SHKRUAN: LEONORA LAÇI
Ka disa vite që aplikoj për lotarinë amerikane, si shumë të tjerë dhe ende asgjë…
Përzgjedhja rastësore është si tepër rastësore, ashtu si dhe pritja që nga rastësia e rastisur të më bie lapsi edhe mua.
Por ndryshe nga vitet e tjera, këtë radhë për herë të parë po pres me ankth, jo aq nga përgjigjia e cila ka qenë negative përherë, por mendimi gërryes se po të jetë pozitive çfarë do të bëj?! A do jem e gatshme për të jetuar një “ ëndërr” të pa ëndërruar më parë ?! A është ajo çfarë dua për të ardhmen time?! Sikur këto pyetje t’ja bënim vetës kur aplikojmë besoj se shumëkush do stepet dhe do qendronte në Shqipëri.
Miti i lotarisë amerikane ende nuk ka rënë deri sa të dal diçka tjetër më e mirë, ndoshta procesi i hapjes së negociatave me BE do na zgjeronte horizontin për mundësi të reja pa pasur nevojë të shikojmë shumë larg.
Për disa gjëra jam e bindur se; të fitosh lotarinë amerikane nuk është fitorja e një beteje por nisja e saj, është vetëm nisja drejt një destinacioni dhe jo destinacioni vetë, është hapi drejt së panjohures dhe jo e panjohura, është zgjimi nga ëndrra dhe jo ëndrra, është drita në fund të tunelit por jo dalja nga ai, është plumbi që ia fut vetes por jo arma, është problemi dhe jo zgjidhja, është e reja por jo domosdoshmërisht më e mira, është varka në mes të detit të trazuar që dhe notari a lundërtari më i mirë s’do të mbijetonte.
Ëndrrat nuk janë gjithmonë të bukura, i vetmi realitet i tyre është që nuk ndodhin realisht, derisa ëndrra nuk ndodh atëherë pse duhet të besojmë se ndodh ëndrra amerikane?!
Sot, nepërmjet mjeteve te informimit arrijmë të njohim, kuptojmë, dallojmë e të gjykojmë se jeta atje nuk është “një fushë me lule” siç na e përcjellin disa. Edhe atje vriten njerëz ditën me diell, edhe atje ka pasiguri, nëse nuk i jep shtetit nuk merr asgjë në shkëmbim, edhe atje ka pabarazi socialo-ekonomike, edhe atje ka pakënaqësi të popullit nga qeverisja, edhe atje ka trafik droge e prostitucion.
Por, atje nuk ka babëzi politike, atje interpretohet saktë taksa progresive, atje një skandal të prish karrierën e emrin, atje ka sindikata që janë për ty e me ty, atje ka ligje që duhet t’i zbatojë edhe ai që i ka hartuar e miratuar, atje funksionojnë njëllojë gjykatat për të fortët e të dobtët.
Shumë shqiptarë që jetojnë në SHBA nuk tregohen realistë për veshtirësitë që ka, ndoshta për të mos na kënaqur egon tonë të sëmurë, apo dhe për të përkëdhelur sedren e tyre dhe për tu justifikuar se kanë bërë zgjedhjen e duhur.
Por ne e dimë, atje nuk je ne gjendje të mbijetosh me nje rrogë. Atje je i humbur nëse ngel pa punë. Falimentimi njerëzor hynë pa trokitur në derë, në çdo moment.
Ne e dimë që lotaria nuk na ofron strehim, as punësim dhe asnjë integrim në shoqërinë e ftohtë amerikane. Por prapë mbajmë shpresë.
Ëndrra amerikane pas fitores së lotarisë është një luftë më vete, dhjetra dokumentacione për tu plotësuar, aq sa kur të vjen dita të shkosh do të të ketë humbur dhe dëshira nga lodhja a stërmundimi.
Ky do jetë vetëm fillimi i kalvarit të një jete të re, që ende pa filluar përballesh me shijen e hidhur të biletës, të banesës, të shkollimit, të ushqimit, sa realiteti ka për të na përplasur me dy gjunjët në tokë.
Shqiptari i sotëm nuk është ai i viteve ‘90 që i dukej ikja shpëtim dhe zgjidhje, sot mendojmë më gjatë kur duam të ndërmarrim një rrugëtim të tillë riskues, dhe kjo tregon që ne jemi pjekur deri diku si shoqëri ose kështu pretendojmë.