbisë, më 1454, duke shpresuar në këtë mënyrë të hapte rrugën për në Hungari. Por Gjon Huniadi me ushtërinë hungareze kapërceu Danubin, hyri në Serbi, e theu ushtërinë turke, dhe kumandarin e saj, Feriz Pashën, e zuri rob.
Ndërkaq, Skënderbeu po bënte pregatitjet për rrethimin e Beratit. Këtë çështje e kishte biseduar sigurisht në Napoli, që më 1453, me Alfonsin V. Çlirimi i Beratit kishte një rëndësi strategjike të dorës së parë si për Shqipërinë ashtu edhe për sigurimin e Mbretërisë së Napolit. Sepse ky qytet, nga gjeografia dhe nga pozita natyrore e tij, ishte si kryeura m’e fortë e pushtimit ushtarak turk mu në zemër të Shqipërisë. Pasi të merrej Berati, hapej rruga për çlirimin e mëtejshëm të Vlorës dhe të Gjirokastrës, domethënë të krejt Toskërisë, ngaha Turqit kërcënonin Mbretërinë e Napolit. Por, për të thyer muret e Beratit, duhëshin topa.
Skënderbeut iu desh ndoshta t’i përsëriste disa herë kërkesat e tija. Më në fund, ndihmat e Alfonsit, 1.000 ushtarë këmbësorë dhe disa reparte artilerie me nja 18 topa, arritën në Maj të vitit 1455. Në Korrik të atij viti Skënderbeu e rrethoi Beratin me një ushtëri shqiptare prej 14.000 vetash dhe me repartet napolitane. Mendoi t’a zinte në befasi garnizonin dhe t’a merrte kështjellën pa gjak. Por Turqit, të lajmëruar prej ndonjë trathëtari, ishin në dijeni të punës dhe qenë bërë gati për qëndresë. Megjithatë, Shqiptarët e pushtuan qytetin dhe e shtrënguan rrethimin e kështjellës duke çarë me artileri një pjesë të murevet. Kumandari i garnizonit turk kërkoi një muaj afat për të dorëzuar fortesën. Skënderbeu s’desh të hynte fare në kësi bisedimesh, por më në fund u detyrua prej rrethit të tij dhe prej kumandarit të repartevet napolitane, Palerino-s, të jepte një armëpushim prej njëmbëdhjetë ditësh. Pastaj, duke e lënë ushtërinë nën kumandën e Muzakë Thopisë, ai vetë u largua me 4.000 trima të gardës për të marrë një fortesë tjetër, të cilën nuk e dimë se ku ishte. Largimi i Skënderbeut nga Berati, n’ato rrethana, ishte një gabim i tmerrshëm, dhe gabimi i dytë ishte që e la ushtërinë nën kumandën e të kunatit, Muzakë Thopisë, kurse aty kishte gjeneralë më të zotë dhe më të provuar. Ushtëria shqiptare, e çkujdesur, kujtoi se e kishte fortesën në dorë dhe u shtrua rreth Beratit si në dasmë. Mirëpo, përpara se të kalonin të njëmbëdhjetë ditët, arriti befas Isak Bej Evrenozi me një ushtëri turke prej 40.000 kalorësish të zgjedhur dhe, duke e gjetur ushtërinë shqiptare të papregatitur për qëndresë, e korri si me drapër. Më shumë se gjysma e Shqiptarëvet mbetën të vrarë bashkë me Napolitanët e Alfonsit. I tërë kampi dhe topat ranë në duart e Turqvet. Kur u kthye Skënderbeu në Berat, puna kishte mbaruar. Ata që mundën të shpëtonin iknin të tmerruar dhe s’kishte mbetur asnjë mundësi qëndrese. Sikur Isak Bej Evrenozi t’ecte drejt Krujës, mund t’a kishte marrë, se rruga ishte krejt e hapur. Por ai, i kënaqur me suksesin që pati në Berat dhe duke iu trëmbur emrit të Skënderbeut, nuk u shty më tutje. Pasi ndreqi muret e fortesës dhe vendosi aty topat e Alfonsit, la një garnizon të shëndoshë dhe u tërhoq nga Shqipëria.
Kjo tragjedi mundi të ngjante në këtë mënyrë sepse kishte pasur një trathëtar që i vuri Turqit në dijeni të pregatitjevet dhe të planit të Skënderbeut për rrethimin e Beratit. Trathëtari ishte Moisi Golemi, gjenerali m’i mirë i Skënderbeut. Si kumandar i forcave të kufirit, ai gjeti një shkak për të mos ardhur në rrethimin e Beratit, se gjoja ishte i nevojshëm të qëndronte në Dibër. Nga ana tjetër, lajmëroi Turqit mbi qëllimin e Skënderbeut dhe i hapi udhën Isak Bej Evrenozit që t’a zinte ushtërinë shqiptare si në kurth. Pastaj kaloi kufirin dhe u hodh nga anë e Sulltanit. Ushtëria që ai kumandonte nuk e ndoqi në rrugën e trathëtisë dhe qëndroi në vend.
Kjo ngjarje desh e përmbysi Skënderben. Tërë bota kujtoi se i erdhi fundi. Venetiku rifilloi të fuste spicat e përçarjes. Disa nga kapedanët shqiptarë zunë të kërkonin mprojtje djathtas e majtas. Dukagjinët u lidhën përsëri me Turqit. Sa për Gjergj Aranitin, ai nuk përmendet në këtë kohë sepse kishte hyrë në shërbim të Venetikut dhe marrëdhëniet e tija me të dhëndrrin ishin ftohur fare.
Kushdo tjetër në vend të Skënderbeut do t’ishte përmbysur me të vërtet. Por ai u mbajt si një shkëmb graniti që s’e shkepin dot tallazet as furtunat. Nuk u trondit as nga gjëma e Beratit as nga trathëtia e Moisiut. Me vullnetin e tij të çeliktë dhe me pështetjen e madhe që gëzonte në popull e mori përsëri vehten, e rikrijoi ushtërinë e gjysmuar dhe vazhdoi qëndresën si më parë.
Alfonsi V, edhe pas mjerimit të Beratit, nuk i prishi lidhjet me Skënderben dhe vazhdoi t’a ndihmonte pak a shumë si më parë. Papa dhe princa të tjerë evropjanë i dërguan fjalë të mira për ta ngushulluar. Për fat të keq, armiqësia ndërmjet Napolit dhe Venetikut pengonte ndihmat në një shkallë më të gjerë që Skënderbeu mund të kishte marrë prej Perëndimit. Megjithatë, vullnetarë në një numër të kufizuar vazhduan të vinin nga të gjitha viset e Evropës, Italianë, Frengj, Gjermanë e Anglezë, për të luftuar pranë herojt shqiptar.
Disa auktorë kanë dashur të shikojnë në trathëtinë e Moisiut dhe në të tjerat që ngjajtën më pas përzjerjen e tepëruar të mbretit të Napolit ose t’agjentëve të tij në punët shqiptare. Venetiku e luftonte ndërhyrjen napolitane duke futur spica nër krerët shqiptarë dhe deri në rrethin më të ngushtë të Skënderbeut. Nga ana tjetër, Sulltan Mehmeti II kërkonte të ndante e të përçante për t’a përmbysur Skënderben me anën e trathëtive të brendëshme. Por këto mënyra s’ka shtet imperialist që të mos i përdori, dhe Romakët e vjetër i patën shprehur me dy fjalë: ndaj e sundo. Duhen shikuar më fort arësyet e brendëshme që shtynë Moisinë, dhe të tjerët pas tij, të trathëtonin. Arësyeja e parë është se të gjithë këta kapedanë bashkimin rreth Skënderbeut e shikonin si një besëlidhje, si një shoqërim midis të barabartësh, dhe jo si një disiplinë, si një nënshtrim hierarkik kundrejt një autoriteti. Kjo mendësi ose kjo natyrë është i pari shkak që ka penguar formimin e një shteti shqiptar gjatë shekujvet dhe që e ka shpërndarë racën shqiptare në të katër anët, si kashtën q’e merr era. Moisi Golemi ishte nga familja e Aranit-Komnenëvet dhe pikërisht i nipi i Gjergj Aranitit që u bë vjehrri i Skënderbeut. Të Parët e tij kishin qënë kryezotër të principatës s’Arbërisë, e cila pastaj kaloi në duart e Kastriotëvet. Nga trimëria dhe zotësia për të kumanduar në luftë Moisiu i kishte të rrallë shokët. Skënderbeu ia pat shpërblyer shërbimet sipas vleftës, duke e nderuar sa duhej dhe duke i falur krahinat e Dibrës, ku ai qëndronte vazhdimisht si kumandar i forcave të kufirit. Megjithatë, duket se Moisiu nuk e duronte dot famën dhe autoritetin e Skënderbeut si edhe politikën përqëndronjëse të tij. Ndoshta u shtyt edhe nga e shoqja, Zanfina Muzaka, e cila e urrente familjen e Kastriotëvet, sepse burri i parë i saj, Muzakë Thopia, pasi u nda nga kjo, u martua me Mamicën, të motrën e Skënderbeut.
Sidoqoftë, Moisi Golemi – ose Moisiu i Dibrës, siç e quanin – mendoi të bëhej sundimtar i Arbërisë me forcën e Turqvet dhe si vasal i Sulltanit. Kujtoi se Skënderbeu nuk do t’a merrte dot vehten pas katastrofës së Beratit. U nis nga Stambolli në Prill të vitit 1456, me një ushtëri turke prej 15.000 kalorësish të zgjedhur, edhe arriti në kufi për të përmbysur Skënderben dhe për t’i hedhur atdheut prangat e robërisë. Nuk ishte e para as e fundit herë që e gjora Shqipëri shpërblehej në këtë mënyrë prej bijve të saj!
Skënderbeu i dolli përpara trathëtarit në Dibrën e Poshtëme me një ushtëri prej 12.000 vetash. Më 18 të Majit, të dy ushtëritë u rreshtuan kundrejt njëra-tjetrës. Thuhet se ndeshja filloi me një dyluftim homerik: një kapadai turk kërkoi të matej me atë më trimin e Shqiptarëvet. I dolli përballë Zaharia Gropa dhe, pas një përpjekjeje t’ashpër, e shtriu të vdekur Anadollakun. Atëhere Moisiu, për të ngritur moralin e ushtërisë turke, dolli përpara dhe ftoi në dyluftim Skënderben. Ky iu lëshua drejt për t’ia plotësuar dëshirën, megjithëse rrethi i tij u përpoq t’a ndalonte. Por Moisiu, kur pa Skënderben përballë, nga turpi ose nga frika, s’mundi të qëndronte, i këtheu frerin kalit dhe u tërhoq me vrap në mes të talljevet dhe vërshëllimavet t’ushtërisë shqiptare. Një rrebesh i fortë e ndaloi atë ditë betejën, e cila u zhvillua të nesërmen, më 19 Maj, në fushën e Oranikut. Moisiu luftoi si i tërbuar, por megjithatë ushtëria e tij u dërrmua plotësisht duke lënë 10.000 të vrarë e të plagosur.
Pas kësaj disfate, Moisiu, i penduar, erdhi e i kërkoi ndjesë Skënderbeut, i cili e fali, ia këtheu prapë pasurinë edhe i dha shkallën që kishte pasur n’ushtëri. Pastaj Moisiu shërbeu me besnikëri deri në fund nën urdhërat e Skënderbeut.
Në verën e atij viti, Sulltan Mehmeti II ndërmori një fushatë të madhe kundër Hungarisë, por ushtëria e tij u dërrmua prej Gjon Huniadit, përpara Belgradit, më 14 Korrik 1456. Kjo fitore e Hungarezëvet pati një oshëtimë të madhe n’Evropë, se thuhej që ushtëria turke la përmbi 20.000 të vrarë dhe humbi të tërë artilerinë e saj. Skënderbeu i dërgoi përgëzimet e tija Gjon Huniadit, por ai u sëmur dhe vdiq pak ditë pas fitores, në kulmin e lavdisë.
Në Tetor të vitit 1456, një tjetër trathëti ngjau në radhët e Shqiptarëvet. Gjergj Stres-Balsha, nip motre i Skënderbeut, iu lëshoi Turqve kështjellën e Modricës kundrejt një shume të hollash. Që të dukej sikur kështjella ra nga moskujdesja, ai bashkë me të gjithë garnizonin dolli për gjah në një ditë të caktuar, duke i lënë portat hapur, dhe Turqit hynë brenda pa derdhur gjak. Gjergji me të vëllanë, Gjokë Stres-Balshën, u arrestuan dhe u dërguan në burg, në Napoli.
Por trathëtia arriti kulmin më 1457, kur Hamzë Kastrioti, nipi dhe bashkëpunëtori m’i afërt i Skënderbeut, u hodh nga anë e Turqvet. Hamza ishte djali i vëllajt më të madh të Skënderbeut dhe i një zonjë turke, e cila jetonte akoma në Turqi. Që në fillim të kryengritjes, Hamza pat shërbyer pranë t’ungjit si krahu i djathtë i tij. Ishte i zgjuar, i zoti, trim dhe dinte të fitonte zemrën e ushtarëvet. Skënderbeu i pat besuar kumanda të rëndësishme, dhe ai qe treguar në lartësinë e duhur. Por kishte ca kohë që ankohej kundrejt t’ungjit sepse ky nuk ia shpërblente shërbimet aq sa vlenin ose nuk i pat dhënë pjesën e principatës që i takonte. Përsa kohë që Skënderbeu ishte i pamartuar, Hamza shpresonte të mbetej trashëgimtari i tij. Por kur ai u martua dhe sidomos kur i lindi një djalë, më 1456, Hamza humbi çdo shpresë për të trashëguar principatën e Kastriotëvet. I shtytur ndoshta edhe prej Venetikut dhe i këshilluar prej s’ëmës, e cila kishte ardhur t’a shihte, Hamza kapërceu fshehtazi kufirin me grua e fëmijë dhe shkoi në Stamboll ku u vu në shërbim të Sulltanit.
Kjo ishte një nga ngjarjet më fatkeqe që iu përplasnë mbi krye Skënderbeut, sepse këtë radhë trathëtari ishte nga gjaku i Kastriotëvet, pat qënë bashkëpunëtori m’i ngushtë i tij dhe ia njihte më së miri strategjinë dhe manevrimet taktike.
Në Korrik të vitit 1457, Hamzë Kastrioti hyri në Shqipëri me një ushtëri turke prej lart nga 50.000 vetash, shumica kalorës, nën kumandën e Isak Bej Evrenozit1, i cili ishte i provuar në luftën kundër Shqiptarëvet. Kumandari turk kishte urdhër të këshillohej për çdo punë me Hamzën, të cilin Sulltani e kishte emëruar sundimtar të Krujës.
Këtë radhë duhej që Skënderbeu të përdorte një strategji të re, një plan të pazbuluar deri atëhere, sepse Hamza ia njihte mirë mënyrat e taktikës dhe të strategjisë, e njihte mirë vendin dhe ushtërinë shqiptare. Fuqia e Skënderbeut arrinte në 12.000 veta. Kërkoi ndihmën e aliatëvet. Krerët shqiptarë i dërguan nja 5.000 ushtarë. Papa Kalisti III i çoi ca ushqime dhe municione. Alfonsi i Napolit s’mundi t’a ndihmonte.
Hamza e këshilloi kumandarin turk se duhej çfarosur ushtëria shqiptare përjashta kështjellavet dhe se ishte e kotë që të rrethohej Kruja nëqoftëse Skënderbeu me fuqinë kryesore të tij do të mbetej prapa krahëvet. Kështu ushtëria turke kaloi prej Dibre në Mat duke ndjekur Skënderben, i cili bëri sikur u trëmb dhe tërhiqej. Më në fund dha përshtypjen se ushtëria e tij u shpartallua dhe se ai po vinte rreth për të shpëtuar vehten. Kjo manevër e tij u besua si e vërtetë sepse, më 31 Korrik, kumandari i Venetikut në Durrës, Marko Diedo, lajmëronte dogjin e Republikës që Skënderbeu po endej malevet për të shpëtuar kokën, i braktisur prej gjithë krerëvet të cilët kishin shkuar të bashkohëshin me Turkun. Tekembramja, këtë manevër e besuan, si duket, edhe Hamzë Kastrioti me Isak Bej Evrenozin, të cilët s’po e ndeshnin gjëkundi ushtërinë shqiptare. Turqit zbritën në bregun e lumit të Matit dhe e vendosën kampin në fushën e Albulenës, afër Milotit, në perëndim të malit të Tumenishtit. Skënderbeu e kishte fshehur ushtërinë e tij rreth këtij mali dhe s’po jepte shënja gjëkundi. Si kaluan ca javë pa ngjarë gjëkafshë, disiplina u çlirua n’ushtërinë turke, rojet u çkujdesën, sidomos ditën, në kohën e vapës, ku s’parashihej asnjë rrezik; disa flinin, disa shtrihëshin hijevet, kuajt kullosnin të lirë, kumandarët bisedonin nëse duhej të prisnin akoma apo t’i vërsulëshin Krujës.
Por ditën e 7 Shtatorit, Skënderbeu e ndau ushtërinë e tij në tri pjesë dhe i goditi Turqit nga tri anë të ndryshme, mu në piskun e vapës kur ata nuk e prisnin. Sulmi i tij qe aq i rrufeshëm dhe aq i papritur, saqë Turqit nuk patën kohë të formonin rreshtat as t’organizonin njësitë e tyre për një qëndresë të rregullt. Prandaj në fushën e Albulenës u bë kërdia, ku thuhet se mbetën 20.000 Turq të vrarë. Ata që mundën të shpëtonin iknë nga syt këmbët, pa kumandë dhe pa rregull. I tërë kampi i ushtërisë turke megjith tëndën e kryekumandarit mbet në duart e Shqiptarëvet. Midis 1.500 robërve ishte edhe Hamzë Kastrioti vetë, të cilin e zuri të gjallë Zaharia Gropa dhe ia pruri të lidhur Skënderbeut. Plaçkat ishin të panumërta. Kuaj u kapën me mijëra. Në tëndën e kryekumandarit, Skënderbeu gjeti një shumë të madhe të hollash, gjysmën e të cilavet ia dha Moisi Golemit për zotësinë dhe trimërinë e jashtëzakonshme që ky tregoi atë ditë. Moisiu ua shpërndau ushtarëvet.
Hamzë Kastriotin Skënderbeu e dërgoi të burgosur në Napoli, ashtu siç kishte bërë për Gjergj dhe Gjokë Stres-Balshajt. Me atë i dërgoi Alfonsit si dhuratë disa kuaj e flamure të zënë si edhe tendën e kryekumandarit turk.
Fitorja e Albulenës ishte një nga më të plotat dhe më të shkëlqyerat që pat korrur Skënderbeu. Buja e saj n’Evropë qe e madhe. Papa Kalisti III e lajmëroi me gëzim në të gjitha anët dhe, në Dhjetor t’atij viti, i dha Skënderbeut titullin “Kapiten i Përgjithshëm i Selisë së Shënjtë”.
Pas vdekjes së Gjon Huniadit, Skënderbeu dhe Shqipëria mbetëshin si mburoja m’e fortë e Evropës kundrejt Osmanllinjvet. Po për sa kohë akoma do të vazhdonte kjo qëndresë? Kalorësi anglez John of Newport, i cili shërbente si vullnetar n’ushtërinë e Skënderbeut, shkruante pas vdekjes së Huniadit: “Invadimi i Evropës është i sigurtë, se s’ka fuqi tjetër që mund t’a bëjë këtë qëndresë po të bjerë edhe fortesa shqiptare”.
Fushata e Skënderbeut n’Itali për t’i siguruar fronin mbretit Ferdinand të Napolit është një epizod jo më pak i lavdishëm i historisë së tij. Alfonsi V i Aragonës kishte vdekur më 1458. Djali i tij natyror, Ferdinandi, gjeti kundërshtime për të trashëguar fronin e Napolit, të cilin, përpara Alfonsit, e kishte pasur dinastia frënge e Angjevinëvet. Trashëgimtari i kësaj dinastie, princi René d’Anjou, i ndihmuar nga mbreti i Francës, Karli VII, u çua të kërkonte të drejtat e vjetra mbi fronin e Napolit. U bashkuan me të pjesa m’e madhe e banorëvet t’Italisë jugore duke u ngritur kundër Ferdinandit. Kryengritësit udhëhiqëshin nga princi i Tarantos, Giovanni Antonio Orsini, nga Duka i Kalabrisë, Jean d’Anjou, i biri i princit René, dhe nga kondottieri i famshëm Giacomo Piccinino. Kjo grindje e ndau Italinë në dy kampe. Në fillim, u tregua kundër Ferdinandit edhe Papa Kalisti III; por ky vdiq shpejt, dhe Piu II, që i zuri vendin, mori anën e mbretit të Napolit. Shtëpinë e Aragonës e përkrahte edhe Duka i Milanos, Francesco Sforza, i cili kishte qënë aliat i Alfonsit V. Kurse Venetiku dhe Firenca qëndruan asnjanës.
Natyrisht, Skënderbeu kishte interes që në fronin e Napolit të mbetej Shtëpia e Aragonës, me të cilën kishte miqësi dhe aliancë. Aq më fort kur këtu bashkohej edhe politika e Papës.
Por në të parat përpjekje me armë, sidomos në betejën që u bë në Sarno më 7 Korrik 1460, Ferdinandi u thye keqas. Një pjesë e banorëvet dhe e qytetevet që kishin qënë me të deri atëhere, e lanë dhe u bashkuan me anën kundërshtare. Në këtë kohë i erdhi ndihma e parë e Skënderbeut dhe, një vit më vonë, u hodh n’Itali ai vetë, i cili e këtheu krejt gjendjen.
Në Shtator të vitit 1460, Skënderbeu i dërgoi Ferdinandit një trupë prej nja 500 kalorësish të zgjedhur, ndoshta edhe disa këmbësorë, nën kumandën e Gjon Stres Balshës. Zbritjen e këtyre n’Itali ia lajmëron nga Napoli Dukës së Milanos ambasadori i tij, Antonio Da Trezzo, me një letër të datës 1 Tetor 1460. Kjo kalorësi, megjithëse e pakët në numër, e përmirësoi disi gjendjen e Ferdinandit dhe la nam nga shpejtësia e lëvizjevet. Kuajt e tyre kanë vrap të madh, tregon da Trezzo, dhe bëjnë me lehtësi 30 a 40 mila kur kalorësit italianë mezi bëjnë 10 a 12. Duket se me ndihmën e këtyre pak Shqiptarëve Ferdinandi i ripushtoi tokat nga Capua në Benevento, në javën e fundit të Tetorit, dhe mposhti disa baronë kryengritës. Se sa e shqetësoi anën kundërshtare kjo ndihmë e vogël Shqiptarësh dhe frika se mund të vinin ndihma të tjera siç po flitej, kuptohet nga letra që princi i Tarantos, Antonio Orsini, m’i fuqishmi nga armiqtë e Ferdinandit, i dërgonte Skënderbeut, më datën 10 Tetor 1460. Me fjalë të bukura lavdërimi dhe duke e quajtur “mik shumë të shtrenjtë”, Antonio Orsini mundohet t’i mbushi mendjen Skënderbeut se çështja e Ferdinandit ishte e humbur, se shumicën e krerëvet dhe të popullit ai i kishte kundër, se ndihma e Shqiptarëvet s’mund t’a ndryshonte fatin e tij, se Skënderbeu ato forca, në vend që t’i rrezikonte kot, do të bënte më mirë t’i përdorte në luftën kundër Turqvet, se s’ishte e drejtë që të dërgonte njerëz për të dëmtuar tokat e këtij dhe të “mbretit” René d’Anjou, nga të cilët jo vetëm që s’kishte parë kurrë ndonjë të keqe po edhe mund të shpresonte përkrahje e përfitime më tepër nga ç’kish pasur prej mbretit t’Aragonës etj.
E kemi përmendur më sipër përgjigjen që Skënderbeu i dha princit të Tarantos më 31 Tetor 1460. E kujton me fjalë të përmalluara Alfonsin e Aragonës dhe ndihmën që ai i pat dhënë; thotë se, për detyrë mirënjohjeje, do t’a mpronte të birin e atij, me sa fuqi që kishte, ashtu siç ia donte nderi, dhe s’desh të dinte për dinastinë frënge as t’a njihte ndryshe veçse armike. E padit princin e Tarantos për trathëtinë kundrejt Ferdinandit dhe si shtytës të kryengritjes. I përmend se, me një ushtëri të vogël, ai pat mundur përpara Krujës Sulltanin e Turqve, i cili kishte një fuqi shumë më të madhe nga ajo e armiqve të Ferdinandit; se Shqiptarët quhëshin Epirotë, dhe se të Parët e tyre kishin zbritur edhe tjetër herë n’Itali, ku patën bërë me Romakët luftime të mëdha duke dalë me nder; se, për të vazhduar luftën kundër Turqvet, ai nuk kishte nevojë për këshillat e princit të Tarantos, por ky do të bënte më mirë t’i sillte fuqitë e tija kundër atyre armiqve të përbashkët në vend që të ngrinte krye kundër Ferdinandit etj.
Pas një përmirësimi të përkohshëm, gjendja e Ferdinandit u keqësua përsëri në verën e vitit 1461. Kështu që vajtja e Skënderbeut n’Itali u bë m’e nevojshme se kurrë. Prej vitit 1458, kryetrimi shqiptar i kishte ndrequr marrëdhëniet me Venetikun. Por duhej të siguronte vendin prej rrezikut turk dhe të pajtohej me Dukagjinët, të cilët këtë radhë ishin lidhur me Turqit. Iu vu punës pa humbur kohë dhe me durimin e tij të jashtëzakonshëm i rregulloi këto çështje njërën pas tjetrës. Pajtimi me Dukagjinët ishte i vështirë. Por me një letër të Papës Piu II i cili i kërcënonte me çkishërim, kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli, i detyroi Dukagjinët t’i këpusnin lidhjet me Turqit dhe t’afrohëshin përsëri me Skënderben. Ky pastaj, në prendverën e vitit 1461, bëri me Sulltanin një armëpushim për gjashtë muaj, ose ndoshta për një vit. E i dërgoi mandej një ambasador Ferdinandit për t’a lajmëruar se ishte gati t’i vinte në ndihmë me 1.000 kalorës dhe 2.000 këmbësorë. Këtë lajm ia njoftojnë Dukës së Milanos me shumë gëzim Da Trezzo, me një letër të datës 12 Qërshor 1461, dhe vetë mbreti Ferdinand, me një letër të 21 Korrikut.
Në Gusht 1461, Skënderbeu, me një ushtëri prej 3.000 vetash, duke pasur me vehte Moisi Golemin dhe Zaharia Gropën, u nis për n’Itali. Kaloi nga Raguza, ku u prit me nderime të mëdha prej popullit dhe prej zyrtarëve të Republikës, një pjesë e mirë e të cilëve ishin Shqiptarë. Më 24 Gusht, iu bë një pritje madhështore prej Senatit të Raguzës, i cili i dorëzoi edhe një ndihmë në të holla për fushatën e tij n’Itali.
Skënderbeu zbriti në Pulje në një kohë kur gjendja e Ferdinandit ishte krejt e dëshpëruar. Përveç Napolit, i kishin mbetur vetëm dy fortesa, e Barlettës dhe e Tranit, po edhe kjo e fundit ishte në dorën e një trathëtari. Ferdinandi vetë ndodhej i rrethuar në Barletta, ku, sipas një historiani sypamës, Giovanni Pontano, s’i mbetej tjetër veçse t’ikte me turp nga anë e detit për të shpëtuar kokën, ose të hidhej i dëshpëruar kundër armiqve duke rrezikuar qind për qind vetvehten, ose të dorëzohej i gjallë. Ardhja e Skënderbeut dhe e ushtërisë shqiptare e këtheu krejt gjendjen në favor të Ferdinandit. Porsa zbritën trupat e para, armiqtë filluan të tërhiqëshin, siç i shkruan vetë Ferdinandi së motrës, Isabella, më 25 të Gushtit 1461. Shqiptarët e shtrënguan kontin Piccinino t’a lëshonte rrethimin e Barlettës dhe të zmbrapsej sa më tutje. Ferdinandi e priti Skënderben si çlironjës duke i shfaqur mirënjohjen më të thellë. Armiqtë u tërhoqën në drejtim të Lukanisë, rrugët u hapën, dhe Ferdinandi u nis më 5 të Shtatorit për në San Bartolomeo in Galdo, ku do të bashkohej me fuqinë që sillte i vëllaj i Dukës së Milanos, Aleksandër Sforza. Skënderbeu mori në dorëzim Barlettën dhe, prej kësaj baze, me goditjet e rrufeshme të kalorësisë së lehtë shqiptare e shkatërroi kalorësinë e rëndë të princit të Tarantos dhe të kontit Piccinino duke i ndjekur këmba këmbës dhe duke kallur tmerrin në radhët e tyre. Në pak kohë, e shtriu kontrollin e tij mbi të tërë Puljen. Siç thotë Giovanni Pontano, Skënderbeu i përmbysi të gjitha planet dhe manevrat e armiqve të Ferdinandit, edhe e mbushi Italinë me admirim dhe me famën e emrit të tij të madh.
Auktorët e kohës i shpjegojnë sukseset e Shqiptarëvet nga se këta, të regjur në betejat kundër Turqve, kishin një tjetër mënyrë luftimi, sulmonin me kuaj të shkathët e të lehtë, me një shpejtësi lëvizjesh të jashtëzakonshme, kundër kalorësisë së rëndë italiane që ishte e ngarkuar me hekurishte të kota.
Kumandari i kështjellës së Tranit, Antonio Infusado ose Foxa, i qe çpabesur mbretit të tij dhe ish lidhur me princin e Tarantos duke u bërë një armik i rrezikshëm. Ferdinandi qe përpjekur me të gjitha mënyrat për ta sjellë n’udhë, po ishte e pamundur. Skënderbeu e mori përsipër t’a kryente atë punë pas mënyrës së tij. E thirri Infusadon për një bashkëfjalim, e zuri të gjallë me gjithë rojet që kishte, e lidhi me hekura dhe e shtrëngoi t’ia dorëzonte fortesën. Kështu shpëtoi edhe Trani nga thonjtë e armiqvet.
Në katër muaj, Skënderbeu e ndryshoi krejtësisht gjendjen n’Italinë jugore. Ferdinandi e mori situatën në dorë. Armiqtë e tij i humbën shpresat. Disa nga banorët kryengritës zunë t’i shtrohëshin mbretit njëri pas tjetrit. Princi i Tarantos, i dërrmuar prej Skënderbeut, kërkoi paqen.
I lajmëruar prej së shoqes Donika se Turqit kishin filluar të lëviznin në kufi, Skënderbeu u nis prej Italie në fillim të Shkurtit 1462. Më 6 të atij muaji arriu në Raguzë, ku u prit përsëri me nderime të mëdha, e prej andej zbriti në Shqipëri.
Siç shihet, Skënderbeu nuk mori pjesë në betejën përfundimtare që u bë në Troja, më 18 Gusht 1462, ku Ferdinandi iu dha grushtin e fundit armiqve të tij që kumandohëshin nga Duka Jean d’Anjou dhe nga kondottieri Piccinino. Por këtë triumf të Ferdinandit e pregatiti Skënderbeu gjatë atyre katër muajve që luftoi n’Itali. Ky e këtheu krejt gjendjen në favor të mbretit të Napolit, ky i mposhti baronët, i shpartalloi fuqitë e princit të Tarantos, shtiri në dorë kështjellën e Tranit, ua theu guximin armiqvet, e shpëtoi Ferdinandin nga një humbje e sigurtë dhe e bëri të zotin e situatës. Fitorja e fundit që mbreti i Napolit pati në Troja, qe pregatitur prej Skënderbeut. Dëshminë më të mirë mbi këtë të vërtetë na e jep vetë Ferdinandi, i cili i mbeti mirënjohës për jetë Skënderbeut, edhe e quante “i dashur si atë, i shkëlqyer e shpirtmadh”. Pas vdekjes së herojt, mori nën mprojtje të venë, Donikën, dhe të birin, Gjonin, duke i ndihmuar dhe duke i rrethuar me të gjitha nderimet.
Sipas disa dokumentave më të reja, Skënderbeu ka bërë edhe një udhëtim tjetër në Napoli, në Prill të vitit 1464. Këtë herë i ka dhënë Ferdinandi tokat Monte San Angelo dhe San Giovanni Rotondo, në Pulje.