LUFTËTARI NGA SHQIPËRIA QË NJË PJESË TË TRUPIT IA FALI BETEJËS SË KOSHARES DHE PAS LUFTËS VENDOSI TË JETOJË NË KOSOVË – 4

Bisede me Xaje Qelen – Intervistoi Sefedin Krasniqi

Më sa më kujtohet, sipas pamjeve që emetonin televizionet e gjithë botës, kjo valë refugjatesh drejtë Shqipërisë, u pasua me një tjetër edhe më të madhe pak kohë më vonë. A mendoni se regjimi i Millosheviqit kishte filluar spastrimin etnik të Kosovës?

Xajë Qela : Në shtator të vitit 1998, me fillimin e tërheqjes së popullatës shqiptare nga komuna e Deçanit, spastrimi etnik që tashmë kishte filluar të intensifikohej filloi të marrë përmasa marramendëse. Kishte marrë urdhër edhe Tahir Zemaj të bëj një tërheqje taktike me ushtarët e vet nga Prapaqani.

Grupi jonë në krye me Agim Ramadanin, Sali Çekajn Rrustem Berishen si dhe ushtarë tjerë dolëm që t’i presim në bjeshkët e Sulbicës. Ne i prisnim konkretisht në qafën e Ali Çelës mes Dobërdolit e Sulbicës. Me veti kishim municion, ushqime si dhe veshmbathje. Filluan të vinin grupe të civilëve të shoqëruar nga ushtarë të UÇK-së. Ata na treguan se pjesa më e madhe e popullatës së bashku me Tahir Zemajn dhe shumë ushtarë kishin kaluar në Mal të Zi. Fatkeqësisht në Bogiçe kishin rënë në pritë disa ushtarë.
Pastaj Rrustem Berisha, Sali Çekaj dhe një pjesë e ushtarëve kthehen në Papaj. Ndërsa Agim Ramadani, Demush Gacaferi, Demë Maloku, Adem Haxhosaj, Xhafer Gashi, Shiqer Maloku, Agron Isufi dhe unë vendosëm t’i kundërpërgjigjeshim pritës së Bogiçës dhe pikërisht ndërmarrim aksion në Karakollin e Plloçicës së Junikut, më 15 shtator 1998 rreth orës 07:00 të mëngjesit. Vëzhguam rreth dy orë karakollin, nga ku dolën në oborr shumë ushtarë serb. Në mesin e tyre dy oficerë që dalloheshin shumë qartë, pasi që i kishin në afërsi. Ne e kishim bërë planin e sulmit dhe morëm në shënjestër tre roje të armatosura, një zolë në mesin e ushtarëve, ku ishin edhe oficerët, zolën tjetër në shatorin e madh dhe përnjëherësh duke hapur zjarr me mitraloz dhe kallashnikov. Pastaj dëgjova zërin e komandant Agim Ramadanit, “aksioni u krye me sukses. Zjarri zgjati 7 minuta. Xajë tërhiqemi”!

Pasi filluam të tërhiqemi, ushtarët serb hapën zjarr nga kallashnikovët, por jo në drejtimin tonë. Me këtë kuptuam se nuk dinin ishin sulmuar. Kur arritëm në Qafën e Ali Çelës ishte dëborë dhe serbët na panë në dëborë, gjuajtën me minahedhës, por tani ishte vonë për ta. Komandant Agim Ramadani na tha: “ për sot mjafton, të kthehemi në bazë në Papaj”.

Tash mund vetëm të pyes cili ishte aktiviteti apo aksioni i radhës?

Xajë Qela : Prapë vëzhguam në pjesën sipër karakollit të Koshares. Vërejtëm se rrugës për në Gomure lëviznin pinzgavera me ushtarë serbë, ndaj dhe sulmuam një pinzgaver dhe vramë disa ushtarë, të cilëve, u morëm armë dhe municione, pastaj dylbi nate dhe radiolidhje si dhe tabelat e pinzgaverit. Ky sulm ka ndodhur me 30 shtator 1998. Ishte vjeshtë e vonë e vitit ’98, një grup i udhëhequr nga Sali Çekaj, Qamil Jasiqi, Bashkim Jasiqi, Sefer Berisha, Demir Murseli, Demë Maloku, Shpend Gjoci dhe unë kemi hyrë për të vëzhguar nga Papajt në drejtim të Jedovës dhe kemi arritur të pozicionohemi sipër Koznjerit për të vëzhguar. Posa ra terri në tokë, nisi të bjerë shi e nga mesnata filloi të bie edhe borë. Meqenëse serbët i kishim në afërsi s’mund të lëviznim as të ndiznim zjarr, ishim krejt të lagur, ushqimi na u mbarua, u detyruam për dy ditë të hanim kaça. Ditën e tretë Sali Çekaj mori një ushtar dhe tha: “mendoj se do të gjejmë molla gjyle në bjeshkën time të Bellesë, dhe vërtetë na i solli mollët, të cilat na ndihmuan për të përballuar këtë rrugë kaq të gjatë përmes dëborës drejtë bazës për në Papaj.

Ju vetë i bënit vëzhgimet dhe aksionet?

Xajë Qela : Vëzhgimet i bënim në çdo kohë pandërprerë. Një ditë, Komandant Agim Ramadani na dha urdhër të vëzhgojmë në pjesën e karakollit të Koshares dhe pikave dominonte përreth që mund të ishin në mbështetje të karakollit. Këto vëzhgime vazhduan për një kohë të gjatë derisa i morëm detalisht çdo të dhënë mbi numrin e forcave serbe, llojet e armatimit që dispononin, mjetet motorike, kohën e ndërrimit dhe të lëvizjes së tyre etj. Bëmë inçizimin e objektit dhe Rrasës së Koshares dhe këtë incizim së bashku me të dhënat tjera ia dorëzuam stafit komandues në Papaj.

Agim Ramadani grupin tonë vëzhgues na pyeti veç e veç si dhe bashkërisht për të dhënë mendimin për marrjen e objektit të Koshares. Pasi dhamë mendimet tona vazhduam përgatitjet, fillimisht nga Papajt u transportua municioni i minahedhësve i nevojshëm, predhat e topave dhe municione tjera të ndryshme. Ato i bartëm me ushtarë me shumë fshehtësi me kuaj dhe nga fundi i operacionit të bartjes edhe me saja dëbore për në pikat kyçe, përreth kufirit. Për këtë ndërmarrje nuk ishin në dijeni të gjithë ushtarët. Personalisht mua por mendoj edhe Qamil Jasiqit, Agim Ramadani na tregoi për ditën e sulmit për thyerjen e kufirit dy ditë para fillimit dhe vërtetë me datën 09 prill 1999 në shtëpinë e Sadik Bajramit që qëndronim gjatë vëzhgimeve. Atë natë erdhi Komandant Agim Ramadanit dhe tha: “Xajë, ti je i informuar, ndërsa ju të tjerët përgatituni të shkojmë sepse erdhi momenti i shumëpritur, të cilin e keni kërkuar me vetiniciativë. Tani e keni detyrë luftarake marrjen e objektit të Koshares”.

Atëherë si rrodhi ky aksion që atë kohë pati bërë bujë të madhe?

Xajë Qela : Kemi vazhduar sipas urdhrit, me fshehtësi jemi pozicionuar në afërsi të objektit. Plani ishte që fillimisht të ketë zjarr artilerie dhe me ndërprerjen e këtij zjarri artilerie prisnim momentin të bënim lokalizonim e objektit. Çdo grup të kishte të caktuara pikat mbështetëse të objektit, të bëj lokalizimin e forcave serbe. Kështu, më 9 gusht, Rrasa e Koshares si dhe pikat tjera u lokalizuan nga forcat tona. Ndërsa grupi jonë për shkak se nuk mund të bënte ecje paralele me grupin përkrahës që e kishim në krahun e djathtë nuk mundëm të futemi objekt. Në ndërkohë erdhi një urdhër që të tërhiqemi, por këtij urdhri nuk iu bindëm, ne grupi që përbenim grupin “Kobra”, të udhëhequr nga komandanti Naser Vllasi, si dhe grupi përkrahës në krahun e djathtë i udhëhequr nga Skënder Hasangjekaj. Por me 10 prill 1999, grupi jonë e dinim detyrën luftarake dhe vendosëm: Komandant Naser Vllasi, Arif Maloku, Demush Gacaferri, Arben Sejdiu dhe Beqa të veprojnë nga ana e majtë në koordinim me grupin tonë, me Fadil Malokun (Mortaja) , Hysni Rama (Raketa), Qamil Jasiqin dhe unë nga ana e djathtë sipër objektit, dhe për këtë e bëmë me dije Skënder Hasangjekaj sepse e kishim përkrahës me ushtarët e tij në anën e djathtë. Këtë ua tregoi dhe ushtarëve të vet, të jenë të kujdesshëm në këtë drejtim. Në kohën e nisjes drejt objektit, caktuam Sefer Berishën të mbulonte me zjarr 12.7 pjesën e sipër të Karakollit me qëllim të mos na shikonin nga sipër ecjen tonë drejt objektit. Ecja duhej bërë me kujdes sepse kishte mina, disa shiheshin të vendosura në kunja, dhe duhej deminuar, por kishte dhe të mbuluara me borë të cilave ua shihnim vetëm telat. Me këtë ecuri mua më ra pozita që të futem i pari, me kënaqësinë më të madhe të hyj në derën e oborrit të Koshares, i dyti ishte Naser Vllasi, i treti Arif Maloku. Pas mesditës së 10 prillit 1999 gjatë pastrimit të terrenit përreth objektit, plagoset ushtari Albert Kuçi. Naser Vlllasi dhe unë kemi qëndruar gjatë gjithë natës poshtë objektit me qëllim të ruajtjes e një rruge kalimi nga mendonim se mund të tentojnë të hyjnë forcat serbe gjatë natës për të rimarrë objektin.

Në mëngjesin e 11 prillit 1999, rreth orës 09:00, u ndërruam nga dy ushtarë për të pushuar. Me të arritur në objekt, pyeta shokët e grupit se ku ishte komandant Agimi, më treguan që ndodhej brenda në objekt. Hyra brenda për ta takuar, ai ishte me Anton Çunin. I përshëndeta, më falënderoi personalisht mua si dhe grupin tonë “Kobra” për kryerjen me sukses të detyrës luftarake për marrjen e objektit. Agimi ishte duke vendosur gjoksoren me municion dhe disa bomba dore, dhe duke biseduar gjatë daljes në oborr së bashku ku prisnim ushtarët për nisje, ai tha: “Ne do të dalim në drejtim të Oplosit, ti Xajë a do të vish”? Unë i thash: Për këtë vendos ti komandant. ”Mirë, meqë keni qenë tërë natën me Naserin në roje, hani mëngjesin dhe pushoni” Bëri dy-tre hapa drejt meje, zgjati dorën dhe u përshëndetëm, dhe tha: “Shihemi”.

Dhe u patë prapë?

Xajë Qela : Fatkeqësisht jo. Ky ishte momenti i fundit i ndarjes me legjendën e luftës së Kosharës, komandant Agim Ramadanin…

A mundët së paku të hani mëngjesin dhe të pushoni?

Xajë Qela : Mund të them se nuk pushuam, sepse nga ana e livadheve drejt varrezave, forcat serbe sulmuan dhe ne shkuam për ndihmë në atë pjesë. Aty patën disa të vrarë. Po atë mbrëmje mora lajmin e hidhur për rënien e komandantit tonë Agim Ramadani “Katana”. Disa ditë më vonë, ishte datë 19 prill 1999 grupi jonë “Kobra” ishim të pozicionuar pas shpinës së forcave serbe në anën e Oplosit. Naser Vllasi na informoi se Sali Cekaj me ushtarët e tij në Rrasë të Kosharës ku po bëheshin luftimet, kërkonte ndihmë. Ne vazhduam që ti shkojmë në ndihmë, por me të arritur tek kundërajrori i serbëve në Rrasë, veç u errësua, gjuajtjet e dy palëve u pakësuan dhe ashtu natën u vendosëm në pjesën ku na u kërkua ndihma. Të nesërmen me 20 prill 1999, grupi ynë filluam të pozicionoheshim në formacion luftimi. Brenda një kohe shumë të shkurtër arritën forcat serbe në afërsi dhe kështu vazhduan luftimet në mes të dy palëve. Ndërkohë në pozitën time, më afrohet nga krahu i djathtë komandant Fadil Hadërgjonaj, dhe më tha: “ Xajë, shkëputemi nga pesë-gjashtë ushtarë nga ana e majtë, që t`ua marrim krahun e majtë forcave serbe, e në ndërkohë bëjmë tërheqjen e komandant Sali Çekaj që është vrarë mbrëmë, në kohën kur është kërkuar ndihmë nga pikat tjera”. Pra, nga Fadil Hadëgjonaj morra këtë lajm të hidhur për rënien e Kolosit të kombit, Sali Çekaj. Fadil Hadërgjonaj, Arben Sejdiu, Demë Maloku dhe disa të tjerë u shkëputëm pak nga e majta e grupit, duke luftuar në distance të afërt me forcat serbe me qëllim marrjen e krahut të majtë të tyre dhe tërheqjen e kufomës së Sali Çekaj. Kishte granatime të shumta të minahedhësve. Unë plagosem rëndë nga një predhë e minahedhësve. Shokët me Fadilin më tërhoqën nga ajo pjesë në drejtim të përroit, ku më dhanë dhe ndihmën e parë dhe me barelë më transportuan për në Partesh, dhe pastaj për në spitalin e Bajram Currit. Pastaj më dërgojnë nga Bajram Curri në Tiranë në Spitalin Ushtarak, ku kam qëndruar për shërim afër dy muaj, dhe pastaj përsëri më transferuan për Itali, në Milano, për shërim dhe aty qëndrova deri në shtator të vitit 1999.

Kështu, Xajë Qela vetëm pasi plagoset rënd detyrohet t’i ndërpresë aksionet dhe t’i lë fushëbetejat për çlirimin e Kosovës. Por, pas shërimit ka vendosur me dëshirë të jetojë në Kosovë afër bashkëluftëtarëve të vet të gjallë, dëshmorëve dhe të komandantëve të rënë heroikisht si Agim Ramadani dhe Sali Çekaj, të cilët së bashku shkruan historinë e lavdishme të çlirimit të Kosovës. Ndoshta ka edhe dëshirë të mos e lë vetëm atë pjesën e trupit që ia fali çlirimit të Kosovës dhe fëmijëve e gjeneratave që do të rriten, pa frikë, në liri.
———————————————————-
NB: Por, Xajë Qela këto ditë ka kërkuar azil në Francë!!! (14.05.2019)

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top