NJË JETË I ANATEMUAR SI MËSUES E AKTIVIST POLITIK

SHKRUAN: BAJRAM MJEKU

Njëri nga mësimdhënësit dhe aktivistët më emblematik të Lëvizjes Nacionaldemokratike Shqiptare në Rrafshin e Kosovës ishte Sylejman Berisha.
U lind në Sllatinë afër Prishtinës më 15 mars të vitit 1925. Mësimet e para i ndoqi në shkollën fillore të fshatit në gjuhën serbe, pastaj në Gjimnazin e Prishtinës, për të mbaruar Normalen e Gjakovës ndër shtatë nxënësit e parë të diplomuar me sukses të shkëlqyeshëm. Alfabetin shqip e mësoi para vitit 1941, nga librat që sillnin të rinjtë shqiptarë përmes Konzullatës shqiptare të Shkupit. Në këtë veprimtari dallohej veçmas Ali Berisha nga fshati Bardh, i cili ishte vëlla i patriotit të njohur dhe udhëheqësit të rinisë së NDSH-së lokale, Ramadan Berisha.

Në shtëpinë e familjes Berisha në Sllatinë kishin qëndruar shumë atdhetarë e personalitete të njohura të luftës për liri dhe bashkim të shqiptarëve si Hasan Prishtina, Bajram Curri e personalitete të tjera. Familja Berisha kishte lidhje të ngushtë edhe me luftëtarin e njohur Sadik Rama (Gjurgjeviku).

Prof. Ymer Berisha, më vonë njëri ndër udhëheqësit më të njohur të NDSH-së, me të ardhur nga Shqipëria në Kosovë, ishte mysafir në shtëpinë e Fejzullah Berishës, baba i Sylejmanit, i cili edhe pse në moshë gjatë viteve 1941-’42, kryente misionin e kryetarit të Islihatit për Rrafshin e Kosovës.

Mësuesi i ardhshëm Sylejman Berisha edhe pse i ri, ishte mobilizuar në Divizionin “Skanderbeg”. Që në ditët e para u inkuadrua në Lëvizjen Nacionaldemokratike Shqiptare, idealeve dhe paltformës të së cilës, do t’i mbetet besnik tërë jetën. E shquan vetëmohimi, që bëri të jetë njëri nga të besuarit që do t’i përcillte lidhjet dhe do të siguronte shërbime për pjesëtarët e NDSH-së, të cilët aso kohe vepronin në rrethinë të Fushë-Kosovës. Për një kohë aty qëndroi dhe veproi edhe Gjon Sereqi.

Veprimtarinë e tij arsimore, Sylejman Berisha e filloi në Miradi të Fushë-Kosovës. Ai do të niste këtë punë me përkushtim të madh, por që e ndërpreu burgosja nga UDB-ja jugosllave. Ai u arrestua nga agjentët e shërbimit jugosllav në ambientet e Shkollës Fillore në Miradi. Në çelinë nr. 6 të Burgut të Prishtinës, për gjashtë muaj qëndroi së bashku me prof. Selman Rizën, me të cilin që nga kjo periudhë do t’i lidhte miqësi e madhe, derisa pas burgut dhe keqtrajtimeve prof. Riza, do të largohet në Shqipëri. Qëndrimi dinjitoz i Sylejman Berishës në procesin gjyqësor, do të dëshmojë mospërkuljen përpara torturave, të cilave u shtroheshin shqiptarët.

Pas lirimit nga burgu, një kohë do të jetë i papunë. Në vitet pesëdhjetë, nisi të punojë në shtëpinë botuese “Mustafa Bakija” në Prishtinë, derisa përmes ndërhyrjes së prof. Selman Rizës dhe veprimit të Mehmet Gjevorit, do t’i mundësohet përsëri kthimi në procesin mësimor. Puna në arsim pos në Miradi, do ta çojë edhe në Komoran, Marec, Shalë, Magurë e Sllatinë. Sylejman Berisha ka merita të mëdha për hapjen e shkollave të reja në Mudri-Potok dhe Vakoc. Tri herë do të largohet nga procesi mësimor, duke pasur gjithmonë etiketën e të orientuarit armiqësisht ndaj shtetit. Për t’iu shmangur sado pak ndjekjes së përhershme, ai jetoi nëpër kohë me tre mbiemra. Në vitin 1964, nuk i lejohet regjistrimi në asnjë fakultet të Prishtinës dhe vazhdimisht e kishte të kufizuar udhëtimin jashtë. Gjatë proceseve të diferencimit në periudhën e ashtuquajtur “Letra e Titos” dhe i cilësuar i papërshtatshëm politik nga organet vendore politike dhe arsimore, Sylejman Berisha më 1973 detyrohet me dhunë të largohet nga procesi mësimor.

Ai la trashëgim një blibliotekë të çmueshme me libra të rrallë shqip dhe revista shqipe ndërmet dy luftërave si Visaret e Kombit, Njeriu, Shkëndija, Bota shqiptare e revista të tjera.

Sylejman Berisha la pas vetes tre djemë e dy vajza. Djali i madh, Ibrahim Berisha në vitin 1989 është njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Qendrës për Informim të Kosovës, derisa Burimi, djali i dytë aktualisht është kryetar i Komunës në Fushë-Kosovë. Naimi, djali i vogël është jurist.

Varrimi i Sylejman Berishës ndodhi më 19 qershor të vitit 1992 në fshatin e lindjes në Sllatinë, ku morën pjesë shumë bashkëluftëtarë të idealizmës shqiptare, intelektualë e udhëheqës politikë të institucioneve të Kosovës.

Foto: Sylejman Berisha me nxënësit e tij pas daljes nga burgu

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top