LUFTËTARI NGA SHQIPËRIA QË NJË PJESË TË TRUPIT IA FALI BETEJËS SË KOSHARES DHE PAS LUFTËS VENDOSI TË JETOJË NË KOSOVË – 3

Bisede me Xaje Qelen – Intervistoi Sefedin Krasniqi, vazhdimi i trete…

Përveç oficerit të karrierës si Adem Ukëhaxhaj më kë tjetër keni pasur rastin të takoheni që bënte pjesë në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës?

Xajë Qela : Meqenëse në Tropojë, kah fundi i majit 1998, është thyer depoja (kulla) e armatimeve, atëherë u vendos tjetra në Viçidol. Pronar i kullës ishte Naim Haxhija. Deshmitarë ishin Zenun Idrizi dhe Bekë Osmonaj. Pas një ore Bekë Osmonaj është takuar me Muharrem Tofaj-polic i kufirit dhe ka kërkuar nga ai që baza të vendoset në Viçidol. I pranishëm ka qenë Muhamet Imeraj nga Isniqi. Të nesërmen është vendosur armatimi dhe baza në Viçidol.
Në Viçidol, Zenun Idrizaj më njftoi me kolonel Tahir Zemaj dhe më tha: “Ky është komandant Tahir Zemaj”, i cili do të bëhet komandant për Rrafshin e Dukagjinit. Përveç Tahir Zemajt, aty kishte edhe oficerë të tjerë që, më vonë, morën pjesë edhe në betim që u organizua nga Ministria e Mbrojtjes, më 21.06.1998. Emrat e këtyre oficerëve do t’i përmend me rastin e dhënies së betimit.
Tahir Zemaj me eprorët bëri një takim të përbashkët. Pas këtij takimi më ngarkoi me një mision të ri.

Cili ishte ai mision?

Xajë Qela : Ky mision ishte që unë tash ngarkohesha në rolin e korrierit. Misioni im i parë ishte të hyja prapë në Kosovë dhe të takohem me Rrustem Bruqin që, tashmë, vepronte në Kosovë dhe ishte gjithashtu pjesëtar i grupit të Sali Çekut. Kisha një letër që duhej t’ia dorëzoja. Pasi në këtë kohë ende s’e njihja Rrustemin, mendoja ta marrë me vete Shaban Ramë Avdimetaj të më njoftojë me té dhe kështu veprova. Kur arrita në Voksh më informuan (Sadri Lokaj, Ermal Guri, Naser Shatri) që nuk kalohej në drejtim të magjistrales Deçan – Rastavicë. Në këtë kohë erdhën dy djem për të kërkuar ndihmë për Junikun. Ata ishin Ramë Uka (Ratish), Begë Riza (Prokollukë). Kur këta djem u kthyen për Junik, unë shkova me ta deri ne Gacafer dhe fjeta në shtëpinë e Sylë Mehmetit. Të nesërmen, nga Juniku vazhdova rrugën për Dobrosh, Pacaj, Hereç, Gllogjan. Në Gllogjan arrita në orën dy të natës, fjeta aty. Në mëngjes vazhdova rrugën për në Strellc te Shaban Rama, i cili më dërgoi te Rrustem Bruqi. Kur u takova me Rrustemin ia dorëzova letrën dh i pranishëm ka qenë Skënder Rexhahmetaj. Në letër shkruante: “Kërkojmë rekrutë për formimin e brigadës së parë kosovare”. Me këtë kërkesë nuk u pajtua Rrustem Bruqi për arsye se në atë kohë ishin të rrezikuara shumë fshatra dhe duheshin shumë djem për t’i mbuluar pikat pikatë kyçe përreth çdo fshati.

Pse Rrustem Bruçi nuk u pajtua fillimisht dhe pse duhej që ushtarët nga Kosova të dërgoheshin në Shqipëri ?

Xajë Qela : Rrustemi mendonte drejtë, « se ushtarët nuk duhej larguar nga Kosova », por e vërteta ishte se ata ishin ushtarë që kishin vullnet, por nuk kishin as dije të mjaftueshme ushtarake e as përvojë lufte. Pastaj Ministri i Luftës, kolonel Ahmet Krasniqi kishte dhënë urdhër të formoheshin brigadat operative, sepse vetëm brigadat operative sikur ato që, më vonë, morën pjesë në Betejën e lavdishme të Koshares mund ta çlirojnë vendin, ngase ato, veç mbrojtjes kanë për detyrë edhe sulmin dhe shkatërrimin e armikut deri në çlirim të vendit.

Atëherë, si u tejkalua kjo situatë?

Xajë Qela : Pas dy-tre ditëve kjo situatë u qetësua. U organizua një takim në mes të Rrustem Bruqit, Saim Tahiraj, Ismet Çeku dhe kishin vendosur t’i dërgojnë 90 rekrutë për Shqipëri. Përcjelljen e këtyre rekrutëve e ka bërë Saim Tahiraj, Ismet Çeku, Bekë Osmonaj dhe unë. Këta rekrutë janë nisur me datën 15 qershor 1998. Udhëtimi ka vazhduar në drejtimin Isniq, Irzniq Gllogjan, Hereç. Deri në Hereç na ka përcjellë vetë Rrustem Bruqi dhe Naim Bajraktari, të cilët edhe e bllokuan rrugën në Hereç. Përgjegjës për grupin nga Isniqi ka qenë Bekë Osmonaj.
Në Junik kemi fjetur, të nesërmen vazhduam rrugën nga Juniku për Gjocaj. Në Gjocaj na u bashkëngjit edhe Bajram Maloku (Gjocaj) dhe vazhduam për në Viçidol, Papaj.
Në Papaj u përgatitëm dhe bëmë betimin eprorë dhe ushtarë të gjithë së bashku dhe ndjenim kënaqësi të veçantë kur shikonim rregull dhe disiplinë ushtarake. U rreshtuam me shumë krenari nën urdhrat e institucioneve të atëhershme të Republikës së Kosovës për çlirimin e atdheut dhe pranuam Ministrinë e Mbrojtjes (apo më mirë Ministrinë e Luftës) të cilën e udhëhiqte kolonel Ahmet Krasniqi. Ai ia dorëzoi flamurin kombëtar komandantit Tahir Zemaj. Në këtë rreshtim përveç ushtarëve ishin të pranishëm edhe shumë eprorë si: Rrustem Berisha, Agim Ramadani, Sali Çekaj, Lumni Surdulli, Faruk Xhemajli, Sefedin Kuçi, Farush Thaçi, Musë Gjakova, Ismet Ibishi, Fadil Hadërgjonaj, Kemajl Shaqiri, Shemsedin Fetahu, Nazif Ramabaja, Bajram Stojkaj, Sebahate Tolaj.

Pasi u dha betimi dhe iu dorëzua flamuri Komandantit Tahir Zemaj nga ministri i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi, cili ishte hapi që u ndërmor në vazhdim?

Xajë Qela : Sali Çekaj me grupin e vet, pasi tashmë kishte përvojë, në cilësinë e vëzhgueseve të terrenit i parapriu kalimit të kufirit dhe hymë në Kosovë. U vendosëm në Jasiq për disa ditë. Pritja nga banorët, në këtë fshat, ishte jashtëzakonisht e mirë. U vendosëm në shtëpitë e tyre; me Agim Ramadanin në shtëpinë e Osman Jasiqit, Ali Ibrës, Halit Hysenit, ndërsa oficerët tjerë me Tahir Zemaj u vendosën në shtëpinë e Isuf Rexhep Jasiqit. Pas disa dite të qëndrimit në Jasiq, u vendos që Tahir Zemaj të shkojë në Isniq dhe Prapaqan. Në Jasiq kemi qëndruar Rrustem Beisha, Agim Ramadani, Refki Basha, Astrit Ademaj dhe unë – Xajë Qela.
Këtu i prisnim armatimet moderne sipas premtimeve dhe rekrutët. U dëshpëruam kur na informuan se këto armatime ishin bllokuar në portin e Durrësit nga qeveria e atëhershme e Shqipërisë që udhëhiqej nga kryeministri Nano. Megjithatë, vazhduam me përgatitjet me djemtë e Jasiqit, Gjocajve dhe të Junikut duke vendosur roje në pikat kyçe përreth këtyre fshatrave si në pikat Gunovë, Kumurec etj. Në Jasiq, gjithashtu, u formua grupi vëzhgues në krye me Agim Ramadanin dhe pjesëtarët tjerë si Refki Basha, Qamil Jasiqi, Bashkim Jasiqi, Avdyl Jasiqi, Fatmir Jasiqi dhe unë.
Vëzhguam të gjitha anët si nga Badra, Jedova në Fierëza, pastaj nga ana e Vokshit, Rogopeq, Kershi Yllit, Gomure dhe nga pjesa e Botushës.

Gjatë vëzhgimit a kishte në dukje forca serbe?

Xajë Qela : Po, gjatë vëzhgimit, në anën e Botushes, në rrugën drejtë Junikut, ishin të pozicionuara shumë forca serbe dhe mjete motorike të cilat vazhdonin të shtohen. Në mbrëmje si zakonisht i raportuam komandantit të grupit tonë Agim Ramadanit dhe konstatuam me bindje të plotë se forcat serbe do të tentojnë të marrin Junikun nën kontroll dhe me të vërtetë ashtu edhe ndodhi. Në mëngjes e sulmuan Junikun, por falë rezistencës së luftëtarëve trima, serbëve u dështoi plani. Po atë ditë, me Rrustem Berishen i dolëm në ndihmë Junikut me djemtë e Jasiqit.
Ditën e dytë në ndihmë të Junikut ishim me Agim Ramadanin. Forcat serbe pas dështimit të marrjes së Junikut sulmuan nga ana e Zharrës për të futur nën kontroll fshatin Gjocaj, Jasiq dhe prapë dështuan. Nga serbët pati shumë të vrarë oficerë dhe ushtarë. Kjo u realizuar falë ushtarëve trima që luftuan deri në rënien e tyre heroike si: Avdyl Jasiqi, Shkëlzen Gacaferi, Arif Gjocaj me datën 28 korrik 1998.

Dhe kjo ishte një luftë e vërtetë për pozicione dhe territore?

Xajë Qela : Luftë dhe e rreptë madje, por veç luftës për pozicione, ne duhej të bënim luftë edhe për tërheqjen e kufomave të ushtarëve të rënë. Me Agim Ramadanin bëmë tërheqjen e kufomës së Avdyl Gjocit. Pastaj sipër Gjocajve, në Rrafshe sulmuan një picgauver që shkonte drejtë Gomurës dhe asgjësuam disa ushtarë serb. Në këtë aksion morën pjesë: Agim Ramadani, Qamil Jasiqi, Demë Maloku, Shkëlzen Jasiqi, Sefadin Jasiqi, Refki Basha dhe unë.
Pastaj prapë nga ana e Vokshit në Fierëza zbuluam dhe sulmuam një bateri për dhënien e koordinatave artilerike. Serbët patën shumë humbje. Ne ua morëm një sasi të madhe armatimi falë këtij grupi sulmues ku bënin pjesë: Bashkim Jasiqi, Qamil Jasiqi, Xhafer Jasiqi, Shkelzen Jasiqi, Sefadin Jasiqi, Demë Maloku dhe unë.

Pas këtyre luftimeve të rrepta çfarë ndodhi me popullatën e kësaj ane?

Xajë Qela : Gjendja ishte shumë e rëndë. Filloi tërheqja e popullatës së Junikut, Gjocajve e Jasiqit e Vokshit. Kjo zhvendosje e popullatës filloi më 13 gusht 1998. Në drejtim të Tropojës u formua një kolonë e madhe me pleq, gra, fëmijë dhe të plagosur.
Përcjellës i kësaj kolone ishte Agim Ramadani, Rrustem Berisha dhe djemtë e Jasiqit dhe të Gjocajve. Gjatë rrugës hasëm në mina, të cilat, i çminuam me Agim Ramadanin dhe kaluam në Padesh pa ndonjë problem. Disa djem u vendosen në Papaj, sepse një pjesë shkuan për t’i vendosur familjet e tyre në vende të sigurta. Edhe pse ishim numër i vogël i luftëtarëve vazhduam përsëri me vëzhgime dhe aksione guerile gjatë gjithë kohës. Ndërkohë filloi të rritej edhe numri i luftëtarëve të forcave tona. Vëzhgimet i bënim nga trekëndëshi i kufirit Mali i Zi, Shqipëri, Kosovë dhe deri në Vlahën nga ura e Krumes.

vazhdon…

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top