Më sfidues demarkacioni apo asociacioni?

Shkruan: Bajram Mjeku

Ka një vit që në Parlamentin e Kosovës, mjegullnaja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe miratimi i asociacionit të komunave serbe, është bërë më e tendosur se gazi lotsjellës i opozitës kosovare. Legjislatura e pestë e Parlamentit të Kosovës është më e dobëta dhe më jounifikuesja në historinë e shkurtër parlamentare, prandaj gazi lotsjellës dhe mjegullnaja e injorancës i kanë bërë këto dy segmente edhe më të turbullta për opinionin kosovar.

Opozita e ka shndërruar demarkacionin në kauzë për të ardhur në pushtet, derisa pozita ka nisur të konsiderojë kauzë për mbetje në pushtet, prandaj çështja e demarkacionit është rikthyer në pikën zero!

Historikisht, shqiptarët ndarjet e kufijve me shtetet fqinje i kanë shndërruar në mite. Për të shpëtuar nga padija dhe dështimet serike nga viti 1913 e deri sot, përmes mekanizmave institucional prodhuan edhe tradhtarë! Për gjysmë shekulli, regjimi komunist shqiptar, në dëm të shtetit dhe për përfitime politike, luajti me kartën e tradhtisë në kurriz të mbretit shqiptar Ahmet Zogu. Këtë mjegullnajë e sqaron më së miri njëri nga shtetarët dhe intelektualët më të mëdhenj të kohës, Mehdi Frashëri në kujtimet e tij.

Ky i fundit, në vitin 1923 ishte kryetar i Komisionit shqiptar për ndarjen e kufijve. Kujtimet e Frashërit duhet të merren si leksion jo vetëm nga deputetët kosovarë, por edhe nga ekspertët e kësaj fushe. Frashëri e sqaron fort mirë “shitjen” e Shën Naumit. Nuk ka mundur të ishte brenda kufirit shqiptar, derisa Manastiri ishte sllav dhe priftërinjët që kryenin shërbesat ishin po ashtu sllavë. Për të qenë edhe më të qartë në këtë pikë, shqiptarët kanë humbur gjysmë kilometri katrorë hapësirë të Manastirit në Shën Naum dhe kanë përfituar tre fshatra me rreth 316 kilometra katrorë. Fundja ishin fshatra shqiptare dhe flitej shqipja.

Pas Luftës së Dytë Botërore, për dallim nga elita komuniste sllovene e kroate, republikat e të cilave jo rastësisht u bënë pjesë e familjes evropiane, komunistët entuziastë kosovarë analfabetë e injorantë, ishin të bindur se Jugosllavia komuniste s’do të shembej kurrë, prandaj jo vetëm kufirin me Malin e Zi e konsideruan të parëndësishëm, derisa u shemb Federata jugosllave në vitin 1991!

Deputetët kosovarë, shpëtim të fundit janë duke llogaritur në Gjykatën e Arbitrazhit pa e menduar dështimin. Dështimi do ta largonte Kosovën edhe më shumë nga përkrahja e Brukselit dhe integrimet evropiane.

Realisht më sfidues për Kosovën është asociacioni i komunave serbe se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi. Më shumë se gjysmë shekulli, populli serb e konsideroi lider shpirtëror dhe atin e kombit, akademikun Dobrica Qosiq. Dy vjet më parë, më saktë njëzetekatër ditë para se të ndërronte jetë në moshën 93-vjeçare, Qosiq sikur hezitonte që elaboratet e zhdukjes së shqiptarëve t’i mirrte në varr. Për një gazetë serbe foli për herë të fundit për Kosovën. Biseda me gazetarin serb erdhi si gjysmëkumt dhe gjysmëtestament: “Për mua çështja e Kosovës është kryer. Nuk është më krahinë serbe. Gjeneratën tuaj e këshilloj të mos shpenzoni energji në çështjen e Kosovës, sepse historia e ka zgjidhur pa ju pyetur. Nuk guxojmë të bëjmë luftë. Nuk kemi as potencial biologjik e patriotik. Paqja është kushti i vetëm i ekzistencës sonë”, thoshte i bindur akademiku serb sikur t’i ketë rënë moh gjithë angazhimit të tij jetësor për Kosovën “djep i Serbisë”.

Shteti serb ishte i dëgjueshëm kur Qosiq thërriste për zaptimin e gjithçkaje shqiptare në Kosovë, por nuk e dëgjuan thirrjen e tij të hiqte dorë nga pretendimet serbe ndaj Kosovës. Pas pavarësisë së kësaj të fundit në shkurt të vitit 2008, pretendimet serbe kundër shqiptarëve veçse u avancuan në kushte e rrethana tjera.

Nga sirtarët e Beogradit u nxor ideja për themelimin e asociacionit të komunave serbe. Në rast se Parlamenti i Kosovës miraton asociacionin, atëherë pretendimet serbe ndaj Kosovës do të pasojnë me hapa tjerë. Shteti serb duke shfrytëzuar shkathtësinë e tij diplomatike, do të kërkojë rikthimin e mbi 200 mijë serbëve në Kosovë, të cilët sipas Beogradit kinse janë zhvendosur nga dhuna sistematike e shqiptarëve nga vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar e deri sot. Brenda një periudhe dhjetëvjeçare, serbët lokalë të udhëhequr nga Beogradi përmes asociacionit të komunave serbe, do të kërkojnë referendum për bashkimin e Kosovës me Serbi!

Duke prodhuar gaz lotsjellës në Parlamentin e Kosovës dhe huti në opinionin kosovar, deputetët tanë janë duke krijuar distancë me mekanizmat ndërkombëtarë. Muajve të fundit nga Brukseli janë shtuar zërat se nuk janë tema të rëndësishme asociacioni dhe demarkacioni, por luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dy temat e fundit janë aq të pakëndshme për deputetët kosovarë, sa janë duke i fshehur fuqishëm nën rrogoz për aq kohë sa të munden!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top