Një incident i lig dhe kriminal para Betejës së Logjës

Fadil Kajtazi, Ekspert i Sigurise – Fjala e mbajtur ne promovimin e librit 1 dhe 2: “Kështu foli Tahir Zemaj” – Prishtine

Të nderuat të pranishëm, më lejoni që në fillim të shpreh konsideratën e thellë për dy autorët e këtij libri, Arbër Ahmetaj dhe Sefedin Krasniqi, redaktorin Shefqet Jashari – Strofci dhe Recensentin Naim Kelmendi, të cilët, lexuesit shqiptarë-dhe jo vetëm atij, historisë shqiptare, i lanë një “Rrëfim për Luftën” shumë autentik. Dhe po të shikohet në kontekst të kohës dhe ngjarjes tragjike të Tahirit, Enisit dhe mikut tim Hasanit, autorët Arbër Ahmetaj dhe Sefedin Krasniqi rrëmbyen një rrëfim për një ngjarje të madhe nga një njeri i madh, siç na del në këtë rrëfim Koloneli Tahir Zemaj.

Ky rrëfim autentik i hedhur në letër më mjaft mjeshtri nga autoret, është një përshkrim i një ngjarje e cila duhet të lexohet, e cila duhet të jetë baza e shkrimit të historisë tonë të re, e historisë tonë shekullore për çlirim, pasi mënyra e rrëfimit të kolonelit dhe mjeshtëria e hedhjes së tij në letër nga autorët, domosdo krijojë brumin e duhur për të pasqyruar dhe dhënë vulën e historisë një ngjarje të madhe, të lavdishme por edhe tragjike.

Ky rrëfim ka kronologjinë, data, emra të personave dëshmitarë okular, referenca, terma gjeografik, dokumente origjinale; më një fjalë, çdo gjë të nevojshme që një historianit mesatar i nevojitet për ta bërë fakt historik një ngjarje.

Është për keqardhje se si Akademia e Arteve dhe Shkencave të Republikës së Kosovës nuk e shfrytëzoj këtë brum gjatë bërjes së të ashtuquajturës enciklopedi. Dhe nuk është çudi se si të huajt kur shkruajnë për shqiptarët përdorin shumë pak referenca të historianëve shqiptar të cilët kanë shkruar për shqiptarët së paku që 100 vite, dhe nuk është çudi se si historia më e besuar për shqiptarët konsiderohet vepra e një autori të huaj Neol Malkom!

Në anën tjetër, ky “Rrëfim për Luftën” më së paku i është nevojitur kolonelit të ndjerë Tahir Zemaj. Siç mund ta shihni edhe vet në libër, ai është i pastër me vetveten, me strukturat që komandonte dhe me eprorët e tij; ai konsideron që ka bërë të pamundurën për t’i shërbyer atdheut në kapacitetet e tij. Ai është i çetë dhe njëkohësisht krenar, edhe pse se këtë të dytën nuk e shpreh, nga se është i vetëdijshëm për punën që ka bërë; ngase, nga veprimi apo mos veprimi i tij nuk ka pësuar as edhe një shqiptar i vetëm, përkundrazi, ka arritur që të shpëtoj shumë jetë njerëzish dhe është komandanti i parë i cili në historinë 100 vjeçare të konfliktit shqiptaro-serb fiton një betejë. E dërmon armikun në fushë të betejës, e turpëron atë dhe i futë tmerrin.

Dhe pikërisht nga kjo ngjarje fillon lavdia e përjetshme e Kolonel Zemaj, e bashkëpunëtorëve të tij, e ushtarëve të tij, për Brigadën 134, dhe për ne si popull, por njëkohësisht, kjo lavdi u shndërrua të tragjedi fatale për koloneli dhe familjen e tij, për bashkëpunëtorët dhe ushtarët dhe për neve si popull.

Dhe nëse ajo që është histori e vërtet (kuptohet jo sikur kjo e Enciklopedise të bërë nga akademia) “është shkollë e jetës” ky libër duhet të na shërbej më shumë se çdo gjë që në funksion të bërjes së historisë së lavdishme dhe të mos përsëritjes së asaj të turpshme, ku autorët e librit, përmes rrëfimit të kolonelit Zemaj i kanë vë në pah paralelisht lavdinë dhe turpin.
Nuk është rastësi që titulli i librit “Kështu foli Tahir Zemaj” të korrespondon më një titull “Kështu foli Zaratrusta” që në fakt është një vepre e madhe e një filozofi të madh të një kombi të madh dhe krenar siç janë gjermanët.

Dhe për ata që e kanë lexuar “Zaratrustën” e Niçes, shumë lehët e kanë për t’u familjarizuar me “Kështu foli Tahir Zemaj”. Niçe apo e tërë filozofia e tij konsiston që përmes Zaratrustës të vë përball dy koncepte, dy mendësi për njeriun, për jetën, për shoqërinë, për realitetin tokësor. E para është për konceptin-mendësinë e “zhvillimit të lirshëm”, atë të njeriut modern apo të “mbinjeriut” siç e definon ai, dhe konceptin apo mendësinë “e diktuar nga diktatet imgjinare” preh e të cilit bie “njeriu” që sipas Niçes, është ura kalimtare në mes majmunit dhe mbinjeriut.

Faktikisht autorët Ahmetaj dhe Krasniqi nuk kanë bërë ndonjë plagjiaturë ku në realitetin kosovar të 1998-99, dhe të Republikës së Shqipërisë, kanë pikasur praninë e këtyre mendësive, tash më të pranuara botërisht si referenca filozofike për të reflektuar realitetet shoqërore, të cilat për mrekulli i shpjegojnë përmes “Zaratrustës” kolonel Tahir Zemaj.

Pra kemi një koncept të “mbinjeriut” që përfaqësohet nga një elitë intelektuale ushtarake e grumbulluar në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, e cila luftën si fenomen shoqëror e kupton siç e kupton e gjithë bota e moderuar: “mjet për arritjen e qëllimeve politike”, “mjet në duart e politikës”, “si çështje të rëndësishme për një komb, si trualli i jetës dhe i vdekjes së tij”

Dhe konceptin tjetër arkaik, të njeriut të posa dalur nga shpella do të thosha, që përfaqësohej nga struktura shtetërore të Republikës së Shqipërisë, dhe struktura të cilat luftën për çlirim shekullor e konceptonin si kacafytje gjelash – instinkt, si mjet për ushtrimin e pasionit primitiv të bajraktarizmit, si mjet për përfitim material në kohen më të keqe për kombin.

Gjatë leximit, lexuesi i vëmendshëm do të dalloi me lehtësi përfaqësuesit e këtyre koncepteve, ku të parët, janë të personifikuar përmes figurës së Kolone Tahir Zemaj i cili gjatë rrëfimit të tij ka referenca shkencore duke filluar që nga termat e shpjegimit të hierarkisë: President, Kryeministër, Ministër të Mbrojtës, Shtab Suprem, Komandant dhe Komandues. Pastaj mbi skemat organizativi ushtarake brigadë, batalion, kompani dhe togë, mbi eprorët dhe vartësit, mi lëvizjet, mbi kuotat, mbi pararojën dhe logjistikën, mbi mësymjet, mbi taktikën dhe strategjinë, mbi betejën dhe mbi sulmet sporadike.

Gjithashtu lexuesi me lehtësi do të dalloi përfaqësuesit e kategorisë së dytë të “njeriut” në Niçes që përfaqësohej nga Shteti Shqiptar që mashtronte kategorinë që krijonte prita dhe atentate, që pengonte furnizimin me armë dhe municione, që mashtronte injorant për të luftuar intelektual në kulmin e fatkeqësisë kombëtare; që mashtronte këtë kategori në kohën kur ishte vënë në rrezik ekzistenca e popullatës shqiptare të Kosovës, në kohën kur kasaphana kishte filluar, dhe e tërë bota po tmerrohej.

A ka më primitivizëm dhe më armiqësore se në kulmin e luftës t’i ndalohet të luftoj një profesionalisti i cili vetën e vet, në çastin më kritik e ka vënë në shërbim të kombit. Po citoj kryeministrin e tanishëm te Kosovës: “Kthehu në Shqipëri se këtu nuk e vend” (faqe 52). Ose në faqen 63, në rrëfimin të titulluar “Një incident i lig dhe kriminal para Betejës së Logjës” është një ngjarje më tepër se trishtuese kur me 4 korrik 1998, nga nofka “Togeri” ndalohen ushtarët e Brigadës 134, të cilët ishin në detyrë të pranimit të armatimit të ardhur nga Shqipëria, dy prej të cilëve plagosën dhe dy prej të cilëve rrihen brutalisht, zhvishen lakuriq, dhe nga nofka “Toger” detyrohen të ecin ashtu par makinës që ai ngiste.

Ose nga ky që sot është “uniteti i popullit” që është president i vendit, në kulmin e luftës, në vend që të kërkoj mobilizim, rregull, disiplinë ushtarake, të interesohet për furnizimet, për plotësimin e formacioneve me ushtarë dhe armatim, për të plagosurit etj, jep urdhër që, po citoj “ke dy minuta kohë të për të hequr portretin e Rugovës” (faqe 111). Ose po ky person, në kulmin e luftës, në kulmin e asaj që quhet “dilemë – të jesh apo mos të jesh”, në këtë rast për një popull, i bie ndërmend të komplotoj qeverinë e Republikës së Kosovës dhe kërkon që në këtë punë ta bëj aleat Kolonel Zemajn. (faqe 111)

Ose, ky ka veprim më armiqësorë në drejtim të popullit të Kosovës, kur nga kjo mendësi, maltreton, ju merren materialet dy gazetareve të gazetës më prestigjioze në botë “Njujork Tajms”, të cilat kishin ardhur për ta paraqitur llahtarinë e dhunës serbe që ushtohej në drejtim të popullatës civile nga makineria represive e shtetit serb. (faqe 107/8)

Ndonëse këto në shikim të par duken fragmente dhe pa ndonjë ndikim të madh, në fakt këto janë ngjarje të cilat pasqyrojnë mendësinë e një koncepti primitiv përmes të cilit kjo kategori imponoi zhvillimin e ngjarjeve në vazhdimësi e që rezultojë që:

1. E gjithë kjo luftë të përfundoj vetëm me dy beteja, flas për betejat sipas konceptit shkencorë të teorisë së luftës të cilin në këtë libër koloneli Zemaj e shpjegon.

2. Rreziku i futjes së popullit në luftë vëllavrasëse, e cila u shmang fal maturisë së pjesës që autorët e personifikojnë me “Zaratrustën Zemaj”

3. U instalua si mjet për arritjen e qëllimeve personale kërcënimi, shantazhi, vrasjet.

4. U bë e mundur që Serbia të dali e pa lagur me gjak nga lufta. Ajo në Kosove gjatë vitit 1998/99 vrau mbi 11 mij persona, dhunoi rreth 20 mij gra, shkaktoj rreth 22 miliard euro dëme materiale, kurse ka humbur vetëm 1.008 ushtarë dhe polic, përfshi ata të vrarë gjatë bombardimeve të NATO-s;

5. U demobilizua UÇK, nga se për shkak strukturës së saj jo profesionale NATO nuk mundi të lejoj vazhdimësi ushtarake të saj. Në rrethana tjera, në rrethana të komandimit të saj nga struktura profesionale, NATO së paku një bërthamë të saj do ta lejonte, të paktën në nivel batalioni. Kështu, shkatërruesit e UÇK duhet kërkuar te kategoria e “njeriut”

6. Ka shumë se çka mund t’i numërohet si mëkat kësaj kategoria që kolonel Zemaj e quan “linja destuktive” por ajo që është më e keqja është se pas gjitha këtyre, ajo duke e qëndruar në pushtet po i venit ardhmërinë këtij vendi, ka bërë që pas 20 viteve çlirim të hidhet në tavolinën e pokerit pavarësia e vendit e njohur nga mbi 115, të vihet në pikëpyetje tërësia territoriale e Kosovës, të krijohet një imazh i keq për Kosovën si shtet me krim të organizuar dhe korrupsion.

Dhe në fund, nuk do të ishte e sinqertë që kjo analizë e kësaj vepra të mos ketë edhe një komponentë, atë se kush përfitoi më së shumti nga i gjithë ky destruktivitet?
Unë këtë do ta ilustroi me një teledramë e bërë sipas komedisë së shkrimtarit tonë Çajupi, ku në sfondin e ngjarjeve të rrëmujshme tragjike-komike që ndodhin, qëndrojë dy zonja të cilat vazhdimisht në secilën ngjarje përsërisin refrenin “o qu kënaqëm o qu kënaqëm”. Dhe në fakt gjatë gjitha tragjedive shekullore brenda shqiptare, gjatë tragjedive të prezantuara në këtë libër, dhe në fund, gjatë tragjedisë së familjes Zemaj dhe shumë familjeve të intelektualëve të vrarë para, gjatë dhe pas luftës, në sfond ka qëndruar Serbia duke përsëritur refrenin “o qu knaqëm”.

Kolonel Zemaj si profesionist ishte koshient dhe mund ta merrte me mend ndikimin e këtij faktori në ngatërresat ndër shqiptare. Ai duke qenë i shqetësuar shprehët “isha i shqetësuar që sistemi serb i spiunazhit punonte pa ndërprerje” (faqe 53), ku në fakt kjo u vërtetua pas luftës, në dëshminë e 4 tetorit 2007, në gjykatën e Hagës kundër Ramush Haredinajt. Shefi i analitikes së RDB, Zoran Stioviq, në dëshminë e tij, prezanton pseudonimin “Jagliq” të një agjenti-spiuni shumë kualitativ që vepronte brenda strukturave të larta të UÇK.

Prandaj ky libër përpos si histori, të shërbej edhe si mesazh që: ta kenë për turp ata që me veprimet e tyre, e me vetëdije ose pa të, e kënaqë armikun e shqiptarëve Serbinë. Ta kenë për turp ata që i shërbyen një armiku të popullit të vet, i cili vrau mbi 11 mijë bashkombas të tyre, dhunoi mbi 20 mijë gra, dhe turpi mbi ta dhe familjet e tyre mund të hiqet kur ata dalin haptazi dhe reflektojnë, pranojnë se gabuan.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top