PAVARËSIA E KOSOVËS SI UDHË E DALJES SË SAJ NGA RRETHI I MBYLLUR

Shkruar nga Akademik Esat Stavileci
Përmbledhje e fjalës së tij në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të mbajtur me 6 korrik 2005

Janë, më së paku, dy arsye që shtrojnë nevojën “e marrjes me Kosovën” dhe të ardhmen e saj sot: e para, përcaktimet ende të paqarta rreth statusit të Kosovës dhe, e dyta, nevoja e rirreshtimit të forcave në Kosovë dhe angazhimi i gjithë resursit krijues “për të ecur rrugës” të cilën e ka përzgjedhur populli për të ardhmen e Kosovës, e cila nuk do të jetë as e lehtë dhe as e pamundimshme.

(1) Edhe pse bashkësia ndërkombëtare sikur “asnjëherë më shumë se gjatë këtij viti nuk ka qenë e interesuar rreth procesit politik dhe çështjes”, siç shprehet ajo, ”të statusit final të Kosovës”, krijohet përshtypja, megjithë “ravijëzimin e kornizave të ardhmënisë së Kosovës” se ajo, në fakt, sikur ende është në dilemë “nëse zgjidhja e statusit të Kosovës do të mund të kishte efekte zinxhirore dhe do të prodhonte jostabilitet në vendet e tjera të Ballkanit”? Pyetja do të mund të shtrohej edhe ndryshe: ”Çfarë ndikimi do të mund të kishte ajo në pjesë të tjera të botës dhe në politikën ndërkombëtare”? Pa i pritur gjykimet e kohës, mendojmë se, duke qenë “çështje më vete”, Kosova nuk do të mund “të prodhonte jostabilitet në vendet e tjera të Ballkanit dhe se ndikimi do të mund të ishte i favorshëm për pjesët e tjera të botës dhe politikën ndërkombëtare.

(2) Kosova, e lënë, për kohë të gjatë, në “sallat e pritjes”, sot ballafaqohet me “trysni në rritje” për hapjen e bisedimeve për statusin e saj. Statusi ende i paqartë i Kosovës ka prodhuar pasoja në shumë fusha, nga të cilat do të veçojmë problemet e zhvillimit ekonomik dhe pamundësitë e bashkëpunimit rajonal.

(3) Përkufizimi i paqartë i mandatit të UNMIK-ut, për faktin se në Kosovë “nuk u vendos një protektorat ndërkombëtar” në kuptimin që njeh e drejta ndërkombëtare, megjithë zhvillimet në disa fusha, la të hapur çështjen e statusit të Kosovës dhe “e shtyri atë në pafund”. Mirëpo, pikërisht këto dy momente ndoshta ndikuan që, megjithatë, sot të arrihet një “shkallë e konsiderueshme pajtimi” në mes të ndërkombëtarëve dhe vendorëve se status quoja është e paqëndrueshme ose, thënë ndryshe, se përcaktimi i statusit është “çelësi i hapjes së udhëve” për t’i zhvilluar proceset zhvillimore në Kosovë dhe, nëpërmjet tyre, për të ndikuar në stabilitetin e rajonit dhe më gjerë.

(3) Shtylla e parë dhe më e fuqishme e vendosjes së themelit të shtetit të Kosovës është njohja e së drejtës së vetëvendosjes së popullit të saj. Një parim, pothuajse i harruar, parimi i vetëvendosjes, ”u riaktivizua në lëvizjet postkomuniste në Evropë në dekadën e fundit të shekullit të kaluar”. Një analist yni me të drejtë u shpreh se “u riaktivizua”, meqë gjatë luftës së ftohtë, sipas tij, qe shpërfaqur mendimi se “me rrumbullakimin e sovranizimit juridiko-shtetëror”, nga 1918-ta deri në fillim të shtatëdhjetave, ”kishte pushuar nevoja për këtë parim”. Mirëpo, më vonë ndodhi ”sovranizimi postkomunist i popujve”, i cili “u paraqit qoftë në formën e sovranizimit të plotë të shteteve të bllokut lindor, me daljen e tyre nga doktrina e ‘sovranitetit të kufizuar’, qoftë nëpërmjet shpërbërjes të ish-federatave komuniste, BRSS, RSFJ”. Kështu ngjau që tri kategorive të mëdha rastesh “t’u njihet e drejta për vetëvendosje: rasteve të vetëvendosjes post-imperiale; rasteve të vetëvendosjes post-koloniale dhe rasteve të vetëvendosjes post-komuniste”. Rasti i Kosovës “u gjind jashtë trekëndëshit”, edhe pse ai, vështruar krahasimtarisht,” do të mund të zgjidhej “në secilin prej këtyre proceseve”.

(4) Eshtë thënë se rasti i Kosovës “bie ndesh me parimin e mosndryshimit të kufijve, edhe pse, ç’është e vërteta, Kosova kishte kufijë interfederalë në ish-Jugosllavi, po sikurse që u bë e qartë se kufijtë evropianë u ndryshuan: ”ata të Helsinkut, me bashkimin e Gjermanisë; ata të Jaltës-me shpërbërjen e ish-BRSS-së dhe kufijtë e Versajes me shkatërrimin e ish-RSFJ-së dhe ish-Çekosllovakisë”. Ajo që do të duhej të qartësohej është se në rastin e Kosovës nuk mund të mbrohet regjimi i kufijve evropianë sipas Konferencës së Londrës(1913), sepse Kosova, në të vërtetë, biles kumullativisht, i plotëson të gjitha kushtet që popullit shumicë të saj t’i njihet e drejta për vetëvendosje. Ekzistojënë, së paku, tri argumente që mund të zbërthehen gjerësisht. Po i theksojmë: e para, ”se Kosova është aneksuar nga Serbia (1912) me okupimin ushtarak”; e dyta, ”se trajtimi i shtetit aneksist ndaj popullit të aneksuar ishte jo vetëm represiv,por edhe gjenocidal”; e treta, ”se populli i aneksuar, në mënyrë plebishitare është deklaruar për pavarësi, po sikurse edhe me rrezistencën e armatosur (1997-99)”.

(5) Kosova “po ecën” nëpër standarte që i ka vendosur bashkësia ndërkombëtare. Standartet “sigurisht se synojnë një cak”, por ato do të duhej që përfundimisht, si pjesë e një procesi të shtetbërjes, ”të ndërlidheshin” jo me hapjen e negociatave për statusin e Kosovës, por me anëtarësimin e saj në mekanizmat ndërkombëtare. Ndryshe, disa prej standarteve nuk janë të përmbushura edhe nga shumë vende anëtare të Kombeve të Bashkuara, madje edhe nga disa prej tyre, anëtare të Këshillit të Sigurimit.

(6) Mungesa e statusit është bërë peng i shumë zhvillimeve. Nuk e mendojmë se zgjidhja e statusit do të thoshte njëkohësisht zgjidhje të të gjitha problemeve me të cilat ballafaqohet sot Kosova, por hapje dhe krijim të mundësive për t’i zhvilluar ato “në drejtimin e duhur”.

(7) Në bërjen e pavarësisë kërkohet që “të kalohet në një rrugë”. Në ecje e sipër, Kosova duhet të ndërtojë rendin e vet kushtetues dhe ky është, sipas mendimit tim, çelësi kryesor me të cilin do të hapeshin proceset e shtetbërjes në Kosovë.

(8) Në ecje e sipër, duhet të bëhet “bartja e plotë e pushtetit të UNMIK-ut” në institucionet e përkohshme vetëqeverisëse, të cilat do të duhej që, më në fund “të shndërroheshin në institucione permanente dhe të patjetërsueshme”.

(9) Në ecje e sipër, pushteti serb duhet që përfundimisht të heqë dorë nga “territorializimi i çështjes serbe në Kosovë” dhe krijimi i organeve paralele dhe enklavave në baza etnike.

(10) Pavarësia e Kosovës paraqet sot një opsion “realisht të balancuar dhe në drejtpeshim përbrenda horizontit të kohës në Ballkan”. Ajo nuk paraqet “kurrëfarë solucioni ekstrem, por është solucion i drejtëpeshuar i kohës, me interes të thellë kombëtar, jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për kombin serb në Ballkan”.

(11) Vështruar edhe në raport me kohën, proceset e shtetkrijimit përrreth Kosovës, flasin në mënyrën më bindëse se Evropa sikur më herët “ka heqë dorë nga disa kanune” të saj në lidhje me formimin e shteteve të reja. Sot janë 34 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara me sipërfaqe më të vogël se Kosova, nga Vatikani 0,4 deri te Libani 10.452; sot janë 58 shtete, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me popullsi më të vogël se Kosova, prej Vatikanit 1.000 deri te Mauritania 2.284.000; ndërkohë, 34 shtete, nga viti 1990-2002, janë pranuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

(12) Asnjë zgjidhje për Kosovën nuk mund të qëndrojë pa pëlqimin dhe vullnetin e popullit shumicë të Kosovës. Kosovën mund ta qeverisë dhe duhet ta qeverisë vetëm popullata e saj. Ajo popullatë këtë truall e ndien për të vetin, sikur që i ndien për të vetat edhe të gjitha pasuritë e atij trualli.

(13) Edhe pse sikur “mbizotëron” pikëpamja se pavarësia është e vetmja zgjidhje e drejtë për Kosovën, ende qarkullojnë opsione të ndryshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj dhe ato “shtrihen prej vetadministrimit deri te pavarësia”. Me të drejtë është thënë se ” hapësira mes vetadministrimit dhe pavarësisë është bukur e gjerë” dhe se në të “mund të hyjnë një varg kushtëzimesh”. Nga një numër kushtëzimesh që bën bashkësia ndërkombëtare për Kosovën është konceptuar modeli i “pavarësisë së kushtëzuar”. Në vend se të jetë “e kushtëzuar” pavarësia mund të jetë “e mbikëqyrur” nga bashkësia ndërkombëtare. Kosova ndien nevojën për praninë ndërkombëtare në Kosovë, si lehtësuese e ndërtimit të shtetit në kuptimin demokratik, përfshirë aty të drejtat dhe liritë e pakicave dhe të grupeve etnike, marrëedhënjet ndërfqinjësore dhe integrimet rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare.

(14) “Përshpëritet” me të madhe se Këshilli i Sigurimit i OKB-së “do ta ketë fjalën e fundit” në lidhje me statusin e Kosovës, në vend se “t’i jepet” kjo e drejtë popullit të Kosovës, ”siç parashikojnë vlerat dhe parimet demokratike”, prandaj mund të ndodhë që roli i Kosovës “të jetë i kufizuar”. Po qe se kjo do të ndodhë, atëherë në fakt, do të ndodhte, ”suspendimi i të drejtës së popullit shqiptar për vetëvendosje”, ndonëse ajo atij “do të duhej t’i takonte”: qoftë ”si e drejtë e vetëvendosjes kombëtare, qoftë “si e drejtë e vetëvendosjes së popullatës së territorit të individualizuar”.

(15) ”Përshpëritet” edhe për një ndikim “të shtuar të Bashkimit Evropian” në raport me Shtetet e Bashkuara. “Protektorati evropian” do të mund të shpiente kah reduktimi i rolit të Shteteteve të Bashkuara në Kosovë. Administrimi i “tipit evropian” mund të kërcënojë me rrezikun e krijimit të një mentaliteti tjetër “vartësie” të Kosovës, nga ai që është vendosur gjashtë vjet më parë.

(16) ”Përshpëritet” edhe për “pavarësinë pa sovranitet”. Pavarësi ose ka ose nuk ka. Pavarësia pa sovranitet është “vendosje e kulmit” pa themelin në të cilin do të mund të mbahej ai. Vetëm atëherë kur mësojmë se ç’është, në të vërtetë, sovraniteti, do të kuptojmë se ç’është “pavarësia pa sovranitet”. Sovraniteti është, siç shpehet Fjalori Politik i Oxfordit, “kërkesa për të qenë autoriteti i fundmë politik që nuk i nënshtrohet asnjë pushteti më të lartë përsa i përket marrjes dhe zbatimit të vendimeve politike”. Në fakt, sovraniteti shpreh vetëqeverisjen e shtetit. Kohëve të fundit “qarkullojnë pikëpamje” që përpiqen “të devalvojnë” rëndësinë e sovranitetit. Në to thuhet “se sovraniteti është një kategori historike, e lindur në kushte të caktuara, të ndryshme nga ato të sotme, prandaj nuk ka vlerë absolute” ose “se sovraniteti është një parim i vjetëruar”. Nga teoria e shtetit janë më interes, së paku, këto dy njohuri të përgjithshme për sovranitetin. E para, ”kur një vend fiton sovranitetin shtetëror, kjo prodhon pasoja juridike e politike edhe në planin ndërkombëtar”, meqë “shtrohet njohja e shtetit të ri sovran nga ana e shteteve tjera”. E dyta, ”njohja e një shteti sovran nga të tjerët nënkupton edhe njohjen e qeverisë që është formuar në këtë shtet”. Pra, një përfundim i logjikshëm nga këto dy njohuri të përgjithshme për sovranitetin është shumë domethënës për të kuptuar atë si “palcën kurrizore të shtetit”.

(17) Vetëm pavarësia e plotë e Kosovës do të mund të zgjidhte çështjen e territorit të saj, një element shumë i rëndësishëm i shtetit. Prandaj, bashkësia ndërkombëtare duhet të deklarohet në mënyrë shumë të qartë dhe jo në mënyrë ekuivoke në lidhje me territorin e Kosovës. Për ne, ky paraqet problem qendror.

(18) Mendohet sikur këtë e ka “qartësuar mirë” Grupi i Kontaktit. Ç’është e vërteta, Grupi i Kontaktit “ka qartësuar” se çfarë nuk do të ndodhë me Kosovën”, por jo edhe se “çfarë do të ndodhë” me te. Bashkësia ndërkombëtare, nëpërmjet të një numri parakushtesh “për negociata”, sikur ka vendosur që të mos e vë në agjendë “pavarësinëe e plotë”. Prandaj, në “ofertat e propozuara” të saj ka çështje të hapura. Përgjigjja në ato pyetje përbën sfidën më të madhe për Kosovën. Prandaj, ajo që do të mund t’u sugjerohej institucioneve të Kosovës është që të angazhohen që në një proces të mundshëm negociator për statusin e Kosovës, së pari, që ”pozicioni politik i Serbisë në raport me Kosovën” si çështje e ndieshme përfundimisht të mbyllet, faktikisht dhe juridikisht. Bashkësia ndërkombëtare do të duhej që, përfundimisht, të kundërshtojë skenarët serbë të shprehur nëpërmjet formulës “më shumë se autonomi, e më pak se pavarësi” që, në fakt, bazohen në konceptin e federatës, konfederatës ose unionit. Së dyti, ”pozicioni i Sheteve të Bashkuara ndaj Kosovës, pas pavarësimit të saj të sherbejë si një garanci për shtetin e ri të Kosovës”. Së treti, ”përmasat dhe mënyra e monitorimit ndërkombëtar” të rasteve të ndieshme etnike në Kosovë të përcaktohen në përputhje me realitetin etnik në Kosovë.

(19) VENDIMI I BASHKESISE NDERKOMBETARE DO TE DUHEJ TE KISHTE PARASYSH VEÇANERISHT KETO DY MOMENTE: SE PARI, HEQJEN DORE NGA IDEJA E ÇFAREDO KUSHTEZIMEVE PER PAVARESINE. SE DYTI, HEQJEN DORE NGA PROLONGIMI I VENDIMIT. Përcaktimi i bashkësisë ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës duhet të jetë i qartë, e jo në mënyrë ekuivoke, me mundësi për interpretime të ndryshme.

(20) Pavarësia e Kosovës paraqet një zgjidhje “të drejtëpeshuar të kohës”, e jo një “kërkesë ekstreme” dhe “zgjidhje përfundimtare”. Ajo, në fakt, paraqet një “zgjidhje kompromisi” në raport me synimet shekullore të shqiptarëve për të jetuar me një shtet. Janë shumë faktorë, historikë e politikë, të cilët e formësojnë dhe e fuqizojnë, në mënyrë burimore, statusin e pavarur të Kosovës dhe institucionalizimin politik të tij”.

Në mbyllje mund të thuhet se pala shqiptare duhet të formulojë qëndrim të qartë përsa i përket statusit: Kosova duhet të jetë shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht dhe, së pari duhet të pranohet në OKB, e pastaj edhe në BE. Pala shqiptare duhet të bëjë të qartë nevojën për një prani ushtarake ndërkombëtare për të garantuar sigurinë e brendshme dhe për të mbikëqyrur kufijtë.

Pala shqiptare duhet të këmbëngulë kundër imponimit të një zgjidhjeje “nga jashtë”, e cila “nuk do të ishte e qëndrueshme” dhe nuk do t’i kontribuonte stabilitetit afatgjatë në rajon”. Pala shqiptare duhet të jetë e kujdesshme ndaj sugjerimeve që do t’i bëjnë Shtetet e Bashkuara, duke pasur parasysh faktin se bashkësia ndërkombëtare prêt nga Shtetet e Bashkuara që të shfrytëzojnë ndikimin në Prishtinën, po sikurse që prêt nga Rusia që të ushtrojë ndikimin e saj në Beogradin. Institucionet vetëqeverisëse në Kosovë “duhet të jenë të vetëdijshme për shkallën e përgjegjësisë që kanë për të ecur “në drejtimin e duhur drejt realizimit të vullnetit të popullit”. Rruga nëpër të cilën do të ecin nuk do të jetë e lehtë. Përkundrazi, e rëndë.

Prandaj, duhet të mbledhin “rreth vetes” gjithë resursin krijues. Ato nuk duhet të “jetojnë në iluzione” se me pavarësinë e Kosovës vetvetiu do të zgjidhet një numër i madh problemesh me të cilat ballafaqohet sot Kosova. Me pavarësimin e Kosovës do të hapeshin proceset dhe do të krijoheshin mundësitë për vendosjen e reformave, si në ristrukturimin e ekonomisë, ashtu edhe në avancimin e demokracisë politike. Prandaj, ato do të duhej që prore të dëshmoheshin se janë të afta për të rritur kapacitetet vendimmarrëse, me synim ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top