Tanush Frashëri: Të vërtetat e historisë sipas Ali Këlcyrës
“Shkrime për Historinë e Shqipërisë” janë kujtime politike si dhe shkrime e letërkëmbime të Ali Këlcyrës, që ka hulumtuar ndër arkiva historiani Tanush Frashëri. Kjo antologji historike do t’i prezantohet së shpejti lexuesit shqiptar nga shtëpia botuese “Onufri”. Në libër përfshihen materiale, të cilat i kushtohen historisë së periudhës 1912-1945, shkruar prej Ali Këlcyrës; të dhënat e periudhës 1944-1945, historiani Tanush Frashëri i ka hulumtuar në faqet e shtypit të refugjatëve politikë pas vitit 1944, me autor A. Këlcyrën; ndërsa lëndën që rrok lakun kohor 1925-1959 e ka qëmtuar nëpër arkiva. Arkivi personal i Ali Këlcyrës është mbledhur nga historiani Tanush Frashëri, pas një pune intensive dhe të lodhshme 2-vjeçare. “E krijuam këtë arkiv me ato shkrime që arritëm të shkoklavisim nga pirgu i fletëve të dorëshkrimeve të A. Këlcyrës, të ngatërruara keqas njëra me tjetrën. E kam ndarë librin në disa kapituj, nga të cilët, punimet e kreut të parë (1912-1945) janë titulluar Kujtime Politike, në përputhje me dëshirën e vetë Ali Këlcyrës, që del nga një letër e datës 10 qershor 1959, drejtuar Tajar Zavalanit, ku i thotë: Të lutem, shkresat që të kam dërguar ose që do të të dërgoj, t’i ruash e të m’i kthesh prapë kur të kemi rast të piqemi, se si të shënova më lart kam ndërmend t’i bëj një broshurë në formë Kujtime Politike”, – thotë në krye të librit historiani Tanush Frashëri. Kjo vepër në 650 faqe është e ndarë në 6 kapituj që vijojnë me: Memorandume, Raporte, Referate, Artikuj të botuar në shtypin e huaj dhe atë shqiptar dhe Korrespondenca. Materialet janë siguruar nga Arkivi Qendror i shtetit italian, arkivat austriakë, londinezë, Arkivi i Qendrës së Studimeve shqiptare, si dhe nga Arkivi Qendror i shtetit shqiptar. Duke qenë se jemi në vitin e 100-vjetorit të Pavarësisë, në pjesët që kemi shkëputur nga libri me kujtimet e Ali Këlcyrës (që është ende në proces) për lexuesit e gazetës MAPO, jemi ndalur në situatën e brendshme politike të Shqipërisë në fillimet e jetës së pavarur kombëtare. Pse Prenk Bibë-Dodë pasha, Esat pashë Toptani dhe Ismail Qemali ishin tre personat më me ndikim në jetën politike shqiptare. Akuzat ndaj I. Qemalit për njohjen e Prevezës dhe Çamërisë si tokë greke në marrëveshjen e fshehtë me Athinën, çka tregoi se vija kufitare e pranuar prej plakut diplomat ishte përtej kufijve politikë të Shqipërisë, të pranuara më 1913.” A.Tuci
Mund të thuhet pa e tepruar se sundimi pothuaj 450-vjeçar osman nuk qe gjë tjetër veçse një pushtim ushtarak. Gjatë gjithë kësaj kohe vendi ynë jo vetëm që nuk bëri asnjë përparim në të gjitha shfaqjet (aspektet) e jetës kombëtare; përkundrazi mbeti prapa. Në fillimin e jetës së pavarur vendi ynë nuk kishte jo vetëm një rrjet rrugor për të qenë, por as udhë për kalimin e qerreve e (të) karrocave e as ura. Limanet, sfratet e kanalet ekzistuese, përpara ardhjes së osmanëve, qenë prishur ose mbyllur, shumica e tokave pjellore (ishin) kthyer në moçalishte të dëmshme për shëndetin e popullsisë, prandaj banorët e këtyre anëve qenë të shtrënguar të tërhiqeshin nëpër zonat malore. Popullsia e varfëruar qe e këputur nga sëmundjet e mosushqimi. Në shumicën e krahinave shqiptare mungonte hierarkia administrative. E po ashtu mungonte organizimi i arsimit, e veçanërisht ai në gjuhën kombëtare. Midis gjithë popujve që përbënin Perandorinë Osmane vetëm shqiptarëve u ishte ndaluar rreptësisht mësimi dhe botimet në gjuhën amtare. Megjithatë gazetat dhe librat shqip shtypeshin nga bashkatdhetarët tanë në mërgim dhe futeshin në vend fshehurazi. Fatkeqësia më e madhe për popullin tonë, në kohën e sundimit osman, qe ndarja e tij në fe të ndryshme, klerikët e të cilave ishin bërë vegla të verbra të propagandës politike e vareshin prej shteteve të huaja.
Kjo ishte, në vija të përgjithshme, gjendja e vendit tonë, kur u shpall më 1912 shtet i pavarur. Është e kuptueshme dhe duhet të pohojmë pa droje se në të tilla kondita populli i vogël shqiptar nuk ishte aspak i përgatitur për të bërë një jetë të pavarur e aq më pak për të përballuar intrigat dhe aspiratat armiqësore të vendeve përreth pa pasur asnjë përkrahje materiale e morale. Ky ishte trashëgimi dëshpërues që i lanë patriotëve fatzinj të viteve 1912-20 shekujt e robërisë osmane.
Kush ishin tre personalitetet më me ndikim të skenës politike
Në fillimet e jetës sonë të pavarur kombëtare, duke përjashtuar Spiro Milon, nga paria e Himarës, kryetar i pamohueshëm i greqishtfolësve dhe grekomanëve të Gjirokastrës, i cili kishte hyrë sheshazi në shërbim të Greqisë si komandant i fuqive “vorioepirote” me titullin arhigos, në radhë të parë në skenën politike shqiptare me ndikimin e tyre imponoheshin tre persona:
Prenk Bibë-Dodë pasha, pinjoll i një familjeje të lashtë mirditore, i cili konsiderohej si kryetar i katolikëve e deri në njëfarë shkalle i gjithë Shqipërisë Veriore. Njeri i mësuar dhe me ndikim në zonën e tij do t’i kishte kryer shërbime të mëdha atdheut nëse do të kishte qenë me karakter më energjik. Mjerisht duke qenë për shumë kohë i internuar në Anadoll, e duke pasë jetuar gjatë si peng në pallatin e sulltanit, kishte marrë zakone orientale e nuk ishte në gjendje të impononte vullnetin e tij. Brenda një kohe shumë të shkurtër eklipsimi i tij nga jeta politike e vendit qe pothuajse i plotë.
Esat pashë Toptani, ish-gjeneral i xhandarmërisë në Perandorinë Osmane, njeri energjik e me ndikim si në zonën e tij ashtu edhe në gjithë Shqipërinë e Mesme, ku pothuaj mbisundonte. Turmat e paditura e fanatike e konsideronin si shpifje të nacionalistëve gjestin e tij të urryer në Shkodër (vrasja e Hasan Riza Pashës) dhe e mbanin Esatin si heroin e fundit të mbrojtjes së Taraboshit. Mjaft intelektualë mëtonin se nuk kishte prova të mjaftueshme që të vërtetonin tradhtinë e Esat pashës, ndërsa vlerësonin zotësinë për të tërhequr turmat pas vetes, si dhe dinamizmin e aftësitë e tij administrative. Ky personazh negativ vazhdoi të luajë gjatë gjithë periudhës 1912-20 një rol të rëndësishëm në jetën tonë kombëtare, ndonëse vazhdimisht ka qenë kritikuar ashpërsisht e bile edhe i urryer prej kundërshtarëve të tij të rreptë, patriotëve shqiptarë që ishin betuar për të marrë shpagën e turpit të Shkodrës.
Ismail Qemal Vlora ishte pa dyshim personaliteti intelektual më interesant, me më shumë popullaritet e ndikim në Shqipërinë e Jugut e pa dyshim më me autoritet në të gjithë vendin. I caktuar prej qeverive të Vjenës e të Romës për të kryer gjestin historik të ngritjes së flamurit, nuk ishte as njeriu i besuar i tyre, e ca më pak agjent i tyre. Në qarqet turke shihej si anglofil. Ismail Qemali iu imponua qeverive të dy fuqive të mëdha adriatike me famën e madhe që kishte fituar në Shqipëri pas gjestit të tij të dorëheqjes, në fillim të shekullit (XX), nga detyra e guvernatorit të Tripolit e të Çirenajkës, titull i barabartë me atë të mëkëmbësit të mbretit, dhe u hodh me vrull të madh në zhvillimin e një veprimtarie të gjerë patriotike, në të gjitha viset evropiane, për njohjen e të drejtës së popullit shqiptar për pavarësi dhe për nevojën e krijimit të një shteti shqiptar si faktor i paqes e i ruajtjes së ekuilibrit në Ballkan e në Adriatik. Prestigji i padiskutueshëm i tij fatkeqësisht pati një rënie të shpejtë.
Ismail Qemal Vlora, si kryetar patriot i qeverisë së parë shqiptare, qe i njohur si diplomat i hollë, por, mjerisht, një burrë shteti pak i zoti në administrimin e vendit; i mungonte, veçanërisht, cilësia për të tërhequr pas vetes masën e shqiptarëve në sakrificat e mëdha që diktonte interesi jetik i kombit. Por faktori kryesor që ndikoi, më shumë se çdo gjë tjetër, në rënien e popullaritetit të tij ishte helenofilia e theksuar, që e kishte burimin, ashtu si edhe për shumë intelektualë të tjerë shqiptarë të brezit të tij, tek mësimet e shkallës së dytë të kryera në liceun grek të Janinës. Pas luftërave ballkanike, si të gjithë burrat e shtetit osman si Ali pashë Tepelena e kaq patriotë të tjerë luftëtarë të çështjes kombëtare shqiptare, edhe Ismail Qemali kërkonte të përballonte sa të qe e mundur më shumë rrezikun sllav për vendin tonë me anë të një bashkëpunimi të ngushtë greko-shqiptar. Kur Ismail Qemali luftonte në mërgim për çështjen kombëtare kishte bërë një marrëveshje të fshehtë me qeverinë e Athinës, e cila parashënonte një vijë të ardhshme kufitare midis dy vendeve. Por drejtuesit e Greqisë, të rrëmbyer nga fitoret e fuqive ballkanike për hir të rivendikimeve të tyre mbi Shqipërinë nuk e morën aspak parasysh ujdinë e sipërpërmendur. Shpeshherë Ismail Qemali është kritikuar nga patriotë të ndryshëm, te të cilët kishin lënë gjurmë qëndrimet legjendare të Abdyl Frashërit, që nuk ia falnin plakut diplomat njohjen në këtë marrëveshje të Prevezës, e sidomos të Çamërisë si tokë greke. E ardhmja tregoi se vija kufitare e pranuar prej Ismail Qemalit në marrëveshjen e fshehtë gjendej përtej kufijve politikë të Shqipërisë, të pranuar më 1913. Gjithsesi, ky burrë shteti u ndodh në një pozitë tepër të vështirë kur, ndërsa ishte në rolin e kryetarit të qeverisë shqiptare, ngjau drama e “Vorio Epirit”. Bashkatdhetarët e rinj, që nuk kishin as horizontin e gjerë dhe as aftësinë parashikuese të Ismail Qemalit për kërcënimet e ardhme, të ndezur kundër Greqisë nga tragjedia vorioepirote, e qortuan ashpërsisht atë për qëndrimin e matur dhe mospaditjen me rreptësinë e duhur përpara botës së qytetëruar të tmerreve që kryen andartët grekë në Shqipërinë e Jugut, nga kujdesia e tepruar për të mos lënduar ndjeshmërinë e Greqisë zyrtare. Kësisoj prestigji i tij nuk u bëri dot ballë këtyre sulmeve të furishme, që duket sheshit se ishin të zmadhuara. Andaj ky politikan i shquar e patriot i madh u la mënjanë e nuk u thirr të merrte pjesë në qeverinë e parë të rregullt të princ Wied-it, ndërkohë që Esat Toptanit iu besua posti i ministrit të Brendshëm. Asokohe grupi i patriotëve të rinj intelektualë ishte pothuaj i panjohur nga masa e shqiptarëve, ata sapo kishin nisur të lidheshin me të (popullin) në fushën e luftës kundër armiqve të vendit. Nëse Ismail Qemali do të kishte pasur mprehtësinë e situatës e të dallonte dinamizmin e këtyre guximtarëve, të cilët bënë çudira më 1920, e t’i mblidhte rreth vetes duke shfrytëzuar prestigjin e madh personal, do të kishte mundur të bënte mrekullira e do të mund ta mbizotëronte situatën brenda dhe jashtë vendit duke e bërë kështu emrin e tij të pavdekshëm.
Në këtë situatë të brendshme, mbërriti në Durrës, në pranverën e vitit 1914, princi Wilhelm zu Wied, i shoqëruar nga një komision i gjerë, i përbërë prej parisë së të gjitha viseve të Shqipërisë, që kishin shkuar posaçërisht në Gjermani si dërgatë e popullit shqiptar për t’i ofruar, sipas vendimit të Fuqive të Mëdha, kurorën e Shqipërisë. Sovrani i ri dhe familja e tij u pritën, më 7 mars 1914, me entuziazëm nga masat popullore të ardhura në Durrës për këtë qëllim. Princ Wied-i vërtet nuk ishte një kryetar shteti me aftësi të mëdha, por qe një person i ndershëm dhe patriotët shqiptarë patën besim të plotë tek ai dhe tek e shoqja, princesha Sofi, e cila me zgjuarsinë e saj gëzoi simpati të madhe në qarqet intelektuale.
Fuqitë e mëdha kishin rënë në ujdi t’i bënin thirrje qeverisë holandeze të dërgonte një mision ushtarak në Shqipëri për të organizuar xhandarmërinë kombëtare. Kjo ishte e vetmja masë e dobishme për forcimin e shtetit të ri shqiptar nga ana e këtyre fuqive. Misioni holandez, i përbërë nga një duzinë oficerësh nën komandën e gjeneralit De Veer, i bëri shërbime të mëdha vendit tonë, dhe brenda pak kohe arriti të fitojë simpatinë e admirimin e të gjithë popullit e madje edhe të atyre reaksionarëve fanatikë që luftonin kundër shtetit të tyre. Këta oficerë trima të gjendur në mes të stuhisë së madhe kombëtare të 1914-ës morën pjesë përkrah patriotëve shqiptarë në luftërat kundër armiqve të atdheut me shpirt të lartë sakrifice duke nderuar vendin e tyre e duke lënë kujtime të pashlyeshme. Një nga pjesëtarët e misionit, koloneli Thomson, ra në fushën e nderit në përpjekje kundër rebelëve.
Titulli: Lufta e shqiptarëve kundër çetave greke
Somario: Rrethimi i Ali Këlcyrës në shtëpinë e tij nga batalionet “vorioepirote” dhe ushtria greke; ndërhyrjet nga Janina për ta liruar me kusht që ai të largohej nga Shqipëria për në Paris. Ndërgjegjësimi i tij për një organizim ushtarak për të mos lejuar rënien në greminë Shqiptarisë, sipas tij për shkak të: qeverisjes së mefshtë e të paaktivitet të Ismail Qemalit, që për një vit e gjysmë nuk pati bërë as më të voglin organizim ushtarak për të përballuar armiqtë, që haptazi e prej kohësh përgatiteshin për ta groposur të gjallë popullin shqiptar.
Kamarija e mbretit Kostandin, duke dashur të sabotojë vendimet e Konferencës së Londrës lidhur me Shqipërinë e Jugut, vendosi ta mbysë në gjak e ta bëjë shkrumb e hi këtë trevë, të cilën e ripagëzoi Vorio Epir. Gjithnjë nën maskën e fesë dhe me pretekstin e një kryengritjeje të ortodoksëve grekomanë, rrethi imperialist i mbretit Kostandin përgatiti të gjithë elementët e nevojshëm politiko-ushtarakë për të zgjatur pushtimin e fshehtë të krahinës prej ushtrisë greke, pushtim të cilin Greqia nuk mund ta justifikonte zyrtarisht. Për këtë qëllim kamarija krijoi një të ashtuquajtur qeveri autonome të Epirit, të kryesuar nga ish-ambasadori grek Zografos, e cila formoi batalionet “e shenjta”, efektivi i të cilave përbëhej prej andartëve grekë e ortodoksëve shqiptarë të mobilizuar me forcë e prej një pjese të fanatizuar nga kleri, me pretekstin për t’u mbrojtur nga Shqipëria. Janë të njohura fjalët që Koço Tasi i tha gjeneralit grek Joanu, i cili donte ta detyronte të regjistrohej në batalionet e lartpërmendura nën kërcënimin e torturave: “Gjeneral, ju keni pushtuar atdheun tonë, por jo dhe ndërgjegjet tona”! Në këto batalione hynë edhe elementë të hurit e të litarit nga krahinat e ndryshme të Greqisë. Por burimi kryesor i fuqive të këtyre batalioneve “vorioepirote” ishte vetë ushtria greke, e cila nxitej të merrte pjesë në “luftën e shenjtë” të Epirit, sipas një letër-qarkoreje drejtuar oficerëve, të nënshkruar nga vetë mbreti Kostandin.
Në përshkrimin e ngjarjeve tragjike në vija të përgjithshme do të ndalem më hollësisht në sektorin qendror, nga Tepelena në Leskovik, përgjatë Vjosës, jo se ngjarjet e këtij sektori janë më të rëndësishme se të sektorëve të tjerë të frontit, por për faktin se në to kam marrë pjesë personalisht e mund të jap detaje më të përimtuara. Në Këlcyrë, atëherë gjendej i dislokuar një regjiment këmbësorie dhe dy bateri artilerie greke. Në pranverën e 1914-ës një mëngjes pa gdhirë, popullsia e Këlcyrës, u zgjua me drithërimë nga krismat e pushkëve e gjëmimet e topave. Në fillim të gjithë pandehën se po zhvilloheshin manovra ushtarake, por më pas, për habinë e të gjithëve, u mor vesh se shkaku qe një… “kryengritje” e trupave të artilerisë dhe e një pjese të regjimentit të këmbësorisë; “kryengritësit” kaluan në anën tjetër të Vjosës për t’u bashkuar me forcat “revolucionare” të “Epirit autonom”. Kjo ishte komedia tragjike, që nisi pas pak të inskenohej, me një lojë sa qesharake aq edhe të pandershme, tipike ballkanike, që synonte t’u mbushte mendjen shqiptarëve, e sidomos të huajve, se gjoja ushtarët grekë, të shtyrë nga ndjenja… patriotike, ngrinin krye kundër urdhrave të komandës ushtarake pushtuese e kalonin në radhët e të ashtuquajturës ushtri vorioepirote. Me të tilla veprime foshnjarake klika imperialiste e mbretit Kostandin shpresonte të shkarkonte Greqinë zyrtare nga të gjitha përgjegjësitë ndërkombëtare e ta justifikonte përpara botës së qytetëruar për krimin e shëmtuar, të përgatitur me kujdes e të vënë në zbatim me gjakftohtësi, që po kryenin kundër një populli të vogël, i cili kërkonte vetëm të zinte vendin e vet nën këtë diell.
Disa orë pas këtyre ngjarjeve, komandanti i regjimentit lajmëroi popullsinë e Këlcyrës se duhej të linin menjëherë vatrat e tyre e të tërhiqeshin përtej vijës së përshenjimit të caktuar prej vetë fuqive pushtuese, ndërsa Ali Këlcyrës i komunikoi se kishte urdhër ta dërgonte, bashkë me gjithë familjen, në Janinë. Gjatë gjithë kohës së pushtimit grek, shtëpia e familjes Këlcyra ishte e rrethuar e ruhej natë e ditë nga ushtria greke dhe pjesëtarëve të saj nuk u lejohej të takoheshin me bashkëqytetarët. Pas bisedimesh të pafund telefonike midis kolonelit të regjimentit dhe komandantit të divizionit në Janinë, Ali Këlcyra u lejua të kalonte vijën e demarkacionit vetëm pas angazhimit se do të nisej menjëherë për në Paris. Ky zotim ishte i sinqertë se Aliu, i izoluar prej shumë kohësh në shtëpinë e tij, nuk ishte në dijeni të gjendjes së brendshme të Shqipërisë dhe nuk mendonte se atdheu kishte nevojë për shërbime ushtarake, ndonëse ishte i gatshëm të rrëmbente armët, edhe pse nuk pati mbajtur kurrë armë në dorë, ngaqë e kishte kaluar rininë në kolegj e në universitet jashtë atdheut. Prandaj ai vendosi të vazhdonte studimet në Paris dhe njëkohësisht të zhvillonte një fushatë në shtypin frëng për të ndriçuar opinionin ndërkombëtar mbi gjendjen e vërtetë të dramës së Epirit. Mirëpo fati kishte vendosur ndryshe.
Kur Ali Këlcyra, së bashku me këlcyrjotët e disa pjesëtarë të familjes së tij arritën në Sukë, qendra e parë administrative e territorit të qeverisë shqiptare, e tërë krahina e Dëshnicës ishte e mbuluar me re të zeza tymi që dilnin nga shtëpitë e katundeve përgjatë rrugës Këlcyrë-Përmet, të cilave ushtria greke, e ashtuquajtur kryengritëse, po u vinte zjarrin. Popullata e qarkut ishte mbledhur në qendrën e krahinës dhe e hutuar përpara pamjes së tmerrshme të fshatrave që digjeshin, rrinte duarkryq, pasi nuk kishte marrë asnjë komunikim zyrtar. Aliu kërkoi të bisedonte me komandantin e forcave të armatosura shqiptare për t’u informuar mbi forcat greke matanë Vjosës, por me habi e pikëllim mësoi se forca të tilla nuk ekzistonin. Në këto çaste pati një përfytyrim të qartë e të plotë të greminës buzë së cilës ndodhej atdheu, për faj të qeverisjes së mefshtë e të paaktivitet të Ismail Qemalit, që për një vit e gjysmë nuk pati bërë as më të voglin organizim ushtarak për të përballuar armiqtë që haptazi e prej kohësh përgatiteshin për ta groposur të gjallë popullin shqiptar. I shtyrë nga ndërgjegjja e katastrofës së përgjithshme, i tronditur thellë nga pamja tragjike e zonës, si dhe prej rrezikut shumë të afërt, aty për aty, Ali Këlcyra mbajti një fjalim të zjarrtë nga ballkoni i godinës zyrtare të Sukës, ku valëvitej flamuri kombëtar, duke kritikuar ashpër udhëheqësit e popullit që e lanë vetëm ushtrinë turke në Bezhan dhe i detyruan shqiptarët të luftonin, të papërgatitur, në pragjet e shtëpive të tyre. Duke marrë në dorë shtizën e flamurit, ai e ftoi popullin që të mos rrinte duarlidhur, por të grumbullohej rreth simbolit kombëtar si e vetmja ganxhë shpëtimi në këtë furtunë të tmerrshme e të luftonte për jetë a vdekje. Fjala e tij në ato rrethana tragjike bëri përshtypje të thellë në popull dhe turma e entuziazmuar e zgjodhi Aliun kryetar të saj, me gjithë kundërshtimin e vendosur të tij, që nuk e shihte veten kompetent për një barrë kaq të rëndë, dhe të familjarëve, që donin të shmangnin shpagimin e egër e të tmerrshëm të ushtrisë pushtuese. Me këmbënguljen e patundur të popullit Aliu u shtrëngua të heqë dorë nga udhëtimi për në Paris e të pranojë të luajë rolin e komandantit të improvizuar duke ditur se përballë tij kishte oficerë të karrierës që komandonin ushtrinë armike.
Menjëherë filloi organizimi ushtarak; pushkët dhe arkat me municion, që fshatarët e zonës i kishin futur në dhé nuk ua kishin dorëzuar forcave speciale greke të ngarkuara me çarmatimin e popullsisë as nën torturat e tmerrshme, u nxuarën në shesh. Brenda pak ditësh vetëm në pellgun e Këlcyrës u ngrit më këmbë një forcë ushtarake kombëtare prej më shume se dy mijë vetash, forcë e cila u rrit në numër dita ditës, si pasojë e propagandës për të tërhequr në të ushtarë në lirim edhe nga viset më të largëta. Me nismën vetjake të disa patriotëve të tjerë u krijuan, pothuajse në të njëjtën mënyrë, fuqi të tjera kombëtare edhe në zonat përreth, në ndërlidhje me njëri-tjetrin. Kështu brenda pak javësh u krijua balli (fronti) kombëtar përkundrejt vijës së fortifikuar të armikut. Grekët mbetën të habitur, aq më tepër kur mësuan se komandanti i këtyre fuqive vullnetare nuk ishte më i madh se 25 vjeç. Po vullneti i popullit bën shpesh mrekullira, sidomos kur për arritjen e suksesit merren nisma me guximin dhe energjinë e duhur. Pjesa më e madhe e këtyre komandantëve ishin të rinj në moshë dhe pothuajse të panjohur nga masa e popullit; ata edhe me njëri-tjetrin takoheshin për herë të parë. Natyrisht çfarë mrekullie do të kishin bërë kryetarët e shquar: Ismail Qemali, me ndikimin e tij, po të kishte pasur më shumë shpirt iniciative dhe organizimi; një njeri energjik si Esat Toptani, po të kishte qenë patriot; Prenk Bib Doda, kryetari i pamohueshëm i katolikëve, me influencën shekullore të familjes së tij, sikur të kishte qenë më dinamik? Duke lënë mënjanë ndërhyrjet dhe diktatet fatale për fatet e vendit tonë nga ana e Fuqive të Mëdha, populli shqiptar ka qenë, është e do të jetë, atë që vlejnë udhëheqësit e tij një popull hero ose një turmë skllevërish siç është sot (1959).
Pas krijimit të këtij balli kombëtar, autoritetet greko-vorioepirote e kuptuan se nuk ishte më në interes të tyre t’u linin kohë forcave kombëtare, të cilat u dolën përballë si kërpudha, të organizoheshin e forcoheshin, prandaj shpërthyen një sulm të përgjithshëm me synim shkatërrimin e menjëhershëm të tyre. Në Korçë sulmin e filloi një organizatë e fshehtë, e përbërë nga ushtarë grekë të mbetur brenda qytetit pas largimit të ushtrisë greke, e cila e lëshoi qytetin sa për sytë e botës dhe u kthye menjëherë brenda kufirit tonë për t’u ardhur në ndihmë forcave “kryengritëse”, që po luftonin nëpër rrugët e Korçës dhe përgjatë udhës Bilisht-Korçë. Por trupat greke, të përbëra nga ushtria e rregullt dhe nga çetarë, me t’u rifutur në Shqipëri u pritën trimërisht me armë nga forcat vendase të pozicionuara në kodrat përgjatë udhës së sipërpërmendur. Në këto përpjekje u shqua më fort një kapedan plak i quajtur Kajo, i sprovuar në luftën kundër osmanëve e për këtë i ndjekur prej autoriteteve turke. Ky pushkatar i vjetër, me zotësi e kurajë të veçantë i udhëzonte ushtarët e tij të zgjedhur e shënjues të mirë, që të mos qëllonin ushtarët, por oficerët e kryeçetarët e armikut. Forcat e armatosura greke, duke humbur kështu një numër të konsiderueshëm të komandantëve, u detyruan të tërhiqen drejt kufirit dhe në afërsi të Korçës, te bregu i Shën Ilisë, ranë në përpjekje me forca të shumta kombëtare, të cilat i ndoqën këmba-këmbës deri në kufi. Ndërsa nëpër rrugët e Korçës përpjekjet vazhduan edhe për tre-katër ditë, po kur udhëheqësit e lëvizjes greke mësuan se forcat e ardhura nga Greqia u thyen e u tërhoqën dorëzuan armët. Patriotët shqiptarë u sollën shumë fisnikërisht me robërit. Ndërkohë që në vijën e Gramozit forcat kombëtare i përballuan me sukses sulmet greke, megjithëse dy nga udhëheqësit e tyre, Zalo Prodani dhe Qani Starja ranë dëshmorë në fushën e nderit. Në sektorin qendror forcat vullnetare kombëtare hynë në Këlcyrë, nga ana e Brezhdanit, sadoqë artileria greke bombardonte vazhdimisht, dhe e zunë këtë pikë me rëndësi strategjike të Shqipërisë së Jugut. Këlcyra u dogj, por armiku nuk mundi ta pushtojë. Lufta vazhdoi me sulme e kundërsulme nga ana e Përmetit, me përparime e tërheqje, po përgjithësisht pa ndonjë rëndësi të veçantë për frontin. Gjirokastra, qendra e së ashtuquajturës qeveri e Epirit, nën shtrëngatën e çetave të udhëhequra nga Vehip Runa me shokë dhe forcat e Vlorës të komanduara nga Nuredin Vlora, ishte gati të binte në duart e forcave kombëtare. Në këto kushte, klika e mbretit Kostandin i dha urdhër Divizionit VIII grek, të dislokuar në Janinë nën komandën e gjeneralit Papullias, të hynte në Shqipëri nga Kakavija me të gjitha forcat e artilerinë që dispononte, për të shmangur rrezikun që kërcënonte qeverinë e Epirit, në Gjirokastër, nga forcat nacionaliste shqiptare.
Pas kësaj ndërhyrjeje të hapur të Greqisë, fronti kombëtar pësoi ndryshime, por efikasiteti i tij ushtarak nuk u cenua aspak. Në Athinë e kuptuan se pa një mobilizim në shkallë të gjerë nuk e kishin të lehtë të thyenin ballin (frontin) shqiptar, prandaj pranuan një armëpushim. Delegatët e qeverisë së Durrësit dhe ata të së ashtuquajturës qeveri autonome të Epirit, që në të vërtetë nuk qenë veçse përfaqësuesit e klikës së oborrit mbretëror, u takuan në Korfuz, për të arritur një marrëveshje, e cila do të ishte përfunduar shumë shpejt sikur në Shqipërinë e Mesme të mos kishte shpërthyer kryengritja e fanatikëve myslimanë, nën udhëheqjen e oficerëve xhonturq me origjinë shqiptare të dërguar posaçërisht për këtë qëllim nga qeveria e Stambollit.