Lumturia princërore si mësim historik

Shqipëria shkëlqeu me lumturinë princërore, të cilët kurorëzuan me martesë njohjen prej vitit 2008, në Tiranën e Mbretit Zog I dhe të Mbretëreshës Geraldinë. Ajka e fisnikërisë evropiane nuk e snoboi Shqipërinë duke e klasifikuar si të vogël, as përtoi të vinte në Tiranë për martesën e një djaloshi që s’ka fron, por u paraqit në Pallatin Mbretëror të Shqipërisë (është një turp i vërtetë kombëtar që pallatit s’po i kthehet edhe në ligjërimin publik emri i tij i vërtetë) për të qenë dëshmitare e lumturisë princërore, por së pari për të qenë dëshmitare e triumfit të historisë. Ashtu siç thotë edhe Ismail Kadare se Mbretëresha Geraldinë bëri të heshtte edhe diktaturën, duke mos guxuar kurrë ta sulmonte apo të thoshte një fjalë të keqe për të, këto dy ditë, publiku e përjetoi dasmën e Leka Zogut II dhe Elia Zaharisë, fiks si një dasmë mbretërore, si një dëshmi e gjakut të mirë, e fisnikërisë që i ka mbijetuar tallazit bolshevik dhe barazitizmit të vlerave, si një dëshmi e denjë e triumfit të kontributit të familjes mbretërore për naltimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ashtu si Mbreti Zog refuzoi prore të negocionte çfarëdolloj marrëveshjeje në ekzil që mund të vinte disi në rrezik sovranitetin e Shqipërisë, sado që ishte një republikë filosovjetike e filosllave e pajetueshme, ashtu edhe lumturia e djeshme ishte një shërbim kombëtar i familjes mbretërore. Reklama më e mirë për imazhin e vendit, një fytyrë e harmonisë fetare dhe dëshirës për përparim, por para së gjithash një mësim historik, se me emrin e mirë, me respektin për kontributin e brezave dhe me përpjekjen për t’i shtuar një trashëgimie të mirë, një punë tjetër të mirë, Shqipëria bëhet më e dashur për t’u jetuar dhe më evropiane në sytë e perëndimorëve.

Lista e të ftuarve, prania e jashtëzakonshme e Mbretëreshës së Spanjës, e dhjetëra princërve e princeshave të Evropës është një mësim historik se trashëgimia e Mbretit Zog, jeta dinjitoze e familjes mbretërore në emigracion dhe dinjiteti me të cilën Princ Leka Zogu II po e fusin familjen mbretërore në shekullin e 21-të, nuk janë rastësi, por tregues se pas një trashëgimie të mirë, vjen se s’bën një punë e mirë dhe një kontribut kombëtar. Lumturia princërore dje ishte një lumturi personale e dy të rinjve lumturisht të martuar së pari, por më tej akoma, edhe një mësim historik se triumfon gjithmonë trashëgimia e mirë si dhe një kontribut tjetër kombëtar që familja mbretërore jep për Shqipërinë dhe shqiptarët. / G55

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top