NJË SPJEGIM PËR HIR TË VËRTETËS

SHKRUAN: SEFEDIN KRASNIQI, KOORDINATOR I KRYESISË SË SEKRETARIATIT TË BALLIT NË MËRGIM

Më 05 nëntor 2018, në Klan Kosova, në emisionin « Zona B », Baton Haxhiu kishte ftuar për një intervistë Naim GECIN, ish-shoferin e MM të RK dhe komandantin e Shtabit Suprem të FARK-ut, kolonel Ahmet Krasniqi.

Tematika e intervistës ishte shpjegimi pse dhe si u vra Ahmet Krasniqi në Tiranë, më 21 shtator 1998 ?

Kjo intervistë ka zgjuar interesim të madh. Pasi Naimi Geci, në një moment, ma kishte përmendur emrin, disa miq më kanë shkruar e ndonjë tjetër më ka telefonuar për të më pyetur për intervistën në fjalë dhe lidhjen time me Naim Gecin e Llaushes. Sigurisht kanë menduar, pasi Naimi ka të njëjtin mbiemër si Gani Geci dhe duke ditur miqësinë time me Ganiun, mos kam ndonjë ndikim te Naim Geci.

Për hir të vërtetës, deklaroj që nuk kam asnjë ndikim te Naim Geci dhe për këto 20 vite jam takuar me të vetëm një herë në vitin 1999. Takimi ka ndodhur në Bernë, kur e kam organizuar Akademinë e parë përkujtimore për një vjetorin e vrasjes së kolonelit. Për lexuesit do të tregoj se më vështirë ka qenë atë vit të organizohet kjo akademi se sa rivarrimi i tij sivjet në Prishtinë. Sa herë e përmend këtë rast, nuk mund të kaloj pa e përmendur edhe Shefqet Jasharin-Strofci, të ndjerin, Kadi Osmanin (Manin) dhe shkrimtarin Arbër Ahmetaj. Por, kurrë nuk i kam harruar, përveç kërcënimeve anonime edhe kërcënimet e agjensisë Kosovapress dhe Radio Kosova e lirë.

Më kujtohet që pasi e kam mbaruar fjalën e rastit, dikush mu ka afruar dhe më ka thënë që më kërkonte i vëllai i Agim Ramadanit dhe ish-shoferi i Ahmet Krasniqit, Naim Geci. Pasi jemi përshëndetur, vëllai i Agim Ramadanit m’i ka thënë disa fjalë për të cilat kam shkruar njëherë tjetër dhe nuk dua me ketë rast t’i përseris. Ndërsa, Naim Geci nuk ka folur asnjë fjalë. Kurrë më as nuk jemi takuar as nuk kemi biseduar në asnjë mënyrë.

Pak para mbarimit të fjalës së Kadri Osmanit, i cili ua ktheu kërcenimet Kosovapresit dhe Radio Kosovës së lirë, ka mbërri Hysen Gërvalla i shoqëruar me aktorin Hadi Shehun. I ndjeri Hadi Shehu, një akademi të zbehtë (kishte më shumë gra e fëmijë), me recitimin e disa poezive patriotike e bëri shumë madhështore.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top