Me rastin e kalimit në amshim të Kapidan Nikollë Gjomarkajt

Telegram ngushllimi i Shoqatës se Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit”

E nderuar familje Gjomarkaj,
Te nderuar shqiptarë kudo që jeni,
Me rastin e kalimit në amshim të kapidan Nikollë Gjomarkajt, djalit më të vogël të kapidan Gjon Marka Gjoni, idealistit që e theu perdën e hekurt komuniste ne Shqipëri, duke ju bashku babait dhe vëllait në Itali, e më pasë ne Amerikë, drejtuesit per një kohë të gjatë të organit të Bllokut Kombëtar Indipendent, Kapidan Nikollë Gjomarkajt, ju shprehim ngushllime te sinqerta me fjalën tradicionale Mirditore, Zoti ju laft shnosh!

Kur komunizmi e pushton Shqipërinë, Nikolla ishte në moshën 17-vjeçare. Ai, në këtë moshë fillon të provoi mbi kurriz vuajtjet e regjimit komunist. Nikolla, së bashku me anëtar të tjerë të familjes, me gra dhe fëmijë internohet në kampin e punës së deyrueshme në Berat. Më vonë transferohet në kampet e tjera të punës, si: Uznovë, Kuçovë, Shijak, Valias. Sikur të mos mjaftonin këto vuajtje, Nikolla provon sërish vuajtje të reja në kampet famkeqe të internimit, si në Tepelenë e Turan dhe në rrethin e Gramshit në Elbasan. Në këto kampe famkeqe të komunizmit, që ishin kampe shfarosëse për shqiptarët, kapidan Nikollë Gjomarkajt i vdes lokja, nëna, dhe gruaja e vëllait kapidan, Mark Gjon Markut, por ai gjen’ forcë dhe arratiset nga ferri komunist, ku pasë shume peripecive të kaluara dhe vështirsive të shumta, mbërrin në Itali dhe i bashkohet aktivitetit kombëtar të Bllokut Kombëtar Indipendent, që udhehiqet nga vëllai i tij i dytë, kapidan Ndue Gjon Marku, ku një rol aktiv me këshilla dhe sugjerime e kishte edhe babai i tij, kapidan Gjon Marka Gjoni.

Gjatë gjithë aktivitetit të Bllokut Kombëtar Indipendent, kapidan Nikollë Gjomarku e udhëhoqi pjesën më të ndishme të saj, revistën politike “Lajmtari i të Merguemit”, që ishte organ i Bllokut Kombëtar Indipendent.

Në këtë organ që u botua disa vite, aty u paraqitën përveç aktivitete të Bllokut Kombëtar Indipendent, edhe analiza politike të periudhës kohore, lufta e pakompromis kundër komunizmit dhe përpjekja për sjelljen e demokracisë në Shqipëri, hapat që do ti merrnin partitë politike në Shqipëri pas çlirimit të Shqipërisë nga komunizmi, bashkpunimi në mes të organizatave atdhetare shqiptare në mërgim, si dhe shumë materiale të tjera.

E nderuara familje Gjomarkaj kudo që jeni, bëhuni të fortë për humbjen e Kapidan Nikollë Gjomarkajt, këtij pinjolli më të ri të kapidan Gjon Marka Gjonit, i cili shkoi pas traditës shekullore të kapidanëve të Mirditës, duke vazhduar gjatë gjithë jetës aktivitetin kombëtar, pa pushuar asnjëherë.

Në emër të Shoqatës së Intelektualëve Shqiptarë “Trojet e Arbrit”, pritni ngushllimet tona të sinqerta e vëllazerore. Ne besojmë, që shpirti i kapidan Nikollë Gjomarkajt do t’ju bashkohet shpirtrave të vëllezërve dhe babait të tij që punuan dhe luftuan për një Shqipëri të shqiptarëve.

Zoti ju laft shnosh!

Në emër të Shoqatës së Intelektualëve Gjithshqiptarë “Trojet e Arbrit”

Nue Oroshi, Kryetar

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top