Shkruan: Georg Stadtmüller, Leipzig
Gjergj Fishta qëndron aq lart ndër poetët e letërsisë së re shqiptare sa, ai jo vetëm se mund të jetë poet kombëtar, porse njëkohësisht edhe si mishërim simbolik i letërsisë kombëtare shqiptare. Ai njëkohësisht është marrë me poezinë epike, lirike dhe dramatike. Me anë të epikës heroike Lahuta e Malcisë ai bëhet poet i njohur kombëtar shqiptar, e cila (vepër) brenda një kohe të shkurtër është pranuar në tërë Shqipërinë si epikë kombëtare.
Në prejardhjen dhe natyrën e tij Gjergj Fishta është një bir i vërtetë i popullit shqiptar. Ai ka lindur me 23 tetor 1871 në fshatin Fishtë, (Zadrimë), në rrafshinën veriore shqiptare (në jug të Shkodrës ). Në vitet rinore ai hyri në rregullin françeskan dhe studioi filozofinë e teologjinë në seminarin françeskan në Bosnie. Pas shugurimit si prift, ai më 1894 kthehet në vendlindje. Ai për disa vite fillimisht mëson në kolegjin e françeskanëve të Shkodrës, pastaj veproi si prift për një kohë të gjatë në Gomsiqe. Në vitin 1902 paraqitet në publik pasi emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër ku dhe kishte futur gjuhën shqipe si gjuhë mësimi, për çka në atë kohë ishte një risi që binte në sy. Nga kjo kohë ai ishte një figurë e padiskutueshme në jetën shpirtërore dhe politike të popullit shqiptar.
Ai ka qenë anëtari më i rëndësishëm i shoqërisë Bashkimi. Si përfaqësues i shoqërisë në vitin 1908 ai mori pjesë në Kongresin Shqiptar të Manastirit ku edhe zgjidhet njëzëri si drejtues i tij. Në vitin 1916 gjatë okupimit austro-hungarez ai (bashkë)punonte në Komisien Letrare.
Që në rininë e tij poeti detyrën e tij jetësore e kishte parë në atë për të luftuar me fjalë dhe shkrim për zgjimin kombëtar të popullit të tij, për çlirimin nga pushteti i huaj turk dhe për mbrojtjen nga pretendimet territoriale kundrejt tokave shqiptare nga serbët dhe grekët. Ai me përkushtim ndërhyn me fjalë e shkrim në të gjitha çështjet aktuale që e preknin popullin e tij të dashur. Vargjet e tij krenare e mbanin gjallë vetëdijen kombëtare dhe vullnetin e ardhmërisë etnike.
Në vitin 1913 në Shkodër, që në atë kohë ishte e okupuar nga trupat ndërkombëtare, themelon Hyllin e dritës, e cila që nga ajo kohë bëhet qendër letrare e jetës shpirtërore të Shqipërisë Veriore.
Në përfundim të Luftës Botërore (I Botërore, vër. e përkth.), ai dërgohet në Konferencën e Paqes në Paris si sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar, ku ai pati një rol kryesor në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Pastaj ishte edhe anëtar i Komisionit të veçantë që dërgohet në Washington për ta përfaqësuar çështjen e shtetit të ri shqiptar tek qeveria e SHBA-ve. Që nga krijimi i parlamentit shqiptar, poeti ishte pjesë e tij, fillimisht si deputet, pastaj që nga gushti i 1921 edhe si nënkryetar i parlamentit. Edhe në kohën vijuese ai luante një rol të rëndësishëm në jetën politike. Kështu që në vitin 1930 ishte pjesë e delegacionit që përfaqësonte Shqipërinë në konferencën ndërballkanike në Athinë.
Më shumë se aktiviteti i tij i drejtpërdrejtë politik, Fishta ndikoi në fatin e popullit të tij me poezitë e tij. Talenti i tij i lindur poetik shpërtheu që në rininë e tij. Poezitë e para i publikoi me pseudonime të ndryshme në revistat Albanija, Diturija, Dielli, Nazione Albanese, Përparimi si dhe në shumë gazeta dhe revista tjera. Pastaj në vitin 1905 në Zarë publikohet ajo vepër që do ta bëjë si poet të adhuruar kombëtar të popullit të tij. Pjesa e parë e poezisë epike Lahuta e Malcisë që mbante nëntitullin Te ura e Rzhanicës. Aty poeti i këndon pesë këngë me gjithsej 1110 vargje krejt në stilin popullor të këngës heroike të Shqipërisë Veriore, luftës mes fiseve malore të Shqipërisë Veriore dhe Malit të Zi, i cili donte t`i merrte ato rajone të fiseve të Hotit e Grudës që i ishin premtuar nga Kongresi i Berlinit (1878). Në vitet vijuese, 1906, u botua pjesa e dytë e Lahutës së Malcis me nëntitullin Vranina e ku këndohet beteja e Vraninës mes shqiptarëve dhe malazezve (1858).
Vetë poeti, pastaj gjatë gjithë jetës së tij ka punuar edhe mëtutje në veprën e tij jetësore dhe e ka vazhduar deri në botimin e ri të përfunduar me tridhjetë këngë (1937). Në këtë vepër përfundimtare trajton historinë e luftës për çlirim kombëtar, luftërat mbrojtëse nga Mali i Zi në shek. 19 deri në përfundimin e Luftës së dytë Ballkanike (1913), si dhe deri tek arritja e pavarësisë shtetërore të Shqipërisë. Historia e luftërave çlirimtare të Shqipërisë këtu është e lidhur aq ngushtë me historinë e popujve fqinjë sa që ky epos kombëtar, trimi anonim i së cilës është populli shqiptar, gati sa nuk zgjerohet në një epos ballkanik d.m.th. në një këngë heroike e luftës çlirimtare kombëtare e gjithë popujve të Ballkanit.
Lahuta e Malcis në mënyrë të jashtëzakonshme ka ditur të qëllojë (kapë) zërin e këngës heroike popullore dhe mu kjo ka bërë që kjo poezi epike ka përjetuar një përhapje mjaft të gjerë te populli shqiptar edhe atë të tre konfesionet – katolikë, myslimanë dhe ortodoksë – si asnjë vepër tjetër në letërsinë moderne shqiptare. Ritmi popullor i këndimit është kapur aq saktë dhe me fat sa disa këngë të Lahutës janë ngjallur përsëri në gojën e popullit, prapë janë bërë këngë të gjalla popullore.
Në zhvillimin e historisë së letërsisë shqipe poeti i Lahutës së Malcis qëndron në atë vend ku shkëputet arti i poezisë epike nga kënga heroike popullore pa e ditur mirë e pa dashur, sepse Fishta si bir i vërtetë i një populli heroik, fillimisht nuk donte më shumë me poezitë e tija se sa të krijonte këngë heroike popullore si ndonjë këngëtar i heronjve shqiptarë, të cilët ai si fëmijë i ka dëgjuar me entuziazëm. Ai jetonte aq thellë në ndjenjën epike të poezisë heroike atdhetare, sa e ka kapur shkëlqyeshëm ritmin popullor, ashtu shkëlqyeshëm sa poezitë e tij sot jetojnë në gojën e popullit. Kështu Fishta është bërë njëri ndër kënduesit e mëdhenj, i fundit i heronjve. Meqë duke krijuar këngët heroike ai i pasuroi me format e reja e mjete arti dhe përmbajtje mendimesh, ai u bë edhe themelues i artit epik kombëtar. Në veprën e tij të pandara janë ende dy botë poetike: kënga heroike popullore dhe arti i ri i eposit kombëtar. Kështu që Fishta qëndron në atë udhëkryqin e njohur të cilin është dashur ta përjetojë zhvillimi i poezisë te të gjithë popujt e Ballkanit. Në të njëjtin zhvillimit historik e kemi poezinë e re greke Ga. Starvrides, në poezinë bullgare Sawa Rakowski (Gorski Patnik), në poezinë serbe Peter Njegoš (Gorski Vijenac), në atë kroate Ivan Mažuranić (Smrt Smail–age Čengića).
Metë drejtë, e para se gjithash famën si poet kombëtar shqiptar Fishta e ka fituar falë Lahutës së Malcis, që është bërë epos kombëtar i famshëm në gjithë popullin shqiptar. Mirëpo nuk duhen harruar edhe poezitë e tjera të Fishtës, shumica e të cilave fillimisht janë publikuar në revistën Hylli i Dritës.
Përveç poezive epike kemi edhe poezitë lirike të cilat janë po aq të vlefshme. Në vitin 1909 publikohet një cikël me poezitë lirike i titulluar Pika voeset. Në vitin 1913 pason një cikël i dytë i titulluar Mrizi i zanavet. Në vitet 1924 dhe 1925 poeti i përfshin gjitha poezitë lirike dhe i publikon në një vepër dyvëllimëshe. Vëllimi i parë që e mban prapë titullin Mrizi i zanavet përmban poezi për atdheun dhe bukurinë natyrore. Vëllimi i dytë i titulluar Vallja e Parrizit përfshinë para se gjithash lirikën fetare. Kjo ndarje e jashtme në dyshe na tregon dy forcat shtytëse shpirtërore nga ku jetësohet lirika e Fishtës: Dashuria ndaj atdheut dhe fetaria.
Fishta është i rëndësishëm edhe si poet satirik. Në vitin 1907 ai publikoi po ashtu ciklin me poezi satirike me titull Anzat e Parnasit dhe në vitin 1923 publikon ciklin e dytë Gomari i Babatasit me pseudonimin Gegë Toska. Kjo vepër e fundit e cila në disa pika më kujton satirën e njohur Baj Ganju të poetit bullgar Aleko Konstantinov, drejtohet me mprehtësi kafshuese kundër patriotëve të rremë. Është një satirë therëse me një elegancë të gdhendur dhe humor thëniesh. Poeti, si kritik i kohës, ndëshkon ata patriotë të rrejshëm të cilët shpëtimin e Shqipërisë e shohin në atë, që civilizimi europian pa kontroll duhet pranuar si një model i denjë për ta imituar në gjithçka dhe në çdo gjë, kurse traditën e vjetër për ta hedhur e me këtë për t`i hapur dyert depërtimit të korrupsionit.
Fishta nuk është më pak i rëndësishëm edhe si prozator, si publicist, orator dhe si predikues. Me titullin Lotët e gjakut ai shkroi historinë dramatike të lëvizjes për lirinë shqiptare 1910-1912 rezultat i së cilës ishte edhe krijimi i shtetit shqiptar.
Përktheu nga gjermanishtja: Zef Ahmeti.
Ky punim ka qenë i publikuar në: Stimme aus dem Südosten, Zeitschrift des Südost-Ausschusses der Deutschen Akademie, nr. 9/10, viti 1943, fq. 133-135. Rëndësia e kësaj paraqitje që i bën Stadtmüller Fishtes në atë kohë, e bën të rëndësishëm shkrimin, mbase edhe për faktin se ai pranohet nga një personalitet i shkencës gjermane që jo rastësisht e njihte historinë dhe kulturën shqiptare. Georg Stadtmüller (1909-1985) si filolog dhe historian është marrë edhe me historinë shqiptare. Stadtmüller emërohet në vitin 1939 në Südost-Ausschuss der Deutschen Akademie në München në organin e së cilës edhe e ka publikuar shkrimin në fjalë. Nga 1958 deri 1974 ishte profesor ordinar për historinë e Europës Lindore dhe Jugore në Universitetin e München-it. Nga viti 1960 deri me 1963 ishte drejtor i Münchener Osteuropa Instituts. Ai është edhe themelues i Albanien-Institut, të cilën e drejtoi deri me 1976. Stadtmüller themelon në vitin 1969 edhe Albanische Forschungen. Kët vit është 30-vjetori i vdekjes.(Shënim i përkthyesit).
Një paraqitje të shkurtër e jetës dhe veprës e japin: Papas Gaetano Petrotta, Popolo, lingua e letteratura albanese. 2a Tiratura con aggiunte e correzione. Palermo 1932, fq. 284-290. Eqrem Çabej, Der albanische Dichter Gjergj Fishta (1871-1940). Nekrologjie, në: Südost-Forschungen 6 (1941) fq. 635-647. – Një botim i „Lahutës së Malcisë“ me përkthim prozator në gjermanishte, me fusnota shpjeguese dhe një glosari e jep: Gustav Weigand, Lahuta e Malcis e Gjergj Fishtës, edituar dhe përkthyer. Në: Balkanarchiv I (1925), fq. 173-265. – Poezia epike eFishtës tani është e botuar e plotë në një botim komplet shumë të dobishëm: P. Fishta,Lahuta e Malcis. Shkodër: Shtypshkroja Françeskane o. J. (diku 1940) fq. 511.