SHKRUAN: ARDIAN NDRECA
Shqiptarët sot janë nji popull i madh, i përfaqsuem prej shtetesh të dobta.
Nacionalizmi asht nji prej fenomeneve moderne ma të pakapshme nga pikëpamja konceptuale, mbasi ai ndërron pamje dhe formë, tue kalue prej gjendjes së ngurtë, në atë të langshme e të gaztë, tue shkaktue shpërthime entuziazmi, disa herësh mjaft të rrezikshme, rreth të cilave ngrohen demagogët dhe megalomanët e rastit. Tipari themelor i këtij fenomeni asht energjia që rrezaton, e kjo mund të jetë pozitive ose negative, në mvarësi të qëllimit.
E. Hobsbawm, tue ndjekë linjën marksiste, ka veçue nji lloj nacionalizmi pozitiv – atë që në periudhën 1830-1870 themeloi shtetet kombtare në Europë – prej nji lloji negativ, atij të popujve të vegjël e “periferikë”, p.sh. t’atyne që kishin vuejt nën Perandorinë osmane dhe që prej 1870 e deri në 1914 e mbajtën në kambë Europën me ahengun e armëve. Ky dallim, sot i papranueshëm për shkak të arbitraritetit konceptual, ripërtërihet prej ndonji nostalgjiku të teorisë së Hobsbawm-it, me qëllimin me shpërfill lëvizjen kombtare që çoi Shqipnín drejt pamvarsisë së saj.
Nacionalizmi shqiptar, i cili i ka paraprî formimit të kombit tonë, ka qenë i rranjosun prej 1878 e këtej në dy elementa dallues, tek gjuha dhe tek etnia, dhe, i udhëhequn prej nji ideje politike, ka shërbye për krijimin e shtetit tonë, me të mirat e të metat e veta.
Megjithë përbuzjen e Engelsit dhe Leninit për popujt e vegjël, populli ynë mbërrijti me krijue nji shtet dhe nji ndërgjegje kombtare, e madje tregoi se ishte në gjendje me krijue nji unitet politik të atillë sa me i rezistue në vitin kritik 1920 rrezikut që i kërcënohej prej të huejve.
Nacionalizmi i fqinjëve tanë
Edhe këta të fundit kanë nji ndërgjegje kombtare të fortë dhe shpeshherë përjashtuese. Grekët e lashtë, edhe pse ishin shpikësit e demokracisë, mbeteshin në kandvështrimin demokratik shovinista “ante litteram”, ngaqë trajtonin jogrekët si barbarë, si të padenjë me gëzue të drejtat qytetare, të cilat ata ia njihnin plotësisht veç vetvetes. Grekët e sotëm, tue qenë krejt ndryshe prej atyne të kohës së Sokratit, kanë edhe ma pak arsye me qenë përbuzës ndaj të tjerëve.
Edhe sllavët kanë nji identitet të fortë kombëtar dhe etnik, madje me ngjyrime raciale. Lëvizjet e tyne pansllave në ‘800, u përpoqën me e vu shtetin në shërbim të kombit, tue e kthye politikën e shteteve sllave në nji mjet kërcënues ndaj josllavëve. Ky lloj nacionalizmit asht pagëzue prej filozofes Hannah Arendt tek “Zanafilla e totalitarizmit” si nacionalizëm tribal, mbasi ia merr frymën shoqnisë dhe ia mohon pakicave, me pan-sllavizmin e vet gjithëpërfshirës, çdo mundësi shprehjet.
Ka 20 vjet që Shqipnia përballet me nji nacionalizëm grek të pafré dhe instrumental, i cili përfaqësohet në dy mënyra: politikisht në parlamentin shqiptar dhe jopolitikisht prej nji pjesë të kishës ortodokse. Ajo çka i mungon këtij nacionalizmi asht nji përfaqësim intelektual i mirëfilltë. Kjo ndoshta për meritën e intelektualëve të vërtetë minoritarë, që nuk bien në grackën e kësaj ideologjie.
Pra, problemi kryesor i nacionalizmit grek në Shqipni lind prej faktit se ai asht i politizuem dhe nuk ka nji përmbajtje kulturore, por mbledh dhe shpreh vetëm kërkesa politike, provokuese, shpeshherë të nji natyre antikushtetuese.
Nuk njohim as edhe nji vepër artistike apo letrare të prodhueme prej këtij nacionalizmi në këto 20 vjet! Nuk kemi pa asnji tubim të randësishëm kulturor që të ketë shpalosë vlerat e pakundërshtueshme kulturore, që dëshmojnë për pasuninë e jetës së këtyne ngulimeve mbrenda kufinit politik shqiptar! Dy apo tre ministra të pangjyrë në qeveritë e këtyne viteve, kanë shërbye për gramaturën e ekuilibrave politike shqiptare, por nuk i kanë sjellë asnji dobi konkrete bashkësisë grekofone.
Askush nuk mund të mohojë të drejtat e shtetasve shqiptarë me prejardhje greke: të drejtën me përdorë gjuhën e tyne të origjinës, me u mbledhë, me pasë shkolla etj. Këto gjana ua ka njohtë edhe E. Hoxha, i cili madje i mbante aq afër sa u jepte vende drejtuese në parti, poste të randësishme në ushtri dhe në administratën shtetnore. Minoritarët mbanin shumë ma tepër poste zyrtare se disa shtresa qytetarësh, që edhe pse ishin puro shqiptare, vinin prej krahinave që s’paraqitnin besueshmëninë e duhun politike për diktatorin.
Shqiptarët janë krenarë deri në teprí, por s’bojkotojnë kulturën e nji populli si grekët apo fqinjët tjerë. Mjaft të ndezësh radion dhe televizionin dhe në çdo orë të ditës, në vend të polifonisë labe, me të cilën mund t’i krenohemi botës, apo në vend të kangëve të mirëfillta korçare apo gjirokastrite, ndigjon qyrravitje sentimentale me ndikim të hapun grek apo oriental. Shqiptarët nuk kanë paragjykime për kulturën greke, madje janë gati të braktisin vlerat e veta, në ketë rast muzikore, për me përqafue ato të fqinjëve. Problemi lind kur prania greke, civile apo kishtare, ka pretendime politike që nuk kanë baza reale dhe kalojnë përtej logjikës së marrëdhanieve normale mes fqinjësh.
Shekulli XXI: ballë për ballë apo krah për krah!
Edhe nacionalizmi shqiptar ka ngjyrime politike, ose ma mirë me thanë, përdoret për qëllime politike. Themi “përdoret”, pse asht shumë e vështirë me mendue se ata që drejtojnë sot Shqipnín dhe Kosovën mbajnë flamurin e nacionalizmit kulturor dhe qytetar shqiptar. Mâ së shumti mund të mendojmë se ata mbajnë vetëm nji ombrellë kuq e zi, me të cilën përpiqen me u mbrojtë prej stërpikjeve mediatike.
Ata përdorin kombin, ndjenjat kombtare për me mbrojtë vetveten, si palë politike e si persona privat. Ky keqpërdorim ka sjell si pasojë largimin dhe të velunit e shumë shqiptarëve prej idesë së shëndoshë dhe normale të kombit.
Nji shembull. Kur politika shqiptare pagëzon nji rrugë, të randomtë për Europën e sotme, “rruga e kombit”, në nji kohë që akuzat për vjedhjen e fondeve të saja randojnë mbi ministra të qeverisë, kjo gja bahet për me kërkue nji legjitimim kombtarist që të ekuilibrojë mungesën e theksueme të ligjshmënisë.
Mandej, apelimi i përhershëm ndaj ndjenjave kombëtare, thirrjet e drejtpërdrejta të natyrës politike që i drejtohen “sovranit”, nuk janë veçse shenja të nji populizmi të pagdhendun dhe primitiv.
Nji popull që qeveriset prej hajnash nuk asht sovran, asht thjesht peng.
Në anën tjetër kombësia kthehet në nji problem kur shteti yt e humb besueshmëninë pranë familjes së kombeve. Kjo gja e zbeh ndjenjen kombtare, e cila nuk mbahet gjallë vetëm me kore stadiumesh, tue pasë parasysh se edhe atje fitoret janë shumë të rralla.
Politika shqiptare e këtyne 20 viteve ka dobsue atë që Friedrich Meinecke e quente në vitin 1907 tek vepra e mirënjohtun “Kozmopolitizmi dhe shteti kombtar”: “personaliteti i kombit”.
Ka të paktën tri elemente që janë tregues të dobisë së nji ndjenje të natyrshme kombëtare: lidhja me vendlindjen, lidhja me gjuhën amtare dhe rrugëtimi drejt nji objektivi të përbashkët.
Dy elementet e para janë dobësue për shkak të instrumentalizimit të kombit prej politikës. Shqiptari nuk asht ma i lidhun me tokën e vet si përpara, nuk asht ma i lidhun me gjuhën e vet si ka qenë. Për ketë mjafton me pa sesi nji pjesë e brezit të parë të fëmijëve në emigracionin e mbas viteve ’90 e ka humb gjuhën shqipe, në nji kohë që arbëreshet e ruejn tash ma se pesë shekuj.
Kombi dhe shteti
Në këto 20 vjet forcimi i presionit të nacionalizmit të sëmurë grek ka ardhë si pasojë e qeverisjes sonë prej personash të padenjë. Kjo gja u duk qartë me çështjen e kufinit detar, e cila tregoi fytyrën e këtyne matrapazave të kombit.
Populli ynë s’ka ra prej qiellit, ka të mirat e të metat e veta si gjithë popujt. Nuk asht ma i lashti në Mesdhe, edhe pse lashtësia jo gjithmonë lakohet me përparimin dhe me qytetnimin, ndërsa lashtësia antropologjike nuk ekziston.
Ne jemi mikpritës. I kemi pritë dhe i duem pakicat që kanë zanë vend tek ne, që ndihmojnë vendin me ecë përpara.
Por mos të harrojnë se shteti ynë nuk ka lindë prej nji aleance me pakicat që jetojnë tek ne, madje nuk ka lind as prej vullnetit të tyne. Zografët dhe Milot janë shembuj kuptimplotë për ketë gja. Pakicat tek ne, e ky asht nji gjykim thjesht historik, kur s’kanë qenë të papërfillshme në pikëpamjen politike, ushtarake dhe ekonomike, në themelimin e shtetit shqiptar, janë përdorë si kolona të pesta prej anmiqve të atëhershëm.
Sot kemi pakica etnolinguistike si grekët, vllehët, romët, bullgarët dhe serbo-malazezët, kemi edhe pakica kulturore si ato që shpalosin nji neo-otomanizëm ballkanik dhe nuk humbin rastin me shprazë edhe ndër takime zyrtare togfjalëshin e pakuptimtë “populli vëlla turk”. Atë që Haxhi Qamili e shprazte dikur me armë dhe me zjarr, këta e nxjerrin sot pa drojë me togfjalësha të këtillë antihistorikë.
Por përqindja e tyne nuk rrezikon asgja. E keqja jonë vjen prej politikës, prej atyne që dobësojnë “personalitetin e kombit”, që alienojnë hapsinën territoriale kombëtare, që veprojnë kundër ligjit themelor të shtetit.
A janë të gjithë shqiptarët shqiptarë?
Kombi karakterizohet, pohon A. D. Smith tek “The Cultural Foundations of Nations” (2008) prej sovranitetit, prej sistemit të ligjeve dhe institucioneve, prej pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën politike, prej kulturës, prej pjesëmarrjes së kombit në organizma ndërkombëtare. Ky asht edhe kombi shqiptar, në gjinin e të cilit jetojnë pakicat e masipërme.
Sot ka ardhë puna që shqiptarët t’i druhen regjistrimit të popullsisë që parashikon deklarimin e prejardhjes etnike. Kjo drojë nuk ka të bajnë me plleshmërinë e pakicave, ato rriten pak a shumë si pjesa tjetër e popullatës. Frika ka të bajnë me faktin se nji pjesë e shqiptarëve janë gati me u deklarue grek për me përfitue diçka sado të vogël prej shtetit helen.
Joshësit janë grekët, por fajtorët kryesorë nuk janë ata.
Asht aktual edhe sot Filip Shiroka me epitafet e tija: “Sipri vorrit të nji turkomanit” dhe “Sipri vorrit të nji grekomanit”!
“N’kët vorr po kalben eshtnat t’nji qyqari,
Qi turpnisht jetën e vet e ka shkue;
Shqyptar, për fat t’zij edhe bir Shqyptari,
Punoi për Grekët, Shqypninë me tradhtue:
TRADHTUER emnohej, sa ish gjallë ky i shkretë,
E tradhtuer emnin ka m’e pasë për jetë”.
Kjo zhveshje e dinjitetit që i ban disa shqiptarë me deklarue, pa asnji bazë objektive, nji tjetër prejardhje etnike, përveçse dobësi karakterit dhe mungesë nderit vetjak, asht dhuratë e politikës sonë.
Ne sot kemi nji ushtri me punëtorë që përbajnë nji faktor me randësi për ekonominë e Greqisë. Në qoftë se dikush do t’i kishte organizue në shoqata për me mbrojtë të drejtat e tyne të ligjshme, ata nuk do të ishin keqtrajtue apo përul në kufi, mbasi nji demonstratë e disa qindra mija shqiptarëve do të kishte pasoja për cilëndo parti që ushqen apo nxit urrejtjen dhe nacionalizmin e sëmurë vorio-epiriot.
Megjithatë s’na e kanë fajin grekët, por politikanët tanë të korruptuem e anmiq të kombit shqiptar.
Prandaj të paktën nji gja mund të pretendojmë, disa politikanëve tanë do të duhej me ua ndalue me ligj pjesmarrjen me flamur kombtar në tubime elektorale dhe politike.
Le të përdorin at’ flamur të cilit i shërbejnë me mish dhe me shpirt: flamurin e korrupsionit, atë që ka shprishë “personalitetin e kombit” dhe po shkatrron të ardhmen e tij.
Problemi tjetër asht deklarimi i besimit fetar. Sot ka grupe të caktueme që nuk duen që shqiptarët të deklarojnë se cilit besim i përkasin, apo të shpallin haptas se nuk besojnë në asnji entitet sipëran. Në të njejtën kohë pyetjes normale se cilat janë raportet mes feve të ndryshme në Shqipni, po ata që sot duen me pengue procesin e vetëdeklarimit, i përgjegjen tue iu referue të dhanave të para shtatëdhjetëvjetëve.
Shteti tek ne asht laik, feja dhe kombësia janë dy gjana të ndame, pse po kërkohet atëherë me u pengue deklarimi i besimit fetar? Mos vallë për me vijue me qenë antar të Konferencës islamike?!
Shteti i pamjaftueshëm
Shqiptarët sot janë nji popull i madh, i përfaqsuem prej shtetesh të dobta.
Prapseprap e ndiejm se e ardhmja jonë mvaret prej tharmeve të së kaluemes, jo asaj abstraktes që jeton në librat e cunguem të historisë, por prej asaj reales, nepërmjet së cilës jena përshkue me shpirt ndër dhambë për me mbërrijtë deri këtu. Tepricat e asaj të kalueme, mbrenda nesh, kanë qenë deri tash tharmet e së ardhmes.
Por sot nji rol ma të madh e ma pozitiv duhet ta luenin intelektualët e rinj shqiptarë. Nji pjesë e tyne, asht e vërtetë, interesohet për fatet politike të vendit tonë, por ma së shumti e ban me mëní dhe me mujshí. Nji pjesë tjetër asht e shitun për tridhjetë aspra tek ata që e kanë privatizue Shqipnín. E ka do tjerë që losin politikën e kambës në kapërcyell, tue u mundue me e mbajtë mirë me të gjithë, për me mujtë me kapë majtas e djathtas, si të fryjnë era. Prej gojës së këtyne të fundit rrallëherë mund të rastisin me ndie marrina, por edhe ma rrallë mund të ndiesh gjana me mend.
Vijmë prej nji të kaluemeje që na ka shenjue me nulitetin tonë politik, mbasi nuk kemi pasë jetë aktive historike. Edhe sot s’janë të rrallë shqiptarët që s’e dijnë emnin e stërgjyshit, pse vorrin jo se jo. Kujtesa jonë historike asht e tepër e shkurtë për mos me përsërit gabimet e së djeshmes.
Forca gërryese e individualizmit, korrupsionit, hajnisë, krimit nuk e lejon shpirtin e kombit me mbërrijtë sinteza të qëndrueshme historike, dhe sinteza ma e çmueshme asht shteti demokratik.
Në këto 20 vjet liria asht ba grueja e paligjshme e shoqnisë sonë aktuale, mbasi nën maskën e saj kryhen dhe justifikohen akte të damshme për shtetin dhe për kombin tonë.
Nuk mund të ketë liri me korruptue dhe me u korruptue, liri me vjedhë pasunitë e shtetit dhe me abuzue me pushtetin, liri me pengue administrimin e drejtësisë, me vjedh votën, me vra dhe me rrejt qytetarët shqiptarët.
E gjithë kjo asht nji robni e re e endun me fijet e padukshme të pushtetit që flet për liri, por vepron konkretisht kundër saj.
Prandaj, pa asnji dallim rryme ideologjike, nji qytetar i ndershëm shqiptar që ka përgjegjësi për të ardhmen dhe ka besim tek Zoti, siç shprehet Kushtetuta jonë, nuk mundet me mbështetë individë që minojnë shtetin dhe të ardhmen e kombit me veprime të këtilla.
Korrupsioni ka nji forcë përçudnuese, ai e rikrijon njeriun tue e prishë. Llomshtina e tij ia kalb indet shoqnisë, tue e mbytë të drejtën në zemrat e njerzve. Duhma e tij e keqe, së bashku me brutalitetin dhe budallallekun, shuen çdo entuziazëm që kërkon ndryshim.
E nesërmja apo e ardhmja?
Shoqnia civile shqiptare asht e thirrun me shestue të ardhmen e vet, dhe jo thjesht me jetue për me mbërrijt të nesërmen.
Zbehja e identitetit tonë kombëtar dhe ngritja krye e disa dukunive mohuese, na ban me mendue se duhet me vigjilue përmbi ato vlera të amshueme që kultivoi Rilindja kombëtare dhe zhvilloi elita jonë deri në vitet ’40. Nuk tregojmë matuni shpirtnore në qoftë se do të lejojmë që vlerat që formuen kombin para nji shekulli, të kthehen sot në mallna kontrabandë, për të cilat të mund të flitet vetëm me za të ulët.
Shkruente Ernest Koliqi veç pak muej para se të ndërronte jetë: “Mbarë gjaku ynë i shprishun âsht plandosë në nji amullí shpirti dobësuese. Ndonji lëvizje plot zhurmë të pafrytshëme nisë e shuhet nën gicilim ambicjesh pa flatër ideale. Problemi thalbësuer i fisit shqyptar, d.m.th. ndertimi i nji atdheu të vertetë, të lír e të përparuem, cak ngushullues vëllaznije ku sejcili Bir Shqipje të gjêjë vokësí çerdhje, jo vetem lêhet mbas dore, por deshtas hidhet në kosh të plaçkave qi s’vyejnë gja” (Shêjzat, XVIII, 1972, nn. 1-10, f. 6).
Sot nji pjesë e jona asht dorzue, asht lodhë shpirtnisht dhe pranon gjithçka me fatalizëm. Por mendimi filozofik Perëndimor na mëson se tirani ma i madh i shoqnisë njerëzore asht fatalizmi, pra me çue duert përpjetë dhe me ju dorzue fatit.
Nuk kena mbetë mbrapa botës së qytetnueme vetëm pse e kena nisë ma së parit zhvillimin prej nji caku të mbrapambetun. Faji asht se na i kena tërheqë rrëshqanë zhelet e së kaluemes dhe ja kena besue fatet tona, të ardhmen tonë, disa njerëzve që përfaqësojnë shpirtin rrënimtar dhe mungesën e çdo ideali.
Vetëm nji shoqni që vuen prej nji fatalizmi shekullor, mbërrin me besue se 20 vjet tranzicion përbajne diçka normale dhe aktorët e tij nji të keqe të domosdoshme.
Në politikën tonë ka humbë thuejse krejtësisht kuptimi i nderit vetjak dhe shoqnor. Populli thotë se nderi as nuk blehet dhe as nuk shitet. E pra hajduti, vrasësi, ai që ban be në rrenë, ai që punon kundër drejtësisë, ai që e dhunon me fjalor e me sjellje rrugaçash logun e politikës së kombit, ai që nuk ka besë… e ka humbë nderin e vet.
Koncepti i nderit nuk asht kurrsesi diçka e vjetrueme që i përket së kaluemes.
Nderi mbetë nderë, as nuk shitet as nuk blehet me pare e me pushtet. Hori mbetë hor, sado pare dhe sado pushtet të mbërrijnë me pasë. Kurse i ndershmi, njeriu i vërtetë, asht i vetmi që gëzon lirinë e mbrendshme me shikue botën kryenaltë, sepse virtyti i tij asht shpërblimi ma i madh që mund t’i japin jeta.
Sot bota vërtetë e qytetnueme i ven randësi të madhe nderit vetjak. Beja në rrenë apo dëshmia e rreme munden me i kushtue shtrenjtë nji politikani, sidomos në botën anglosaksone. Nji prej filozofëve bashkëkohorë ma në za që ka shkrue për drejtësinë e detyrimet që kemi në shoqni, John Rawls, e paraqet nderin (fairness) si nji prej tipareve themelore të jetës së sotme shoqnore.
T’i braktisim trajtat e këqija që na kanë karakterizue, por të zbulojmë rishtas ato të mirat, siç asht koncepti i nderit, dhe t’i vemë në qendër të jetës sonë shoqnore.
Edhe pse drejtësia, për shkak të lëngatës prej së cilës vuen tek ne, nuk ka me e dënue siç e meriton nji hajdut të pasunisë shtetnore apo nji të korruptuem, nëse ky ka me u trajtue si i tillë prej shoqnís, ka me e marrë, së paku moralisht, atë që meriton. Kur shoqnia të veçojë me përbuzjen e vet njerëzit e këtillë, kur ta ketë për turp me marrë e me dhanë me ta, atëherë nji hap sado i vogël për rivendosjen e sensit të së drejtës do të jetë ba.
Njerëzit janë fryt i shoqnís, e pa të s’kanë jetë, prandaj asht shoqnia civile ajo që duhet të japin shembullin dhe të mbajë qëndrimin e vet të palëkundun. Sot, mjerisht, vetëm nji pakicë asht e ndërgjegjshme për nji detyrim të tillë moral, pjesa tjetër kur s’plus kon në indiferencë, lakmon gjanë dhe rrugën, në dukje të shndritshme, të të keqit.
“Kundër një së lige, – shkruente Lumo Skëndoja në vitin 1924, – përpara një mënxyre, duhet vepruar, do pasur një kundërveprim, që të vijë zgjimi pas gjumi, larg dehjes, një zgjim veprimtar, me vullnet të vërtetë, me punë të fortë, motra e mëma e shpresës pjellore. Një verí e bën detin të buçasë. Një frymë e re e bën një komb që të marrë një shpirt të ri. Një të tillë frymë krijonjëse duhet të kemi”.
Nji frymë të tillë duem edhe ne, nji frymë ndërtimtare për me kalue këtë lëngatë të stërzgjatun e për mos me pa ma ngjyrat e errta të dhimbjeve të kombit tonë.