Ministri Quni u prit me nderime të larta ushtarake nga Ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar

29 shtator 2020 – Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Turqisë, në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, me protokollin më të lartë shtetëror dhe ceremoni të lartë ushtarake, Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, u prit në takim nga homologu i tij dhe nikoqiri, Ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar.

Dy ministrat zhvilluan takimin kokë më kokë, për të vazhduar pastaj kryesimin e takimit ndërmjet dy delegacioneve.Gjatë këtij takimi, ministri Akar theksoi miqësinë ndërmjet Turqisë dhe Kosovës në përgjithësi dhe partneritetin e fuqishëm ndërmjet dy ministrive dhe forcave në veçanti. Ai theksoi, nevojën e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve, ministrive dhe forcave si dhe rëndësinë e bashkëpunimin në të mirën e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Në takim u diskutuan bashkëpunimi bilateral në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, si dhe bashkëpunimi në fushën e industrisë së mbrojtjes.Në fjalën e tij, Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Anton Quni, shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për rolin dhe kontributin e madh të shtetit, qeverisë dhe Forcave të Armatosura të Turqisë në ndërtimin dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit tonë, vet Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës. Ndër të tjera, ministri Quni, ritheksoi se partneriteti me Republikën e Turqisë si vend shumë i rëndësishëm i NATO-s, Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare dhe Forcat e Armatosura të Turqisë do të vazhdojë të jetë i fuqishëm në perspektivën tonë zhvillimore për të arritur aftësitë, kapacitetet dhe standardet më të larta operacionale për ofrimin e shërbimit tonë ndaj paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë.Gjatë takimit, me ministrin Akar dhe delegacionin e tij , ministri Quni shoqërohej nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Ankara, Ilir Dugolli, komandanti i Forcave Tokësore, gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj, shefi i Kabinetit të Ministrit, Jashar Ramadani, atasheu Ushtarak në Ankara, kolonel Bekim Osmani dhe drejtori i departamentit për Bashkëpunim Ushtarak dhe Integrime Euroatlantike, kolonel Hasan Hoxha.

Takimi u realizua, në kuadër të vizitës zyrtare katër ditore të ministrit Quni dhe delegacionit të tij me ftesë të homologut të tij, ministrit Akar dhe do të vazhdoj me aktivitete tjera me strukturat udhëheqëse të ministrisë, forcave të armatosura dhe industrisë së mbrojtjes.

Vizita në Akademinë Ushtarake të Turqisë

30 shtator 2020 – Në vazhdën e aktiviteteve në kuadër të vizitës zyrtare katërditore në Republikën e Turqisë me ftesë të homologut të tij, ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, sot ka realizuar vizitën në Akademinë Ushtarake Turke ku është pritur nga dekani i saj, Prof.Dr. Gultekin Yildiz dhe komandanti i Regjimentit Studentor të Akademisë, gjeneral brigade Gultekin Yarali. Gjatë takimit, ministrin Quni, nikoqirët e njoftuan me strukturën organizative, sistemin arsimor, misionin, kapacitet akademike, qëllimin dhe detyrat kryesore të akademisë.

Gjithashtu, ata e njoftuan edhe me të arriturat e kadetëve të FSK-së që studiojnë aktualisht në këtë akademi.Nga ana e tij, ministri Quni, nikoqirët i përgëzoi për të arriturat e akademisë ushtarake turke duke shprehur falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për përkushtimin e tyre edhe në aftësimin sa më cilësor profesional e akademik të kadetëve tanë të cilët studiojnë aktualisht në këtë akademi. Pas takimit me lidershipin e akademisë, ministri Quni realizoi takimin me kadetët e FSK-së që studiojnë në këtë akademi. Nga ta, ai u njoftua me rezultatet e tyre, kushtet e studimeve, sfidat si dhe preokupimet e tyre. Me këtë rast, ministri Quni përgëzoi kadetët tanë për sukseset e arritura dhe vendosmërinë e përkushtimin e tyre për të arritur rezultate sa më të mira. Ai u rikujtoi se përveç privilegjit si kadetë-student, keni edhe përgjegjësinë e ambasadorëve të shtetit dhe kombit si dhe jeni përfaqësuesit e vlerave e identitetit të ushtarakut të denjë të Kosovës, prandaj i inkurajoi të vazhdojnë të kultivojnë e ngritin sa më lart këto vlera në ambientin studimor shumëkombësh të akademisë përkatëse.

Akademia Ushtarake Turke është akademi ushtarake katër-vjeçare dhe pjesë e Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes së Republikës së Turqisë. Misioni i saj është zhvillimi psiko-fizik dhe akademik-profesional i kadetëve të ushtrisë turke dhe mbi 20 shteteve aleate dhe miqësore të saj nga regjione dhe kontinente të ndryshme të Botës. Në kuadër të marrëveshjes dhe bashkepunimit bilateral të ministrive dhe forcave respektive, që nga viti 2011, krahas kadetëve tjerë, në këtë akademi studiojnë edhe kadetët e FSK-së.

Vizita e kompanive të industrisë së mbrojtjes së Turqisë

2 tetor 2020 – Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, gjatë qëndrimit të tij zyrtar në Republikën e Turqisë vizitoi edhe kompanitë turke të industrisë së mbrojtjes në Ankara dhe Stamboll. Ai me delegacioni e tij, vizituan Industrinë e Hapësirës Ajrore Turke (TAI) dhe kompaninë Baykar e cila zhvillon teknologjitë më të përparuara transformuese për fushën e aviacionit. Ata u njoftuan nga afër edhe me avionët, pajisjet dhe sistemet që dizajnon kompania Baykar në bashkëpunim me kompaninë Roketsan si kompania kryesore e industrisë turke në teknologjinë e raketave. Gjithashtu, ministri Quni me delegacionin e tij vizitoi edhe kompaninë Nurol, ndër prodhuesit kryesor të automjeteve motorike tokësore dhe kompaninë Aselsan si prodhuese kryesore e sistemeve të komunikimit, radarëve, luftës elektronike, mbrojtjes ajrore dhe të shënjestrimit. Edhe në këto kompani u njoftuan me automjetet, pajisjet dhe sistemet funksionale dhe ato në dizajnim e sipër.

Këto vizita shënuan edhe përfundimin e vizitës shumë të suksesshme zyrtare të ministrit Quni e cila u realizua me ftesë zyrtare të homologut të tij turk, ministrit Akar, në funksion të thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top