SHKRUAN: JUSUF BUXHOVI
“RILINDJA”, “ELIDA” DHE POROSIA E GENSHERIT PËR THEMELIMIN E PARTISË POLITIKE
Lajmi që së shpejti gazetarët dhe shkrimtarët e njohur nga radhët e “Rilindjes” do të themelonin një parti politike shqiptare, nuk kishte nevojë të jepej në gazetë. Mjaftonte që në kafiterinë “Elida”, ku rëndom silleshin pjesa më e madhe e gazetarëve dhe shkrimtarëve, të gjuhej një si thashetheme, gjoja si në besim, që ajo me të shpejtë të merrte dhenë.
Në të vërtetë, në njërën prej atyre ditëve kur rëndom pinim kafe me Mehmet Krajën, Xhemai Mustafën dhe Ibrahim Berishën dhe ishte e natyrshme se bisedohej se çfarë na kishte mbetur pas asaj që kishte ndodhur dhe çfarë përgjigje duhej dhënë sfidave të ardhmërisë, që dukeshin jo vetëm të paqarta por edhe të zymta fare përballë asaj gjendje, kur e dinim se me të kaluarën duhej përshëndetur, por pa lejuar që ajo të kalonte një zero jashtë funksionit kohor dhe shoqëror, kisha zënë ngojë çështjen e formimit të një partie politike meqë tashmë ekzistonin edhe kushtet ligjore për të. Ashtu siç më kishte folur kohë më parë Viktor Majer, se ishte koha që të themelonim një parti politike në mënyrë që t’u përgjigjeshim sfidave të kohës mr të cilat medoemos ngarkoheshim, ngjashëm u kisha thënë edhe unë kolegëve, të cilët kush më shumë e kush më pak kishte diç të ngjashme në kokë.
“Ta provojmë edhe ketë mesele”.
Meqë me Krajën dhe Xhemën, të shumtën na bashkonin afinitetet profesionale në redaksinë e rubrikës së kulturës së “Rilindjes”, po edhe ato të prirjeve të përafërta artistike në krijimtari, ishte e natyrshme që të arrihej pajtimi rreth kësaj çështje së paku në nivelin parimor.
Por, pasi që kaloi humori dhe, më duket se Xhema,, që dinte bisedave t’ua ruante përmbajtjen, porositi një rend të ri kafesh, dhe tha se ishin për një fillim që nuk dihej se mund të ishte edhe fund yni, që e përcolli me atë “le të shkojë ku të shkojë”, aty ra edhe fjala se mos do të ishte më mirë që të fillohej me formimin e një shoqate kulturore, por mbeti si në erë, meqë dihej se shoqatat nuk mungonin, dhe ajo e Shkrimtarëve madje ishte në një nivel të lartë të përgjegjësisë.
Pa treguar se rreth kësaj çështje kohë më parë më kishin sfiduar gazetarët gjermanë Viktor Majer dhe Horst Weseler , ndërkohë që ky i fundit kishte sjellë edhe një sugjerim personal të ministrit të jashtëm gjerman Hans Ditrih Gensher që sa më parë të t’ia fillonim organizimit partiak mbi bazat e pluralizmit politik, edhe pse kjo dukej e vështirë, kolegëve u thashë se merrja përsipër hartimin e dokumenteve bazë, programit dhe të statutit bashkë me pajisjen me dokumentet tjera që i duheshin një organizimi të tillë legal në përputhje me ligjin federativ tashmë të aprovuar rreth organizimit politik të qytetarëve nëpër shoqata dhe parti politike, dhe se për të gjitha do t’i njoftoja vazhdimisht.
Sipas ligjit në fuqi nismën për themelimin e partisë politike apo të shoqatës mund ta ndërmerrnin së paku njëmbëdhjetë qytetarë me deklarimin e lirë në listën me nënshkrime që do t’u dërgohej organeve përgjegjëse bashkë me programin, statutin dhe hollësitë tjera rreth të ardhurave financiare të nevojshme për veprimtari. Pasi që të kompletohet dokumentacioni, organet përgjegjëse, pra ato policore, janë të obliguara që brenda afatit ligjor prej dyzet e tetë orëve të jepnin përgjigje me shkrim për lejimin apo ndalimin e veprimtarisë. Në rast se brenda këtij afati nuk jepej kurrfarë përgjigje dhe nuk bëhej ndonjë vërejtje, atëherë lejohej kuvendi themelues.
Nga mesdita, sipas marrëveshjes, takova redaktorin e radios gjermane “Westdeutsche Rundfunk” Horst Weseler dhe ia bëra me dije se kishte filluar nisma për themelimin partisë së re. I tregova për bisedën me kolegët më të afërm dhe për miratimin që kisha prej tyre. Ai mbeti i kënaqur dhe më premtoi se do të kthente në Prishtinë pas dy javësh. Tha se shpresonte se deri më atëherë do të kryheshin punë të mira.
Të nesërmen prapë bashkë me Krajën, Mustafën dhe Berishën në kafenë e mëngjesit në “Elida”. U thashë se ia kisha filluar punëve rreth themelimit të partisë së re, që do të bëhej në përputhje me ligjin federativ. Andaj, ua bëra me dije se nënshkrimet e tyre më duheshin ndër të parët.
“Mbase nuk jeni pishman?”, fola si me shaka.
Sikur nuk kishin pritur që çdo gjë do të fillonte me asi turri. Kraja, tha se i kisha duart të veproja si të dija, por nga ai të mos kërkonte tjetër pos të vinte në kuvendin themelues, nëse ai përnjëmend do të mbahej.
Në ndërkohë kisha takuar edhe dy veta që i merrja të rëndësishëm drejt themelimit të partisë. Fjala ishte për Zekeria Canën dhe Milazim Krasniqin. I pari, tashmë me themelimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Njerëzore, si sekretar i tij dhe njeri i vyeshëm, do të mund të ndihmonte drejtpërsëdrejti që disa nga anëtarët e Këshillit ku bëja pjesë me disa nga shkrimtarët, t’i vinin në ndihmë nismës së re, qoftë duke u përfshirë në listën e nismëtarëve qoftë duke marrë përgjegjësi , ndërsa i dyti, ishte sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, të cilën Rugova e drejtonte me shumë sukses dhe po ashtu kishte përvojë organizative me shkrimtarët.
Zekeria Cana, i cili kishte duart plot me punë, parimisht u pajtua, por tha se mos duhej pritur edhe pak, që të piqeshin kushtet. Ma përkujtoi UJDI-n dhe si tha “ecjen me fenerë”.
Ia ktheva se koha nuk priste.
“Nëse ne bëjmë sehir sigurisht se mund të paraqiten edhe të tjerë dhe një zot e di si mund të shkojnë hesapet”.
Nuk e çuam më gjatë, pos që më tha se kishte ndihmën e tij por edhe të Këshillit. Më tha se pranonte të nënshkruhej në listën e themeluesve.
Takimi me Milazim Krasniqin filloi me atë buzëqeshjen e tij të hapur se tashmë e dinte.
“Punë e mirë fort. Duhet të lëvizim disi.”
Ia tregova disa nga ato që ai tashmë i dinte, por edhe për ato që tashmë kishin filluar të bëheshin. Pak si me shaka i thashë se më duhej edhe nënshkrimi i tij për atë masbatën që të mos burgosem pse bëj propagandë armiqësore, por propagandë legjitime për parti politike.
“Epo, pa myhyr sot nuk bëhet gjë”, ma ktheu njëjtë dhe më tha se më kishte aty fund e krye. Shtoi se shkrimtarët sikur kishin mallkimin e përgjegjësive historike.
Nuk desha t’ia hapja punën e nënshkrimit të Ibrahim Rugovës në listën e themeluesve, meqë vlerësoja se edhe ai do t’i bashkëngjitej asaj, por që duhej të ruhej paksa për sprovat e ardhshme, që si do të shihet do të jenë tejet të mëdha dhe te një përgjegjësie historike, të cilave Rugova do t’u jepej me përkushtim të madh.
Por, mu të nesërmen edhe kjo çështje ishte rregullua. Madje, më lehtë seç e kisha menduar. Sepse Milazim Krasniqi kur kishte marrë listën në Shoqatë që ta nënshkruante dhe kur pas një ore ma ktheu te kafe “Elida”, ku po e prisja, më tha se kishte edhe nënshkrimin e Ibrahim Rugovës.
“Bali, pa një pa dy nënshkroi. Uroi punë të mbarë, por tha se hë për hë aq mund të bënte për nismën.”
“Bali” e quanin Rugovën bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. Më vonë do t’i vihej nofka “shalli” dhe të tjera.
Me marrjen e nënshkrimit të Ibrahim Rugovës, krahas atyre që tashmë shfaqeshin si embrion i grupit themelues (Unë, Mehmet Kraja, Xhemail Mustafa dhe Ibrahim Berisha) dhe, nënshkrimit të Zekeria Canës, Milazim Krasniqit lista, po i afrohej numrit “kritik” të njëmbëdhjetëshit, me çka edhe formalisht plotësoheshin kushtet me të cilat mund të paraqitej kërkesa zyrtare për vazhdimin e punëve të mëtutjeshme për thirrjen dhe mbajtjen e kuvendit themelues të partisë.
Por, siç do të shihet, thirrja dhe mbajtja e kuvendit themelues kërkonte edhe shumë e shumë punë, që nga hartimi i programit, i statusit dhe dokumenteve të tjera, që për t’iu ardhur rreth, krahas hapit dhe vrapit të domosdoshëm poshtë e përpjetë në kërkim të nënshkruesve të listës por edhe të atyre që pos si numra ishin të domosdoshëm për çati, duheshin edhe, ata që do të merrnin përsipër punët rreth konceptit përfundimtar dhe të asaj se mbi çfarë platforme do të themelohej partia dhe të tjerat që i duheshin një nisme.
Ishin këto dilema që sa më shumë sheshoheshin ktheheshin në shqetësim. Sidoqoftë me kyçjen e mëtutjeshme të profesor Fehmi Aganit, si dhe nënshkrimet që kisha marrë nga akademik Idriz Ajeti, akademik Mark Krasniqi, akademik Dërvish Rozhaja, profesor Anton Çetta, Ramiz Kelmendi, pastaj Bujar Bukoshi, Ajri Begu, avokati Mustafa Radoniqi dhe të tjerëve që do të gjendeshin në njëzet e treshen e iniciuesve të kuvendit themelues, ishin krijuar kushtet edhe për hapjen e çështjes se konceptit, së paku në vija të trasha, në mënyrë që të shkohej më tutje.
Meqë ishte e vështirë që nënshkruesit e nismës për themelimin e partisë të mblidheshin bashkërisht, dhe kjo madje kishte edhe arsyet e veta në ato rrethana të terrorit shtetëror që ushtrohej ndaj intelektualëve, mora përsipër që krahas atyre me të cilët thuajse çdo ditë takoheshim në kafe “Elida” (ata që vinin nga “Rilindja” dhe shkrimtarët nga radhët e kësaj shtëpie), me të tjerët të komunikoja herë “spontanisht”, e herë ashtu shpejt e shpejt, pa formalitete, që t’i njoftoja por edhe të merrja mendime, vërejtje dhe sugjerime rreth atyre që bëheshin. Kjo mbase ishte mënyra më e mirë e punës.
Duhet thënë se edhe para se me Krajën, Mustafën dhe Berishën të hapej biseda, që disi dhe me dikë patjetër se duhej të bëhej për të shkuar më tutje, në kokë tashmë kisha tri pika nismëtare mbi të cilat do të mbështetej koncepti: atë të barazisë së plotë, të demokracisë (pluralizmit politik) dhe të përkatësisë perëndimit. Në rrethanat përkatëse, ato duhej të kundroheshin si çështje politike dhe si të tilla të bëheshin pjesë e platformës partiake, si pikënisje e qëllimeve të caktuara, të cilat nuk duhej parë dhe marrë të ngurtësuara, por si mundësi e ndryshimeve dhe e përshtatjeve në përputhje me nevojat dhe rrethanat nëpër të cilat do të kalohej.
Tek e fundit, programi nuk do të thoshte shumë dhe nuk garantonte gjë po qe se do të mbetej letër e thatë. Ishte një formalitet me të cilin mund të shkohej më tutje, për t’u hapur dyert e veprimtarisë. Pra, puna e mëtutjeshme ishte ajo që do t’u jepte ngjyrimin dhe përmbajtjen kërkesave në mënyrë që ato të ktheheshin në koncepte të qëndrueshme. Por, mendja ma thoshte se ne kishim nevojë për një program konceptual, jo të telisur, që do të përvijonte kërkesat ku ajo e barazisë, e demokracisë (pluralizmit)dhe e përkatësisë Perëndimit, do të krijonin një trekëndësh strategjik. Mund të lejoheshin kamuflime, mund të lejoheshin fraza dhe çmos tjetër, por programi i partisë nuk mund të anashkalonte këto tri kërkesa.
Rreth barazisë si pikënisje e të gjithave, sesi më kishte mbetur në kokë fjalia që ma kishte thënë vite më parë filozofi gjerman Von Vajzeker (më vonë president i Gjermanisë), kur bashkë me shkrimtarin Hajnrih Bëll dhe historianin Jens Rojter në Bad Godesberg te Bonit bisedonim rreth librit “Jugosllavia pa Titon” e Karl Gustav Shtrëmit, me ç’ rast Jugosllavisë do t’i parashihej mbijetesa apo edhe sfida e rrënimit pikërisht mbi zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Filozofi gjerman e kishte quajtur të drejtë përcaktimin për barazinë, por si do të shihet atëherë dhe më vonë, kjo për rrethanat nëpër të cilat kalohej, pas fushatës se egër serbe që të kërkohej gjoja barazia me të tjerët që për parakusht kishte rrënimin e kahut të barazisë së shqiptarëve, gjë që kjo edhe do të ndodhë më 23 mars të atij viti, shfaqej e anatemuar me dhunën e të fortit dhe mashtrimin e pranimit të saj. Pra, ajo duhej të kushtëzohej edhe me kërkesën për liri, por çështje ishte si dhe da mund të intonohej ajp jashtë pluralizmit politik? Megjithatë, nga aspekti politik, koncepti i barazisë në ato rrethana ishte parësor prej saj nuk mund të hiqej dorë sepse jashtë saj qëndronte vetëm opsioni i forcës, lufta që edhe po të ishim të aftë për të, pa u plotësuar disa rrethana, të cilat atë do ta kthenin në mjet të qëllimit dhe jo qëllim të mjetit, ajo mund të ishte e kotë, shkatërruese dhe vetëshkatërruese…
Atë natë, qita në letër pikat e para mbi të cilat do të niseshin bisedimet dhe konsultimet me të tjerët rreth hartimit të programit të partisë.
Ato ishin tri bazike dhe një përcjellëse. Pra, barazia, demokracia, sistemit pluralist (me intonimine lirisë së mendimit), të cilave u bashkohej edhe ekonomia e lirë e tregut.
U përpoqa pastaj që brenda kornizave të secilës të shoh qëllimet të cilat do të paraqitnin konceptin dhe platformën e partisë. Kështu, te barazia perceptova statusin e ardhshëm të Kosovës, ku ajo në federatën apo konfederatën jugosllave duhej të shfaqej vetëm si e barabartë me të tjerët dhe assesi ndryshe. Tek e fundit a nuk ishte edhe kërkesa për Kosovën Republikë e dalë nga demonstratat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981kërksë për barazinë me të tjerët?
Kjo kërkesë duhej të mbështetej mbi të drejtën e vetëvendosjes dhe të lidhej me konferencën e Bujanit, por çështje ishte se a do të mund të theksohej kjo aty, ngaqë mund të bëhej shkas për ndalimin e themelimit, edhe për arsyen se para më shumë se një viti Komiteti Krahinor i Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, nga trysnia e Beogradit, kishte dalë me qëndrimin që edhe pas gjysmë shekulli rezoluta e Bujanit të anulohej! Edhe pse vendim antihistorik dhe si koncesion tepër i papërgjegjshëm , megjithatë, ajo mund të luante rol të madh kundruall çdo thirrjeje në të apo analogjive që do të mund të shfaqeshin si kërkesa të drejta të shqiptarëve për vetëvendosje. Zaten, ky edhe kishte qenë qëllimi i këtij akti. Por ishte çështja e demokracisë dhe mbështetja në të që paraqiste çelësin kryesor mbi të cilin projektoheshin por dhe mund të mbështeteshin kërkesat për barazi të plotë në federatën apo konfederatën e ardhshme sapo ajo t’i nënshtrohej sistemi pluralist si bazë e demokracisë parlamentare. Andaj, kërkesa për demokraci, ishte formulë thuajse magjike mbi të cilën ndërtoheshin që të gjitha postulatet civilizuese dhe hapte që të gjitha dyert qofshin edhe ato që aq tragjikisht kishte mbyllur anulimi i Bujanit.
(Shkëputje nga libri “Kthesa Historike 1 – Vitet e Gjermanisë dhe Epoka e LDK-së”, 2008, i përpunuar dhe i plotësuar në plarformën elektronike gratis: jusufbuxhovi.com)