Të nderuar bashkëvuajtës dhe pishtarë të demokracisë së vërtetë!
Unë, si nipi i familjes së Qazim Arifaj (Bajrami), një familje e cila ka vuajtur nga sistemi i ndyrë i injorancës dhe anti-shqiptarizmit, mendoj se kam gjithë të drejtën të them që pushteti i diktaturës nuk është larguar kurrë, madje na përndjek edhe sot. Na përndjek pasi dhe në ditët e sotme, pasardhës të shpurës komuniste, si Ismail Kadare, i llastuari i atij oborri, si dhe të tjerë, pozitë dhe opozitë aktuale, guxojnë të hedhin në treg një film me përmbajtje pornografike të shthurjes së atij sistemi, dhe drejtuesit të tij, diktatori vrastar, Enver Hoxha.
Filmi, bashkëpunim ruso – shqiptar, do na flasë mbi ata që vranë dhe internuan të gjithë elitën e shkolluar në perëndim dhe e zëvendësuan me injorantët e shkolluar në Rusi. Tani fillojnë e tregojnë histori dashurie dhe dramat e atyre që e shkatërruan këtë vend. Tani qenka e rëndësishme që të flitet për historitë gjoja të dhimbshme të atyre që vranë e prenë shqiptarët, dhe ne duhet të na dhimbset koha kur ata filluan ti hanë kokat njëri tjetrit.
Qeveritë shqiptare, të majta e të djathta, jo vetëm që shpenzojnë mijëra euro për realizimin e një filmi tallës ndaj vuajtjeve dhe gjakut tonë në atë sistem, por nuk shpenzojnë asnjë cent për të treguar historitë e dhimbshme të atyre që u përndoqën vetëm e vetëm se i përkisnin një Shqipërie evropiane dhe perëndimore. Ministria jonë e kulturës financon 200 milion lekë nga taksat tonë për këtë film, ndërsa memorialët e të vuajturve e të përndjekurve, apo kumtesa për të pasqyruar botërisht vuajtjet tona mbulohen nga pluhuri i harresës. Ndoshta nga keqdashja apo pakujdesia e pushtetarëve tonë, fyhet rëndë dinjiteti jonë, gjaku i derdhur për këtë Shqipëri të lirë dhe demokratike.
A nuk duhet të realizohej një film ku të flitej për histori të elitës së vertetë shqiptare, e cila u shua nga diktatura komuniste Shqiptare e frymëzuar nga ajo staliniste ruse?
Ismail Kadare na e paska qarë hallin të bëjë film pikërisht për këta njerëz. I dhimbsen shumë Rusofilët, i dhimbsen ata që me ideologjitë e tyre shtynë injorantët e regjimit të vrasin nëna me fëmijë në bark. Rusët na vranë e na prenë, e po na përçmojnë edhe sot, duke e pasqyruar këtë përçmim më së miri nëpërmjet këtij filmi, gjoja artistik, por që s’mund të jetë asgjë më shumë se sa një tallje e gjakut të gjyshit tim, gjakut tuaj e të mijërave dëshmorë të demokracisë. Na e sjellin Enverin dhe Nexhmijen si dashnorë të mëdhenj, si njerëz të ndjeshëm e duke fshehur në këtë mënyrë shpirtligësinë e tyre, marrëzia e të cilëve dënoi e vrau për së gjalli shqiptarët.
Ata vazhdojnë ta sundojnë këtë vend. Vejusha e zezë, Nexhmija është ende gjallë. Të gjithë ne, e kemi të vështirë të imagjinojmë lutjet e saj që të jetë akoma gjallë deri në shfaqjen e këtij filmi, sepse ajo e di mjaft mirë që mesazhi i këtij filmi është si për të na kujtuar se bijtë e tyre kanë sunduar e do sundojnë këtë tokë, duke shkelur haptazi gjakun e vuajtjet tona. Vejusha e zezë di mjaft mirë, që nënat, gjyshet e motrat tona, ato qe vërtet vuajtën që në fillim prej këtyre qenve, s’kanë për ta parë kurrë historinë e tyre askund. Ato do të vazhdojnë të lihen në harresë, a thua se nuk kanë ekzistuar kurrë.
Të nderuar martirë të vërtete të demokracisë!
Unë ua dërgova këtë letër, pasi e di që ju jeni i vetmi zë që mund të ushtojë në veshët e këtyre bastardëve rusofilë. Jeni të vetmit që mund tu kujtoni atyre se ne jemi ende gjallë e që gjaku dhe vuajtjet e shqiptarëve nuk shiten e nuk blihen.
Jemi ne që duhet tua kujtojmë që dashuria e vërtete ka qenë në familjet tona. Vuajtjet e vërteta kanë qenë të atyre që u shuan për dashurinë për këtë vend. Të atyre që u vranë se i kishin sytë nga Evropa dhe Amerika.
Ndaj, me përulësinë e nipit të një prej dëshmorëve të demokracisë, me zemër në dorë, ju kërkoj të ngrini zërin tuaj kundër kësaj talljeje që po përgatitet nga rusofilët gjakatarë.
farifaj05@gmail.com