Përse Europës i leverdiste formimi i shtetit shqiptar dhe jo copëtimi i tij?

SHKRUAN: ERVINA TOPTANI

Pavarësia e Shqipërisë ka qenë interes i Europës dhe i paqes.
Në lidhje me politikën austriake ndaj trevave shqiptare, ish konsulli e përfaqësuesi austriak në rajonin e Ballkanit, Alfred Rappaport, në një studim të publikuar në gazetën “Vullneti i Popullit” në 3 dhjetor 1930, shkruan atë çka mbetet aktuale deri sot për Shqipërinë:

“Si dëshmitar okular, e kohë pas kohe dhe si bashkëveprues në përpjekjet e shqiptarëve për fitimin e pavarësisë, si bashkëkohës e si vrojtues i kujdesshëm i përparimit e naltësimit të mbretërisë shqiptare, pyes shpesh-herë veten se çdo të kishte ngjarë vallë sikur të ishte vënë në zbatim plani copëtues i Lidhjes Ballkanike në 1912? Çdo të kishte ndodhur sikur, kundrejt ngrindjeve të shteteve ballkanike, në kohën e mbas luftës, të mos kishte hyrë ndërmjetëse Lidhja e Kombeve dhe Italia për shtetin më të ri në Ballkan? Pyetja mund të formulohet shkurt edhe në këtë mënyrë: Shqipëria vallë, është vetëm produkt i kapriçove të diplomacisë, të cilat – siç besojnë dhe kujtojnë kundërshtarët – i ndihmuan aspiratave të një grusht populli për t’u mëkëmbur, pa pasur arsye të mjaftueshme? Apo mos qè vallë një nevojë e kërkuar prej interesash midis shteteve të ndryshme? Apo, më së fundmi, qe, një konditë “sine qua non” e paqes?
Problemi mund të shqyrtohet e zgjidhet nën pikëpamje të ndryshme. Më së pari duhet marrë parasysh pozita gjeografike e Shqipërisë. Vlora prej Brindisit është po aq e largët nga bregu perendimor prej Dover-it. Tani, a mund të duronte Britania e Madhe që Gjermania e Franca të hidhnin këmbë në brigjet e Belgjikës? Aq më pak mund të lejonte Italia që bregu shqiptar të binte në duart e shteteve lakmitare të Ballkanit. Sikur të kishte ngjarë një gjë e tillë, Italisë nuk do t’i kishte mbetur tjetër veçse të bënte atë hap që bëri në 1914, domethënë të pushtonte bregun shqiptar. Por në këtë çeshtje pikëpamjesh italiane ndërhyn ajo ballkanase. Ne kemi vërejtur pas luftës, atëherë kur ishte në fuqi lidhja greko-serbe, se kufiri maqedonas dhe çeshtja e Selanikut ngjallën grindje të shpeshta e të rrezikshme ndërmjet qeverive të Beogradit dhe Athinës.

Ç’periferi kërcënuese do të kishte marrë zjarri i ndezur, sikur te ishte zbatuar plani i copëtimit të vitit 1912? Ndoshta është më me rëndësi një pikë e tretë: bregu shqiptar është më i gjatë se 250 km dhe ka përveç Vlorës edhe baza të tjera detare me rëndësi. Po të ishte ndarë ky brez ndërmjet Greqisë e Jugosllavisë, ekuilibri detar do të kishte pësuar ndryshime themelore, jo vetëm ne Adriatik por edhe në detin Mesdhe.

Në dobì ose në dëm të kujt, më pas, do të kishte dalë kjo situatë, varet nga rrethanat që do të ishin zhvilluar midis shteteve të interesuara, nga fuqia e flotave dhe mjetet teknike. Por mesa shihet sot këto përpjekje përgatitjesh teknike mungonin në shtetet e lartpërmendura. Nga ana tjetër, duke e vërejtur çeshtjen nga pikëpamja angleze, franceze apo italiane, duhet të pranojmë që një ndryshim themelor në bregun shqiptar – siç është ai i bregores së Adriatikut – me problemet delikate që paraqet sot armatimi i flotave në detin Adriatik dhe në atë të Mesdheut, zgjidhja e çeshtjes do të ishte e pamundur.

Nga kjo mund të konfirmohet me siguri të plotë se ekzistenca e një shteti shqiptar formon një nevojë europiane dhe një konditë të padiskutueshme për paqen në juglindje dhe në detin Mesdhe! Kjo gjendje e punëve u jep sodisfaksionin më të plotë të gjithë atyre që janë përpjekur për vetëqeverimin shqiptar, sepse këta janë të bindur se kanë mbrojtur një çeshtje të cilën jo vetëm që e kërkonte drejtësia që populli më i vjetër në Ballkan të mos mbetej prapa popujve të tjerë më të rinj, por një gjë të tillë e lypte interesi i Europës dhe i paqes. Prandaj, populli shqiptar, i cili me fuqi pune e përpjekje të mëdha po drejtohet në udhën e përparimit, le t’i vlejnë këto shënime për ta bindur se veç zotësisë së tyre, siç thonë ata vetë, një meritë e padiskutueshme për lejimin e formimit të shtetit shqiptar nga Europa, e jo copëtimit të tij ndërmjet fqinjëve, është pozita gjeografike e Shqipërisë, ku të parët e shqiptarëve patën zënë vend që ndër kohërat parahistorike”.

Alfred Rappaport 1868-1946. Diplomat i shquar austriak, i cili përveç detyrave që mbulonte në Ballkan, punoi gjatë dhe në Ministrinë e Jashtme austriake, deri ne vitin 1921. Pas lirimit nga detyra, ai shkroi një libër me kujtimet e tij të përvojës diplomatike. Gjithashtu është hartues i mijëra faqeve me dokumente dhe relacione mbi gjendjen politike, ekonomike dhe sociale të shqiptarëve në këto vite.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top