LDK, “ZANZIBARI 2” PO TË TROKET TË DERA

Shkruan: Florim ZEQA

Ka disa ditë, që në opinionin kosovar është duke u folur për mundësinë e thyerjes së bllokut opozitar. Blloku opozitar, pavarësisht dallimeve programore, gabimeve në veprime, në këtë fazë të zhvillimeve politike të vendit, vetëm si i tillë çfarë ishte deri më tani, paraqiste opozitarizëm të fuqishëm dhe të vetmen mundësi për çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme (jashtëzakonshme).

Funksionimi i deritanishëm i bllokut opozitar u tregua të jetë i suksesshëm në rrafshin politik, edhe pse jo shumë i shëndetshëm për institucionet e vendit!

Janë shumë faktor që determinojnë të metat e këtij blloku; mungesa e fuqisë politike, intelektuale, konceptuale, parimore dhe programore,… sikurse që janë edhe shumë të tjera që konvergjojnë në; interesat personale, grupore dhe klanore,… etj.!
Hyrja në bllok opozitar e partive “minore” është hyrje në “SENSO UNICO” apo rrugë një kahesh,… përveçse kthim mbrapa, është dështim dhe vazhdim i keqqeverisjes, imoralitetit politik dhe degradimit institucional të vendit.

Situata e krijuar nga “plasaritjet” e bllokut opozitar, në dukje të parë e largon vendin nga mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke hapur mundësinë e ndërhyrjes ndërkombëtare në parandalimin e shpërthimit të “bombës” sociale në vend.

Në të kundërtën, thyerja e bllokut dhe kthimi i cilës do parti në koalicion me partitë në pushtet, përveçse fatale do të ishte zgjidhja më e keqe për vendin.
Pas fitoreve të njëpasnjëshme të betejave përballë pushtetit, ndarja e liderëve opozitar në veprimet e tyre, shkon drejtpërdrejtë në llogari të keqqeverisjes së vendit!
Siç duket, më shumë se pushtetarëve, thyerja e bllokut opozitar po ashtu i ka gëzuar disa nga mbështetësit e tyre, të ashtuquajtur gazetar dhe analist politik.

S’ka asnjë fije dyshimi edhe për inate të arsyeshme personale të liderëve opozitar ndaj liderit të LDK-së, zotit Isa Mustafa, por akoma më të mëdha inatet personale ndaj Isa Mustafë janë brenda elektoratit të LDK-së, i cili, përveçse i tradhtuar, ndihet i keqpërdorur dhe anashkaluar me rastin e lidhjes së kurorës së turpit me PDK-në.

Nuk janë kauza të paqëndrueshme “Zajednica” dhe Demarkacioni, siq u shprehë njëri nga analistët e pushtetit,… inatet politike të liderëve të bllokut opozitar në të cilat thirret “analisti” janë më tepër se njerëzore pas tradhtisë që u kishte bërë lideri i partisë më të madhe opozitare (të atëhershme) pas zgjedhjeve të 8 Qershorit 2014.

Pavarësisht dallimeve të mëdha programore e politike, ideologjike që ka opozita e bashkuar; Vetëvendosje, AAK e Nisma muajve të fundit dhuruan shpresë tek qytetarët për largimin nga pushteti të “dinozaurëve politik”, që zhvaten për vite e dekada rresht së bashku nga buxheti i shtetit.

Kulmi i naivitetit të një analisti politik (të pushtetit) arrin me faktin, kur mundohet të ndërlidhë përçarjen e bllokut opozitar me largimin e Donika Kadajt Bujupit nga AAK-ja dhe përafrimin e saj me Vetëvendosjen,… duke u shprehur me ekzaltim adoleshent; “Opozita e bashkuar, tashmë është një sintagmë që mund të krahasohet me përrallat e gjyshit e të gjyshes për fëmijët parashkollorë. Gjithçka që mund të thuhet është: Na ishte seç na ishte njëherë, një opozitë e bashkuar”, përfundon citati.
Pavarësisht mospajtimeve të momentit, opozita e bashkuar duhet të mbajë kontinuitetin e veprimeve opozitare, në të kundërtën vetëm mund t’ia zgjasin jetën koalicionit qeverisës të vendit.

Megjithatë loja e re politike vetëm sa ka filluar, me këtë edhe prapaskenat e partnerit qeverisës (PDK-së) ndaj LDK-së. Me akomodimin e Hashim Thaçit në postin e presidentit të vendit, zgjedhjet e jashtëzakonshme mbetën çështje ditësh dhe javësh. Shkëndijat e para të përplasjeve politike mes partnerëve të koalicionit qeverisës filluan në dy seancat e fundit të kuvendit pa prezencën e opozitës.

Prandaj, pritet shumë shpejtë, që “Zanzibari 2” t’i jep fund kurorës qeverisëse PDK-LDK, për ta hedhur LDK-në si leckë të përdorur dhe të copëtuar siç është më së keqi.

Dilema mbetët, a do të jetë edhe kësaj radhe Hajredin Kuqi, ai që do të sjellë Zanzibarin apo dikush tjetër nga radhët e PDK-së. Mbase, pas “Zanzibarit 2”, LDK-ja do të mbushet mend, për t’ju kthyer përfundimisht vetvetes,… .konsolidimit të saj të brendshëm, për arritjen e reformave të thella dhe përmbajtësore duke filluar nga poshtë (baza elektorale) e deri në kreun e lartë të saj.

Pa arritjen e këtyre objektivave, pushteti për LDK-në do të jetë “mollë e ndaluar”, ngase do të jetë elektorati, ai që determinon fatin e saj e jo lideri i partisë si deri më tani.

Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, LDK-ja do të dali dukshëm më e dobësuar dhe e tkurrur numerikisht, saqë nuk do t’i ngjajë më LDK-së së dikurshme. Andaj, mbijetesa e saj politike varet nga gjetja e çelësit të reformave të brendshme,… në të kundërtën, do të mbetët patericë e partive minore në vend, e assesi avangardë e proceseve pozitive në vend.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top