Ish-deputeti i LDK’së, Adem Salihaj, kohë më parë e ka akuzuar bashkë partiakun e tij, Lufti Hazirin, për përkrahje të Presidentit Thaçi në çështjen e korrigjimit të kufijve. Salihaj e ka quajtur Hazirin vegël të Thaçit brenda LDK-së.
Në profilin e tij në Facebook, Salihaj ka shkruar se Thaçit po i shihet fytyra e tradhtisë, si një vegël e thjeshtë e Serbisë për ta shkatërruar shtetin e Kosovës.
Salihaj është shprehur se Thaçi nuk ka mbështetje tek shqiptarët, por po mundohet ta gjejë atë tek maqedonët dhe malazezët.
“Hashim Thaçit iu çorr maska dhe po i shihet qartë fytyra e tij e tradhëtisë, fytyra e nje vegle të thjeshtë të Serbisë për ta shkatërruar shtetin e Kosovës.
I gjendur para një situate kur tashmë të gjithë e panë fytyrën e tij të vërtetë dhe i mbetur pa asnjë përkrahje te shqiptarët ,ai po vrapon të gjejë mirëkuptim te maqedonët dhe malazezët.
Në ndërkohë, tashmë u paraqitën me prononcime edhe veglat e Thaçit brenda LDK-së, të cilët, në momentet e fundit, po mundohen ta shpëtojnë lëkurën e tij. Madje, ata po dalin edhe më militantë se vetë militantët e PDK-së, sepse tashmë, edhe brenda partisë së tij, Thaçi e ka humbur perkrahjen.”, ka shkruar Adem Salihaj.