KY KOC

SHKRUAN: EDISON YPI

Ky koc jetën plot vuajtje nuk e këmben me asnjë rehati banale, meskine, mediokre.
Ky koc e konsideron Fat që është inxhinier dhe nuk bëri shkollim letrar që do t’ja kishte pushkatuar kënaqësinë që i jep shpallja e botës së brendëshme të vetes përmes të shkruarit bukur.

Ky koc, megjithse gjatë jetës së tij nuk ka pasur asnjë rrethanë favorizuese, sot ka një bilanc.
Ky koc tmerrohet nga konstarimi se të rinjtë e sotëm i kanë të gjitha kushtet, por nuk kanë asnjë bilanc.
Ky koc urren dhe përbuz dhe neverit ata që jetojnë në Shqipëri me sy e veshë kah Milano, Parisi, Londra.

Ky koc vdes të udhëtojë nëpër katunde sa më të largëta, sa më të thella, ku fërshëllen melodira, i ngec makina nëpër baltra, bën muhabet me banorë lokalë të vrazhdë dhe të vërtetë, ha fasule, pi dhallë, këput fiq nga dega.
Ky koc urren për vdekje disa të cilët jashtë i ka hedhur sigurimi dhe prej andej hedhin baltë mbi vendin e tyre. Ky koc, mallkimi i të cilit zë, ata ndyrësira i mallkon.
Ky koc mallkon edhe hajvanët që dalin në foto në fejsbuk nëpër vila me kopështe, basena, shezlongje, dhe thonë se Shqipëria nuk do ndreqet kurrë.

Ky koc nuk mendon se partia, kooperativat, mbledhjet e kolektivit, sigurimi i shtetit, ikën e vanë e nuk kthehen më. Ky koc ka bindjen se sa kohë ka ekrane shqiptare që çfaqin filma këllira me partizanë trima dhe ballista që hanë pula, pinjojt e nomenklaturës mbajnë poste të larta, sigurimi financon gazeta, partia, kooperativat, mbledhjet e kolektivit, janë te pragu, gjithmonë ka një kurv që pret pas dere.

Ky koc dëshpërohet nga tipa që vrasin kohën nëpër kafenera, nga zyra ku nuk punohet, mbledhje ku vetëm llomotitet, shoqata ku vetëm vidhet, shkolla dhe universitete ku vetëm bjerret koha.

Ky koc u tha miqve të tij në ’90-ën; Çuna, mos ikni, nuk është mirë me ja lënë vrasësave këtë vend të magjishëm.

Ky koc po vëren me kënaqësi se çunave që e dëgjuan dhe ndejtën punët u vajtur mbarë, ndërsa çunat që nuk e dëgjuan dhe ikën gdhihen e ngrysen nëpër barraka prejnga nuk dalin dot natën nga frika.

Ky koc nuk adhuron vetëm Doktorin, të cilin, meqë ra fjala, nuk e ka takuar kurrë. Ky koc adhuron të gjithë ata që bëjnë ndonjë gjë pozitive sado modeste për të mirën e Shqipërisë.

Ky koc është vënë në dijeni nga eksperta statisticienë se shkrimi i këtij koci me titull “Ti nuk lexon” është lexuar nga mbi 1 milionë shqiptarë, pra është shkrimi më i lexuar në historinë e shtypit shqiptar të të gjitha kohërave. Ky koc pështyn mbi surratin e atyre që faktin e mësipërm e dyshojnë.

Ky koc ka bindjen se “shkrimtarët më të mirë” shqiptarë sot nuk janë ata që bëjnë promuovime librash të palexueshëm me ujë të gazuar dhe krruajtëse dhëmbësh, por mijëra të tjerët që anembanë Shqipërisë mbjellin ullinj, kultivojnë vreshta, ngrenë ferma, ndërtojnë shtëpi, vila.

Ky koc megjithse bën shkrimet më të bukura dhe më të pëlqyera, nuk paguhet. Ky koc nuk u kërkon botuesave të paguhet, sepse ky koc ka bindjen se po kërkoi të paguhet, cilësia e shkrimeve të këtij koci bjerret.

Ky koc e ka për ofendim ta cilësosh “i përndjekur”.

Ky koc është tejet i pikëlluar për faktin se përndjekja, duke mos u dëshmuar si duhet, po harrohet.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top