Martirët e Karadakut (1846 – 1848) sipas dokumenteve franceze

SHKRUAR NGA DON LUSH GJERGJI

Një fjalë e urtë latine thotë kështu: Kundër fakteve nuk vlejnë argumentet. Dhe ashtu duhet të jetë gjithnjë. Fakti i përndjekjeve të të parëve tanë nën sundimin e egër pesëshekullor turko – otoman, veçmas gjatë viteve 1846 – 1848 të Stubllës, Binçës, Vërnakollës dhe Terzijajve, megjithatë duhet ndriçuar, zbërthyer dhe shqyrtuar nga shumë këndvështrime. Qëllimi është ky: të hyjmë sa më mirë në thelbin e ngjarjeve, të arrijmë deri te njohuria e motiveve, shkaqeve që i frymëzuan ata në këtë hap, orientim, përcaktim, qëndrim dhe vendim.

Frymëzimi kryesor dhe themelor për të parët tanë ishte pa dyshim ruajtja e fesë në Jezu Krishtin, krishterimi, ana fetare, si dhe ana kombëtare, ruajtja e gjuhës, traditës, kulturës, shqiptarizmit, me të gjitha konotacionet që përfshihen me këtë emërtim.

Nëpërmjet fetares – krishterimit, më së miri ruhej dhe kultivohej edhe ndjenja dhe përkatësia kombëtare, dhe anasjelltas, gjë kjo që është vërtetuar dhe dëshmuar nga e kaluara jonë ilire, arbërore dhe shqiptare. Tekembramja kjo ishte edhe përvoja e madhe e Popullit tonë, rasti, mundësia për t’i mbetur besnik Zotit, Popullit, vetvetes, ajo që ndër ne shprehet me binomin tashmë të njohur: PËR FE DHE PËR ATDHE, për t’iu shmangur, aq sa ishte e mundshme, asimilimit dhe asgjësimit tonë fetar – kombëtar.

“Islamizimi që është paraqitur nga forcat dominuese, me tatime, keqtrajtime, angari të çdo lloji, orvatje t’i detyronte e shtynte katolikët shqiptarë në femohim (apostazi), çka do të thotë t’i turqizonte… Porta e Lartë e ka identifikuar kombësinë me përkatësinë fetare”. [i]

Pa fe të gjallë dhe jetësore, besim në amshim, martirizimi do të ishte gjë e kotë, e pamundshme, e pakuptimtë, çmenduri. Të parët tanë, Martirët e Stubllës, Binçës, Vërnakollës dhe Terzijajve, u gjeten para zgjidhjes she përcaktimit: ose përndjekja, mërgimi në Turqi, martirizimi, ose apostazia, femohimi, largimi nga Kisha Katolike, krishterimi, Jezu Krishti, lashtësia dhe historia jonë mijëvjeçare. Para këtij udhëkryqi dhe sfide tejet të rëndë, vendimtare, të parët tanë u shpallen haptas shqiptarë dhe të krishterë, duke u mbështetur edhe në Tanzimatin e lirisë fetare të vitit 1939. [ii]

Këtë përcaktim dhe përkatësi të dyfishtë, kombëtare dhe fetare, e kanë shprehur me një fjali përmbledhëse: “PO, NE ISHIM DHE JEMI TË KRISHTERË DHE DËSHIROJMË TË VDESIM TË KRISHTERË”. [iii]

Këtu për mrekulli dëshmohet e kaluara, historia – lashtësie: NE ISHIM, si dhe vendosmëria e tyre për të tashmen: DHE JEMI, por edhe dimensioni i ardhmërisë, feja, kalimi në amshim, shëlbimi: DËSHIROJMË TË VDESIM TË KRISHTERË!

Këtë e kanë dëshmuar para Beu Gjinollit në Gjilan, së pari kryefamiljarët, pastaj edhe të gjitha familjet e tyre, duke u shpallur botërisht dhe lirisht, vullnetarisht të gjithë SHQIPTARË KATOLIKË. [iv]

Kjo përndjekje ishte fetare dhe kombëtare dhe pati për qëllim shkatërrimin e plotë të elementit katolik dhe shqiptar në trojet dhe viset tona. Këtë e vërtetojnë edhe disa rrethana tashmë të njohura dhe të pamohueshme: në atë kohë në Letnicë  shumica ishin katolikë koatë, ndërsa në Gërçar dhe në Vërboc, të gjithë ishin ortodoksë serbë, por ata fare nuk i preku kjo përndjekje.

Prandaj Beu Gjinolli, edhe më gjerë fuqia turko – otomane, kishin në shënjestër pjesën shqiptare – katolike, dhe frikësoheshin nga kjo prani dhe përkatësi kombëtare      dhe fetare, për arritjen e qëllimeve që kishin, e ato ishin: TURQIZIMI DHE ISLAMIZIMI I MBARË POPULLIT SHQIPTAR.

Për identitetin e tyre fetar dhe kombëtar, të krishterë dhe shqiptarë, kemi mjaft dëshmi dhe të dhëna historike. Ja vetëm disa: të parët tanë nuk dëshironin më të jenë laramanë ose kriptokatolikë dhe kriptoshqiptarë, domethënë katolikë dhe shqiptarë të fshehur nën “petkun” turk dhe mysliman. Shi për këtëvendosen të gjithë së bashku “që si shqiptarë publikisht të shpalleshin besimtarë të fesë katolike, të cilën fshehtazi e ruanin në zemrat e tyre”. [v]

Qëndrimi i tyre ishte tejet i guximshëm dhe mjaft i vendosur, profetik: “për hir të Zotit jam katolik, SIÇ ISHIN EDHE ETËRIT TANË”. [vi]

Këtë të vërtetë e kanë pohuar, vërtetuar dhe dëshmuar kudo, në Gjilan, para qjyqit turk, gjatë udhëtimit dhe martirizimit prej Gjilanit në Prishtinë, pastaj prej Prishtinës në Shkup dhe në Selanik, më vonë edhe në Turqi, gjatë dy viteve të përndjekjeve (1846 – 1848), pa hamendje, lëkundje dhe frikë.

Që kanë qenë dhe mbeten shqiptarë dhe katolikë, më së miri e kanë dëshmuar me kthimin e tyre në atdhe, edhe pse në Anadoli patën mjaft premtime dhe rast për në jetë më të sigurte dhe më të begatshme, së paku sa i përket anës tokësore, financiare dhe materiale.

Nga kjo që kemi thënë  gjertani vërehet dhe vërtetohet se Martirët e Karadakut, Anamoravës, gjatë viteve 1846 – 1848 ishin tërësisht të vetëdijshëm që ishin shqiptarë dhe të krishterë. Po ashtu e dinin fare mirë se paraqitja e tillë do t’iu kushtonte shumë, deri edhe rrezikimin e jetës. Megjithatë, ata aspak nuk u hamenden, por trimërisht, me frymëzim dhe përkushtim, me bindje dhe me liri, mbi të gjitha me fe dhe me dashuri u shpallen dhe dëshmuan shqiptarë dhe të krishterë.

Edhe në Selanik regjistrohen si shqiptarë katolikë të përndjekur, Këtë e dëshmon atë Leonardo VECONDIO duke shkruar kështu: “Më 13. 03. 1846 arritën këtu në Selanik 41 individë shqiptarë nga Binça, Stublla, Vernakolla dhe Karadaku – Terzia, fshatra që gravitojnë në Gjilan. Më 16 mars arritën edhe gratë e tyre me fëmijë, që të gjithë së bashku përbënin 115 veta”.[vii]

Këtë e dëshmojnë edhe shumë dokumente tjera: nga Vjena, nga Arkivi Sekret i Vatikanit, nga etërit lazaristë, nga Arkivi i Propaganda Fide…, si dhe nga artikujt e shumtë  të asaj kohe. [viii]

Edhe në Filadare, ku ishte përmendorja dhe rras përkujtimore me këtë mbishkrim, shkruante kështu: “KY MONUMENT ËSHTË NGRITUR ME ZELLIN E SHUMË TË DEVOTSHMIT ZOTËRI NAYLET BEJ NË EMËR TË KATOLOCIZMIT PËR KUJTIM TË SHQIPTARËVE KATOLIKË TË VDEKUR PËR FE. 21 Maj 1846”.[ix]

Martirët e Karadakut me jetën dhe veprën e tyre edhe një herë treguan dhe dëshmuan dashurinë ndaj Zotit dhe ndaj Popullit, vetëdijen e lartë fetare dhe kombëtare, fuqinë dhe përcaktimin që vëllazërisht dhe bashkërisht të ballafaqohen  me rrethana shumë të ndërlikuara dhe tejet të rrezikshme. Të tillë ishin dhe mbeten në jetë dhe në martirizim – në kalim në amshim. Të frymëzuar nga feja dhe atdhedashuria përballuan edhe përndjekjen, vdekjen dhe me gjakun e tyre e vulosen përcaktimin e lartë dhe të guximshëm: TË VDESIM PO, TË TRADHËTOJMË JO!

Binomi fetar – kombëtar te Martirët e Karadakut shkëlqeu me ndriçimin e fesë, rrezakton dhe frymëzon me porosinë e historisë, fton dhe qorton me fuqinë e dashurisë. Mu për këtë martirizimi dhe flijimi janë gjithnjë aktual.

Motra e Vogël Odette MARQUET, albanologe,  hulumtuese, arkiviste, historiane, publicistë e njohur, këto ditë botoi studimin kushtuar Martirëve tanë me titull “Le dèportation des familles albanaises en Antolie au XIX siècle dans les Archives françaises”,  Le editiondu CERF, Paris, 2019, f. 253 (Deportimi i familjeve shqiptare në Anadolli në shekullin XIX sipas arkivave franceze), që mundëson njohjen e kësaj tematike edhe botës, ku gjejmë besnikërinë e dyfishtë të të parëve tanë: ndaj Zotit, Kishës katolike, krishterimit, si dhe ndaj rrënjëve tona ilire, arbërore dhe shqiptare.

Risia e këtij botimi ndër të tjera është hulumtimi sipas arkivave franceze, ilustrimet apo faksimilet e letrave, shkrimeve, dokumenteve diplomatike, por edhe kishtare, si për shembull letra Papës Piut IX,  f. 220 -221; relacionet nga Kostantinopoja e  JulienMarieHillereau, f. 222 – 246; të motrës Sofia Sopi, f. 246 -253.

Motra Odette Marquet, është ambasadore e mirëfilltë e historisë, traditës, kulturës, krishterimit tonë,  përkthyese nga gjuha frënge në shqip dhe anasjelltas, sidomos  njohëse dhe studiuese e figurës së Imzot Pjetër Bogdanit, “Pjetër Bogdani, Letërkëmbim, Ipeshkëv i Shkodrës dhe Administrator i Arkipeshkvisë së Tivarit (1660 – 1670), përgatitur nga Odette Marquet, Botimet IDK, Tiranë, 2016, f. 211.

(Fjala nga promovimi i botimit mbi Martirët e Stubllës, Binçës, Vërnakollës dhe Terzijajve, Paris, 17 tetor 2019).

 —————————-

[i] Gjergj Gjergji – Gashi, Martirët shqiptarë gjatë viteve 1846 – 1848, DRITA, Ferizaj, 1994, f. 46 – 47.

[ii] Krh. Gjergj Gjergji – Gashi, vep. e cit. f. 58 -63.

[iii] Po aty, f. 63; Imzot Mark Sopi, Martirët e Karadakut, DRITA, 1986, f. 40.

[iv] Krh. Gjergj Gjergji – Gashi, vep. e cit. f. 63; Imzot Mark Sopi, vep. e cit. 22.

[v] Imzot Mark Sopi, vep. e cit. f. 34.

[vi] Po aty.

[vii] Imzot Mark Sopi, vep. e cit. f. 62-63.

[viii] Lexo: Gjergj Gjergji – Gashi, vep. e cit. f. 105 -127.

[ix] Gjergj Gjergji – Gashi, vep, e cit. f. 205.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top