NAIM FRASHËRI

Andon Zako Çajupi

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
moj e mjera Shqipëri!
Mendjelarti, zemërtrimi,
vjershëtori si ai!

Vdiq Naimi, po vajtoni
shqipëtarka, shqipëtarë!
Naim’në kur ta kujtoni,
mos pushoni duke qarë!

Vdiq Naimi, gjithè thonë,
qani turq, qani kaurrë!
Bilbil’ i gjuhës tonë
s’do të dëgjohet më kurrë!

Vdiq Naimi, që kendoi
trimërine, Skënderbenë,
vdiq Naimi, që lëvdoi
dhe nderoi mëmëdhenë!

Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,
o moj Shqipëri e mjerë!
Vdiq Naimi, po kush mbeti?
Si Naimi s’ka të tjerë.

Vdiq Naimi! Vdekje e shkretë,
pse more të tillë burrë?
I ndritë shpirti për jetë,
mos i vdektë nami kurrë!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top