Nga frika se mos pëson fundin, Rama propozon mbylljen portaleve gjatë fushatës

Të gjitha portalet elektronike që nuk janë të regjistruara dhe nuk njihen nga bordi i monitorimit të mediave, nuk do lejohen të bëjnë fushatë elektorale.

Ato do të mbyllen nga shteti nëse bëjnë propagandë elektorale gjatë 1 mujorshit të fushatës.

Ky është një ndër propozimet e Partisë Socialiste dorëzuar në komisionin e reformës zgjedhore , në një tentativë për të disiplinuar portalet të cilat fshihen pas anonimatit, jo rrallë duke abuzuar, raporton “Report TV”.

“Ndalohet përdorimi i portaleve elektronike të pakontrolluara nga Bordi i Monitorimit të Mediave për propagandë zgjedhore. Autoritet shtetërore marrin masa për mbylljen gjatë fushatës zgjedhore të portaleve elektronike të paregjistruara të cilat përhapin propagandë zgjedhore, zhvillojnë sondazhe pa respektuar rregullat e këtij kodi, apo kalojnë kufirin e informimit dhe konsiderohen propagandë zgjedhore”, thuhet në nenin 10 të amendamenteve të dorëzuara nga bashkëkryetari i komisionit të reformës Taulant Balla.

Sipas këtyre ndryshimeve që pritet të shqyrtohen në ditët në vijim, drejtuesi lokal cakton 3 muaj para zgjedhjeve vendet ku do afishohen posterat elektoralë.

Hapësira për secilin subjekt varet nga votat që ka marrë në zgjedhjet e kaluara.

Posterat elektoralë nuk duhet të jenë më të mëdhenj se 50 me 50 cm, ndërsa flamujt nuk duhet të vendosen më larg se 10 metra nga zyrat e partive.

Ndalohet gjithashtu stampimi i imazhit kandidatëve ose partive te shkrepëset.

“Ndalohet prodhimi dhe shpërndarja e shkrepësve, çakmakëve, apo mjeteve të ngjashme ndezëse për propagandë elektorale”, thuhet në nenin 11 ku saktësohen cilat janë materialet propagandistike të ndaluara.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top