Shkruar nga: Edison Ypi
Vdiq Poeti Piro Kuqi. Nga uria ? Jo nga uria. Nga uria vdesin fukarenjtë. Poeti Piro Kuqi ishte i pasur. Njëqind dollarot në muaj që i jepte shteti Poetit Piro Kuqi i mjaftonin e i tepronin për të ngrënë e për të pirë. Nga të ftohtit ? As nga të ftohtit. Shpella me tulla, kartona, dërrasa, ku jetonte Poeti Piro Kuqi e fuste erën dhe shiun nga të gjitha anët, por Poeti Piro Kuqi i mbledhur me rrecka ngrohej duke u rrënqethur nga zjarri i bukurisë së vargjeve si; “Ik moj gjethe nëpër natë, ikë mos më rri tek dera, se dimri ishte aq i gjatë, sa frikë po kam dhe nga pranvera”. Poeti Piro Kuqi nuk vdiq nga asnjë shkak material. Poeti Piro Kuqi erdhi natën, shtyu portën, trokiti kalldrëmin, ndali në verandë, pa orgjinë që bëhej brenda, u skuq, u zverdh, u zbardh, u nxi, u lemerit, dhe iku. Po kush ishte Poeti Piro Kuqi ? Është më lehtë të përgjigjesh kush ishte Jezu Krishti se kush ishte Poeti Piro Kuqi. Poeti Piro Kuqi ishte një kujnajë njerëzore përsosmërisht e mbyllur, e mbytur, e bukur. Prezenca e tij ishte mungesa e tij. Poeti Piro Kuqi erdhi në jetë jo për t’u dukur, por për t’u zhdukur. Vdekëtarët banalë lodhen të bien në sy me prezencë. Poeti Piro Kuqi ishte nga fort të rrallët të cilët mbi qiellin e zi të botës sonë vijnë e ikin si kometat për të sfiduar rregullin në dukje të pandryshueshëm të rënies në sy me prezencë. Poeti Piro Kuqi ishte një urtësi, një mbyllje, një arratisje e vullnetëshme në honet e errëta të ekstazave medituese. Skllav i përulur i fjalës së zgjedhur, Poeti Piro Kuqi i pamposhtshëm, na la shembullin e rrallë të Poetit që refuzoi çdo kompromis me materialitetin. Një strehë më të rehatshme dhe disa orendi Poetit Piro Kuqi mund t’ja jepte kushdo. S’ishte ky problemi. Problemi dhe zgjidhja e problemit, çudia, fati, mrekullia, shenjtëria, ishte se Poeti Piro Kuqi qe refuzues i materialitetit deri në vetëflijim. Nuk e refuzoi jeta Poetin Piro Kuqi. Poeti Piro Kuqi refuzoi jetën. Nuk foli. Nuk udhëtoi. Nuk bleu. Nuk konsumoi. Ndoshta as nuk hëngri, e as frymë nuk mori. A ishte i ndjeshëm Poeti Piro Kuqi ? Sa s’thuhet, sa s’shkruhet, sa s’shikohet, sa s’dëgjohet, sa s’ulëritet, sa s’dihet, sa s’njihet, sa s’këndohet, sa s’pentagramohet, sa s’filmohet, sa s’gdhëndet, sa s’kuptohet, sa s’besohet. I pangjashëm me asnjë dhe me asgjë, Poeti Piro Kuqi jetoi kohën e tij. Jo këtë që njohim ne. Një tjetër e cila ishte e gjitha e tija.