O BABË, A KE QENË SPIUN?

Shkruar nga Eduard YPI

O ba, a ke qenë spiun?!, më pyeti djali i vogël me një merak dhe tronditje që i lexohej qartë në fytyrë. Ngriva dhe nuk dija ç’të thosha. O Zot, po bëhen 25 vjet që kam dalë nga burgu dhe ende arrijnë të bëhen këto lloj pyetjesh!

Kisha kohë që, për shkak të ngarkesës në punë dhe angazhimeve profesionale, isha tërhequr nga shtypi dhe mediat në përgjithësi duke u çmësuar me këto shpifje-akuza, por siç ndodh gjithmonë, pas çudisë vjen tërbimi, a thua se heronj ishin ata që na futën brenda dhe spiunët duhet të gjenden se s’bën në radhët e antikomunistëve që e kaluan rininë në ferrin e burgjeve dhe internimeve të diktaturës! Është bërë aq e zakonshme, djallëzore dhe asgjësuese kjo pyetje sa, po të gjendesh objekt i saj, vështirë se mund të shpjegohesh më me njeri. E pyeta djalin më hollësisht se nga i kishte lindur kjo ide për të më pyetur për gjëra që ai as që mund t’i konceptonte (është i vitlindjes 1993, pas burgut) dhe m’u përgjigj që, kur kërkohej në Google për emrin tim, përveç të tjerave, dilte dhe një artikull ku thuhej kjo gjë. Një farë Andi Kananaj, mjaftist, rilindës, sigurimist, “trashëgimtar” i ri i diktaturës, në sprovën për t’iu përgjigjur një shkrimi të tim vëllai (për hir të së vërtetës, unë këtë shkrim nuk e kam lexuar), në një gazetë na kishte përgojuar si pa të keq duke bërë edhe akuzën: “Janë dy vëllezër që kanë spiunuar njëri-tjetrin”, etj, etj… dhe zogu i oficerit komunist, siç duket, nuk e paskësh pasur problem që ky ish-i burgosuri, që për të patjetër ishte një “ish burgaxhiu”, është njeri dhe ka familje (e krijova mbas burgut, pasi babai i tij bashkë me të gjithë baballarët dhe “zogjtë” e tjerë e kishin llogaritur të vdisja në burg dhe të mos e krijoja dot kurrë), ka edhe personalitet dhe është një luftëtar që ka mundur edhe babain e tyre me të gjithë plehrat e tjera të diktaturës. Është një luftëtar që me të gjithë kuptimin e fjalës ka çuditur të madh e të vogël me qëndrimin përbuzës, duke marrë parasysh dënimin me vdekje apo atë të përjetshëm në sallën e gjyqit të Burrelit, në atë ditë tetori të vitit 1980. Për të mos thënë që me besimin e plotë të ish- bashkëvuajtësve të tij në vitin 1993, me propozim unanim të Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politike, u dekretua nga Presidenti i Republikës me dekret të veçantë kryetar i Komitetit të ish-të Përndjekurve Politikë, alias i pari dhe i fundit ministër i ish-të Përndjekurve. Le ta vazhdojmë përsëri me një histori të vërtetë; Nëpërmjet një miku të një miku tim, funksionar i lartë në SHISH në vitet 2000, pas një shkrimi të po këtij lloji, në atë periudhë nga frika për ndonjë “akrobaci” dosjesh i kërkova nëse kishte mundësi të më shikonte çfarë kishte lënë të shkruar ish-regjimi për mua, gjë që nuk e kisha bërë kur e kisha këtë mundësi. Pas disa ditësh kur e takova përsëri, përgjigjja ishte fjalë për fjalë: “Nuk u lodha fare të ta gjeja dosjen, më tha duke qeshur, dosjen tënde e kishin lënë te sporteli i kartotekës për kollaj, pasi kushdo që paska ardhur në SHISH, paskësh qenë e pamundur të mos e kërkonte këtë dosje. Të jesh krenar, vazhdoi, je kristal dhe prandaj nuk të duan. Me sa duket ka njerëz qe u intereson të jesh i përlyer, janë përpjekur shumë të të gjejnë ndonjë gjë… Më vonë mora vesh se kishte vdekur dhe më erdhi keq që s’e kisha marrë vesh në kohë për t’i shkuar të paktën në varrim. Ndjesë pastë aty ku është!

Këto janë fakte, ndërsa dëshmitar, përveç letrave në dosjet që fatkeqësisht hapen vetëm për shantazh, është ZOTI që më ka lindur në një familje të vjetër fisnike, kush të dojë le të vazhdojë me avazin e vjetër të shpifjeve dhe hamendësimeve perverse të mendjeve që tremben nga drita dhe mendojnë gjithmonë në errësirë. Unë, insinuatave të tilla që kanë të bëjnë thjesht me personin tim, nuk kam më ndërmend t’u kushtoj vëmendje, për të tjerat këtu jam dhe do të më shihni dhe sigurisht do të më dëgjoni.Por gjithsesi, nuk dua që ky shkrim të tingëllojë si një apologji personale dhe vetëm, pasi në këtë mënyrë nuk do të kishte arsye se përse duhej të botohej në një gazetë të përditshme, por do të desha që ky shkrim t’i shërbente sadopak pakësimit të zellit për të bërë pyetjen tashmë edhe kaq të dalë boje, të përdorur për qëllime përfitimi nga të dyja palët, si nga ish-të burgosurit, ashtu dhe nga ish persekutorët: “A kishte spiunë në burg?!” Sigurisht që kishte, disa prej tyre e pranonin hapur. A ishte ky fenomen kaq masiv saç e trumbetonte shteti i atëhershëm dhe dashakeqësit e sotëm?! Absolutisht jo. I gjithë burgu ishte një sistem jete në lëvizje të ngadaltë në kushte shumë të vështira, ku shumica përhumbeshin në hallin e tyre në qetësi dhe me karakter të fortë. Ishte si të thuash mbijetesë në ferr (që, po t’i referohemi fantazmagorisë gjeniale të Dantes, individët mund të kishin të ndryshëm vetëm rrethin në të cilin ndodheshin), që askush nuk ka të drejtë ta gjykojë përveç atyre që fatkeqësisht e kaluan këtë eksperiencë. Them fatkeqësisht, se pa përjashtim për të gjithë burgu ishte fatkeqësi; kush thotë të kundërtën nga ata që e provuan, ose fsheh diçka, ose vetë ky mohim është shprehje e fatkeqësisë së tyre. Në këtë kontekst, po përpiqem t’i ndaj në disa kategori ish-të burgosurit, të cilët vazhdojnë edhe sot të trajtojnë temën e spiunëve të burgut, duke i dhënë fenomenit përmasa jo reale dhe të ekzagjeruara. Një palë janë ata që për pamundësi intelektuale nuk mbajnë mend nga ajo periudhë asgjë tjetër përveç ditëve të kaluara nën çizmen e policit komunist dhe historive me spiunë që në atë kohë edhe sot kanë vlerën e një muhabeti kafeneje. Këta janë edhe me të pafajshmit që nuk meritojnë vëmendje, por vetëm keqardhje. Një palë të tjerë janë ata që nuk ishin as të mirë dhe as të këqij, që askush nuk u kërkonte ndonjë bashkëpunim veç normës së vagonëve të bakrit apo piritit, duke mbetur të papërfillur edhe atëherë edhe tani; këta zëre se nuk janë. Një palë të tjerë, të goditur nga kthesat e papritura dhe shumë të forta në jetët e tyre, zgjodhën rrugën e kundërshtimit dhe të rezistencës pa kompromis duke u ballafaquar me egërsi me ish-njerëzit e tyre, duke i dhënë të drejtën vetes për një gjykim të ashpër si atëherë, edhe tani. Këta janë nga ata që nuk mund t’i gjykosh, u falet edhe kur ekzagjerojnë. Pati edhe një grup tjetër, të cilët meqë kanë qenë vetë spiunë, u leverdis të përhapin idenë se të gjithë kane qenë spiunë. Këta janë edhe më të shumtit dhe më të këqijtë dhe më faniten ashtu si atëherë, me tasin e supës në dorë, që shihnin me ngulm kuzhinierin kur mbërrinin përpara sportelit të qelbur, sikur donin t’i thoshin se nuk ishin njerëz dosido, por spiunë! Dhe pikërisht nga kjo kategori e kanë përgjithësisht burimin shpifjet dhe vjelljet e përgjakta të “zogjve” të “Mjaft”-it dhe më gjerë. Po shumica? Shumica ishin nga ata që vinin nga përndjekja historike, të cilët me komunizmin i bashkonte vetëm vdekja dhe, si të tillë, as që u shkonte ndërmend t’i kërkonin ndonjë privilegj të paudhëve. Por, përmes një lufte modeste për mbijetesë, duke gdhirë dhe ngrysur ditët e zymta, shpresonin në një të ardhme që jo të gjithë patën fatin ta arrinin. Ky jam unë dhe shokët e mi të klasës dhe fisnikërisë, që edhe sot kur rastis të flasim për burgun, psherëtijmë dhe përpiqemi ta harrojnë atë kohë dhe të falim.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top